TIRANË, 24 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi sot se “objektivi ynë është që të jemi ofertë konkurruese me gjithë vendet e rajonit dhe të Mesdheut gjatë sezonit turistik”.
Në takimin e zhvilluar në Sarandë me Komitetin e Menaxhimit të sezonit turistik, ministri Klosi tha se “objektivi i shpallur qartazi nga Kryeministri Edi Rama është që Shqipëria të jetë kampione e turizmit në Ballkan, si dhe deri në vitin 2025 të arrijmë në 10 milionë turistë apo pasaporta të huaja që hyjnë në Shqipëri”.
“Ia kemi dalë që të kemi një konsensus të plotë për ta paraqitur tashmë Shqipërinë si një destinacion të pastër dhe besoj që nga mbledhja e fundit e taskforcës të kemi eliminuar edhe atë ndjesinë jo shumë pozitive se çdo të ndodhë me kufijtë. Tani jemi një vend, i cili është pranuar nga gjithë vendet e Bashkimit Europian që kemi akses të plotë për sa i përket sezonit turistik, dhe meraku që kishim në mbledhjen e fundit të komunitetit që zhvilluam në Himarë se ç’do të ndodhë me kufijtë, sidomos me kufirin grek në Sarandë, besoj se ka marrë zgjidhje dhe besoj sezoni do të jetë i plotë dhe nuk do të ketë pengesa në kufirin shqiptaro-grek”, – tha Klosi.
Ministri Klosi tha se “pas një takimi shumë intensiv me ministrin e Turizmit të Greqisë besoj se ia kemi dalë që së bashku me të të prononcohemi shumë pozitivisht për mbarëvajtjen e pikave kufitare mes Shqipërisë dhe Greqisë, për të pasur mundësi që sezoni turistik t’i shërbejë të dy anëve të kufirit”.
Më pas, Klosi u ndal tek menaxhimi i detit dhe vendosja e kufizuesve se ku do të bëhet plazh, si dhe ku do të vendosen mjetet e shpejtësisë.
Lidhur me problematikat që kanë të bëjnë me pastërtinë dhe me menaxhimin e sezonit, Klosi tha se “bashkia ka bërë një punë të shkëlqyer jo vetëm me forcat e saj, por dhe në komunikim me operatorët dhe me donatorët e ndryshëm në Shqipëri. Ka realizuar një sërë mekanizmash të rinj në strukturën e grumbullimit, trajtimit e ndarjes në burim të mbetjeve, menaxhimit dhe depozitimit për t’i kaluar pastaj në Bajken”.
Sa i përket stacioneve të plazhit Klosi tha se “Saranda këtë vit në bazë të kërkesës së kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak ka shtuar zonat ku bëhet plazh. 140 stacione të reja ku mund të zhvillohet plazhi i menaxhuar sot kemi një sipërfaqe më të shtuar dhe kërkesë në rritje”.
“Në Sarandë janë në total 170 parcela të strukturuara nga të cilat 165 janë parcela të menaxhuara dhe 5 parcela janë publike, sidomos pjesa kryesore e plazhit të Sarandës, për qytetarët e thjeshtë, të zakonshëm që nuk duan të paguajnë për shezlonë e çadra”, – tha Klosi.
Ministri Klosi ngriti edhe shqetësimin e muzikës në orët e vona të natës.
“Duhet ta pranojmë të gjithë që tani Saranda e ka formuar një profil të sajën që s’mund të jetë profili i një diskoteke të hapur, duhet të jetë profili i një qyteti mikpritës, miqësor, familjar, turizëm i plotë, turizëm 12 muajt e vitit, një turizëm që nuk pranon vetëm muzikë. Prandaj unë i bashkohem kërkesës së prefektit, Këshilli Bashkiak duhet të marrë vendimin për fashat dhe zonat se ku nuk lejohet muzika dhe të gjithë bizneset ta kenë të qartë fashën orare, kufizimin e muzikës, edhe brenda mosgrumbullimit, moskrijimit të aktiviteteve, por muzika e lartë nuk duhet të ndodhë këtë vit”, theksoi Klosi.
/k.s/j.p/r.e/