TIRANË, 30 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka zhvilluar sot një takim me homologen serbe Tatjana Matić.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi në fushën e turizmit mes dy vendeve, Shqipëri-Serbi.
“Me homologen serbe Tatjana Matić po diskutojmë mundësi të shumta për përmirësimin e bashkëpunimit në fushën e turizmit mes dy vendeve tona”, tha Klosi.
“Turistët nga Serbia përbëjnë një pjesë të mirë të turistëve të huaj në vendin tonë. Një bashkëpunim më i mirë institucional dhe mes tour operatorëve tanë do të bënte shërbimi ndaj tyre të përmirësohej dhe numri i tyre të rritej”, shprehet Klosi.
Gjithashtu ministri Klosi zhvilloi dhe një takim me Agjencinë e Turizmit të Serbisë si dhe tour operatorët serbë dhe shqiptarë.
“Një takim i gjerë me Agjencinë e Turizmit të Serbisë si dhe tour operatorët serbë dhe shqiptarë, të cilët shkëmbyen përvojat e tyre, diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit si dhe shprehën gatishmërinë për të hartuar paketa turistike të përbashkëta”, tha Klosi.
/a.a/r.e/