Nevojiten:
- 250 gr. çokollatë (e fortë, pa qumësht) ,
- 250 gr. gjalpë ,
- 4 vezë ,
- 4 të kuq vezësh ,
- 120 gr. sheqer ,
- 40 gr. miell.
Përgatitja
1. Në fillim shkrijmë çokollatën duke përdorur vaskën me ujë të ngrohtë. Për këtë në kushtet e shtëpisë mund të përdorni dy enë me madhësi të ndryshme: njëra duhet të jetë më e madhe, aq sa mund të zërë enën tjetrën brenda. Enën e parë e mbushni me ujë (jo plotësisht) dhe e vini në zjarr. Brenda saj vendosni enën e dytë, e cila ka madhësi më të vogël, ku keni hedhur masën e çokollatës. Në këtë mënyrë çokollata shkrin nga ngrohtësia e ujit dhe jo e zjarrit. Sapo të fillojë të shkrijë, në çokollatë shtojmë gjalpin dhe e përziejmë për disa minuta derisa të marrë formë të njëtrajtshme.
2. Ndërkaq në një mikse rrahim vezët, të kuqet dhe sheqerin derisa masa të shkumëzohet, të zbardhet dhe të mpikset. Shtojmë në të masën prej çokollate dhe hedhin pak nga pak sasinë e miellit.
3. Lyejmë me gjalpë dhe miell fundin e 8-10 formave ose taseve dhe i mbushim me masën e mësipërme, jo plotësisht por gati një gisht më poshtë buzëve. Më pas i pjekim ato në furrë në temperaturë 230 gradë celsius për rreth 8 minuta. I lëmë të ftohen për 2 minuta; i heqim nga forma dhe me kujdes i shërbejmë menjëherë.