TIRANË, 20 shkurt /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi gati projekti për zhvillimin e zonës së Divjakës dhe Fierit, pasi janë thesare të pazbuluara”.
Rama tha se “thyerja e akullit me investitorët e mëdhenj në turizëm ka filluar të ndodh, dhe në momentin që ndodh atëherë hapet perspektivë për këto lloj përmasash”.
“Ndërkohë nga ana tjetër kemi patur iniciativa private, lokale apo të sipërmarrjes shqiptare për të gjithë këtë zonë, besoj se edhe për arsyen se është një zonë e pazbuluar, një thesar i pazbuluar dhe nuk e ka atë tërheqjen tradicionale që ka Durrësi, Vlora apo zonat poshtë, apo Shëngjini lart dhe Velipoja, por jam i bindur se në momentin që shkrihet akulli, pastaj bukuria e kësaj zonë dhe e zonës tjetër më lart në Divjakë është e mahnitshme dhe do të sjellë të tjera”, tha ai.
“Ne kemi përfunduar studimin për zhvillimin turistik të Divjakës, një studim shumë delikat, që është një zonë delikate për të ndërhyrë dhe për ta zhvilluar duke e ruajtur njëkohësisht vlerën që ka sepse është shumë e ndjeshme për shkak të parkut, por jo vetëm. Këtu janë bërë disa plane dhe studime. Nuk kanë pasur zhvillim të mëtejshëm, sepse vjen si rezultat i frenimit që sjell tradita”, tha ai.
Rama tha se “ne e kemi bërë planin dhe kemi bërë një pjesë të gjësë, por keni parasysh se këtë mandat që mbyllim ka qenë një mandat me anamoli shumë të mëdha”.
“Një mandat, komplet i jashtëzakonshëm për nga ngjarjet që kanë ndodhur. Na është dashur të ndryshojmë qasje, të ndryshojmë drejtim të financimeve, të ndryshojmë prioritete sepse na janë prezantuar prioritete komplet të tjera, të padëshiruar. Tërmeti na prezantoi si prioritet rindërtimin për mijëra e familja dhe pandemia, rezistencën dhe mbrojtjen. Duhet pasur parasysh dhe kjo kur gjykohet mandati që po mbyllim”, tha ai.