TIRANË, 19 qershor /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi e cilësoi histori suksesi marrjen e masave në kohë për sezonin e ri turistik të këtij viti.
I pranishëm në takimin që zhvilloi sot Taskforca e Turizmit në Pogradec, Klosi vuri theksin në rëndësinë e vendosjes së rojeve të plazhit dhe të bovave.
“Për Pogradecin mund te them që kemi një histori suksesi, pasi ka përfunduar pastrimi i bregut, janë ndarë zonat e plazhit”- tha Klosi.
Ndërsa nënvizoi se, vazhdojmë të kemi problematikë sa i takon numrit të rojeve të plazhit dhe vendosjes se bovave për të përcaktuar zonat ku mund të notohet.
“Liqeni, Pogradeci duhet t’i kushtojë vëmendje trashëgimisë kulturore dhe historike, të cilat duhet të shndërrohen në destinacione turistike”- theksoi ai.
Ministri u ndal në sfidat kryesore të këtij sezoni turistik ku theksoi se rritja e standardeve të shërbimeve dhe rritjen e kapaciteteve pritëse duhet të trefishohet për këtë vit.
“Hapja e kufijve do të ketë impakt për turizmin e organizuar nga vende të ndryshme të Europës. Sfida kryesore e këtij sezoni do të jetë niveli i shërbimeve dhe rritja e kapaciteteve pritëse ,të cilat duhet të trefishohen që të përballojë fluksin në rritje të turistëve vendas dhe të huaj”,- theksoi Klosi.