Panairi Ndërkombëtar i Turizmit/ Greqia siguron lëvizjen e lirë të turistëve me Shqipërinë; oferta turistike shqiptare njihet edhe në Serbi

spot_img

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizimit FITUR 2021, zhvilloi një takim me ministrin e Turizmit të Greqisë, Haris Theocharis, prej të cilit mori garancinë e lëvizjes së lirë në kufi, në zbatim të protokolleve shëndetësore antikovid.

Kjo, sipas tij, për t’i dhënë frymë dhe mundësi rimëkëmbje turizmit.

“Shqipëria rinisi turizmin në një mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme duke u bërë një shembull i vërtetë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ishte vlerësimi për vendin tonë i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) Zurab Polikashvili, në FITUR 2021.

Sipas tij, Shqipëria ka punuar për të rimëkëmbur turizmin dhe për të garantuar turizmin e sigurt.

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte dhe ai me ministren serbe të turizmit, Tatjana Matić, e cila vlerësoi përparimet që ka bërë Shqipëria në fushën e turizmit dhe u shpreh shumë e kënaqur që oferta turistike shqiptare, tashmë njihet edhe në Serbi si dhe shprehu interes për të shtuar kontaktet mes operatorëve turistik.

Vendet fqinje, në rastin tonë Shqipëria, Greqia dhe Serbia kanë shpesh “shkëmbime” turistësh si dhe kanë mundësi për të krijuar paketa të përbashkëta turistike.

Nga Greqia, shteti fqinj, në vitin 2019 kanë ardhur për të pushuar në Shqipëri rreth 600 mijë vizitorë, ndërsa nga Serbia në vitin 2019 kanë ardhur rreth 70 mijë pushues.

Ndërkohë, vitin e kaluar në bregdetin tonë erdhën për të pushuar një numër i lartë turistësh nga Serbia. Ky ishte një hap i mirë për të hyrë dhe vendi ynë në tregun rajonal të turizmit, trend të cilin ne duhet jo vetëm ta mbajmë por ta rrisim këtë vit, duke e bërë edhe më të njohur në rajon ofertën turistike shqiptare.

Organizata Botërore e Turizmit zhvilloi në datat 17-23 maj Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2021.

Pas dy viteve pandemi, për disa vende turizmi bëhet më i rëndësishëm se kurrë më parë. Gjatë pesë ditëve, ekspertët e Organizatës Botërore të Turizimit zhvilluan takime dhe forume me krerët e shteteve për rimëkëmbjen e këtij sektori dhe të ardhmen e qëndrueshme të tij, duke u përqëndruar në rolin jetësor të inovacionit, bashkëpunimit dhe komunikimit.

Një prej temave kryesore të këtij panairi është rimëkëmbja e turizmit gjetja e rrugëve më efikase për rimëkëmbjen e tij.

Ndërkohë dhe vetë krerët e vendeve pjesëmarrëse në këtë panair zhvilluan takime mes tyre, ku diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit të turizmit në vendet përkatëse, destinacionet turistike si dhe krijimin e paketave turistike të përbashkëta.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles