TIRANË, 27 maj/ATSH/ Guri i Kamjes është një monument i natyrës pranë fshatit Dardhë të Pogradecit, ku era ka gdhendur në shekuj mikroforma të çuditshme, plot vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe ka krijuar një skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një material spektakolar të përgatitur nga djemtë e talentuar të “Albania by Drone”.
Guri i Kamjes, një monument i natyrës, ndodhet pranë fshatit Dardhë të rrethit të Pogradecit, në afërsi të Qafës së Lipovës, 1461 m mbi nivelin e detit.
Përfaqëson një formë interesante relievi në trajtën e “një anije që lundron në një det të hapur”.
Është i gjatë rreth 100 m, i gjerë rreth 80 m dhe i lartë rreth 70 m. Forma e tij lidhet me rezistencën më të madhe të konglomerateve që e përbëjnë, në krahasim me argjilat që ndërtojnë territorin përreth tij.
Mbi këtë formë relievi veprojnë proceset e erozionit dhe era, që kanë gdhendur në mikroforma të çuditshme. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe kulturore, turistike dhe didaktike me rëndësi lokale.
Mund të vizitohet sipas itinerarit: Pogradec-Leshnicë-Trebinjë dhe vlen si një destinacion për turizmin e natyrës. /m.m/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.