Grupet e turistëve i gjen kryesisht përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, tek “Piramida”, por edhe në muzeumet e Tiranës, ku mund të mësojnë më shumë për kulturën dhe traditën shqiptare.
Nuk i mungojnë itinerarit të tyre edhe shëtitjet në lagjet e vjetra të Tiranës dhe ndërtesat shumëngjyrëshe, ku njihen me historinë e Tiranës dhe shijojnë kuzhinën vendase.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga turistët e huaj, por edhe shqiptarë të Kosovës, apo Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që po vizitojnë kryeqytetin këtë sezon turistik.
“Mirëmëngjes dhe me Tiranën e Shqipërinë e hapur për turistët, ju uroj një të diel çlodhëse”, tha Rama.
“Po më pëlqen shumë këtu, do ua rekomandoja të gjithëve Tiranën sepse është një qytet europian i përballueshëm dhe modern. Njerëzit nuk duken të stresuar nëpër rrugë dhe është shumë bukur gjithashtu”, shprehet një turiste.
Një tjetër turist thotë se “para 6-7 viteve Tirana nuk ishte një qytet kaq i bukur. Nëse do të vizitosh një qytet të bukur, qytet të ri, një qytet me ushqime të mira dhe jetë nate interesante, mund ta gjesh”.
“Do i ftoja njerëzit të vinin në Tirane dhe në Shqipëri. Këtu ka histori të veçantë dhe njerëzit janë miqësorë dhe të ngrohtë”, -thekson një turiste.
Ndërsa një turist shprehet se “ajo që me pëlqen është rregulli dhe është shumë pastër”.
Një tjetër turiste shqiptare thotë se “të gjitha malet i kaloja në këmbë për të ardhur këtu”.
“Tirana dhe gjithë Shqipëria është sot një vend jo shumë i njohur për europianët, por këtu njerëzit janë të mirë dhe mikpritës, çmimet janë të arsyeshme dhe mund të hahet shumë mirë”, shprehet një turiste e huaj.
Tirana është pa dyshim një nga qytetet më të gjalla e më në shndërrim të Europës Juglindore. Ajo është kthyer në një qendër atraksioni turistik për turistë të huaj nga rajoni, Europa, por edhe më gjerë. Transformimi që po pëson Tirana po zë gjithashtu hapësira në revistat më të njohura të botës.
Në vetëm 15 kilometra katrorë sipërfaqe, në Tiranë mund të shijosh thuajse të gjitha format e turizmit, duke nisur nga ai kulturor, historik, duke vijuar te turizmi arkitekturor e kulinar, e mandej te turizmi malor dhe i aventurës.
Disa prej pikave atraktive, që mund të vizitojnë turistët e huaj në Tiranë, por dhe në rrethina janë Mozaiku i Tiranës, Kulla e Sahatit, Xhamia e Et’hem Beut, Tyrbja e Kapllan Pashës, Kalaja e Tiranës, qendra e Tiranës “Ansambël Monumental”, Ura e Tabakëve, Kalaja e Petrelës, Muzeu Historik Kombëtar, “Bunk’art”, “Shtëpia e gjetheve”, etj./k.s/j.p/