Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë (Foto)

spot_img

Ne kete material do te lexoni per 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë , vendodhjen e tyre , traditat , historine etj

Natyrë e mrekullueshme, ajër i pastër, ushqim karakteristik, shtëpi të bukura, mikpritje.

Keto janë disa nga karakteristikat që janë marrë parasysh për këtë klasifikim në DITA të disa prej fshatrave më të bukur të Shqipërisë.

Nga Vermoshi në Dhërmi, Shqipëria ofron bukuri natyrore të veçanta, shumë pak të eksploruara.

Rekordin e mban zona e Vlorës me 3 fshatra në renditje, pastaj Korça me 2, etj.

Kush ka kohë dhe mundësi, nuk ka pse të mos i vizitojë dhe t’i shijojë, përpara se të mahnitet me bukuritë e botës, shkruan dita.

1-Vermoshi/Kelmend

Vermoshi, pika më veriore e Shqipërisë, një fshat malor i Alpeve Perëndimore, që ndodhet 95 km në veri të Shkodrës në krahinën e Kelmendit.

Bukuria e natyrës shfaqet që në Qafën e Rrapshit, ku peizazhi i bukur malor përshkohet nga gjarpërimi i kristaltë i Lumit të Cenit.

Vermoshi ndodhet në një pllajë 1,100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga faqe të thepisura plot gjelbërim.

Ngjitjet malore, shëtitjet apo edhe peshkimi i troftës së egër janë disa nga mënyrat më tërheqëse për të shijuar qendrimin në bukuritë e fshatit alpin.

Fshati spikat për bulmetrat karakteristikë dhe natyrisht mikpritjen proverbiale të gjithë zonës së Kelmendit.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

2-Valbona/Tropojë

Valbona, një fshat alpin që ndodhet 25 km nga Bajram Curri në luginën e Valbonës, në pjesën lindore të Alpeve të Shqipërisë.

Fshati Valbonë ose siç quhet ndryshe, Selimaj, është qendra më e rëndësishme e banuar e luginës dhe njëherazi njëra nga pikat turistike më tërheqëse të Shqipërisë së veriut.

Kullat karakteristike dhe natyra e papërsëritshme e luginës së Valbonës janë në një harmoni mbresëlënëse, ku madhështisë së natyrës i është përshtatur dora e njeriut me banesat shekullore prej guri.

Bujtinat e këndshme, ushqimi tradicional: mazja, flija, mjalti, djathiapomishi, peizazhet magjepsëse alpine, uji i kthjellët i Valbonës, perëndimet e mrekullueshme apo edhe thjesht ashpërsia e natyrës, mundësitë për ngjitje malore, udhëtimet aventureske me kanoe, shëtitjet e paharrueshme përgjatë Valbonës, burimet e mahnitshme të lumit, gjithçka e bën Valbonën, lumin dhe fshatin, një nga destinacionet më të veçanta të Ballkanit.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

3-Thethi/Shkodër

Thethi ndodhet 70 km larg Shkodrës, ku rruga kulmon në 2000 metra lartësi në Qafën e Tërthores.

Fshati i bukur alpin rrethohet nga male të larta që arrijnë deri në 2,500 m lartësi dhe ofron pamje të mrekullueshme brenda e përreth tij ku kullat shekullore tanimë të restauruara e të rikthyera në bukurinë e tyre origjinale, mirëpresin qindra e qindraturistë vendas e tëhuaj. Kulla e Koçekëve dhe sa e sa kulla të tjera janë dëshmi të gjalla të historive të shekujve.

Teksa largohesh nga qendra e fshatit drejt bukurive të tjera alpine, kullat e lagjes së Grunjasit, lagjes më të vjetër të Thethit, të shpien mes lartësish të thepisura drejt ujëvarës së Grunjasit, që ndodhetnë 900 m lartësi, tek ura e vjetër prej druri me një pamje të mrekullueshme ku lumi humbet mes shkëmbinjve malorë.

