TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Përgatitja për sezonin turistik dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për turistët ka qenë në fokus të punës së bashkisë së Lezhës.
Përveç pastrimit të vijës bregdetare, puna e bashkisë është fokusuar edhe te përmirësimi i sinjalistikës rrugore për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur shtohet edhe fluksi i turistëve.
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ndau sot disa foto nga vendosja e sinjalistikës horizontale në rrugët e Shëngjinit.
“Në Shëngjin punohet për një sezon akoma më cilësor”, tha Ndreu ndërsa ndau pamjet.
Bashkia e Lezhës po tregon kujdes dhe vëmendje për gjithë bregdetin e Lezhës dhe zonat e tjera turistike për të krijuar gjithë kushtet e nevojshme që pushuesit të kalojnë një sezon turistik të qetë e sa më komod.
Pastrimi i mjediseve publike në bregdet, qytete dhe njësitë administrative, po vijon dita-ditës.
Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.
I ndodhur në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, Lezha ka krijuar një përvojë të konsoliduar në fushën e turizmit.
Vetëm 53 km larg kryeqytetit, qyteti i Lezhës ofron vlera të mëdha turistike, me objekte historike muzeale, arkeologjike si dhe objekte kulti si Kisha Françeskane e ndërtuar në vitin 1240.
/m.m/