Kjo tortë është e përbërë nga tre shtresa
Përbërësit për brumin:
3 të verdha vezësh
80 gr gjalpë i butë (e nxjerrim nga frigoriferi 1-2 orë përpara)
½ luge kafeje me sodë buke
90 gr sheqer
300 gr miell
dhe pak ujë të ftohtë
Përbërësit për mbushjen me agrume:
2 portokalle bio
1 limon bio
125 gr sheqer
Përbërësit për meringën:
3 të bardha vezësh
125 gr sheqer
Përgatitja:
Në fillim do të përgatisim mbushjen me agrume. Në një robot elektrik do të grijmë limonin dhe portokallet me gjithë lëkurë. Pasi t’i grijmë i hedhim në një tas dhe pasi t’i shtojmë sheqerin e lëmë në frigorifer të pushojë.
Për brumin:
Në një tas do të hedhim gjalpin e butë dhe miellin dhe i përziejmë me dorë. Shtojmë të verdhat e vezëve të cilat e kemi rrahur pak me pirun, shtojmë sheqerin, sodën e bukës dhe pak ujë të ftohtë aq sa duhet për të bërë një brumë si ai i pastave frolla. E mbështjellim me letër transparente dhe e lëmë të pushojë në frigorifer për ½ orë.
Pasi të kenë kaluar 30 minuta e hapim brumin me pec dhe e bëjmë pete të hollë, të rrumbullaket dhe e vëmë në një tavë me diametër 24 cm.
E shpojmë petën me pirun, e mbulojmë me letër varaku dhe po të keni hidhini sipër disa groshë të thata (duhet që brumi të mos fryhet )dhe e vëmë në furrë të piqet me 190 ° për rreth 20 -250 minuta derisa të marri ngjyrë.
E nxjerrim nga furri, i heqim groshet dhe letrën dhe hedhim sipër mbushjen e agrumeve që kishim lënë në frigorifer të pushojë.
Rrahim 3 të bardhat e vezëve me sheqerin, me robot elektrik dhe me lugë do i hedhim tek torta duke krijuar si dallgë me lugë ose mund të përdorni shiringë pastiçerie për t’i dhënë formë të bukur meringës.
E rivëmë në furrë të piqet me 190 ° për 10 minuta dhe pastaj do e ulim temperaturën në 150° dhe do të vazhdojmë ta pjekim edhe për rreth 30 minuta. N.q.s torta merr shpejt ngjyrë, mund të mbuloni me letër alumini që të mos digjet nga sipër. Koha e pjekjes varet gjithmonë nga furri që keni.
Është më e mirë për t’u ngrënë të nesërmen dhe në temperaturë ambienti.
Marrë nga emisioni “Embëlsira”