Natyra e larmishme alpine e Thethit ofron mundësinë e ngjitjeve malore, peshkimit apo thjesht shëtitjeve relaksuese.

Natyra e bukur, fauna e pasur, arkitektura alpine, ushqimet karakteristike, ku trofta e egër natyrisht nuk mund të lihet pa u shijuar, relaksi, gjithçka e bën Thethin një atraksion turistik të papërsëritshëm edhe në këta muaj të vjeshtës.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

4-Lini/Pogradec

Lini, një fshat i mrekullueshëm gadishullor që ndodhet në brigjet perëndimore të Liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit. Rrugina të bukura, ku ngrihen shtëpi karakteristike me gurë e tulla, shtëpi që lartohen buzë ujit, oborre me pjergulla, një mjedis i mrekullueshëm, ku liqeni dhe fshati janë pjesë të pandara nga njëri-tjetri.

Bazilika e fshatit, një ngrehinë e shekullit të 7-të pas Krishtit, mozaikët e hershëm, historia qindravjeçare, kuzhina karakteristike, ku peshku zë vendin kryesor, dhe natyrisht liqeni dhe bukuritë e arkitekturës dhe rruginave janë atraksionet e veçanta të fshatit gadishullor që e bëjnë Linin një destinacion të paevitueshëm për të gjithë ata që kërkojnë relaksin dhe largimin nga e përditshmja e jetës së qytetit.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

5-Voskopoja/Korçë

Voskopoja, një nga qendrat më të rëndësishme të histories së Ballkanit, ndodhet rreth 21 km nga qyteti i Korçës. Fshati ngrihet mbi një pllajë në 1160 metra mbi nivelin e detit.

Voskopoja i ka fillimet e saj në vitin 1330 dhe arriti kulmin e zhvillimit në fundin e shekullit të 18-ë me në popullsi prej 30,000 banorësh.

8 nga 27 kishat mesjetare të Voskopojës kanë mbetur ende në fshat: Manastiri i ShënProdhomit, Kisha e ShënKollit, Kisha e Shën Thanasit apo Kisha e ShënIlias, ku mund të admironi pikturat e mrekullueshme murale të piktorëve të famshëm korçarë si David Selenica apo vëllezërit Zografi.

Bukurive të natyrës, historisë së pasur, kishave me arkitekturën dhe artin e tyre u shtohen edhe hotelet dhe shtëpitë e bukura që ofrojnë kushte të përshtatshme për të gjithë ata që duan të kalojnë pushime të veçanta larg zhurmës dhe ritmit marramendës të qytetit në këtë sezon të vjeshtës.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

6 – Dardha/Korçë

Një fshat i mrekullueshëm malor që ndodhet 20 km në juglindje të Korçës e që ngrihet në 1,350 m lartësi.

Rruga tanimë e përfunduar të shpie mes shtëpive karakteristike me mure me gurë dhe rrugëve të gurta.

Bukurive arkitekturore u shtohen edhe mjediset e bukura tradicionale të interiereve të shtëpive, bukuritë e natyrës brenda e përreth fshatit, por natyrisht edhe ushqimi karakteristik, kulakrori i shijshëm i shoqëruar me rakinë e kumbullës apo me dhallën dardhare është një atraksion i paevitueshëm i identitetit të fshatit.

Në fundjavë, fshatit i rikthehet gjallëria, pasi shumë banorë të Korçës apo rrethinave, si edhe vizitorë nga Tirana apo qytete të tjera preferojnë ta kalojnë fundjavën në Dardhë.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

7-Bënja/Përmet

Nëse shkoni në Përmet, qytetin e luleve, shtëpive të vjetra karakteristike dhe kishave të bukura mesjetare, natyrisht që një destinacion i paevitueshëm është Bënja, që ndodhet vetëm 3 km larg Përmetit.

