TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha sot se lufta me ndërtimin e objekteve pa leje është një nga përpjekjet e vazhdueshme të realitetit shqiptar.
Në një intervistë televizive, Klosi tha se “është një fenomen që nuk po frenohet dot, por ajo që është shumë e rëndësishme është që Kryeministri ritheksoi edhe në takimin që bëmë sot edhe me drejtuesit e lartë të policisë së Shtetit, por edhe në prezencën e tre ministrave, të Rendit, Drejtësisë, Turizmit dhe Mjedisit për të dakordësuar institucionet tona për të pasur një proces shumë rigoroz sa i përket mos lejimit të ndërtimit të objekteve pa leje jo vetëm në zonat bregdetare , por në të gjithë zonat urbane, ku nuk mund të lejohet më që të anashkalohet ky problem”.
“Ajo që kërkohet nga Kryeministri është që të kemi një aksion shumë shpejt dhe të shtrirë në të gjithë territorin e vijës bregdetare për të mos lejuar që asnjë ndërtim, i cili ka zënë vijën e rërës dhe vijën e parë të detit në mënyrë të paligjshme të mos lejohet të funksionojë. Kemi mundësi që ky proces të përfundojë shumë shpejt pa filluar sezoni turistik intensiv”, – theksoi Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “po vjet u bë iu njëjti proces në zona të caktuara të bregdetit. Kështu ndodh gjithmonë që para sezonit turistik që në zonat ku është pak më qetësi, këto ndërtime pa leje duhet të pastrohen dhe t’ia lënë vendin menaxhimit të kujdesshëm të vijës bregdetare që të kemi një sezon turistik normal në vendin tonë”.
Më tej Klosi tha se, “që sot ne nisëm të bëjmë planin e veprimit të ndërhyrjes, për të goditur të gjitha ato ndërtime pa leje që janë realizuar sidomos gjatë procesit zgjedhor. Siç kërkohet me forcë lufta ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, kultivimit të lëndëve narkotike edhe ndërtimet pa leje, sidomos ato që realizohen në zona me rëndësi të veçantë, janë problematika që nuk duhet të lejohen të ndodhin, por të goditen që në fillimin e tyre”.
“Reforma që kemi bërë ne në funksion edhe në mbrojtje të mjedisit edhe të territorit është që të kemi mundësinë të godasim si vepër penale ndërtimet pa leje. Vepër penale që nuk shkojnë vetëm tek ndërtuesit, por edhe tek i gjithë zinxhiri që nga inxhinieri zbatues, firma e ndërtimit etj.”, – shtoi Klosi.
Duke folur për sezonin turistik, Klosi tha se “nëse nuk do të hapet kufiri me Greqinë që është një pikë shumë e rëndësishme lidhjeje me turizmin në Sarandë, atëherë Saranda do të vuajë turizmin e organizuar, gjë që mbase nuk do të ndodhë në zonën e veriut, pasi turizmi më i shumtë është që vijnë në rrugë tokësore nga kufiri i Rrugës së Kombit apo Muriqanit. Po ashtu nuk besoj se do të ketë problematika turizmi që vjen nga aeroporti i Rinasit, ku tani kanë ardhur çarterat e parë nga Ukraina, Moldavia, Izraeli. Shumë shpejt do të fillojnë çarterat e parë nga Polonia dhe vendet pak më të largëta”.
“Besoj se vitin tjetër do të shkojmë në nivelin e 6-7 milionë turistë të huaj dhe në 2023 nëse pandemia largohet do të përpiqemi që të shkojmë aty ku e kemi ne objektivin, në 10 milionë pasaporta të huaja që hyjnë në vendin tonë brenda 2025”.
/k.s/j.p/r.e/