TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Çarteri i parë turistik, me 200 turistë rusë mbërriti të dielën në darkë në Tirana International Airport, ku u organizua edhe një ceremoni simbolike mirëseardhjeje, ndërkohë që fluturimet kryhen nga kompania ajrore ruse, Ural Airlines.
“Aeroporti po gjallërohet dhe ky është një fakt i rëndësishëm për të gjithë ne. Turizmi, është një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë dhe TIA po jep kontributin e saj, bashkë me partnerët e operatorët turistikë për të rritur numrin e të huajve që vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm. Shumë shpejt, vendoset dhe linja turistike charter me San Petersburg”, tha drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana International Airport, Dr. Constantin von Alvensleben.
“Do të doja t’u shpreh mirënjohje dhe falenderim të gjithë atyre që morën pjesë në rivendosjen e lidhjeve turistike ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë: Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Rosturizmit (Russian Tourism Authority), autoriteteve te aviacionit civil të të dy vendeve, operatorëve turistikë dhe diplomatëve të dy Ambasadave në Tiranë dhe Moskë, që u morën me realizimin e këtij projekti. Shpresoj se turizmi do të japë një impuls pozitiv për zhvillimin e bashkëpunimit ruso-shqiptar edhe në fusha të tjera”, tha Sergei Lysikov, këshillues ministror i Ambasadës Ruse në Tiranë. /j.p/
/m.m/