Shtëpitë e bukura, kisha ortodokse e shekullit të 18-ë, natyra e virgjër dhe ujrat termale e kanë kthyer Bënjën në një destinacion të mrekullueshëm turistik gjithëvjetor.

Ura e gurtë e Kaikut mbi lumin e Langaricës është një atraksion tjetër i bukur që paraprin bukurinë e të papriturave të kanioneve të Langaricës.

Bënja natyrisht që njihet edhe për ushqimet karakteristike përmetare që u japin shije ditëve tuaja të paharrueshme në këtë perlë të mirëfilltë të Përmetit.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

8 – Dhërmiu/Vlorë

Dhërmiu ndodhet 42 km në jug të Vlorës dhe thuajse në të njëjtën largësi në veri të Sarandës. Fshati ngrihet në faqe të malit rreth 200 m lartësi. Pranë Dhërmiut ndodhet Shpella e Piratëve.

Fshati turistik njihet për kishat e bukura mesjetare: Manastiri i Shën Marisë, Kisha e Shën Todhrit, Kisha e Shën Mitrit me pikturat murale të shekujve të 12-ë dhe 14-ë dhe natyrisht për jetën e natës, restorantet, pabet, diskotekat.

Kuzhina karakteristike, gatimet e peshkut, hotelet e shumta, plazhet e bukura me gurishte dhe bukuritë e natyrës malore e bëjnë Dhërmiun një destinacion të veçantë për të gjitha moshat edhe në këtë periudhë të vjeshtës.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

9-Vunoi/Vlorë

6 km në jug të Dhërmiut ndodhet Vunoi, që ngrihet në një kodrinë në lartësi 176 m mbi nivelin e detit Jon.Kisha e Shën Spiridhonit, ndërtuar në fundin e shekullit të 18-ë, Kisha e Mesodhias, me pikturat murale të pas-viteve 1780, rrënojat e shtëpisë së Odhise Kasnecit, kulla e Shane Kotes dhe natyrisht plazhi i Jalës, me ujin e kristaltë, rërën dhe bimësinë e tij të larmishme, janë disa nga pikat më domethënëse të Vunoit.

Shtëpitë e gurta dhe rruginat me pllaka guri, bukuria e natyrës, pamjet e bukura detare, ullishtet dhe pemët e shumta frutore, kishat mesjetare, gjithçka e bën Vunoin një destinacion të veçantë për turistët edhe në sezonin e vjeshtës.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

10 – Fterra/Vlorë

Fterra ndodhet 10 km në verilindje të Borshit, në krahinën e Kurveleshit. Me ndarjen e re territoriale, Fterra bën pjesë në Bashkinë e Himarës. Fshati ndodhet në lartësi 200 – 250 m mbi nivelin e detit.

Shtëpitë karakteristike ngrihen mes një peizazhi të gjelbëruar e faqesh malore. Shtëpitë e gurta mbulohen me pllaka guri, një traditë thuajse unike e fshatit e ruajtur në shekuj. Portat e tyre kanë mbulesë guri dhe rrethohen nga korniza guri. Në oborret e shtëpive rriten lule, fruta dhe perime. Ambientet shtëpiake ruajnë qilimat e prodhuara me dorë nga banoret e fshatit.

45 burimet me ujë të ftohtë, që mbajnë secili nga një emër të veçantë, si edhe shpellat e shumta janë dy nga atraksionet më mbresëlënëse të Fterrës. Shpella e Kazhanit, Shpella e Buçkes, Shpella e Guvës, Shpella e Gjolekës dhe Shpella e Zanes spikasin për karakteristikat dhe përmasat e tyre të veçanta.

Nëse dëshironi të shijoni bukuritë e natyrës dhe fshatit, të zbuloni shpellat e paeksploruara, të pini ujin e burimeve, të përhumbeni e të largoheni për disa ditë nga jeta e qytetit, Fterra është një destinacion krejt i veçantë.

Njihuni me 10 fshatrat më të bukur të Shqipërisë

Next article

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles