TIRANË, 21 qershor /ATSH/ “Qeveria është duke marrë të gjitha masat për të ndihmuar turizmin, një nga sektorët që u prek më shumë nga kriza COVID-19, me qëllim rivitalizimin e qëndrueshëm të tij”.
Kështu u shpreh sot gjatë një interviste televizive zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, ku ndër të tjera theksoi se, “ecuria me ritëm të përshpejtuar e vaksinimit të popullatës kundër COVID-19 dhe nga ana tjetër edhe mirëmenaxhimi i situatës së kovidit në vend, ka dhënë efektet e veta, për sa i përket besueshmërisë së Shqipërisë, ku që në ditët e para të muajit prill nisi fluksi i turistëve dhe i vizitorëve të huaj”.
“Në Shqipëri janë marrë të gjitha masat që mbështesin mbarëvajtjen e turizmit. Në Shqipëri do të zhvillohet këtë vit turizëm pa maska, ndërsa janë marrë të gjitha masat që të ketë një protokoll të qartë i pandryshuar nga njëri muaj në tjetrin, që do të ndihmojë të gjithë operatorët turistikë të mund të shesin paketën e tyre turistike me një garanci shëndetësore”, – tha Çuçi.
Gjithashtu nënvizoi ajo, në mbështetje të turizmit shkojnë edhe një sërë investimesh që ka ndërmarrë qeveria në vepra publike.
“Në vendin tonë janë 11 impiante të pastrimit të ujërave të zeza, që sot raportohet se Shqipëria është te vendet me cilësinë më të mirë të ujërave të detit”, – tha Çuçi.
Sipas saj, Shqipëria nuk e ka ndryshe protokollin e masave antikovid nga vendet e BE, në mënyrë që ky protokoll të jetë shumë i mirëkuptueshëm ndërmjet vizitorit dhe agjencive turistike.
Ajo tha se, në çdo vend europian ka një komitet ekspertësh që konsultohen për masat. Edhe Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë është mbledhur së fundmi për të ndihmuar sektorin.
Çuçi u shpreh optimiste se ky vit do të sjellë shpresë për turizmin.
“Sivjet jemi më mirë, kanë filluar çarterat e parë që në prill. Mendoj se jemi duke ecur në hapa të mirë. Të gjitha fundjavat janë pothuajse plot me fluks turistësh dhe kemi shpresë që ky vit do të ketë rezultat më të mirë se ajo që kemi pritur”, u shpreh ajo.
Zv.ministrja nënvizoi se janë mbyllur shumë plazhe që nuk kanë roja.
“Bizneset, kur aplikojnë për shfrytëzimin e plazhit duhet të marrin të gjitha masat për mbrojtjen me roje bregdetare. Nëse nuk ka rojë bregdetare nuk duhet ta ushtrojnë këtë detyrë, jo më ta kërkojnë. Biznesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e jetës së turistit. Janë mbyllur disa plazhe që nuk kanë qenë të pajisur me rojë bregdetare. Të gjithë ne bashkë të ndihmojmë sektorin turistik dhe të pushojmë shqip”, deklaroi Çuçi.
/r.e/