TIRANË, 26 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot nga Durrësi se do të vlerësojmë idenë e vaksinimit të stafeve të hoteleve.
Në një takim me operatorët turistikë, Kryeministri Rama u shpreh se, “me shumë dëshirë dhe seriozitet do ta vlerësojmë”, propozimin e sjellë në vëmendje si mjet për një sezon turistik më të çliruar nga ndikimi i pandemisë.
“Do ta vlerësojmë dhe të shohim nëse bëhet e kombinuar me ofertën, pra nëse një hotel ka një marrëdhënie me Izraelin ku tanimë është kryer një përqindje e jashtëzakonshme e vaksinimit të popullatës dhe ata kanë filluar të marrin pasaportat e gjelbra dhe pashë pardje që kishin filluar të bënin marrëveshjet me hotelet në Maltë për grupet e tyre. Këto mund të jenë incentiva që ne mund të bëjmë diçka në këtë drejtim. Nuk po e premtoj sepse është thjesht një ide që tani e dëgjova dhe këtu po e flasim, por mund të jetë një ide interesante dhe ta shohim me shumë dashamirësi”, – nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se, “për mua nuk diskutohet që Shqipëria asetin e vet më të madh për gjeneratat e tjera ka bukurinë që i ka falur Zoti dhe të cilën ne kemi bërë çmos si njerëz të Zotit që ta relativizojmë duke e dëmtuar nga të katër anët me dekada të tëra”.
“Janë edhe jashtëzakonisht shumë bukuri për të kthyer në ekonomi dhe turizmi është absolutisht industria jonë e të sotmes dhe të ardhmes që nuk do të na lërë kurrë në baltë. Çfarëdo që ne mund të bëjmë për turizmin do ta bëjmë me patjetër. Në aspektin e mbështetjes direkte ne kemi bërë atë që duhet dhe atë që normalisht mund të bëjë shteti në atë pikë”, – tha Rama.
Por, vijoi Rama, në aspektin e mbështetjes indirekte, por shumë të rëndësishme të përmirësimit të gjithë hapësirës dhe klimës që operon industria e turizmit ne mund të bëjmë shumë dhe do vazhdojmë të bëjmë shumë.
Më tej Rama tha se, “sot po ecnim nëpër një pjesë të Durrësit ku po bëhet një risistemim i të gjithë trotuareve. Vetëm nga risistemimi i asaj infrastrukture aty është vënë re rritja e çmimit të apartamenteve në atë pjesë”.
“Çdo përmirësim që ne e bëjmë në hapësirën dhe me klimën e të bërit biznes të turizmit menjëherë e rrit cilësinë e ofertës tuaj dhe rrit edhe mundësinë tuaj për të pasur më shumë kërkesë”, – tha Rama.
/k.s/j.p/r.e/