TIRANË, 5 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria nuk do të vendosë asnjë kusht apo kriter për të gjithë ata që duan të vijnë në Shqipëri, për një sezon turistik që siç e kam thënë edhe më parë duhet të jetë, një sezon shumë më i lehtë se ai i shkuari”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me komisionerin e BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, pas mbërritjes së sasisë së vaksinave “Pfizer”, Rama tha se “me shumë kënaqësi po ndjek procesin e pronotimeve dhe kërkesave që po rriten vazhdimisht nga vendet e tjera, për të ardhur dhe për të kaluar pushimet në Shqipëri”.
Duke i referuar ecurisë pozitive të vaksinimit antikovid në vendin tonë, kryeministri theksoi se “ne jemi sot në një pozicion relativisht të admirueshëm, nga pikëpamja epidemiologjike, nga pikëpamja e sasisë së vaksinave të bëra”.
“Do të vazhdojmë me ritëm të lartë vaksinimin. E kemi realizuar objektivin me gjysëm milion vaksinime, 29 ditë përpara afatit, tani objektivi është 1 milion”, u shpreh Rama.
“Puna vazhdon intesivisht, në mënyrë që Shqipëria të buzëqeshë e çlruar nga ky makth i gjatë dhe që kapaciteti i saj kryesor, që ka të bëjë me turizmin të përdoret sa më shumë këtë vit dhe pastaj totalisht vitin e ardhshëm dhe në vijim”, deklaroi Rama.
Varhelyi: Shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale
Nga ana e tij, Komisioneri i BE për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, u shpreh se, “ne i kemi bërë një propozim shteteve anëtare dhe shtetet anëtare do të marrin vendimin sesi do të ecet përpara, si do të procedohet”.
“Në rekomandimet tona, ne kemi sugjeruar që shtetet anëtare të rihapin kufijtë dhe të lejojnë edhe qytetarët e shteteve të tjera, të hyjnë në BE, në veçanti të Ballkanit Perendimor edhe pa pasur arsye thelbësore. Pra që të rifillojë udhëtimi i tyre”, u shpreh ai.
“Ne, natyrisht do të përdorim të dhëna epidemiologjike, në mënyrë që ato vende të cilat kanë një situatë të mirë epidemiologjike të kenë mundësi, që qytetarët e tyre të udhëtojnë në shtetet anëtare të BE-së, si dhe ata individë që janë të vaksinuar”, tha ai.
“Shpresoj që në formë graduale ne do të rifillojmë këtë proces dhe shpresoj të kemi një verë e cila do t’i ngjajë një vere normale apo një normaliteti veror, pasi ka ardhur koha që të ndodhë kjo gjë”, deklaroi Varhelyi.
/j.p/r.e/