TIRANË, 31 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot nga Prishtina se “do të bëjmë gjithçka është e mundur që oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet”.
Në një konferencë të përbashkët me zv.kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri Klosi tha se “për të dy qeveritë tona është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, por një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona dhe një kontribut i rëndësishëm në ekonominë dhe buxhetin e vendeve tona”.
“Ne duhet të kuptojmë që pasuritë e mëdha që na ka dhënë natyra në të dy anët e bjeshkëve janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve. Deti është i gjithë shqiptarëve ashtu si bjeshkët duhet të shijohen e të vizitohen dhe trajtohen nga gjithë shqiptaria”, – tha Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se “shqiptarët e Shqipërisë së përtej bjeshkëve, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut duhet ta shikojnë si ofertë të parë ofertën e përbashkët turistike Shqipëri-Kosovë”.
“Kemi shumë detyra për të realizuar, kemi shumë përgjegjësi mbi veten për t’ia bërë jetën sa më të lehtë jo vetëm pushuesve, por edhe komunitetit të biznesit të cilëve u përulemi me shumë respekt për sakrificat, investimet dhe po i drejtohemi zyrtarisht për të gjetur tek qeveritë tona, qeveri shumë miqësore që i nxisin të shtojnë investimet dhe të gjejnë në zyrat tona partnerë në aktivitetet e tyre. Bukuritë e pashfrytëzueshme të natyrës duhet të jenë sot një atraksion turistik”, – tha Klosi.
Ministri Klosi bëri të ditur se në prag të sezonit turistik se do të zhvillohen aksione të përbashkëta pastrimi në zonat turistike.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislimi u shpreh se “temat që trajtuam janë aktuale dhe synojnë promovimin sa më të madh të dy vendeve në fushën e turizmit, prekin si kërkesën edhe ofertën, nevojën e një strategjie të përbashkët dhe të kapaciteteve humane në mënyrë që turistët që vizitojnë dy vendet të kenë kualitet që i përgjigjet çmimit që ata paguajnë dhe në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të rrisin aktivitetin e tyre në raport me vendet e tjera të rajonit”.
“Diskutuam edhe për ato elemente që si rezultat i masave antikovid për momentin shikohen si barriera për ngritjen e bashkëpunimit apo fuqizimit të turizmit si p.sh Kosova për disa turistë aplikon pajisjen me testin e PCR deri 72 orë para hyrjes në Shqipëri.
Diskutuam edhe për hapat që do të merren në mënyrë që rruga nga Kosova deri në hyrje të Shqipërisë dhe anasjelltas të jetë shumë e lehtësuar me sa më pak kontrolle dhe barriera përfshirë këtu edhe kërkesën tonë të gjendet një zgjidhje e përkohshme për eliminimin e detyrimit për të paguar për tunelin e Kalimashit pasi shkakton vonesa për turistët tanë që shkojnë në Shqipëri”, – tha Bislimi.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, tha se së bashku me autoritetet në Shqipëri do të ndërmerret një aksion pastrimi gjatë muajit qershor.
“Në bashkëpunimet tona në vijim ne do të krijojmë grupet e punës që do të krijojnë zotimet e këtyre memorandumeve. Po ashtu do të realizojmë gjatë qershorit pastrimin e liqenit të Vërmicës”, tha Aliu./k.s/j.p/