TIRANË, 16 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot një video me pamje nga Ujëvara e Sotirës.
Duke i uruar ndjekësve pasdite të këndshme, kreu i qeverisë u shpreh se Ujëvara e Sotirës gjendet mes mrekullisë së pyjeve e pemëve të lisit.
“Pasdite të këndshme nga Ujëvara e Sotirës, mes mrekullisë së pyjeve e pemëve të lisit”, shprehet Rama në tekstin që shoqëron videon.
Ujëvara e Sotirës ndodhet rreth 60 kilometra larg Gramshit dhe për të arritur në zonën e ujëvarës duhet të ecësh rreth dy orë në këmbë nga fshati Sotirë, nga ku ka marrë emrin ujëvara.
Ujërat burojnë nga mali i Tomorit dhe zbret nga një lartësi prej 100 m. Në verilindje të Tomorit, ndodhet një burim i fuqishëm që vjen nga një e çarë gjatësore në shkëmbin gëlqeror të thepisur.
Peizazhi i shpatit ku uji del, në mes të pyjeve e pemëve të lisit është i mrekullueshëm. Zhurma e ujit mund të dëgjohet shumë larg.
Kjo ujëvarë tashmë është kthyer në një vend pelegrinazhi për turistët vendas dhe të huaj. Çdo fundjavë ajo pret me qindra vizitorë.
Ujëvara e Sotirës vizitohet nga qindra turistë dhe fluksi vazhdon të rritet me rritjen e temperaturave në sezonin e verës, pasi natyra e bukur e Tomorit ofron jo vetëm freski, por bukuri të rralla natyrore, ecje në këmbë në shtigje malore, bimësi të harlisur dhe vendpushime të mrekullueshme për kampingje malore. /a.a/