Hurmat e thata(1) (arab. tamr)
Në përmbledhjen e haditheve sahihë është shënuar se Ebu Sa’d bin Ebi Vekkasi ka treguar thënien e të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam: “Kush i ha shtatë hurma në mëngjes, atë ditë nuk do të sëmuret nga helmi, as nuk do ta zërë magjia”.(2)
Në një hadith tjetër është thënë se i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, ka thënë: “Shtëpia pa hurma i ka njerëzit e uritur”.(3) Kanë thënë gjithashtu se i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, ndonjëherë ka ngrënë hurma me gjalpë, bukë, ose vetëm hurma.(4) Hurmat e thata kanë shkallën e parë të lagështisë, ndërsa disa thonë se ato kanë thatësi të shkallës së parë. Ngrënia e hurmave shëron zërin e ngjirur, nxit funksionin e mëlçisë dhe sekretimin intestinal (të zorrëve), rrit potencën seksuale, e sidomos kur hahen me arra të reja. Këto dobi janë karakteristike për banorët e viseve të nxehta. Sa i përket banorëve të viseve të ftohta, e sidomos atyre që nuk janë mësuar me to, ngrënia e tepërt e hurmave mund të shkaktojë shkëlqimin e syve, bllokime të ndryshme, dhembje koke dhe dëmtime të dhëmbëve. Këto pasoja sekondare mund t’u evitohen duke ngrënë bajame dhe hashash.(5)
Hurmat klasifikohen si ushqim, lëng, frut, ëmbëlsirë, substancë ushqyese dhe ilaç. Hurmat e thata në gjuhën arabe quhen axhva. Aishja , r.a., ka transmetuar hadithin e të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam: “Me siguri axhva është hurmë e shkëlqyeshme dhe ushqim i mjaftueshëm”. Hurmat janë gjithashtu fruta të Xhennetit, siç është thënë në hadith: “Axhva është frut i Xhennetit dhe ajo përmban antidot kundër helmit”. (Shënuar nga imam Tirmidhiu; shih gjithashtu: Hurmat e freskëta; arab. rutab)Hurma, hurma e papjekur e pjalmuar (arab. balah)
Phoenix dactylifera (palma datulare)Imam El-Nesai dhe Ibn Maxhxhe kanë shënuar hadithin që e ka treguar Aishja , r.a.: “Hani njëkohësisht hurma të freskëta dhe të thata, sepse shejtani vajton fatin e tij kur sheh të birin e Ademit duke i ngrënë ato. Atëherë shejtani thotë: ‘I biri i Ademit ka përjetuar shumë gjëra për të ngrënë hurmat e reja bashkë me të vjetrat”.(6)
Mjekët myslimanë kanë shpjeguar se ky hadith kërkon që të hahen hurmat e papjekura të pjalmuara (balah) bashkë me hurmat e thata, ndërsa i kanë hedhur hurmat femërore të papjalmuara (arab. busur; shih Hurmat femërore të papjekura). Kjo është thënë për shkak se hurmat e papjekura të pjalmuara janë të nxehta dhe të thata, duke qenë se kur piqen zakonisht janë të ftohta dhe të lagështa. Pra, ato së bashku krijojnë ekuilibër. Në përcaktimin e dietës së vërtetë nuk duhet të kombinohen as dy ushqime të nxehta, as dy të ftohta. Ky është kuptimi i këshillës mjekësore të të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam.
Për shkak se hurmat e papjekura të pjalmuara janë të ftohta dhe të thata, ato janë të dobishme për gojën, mishin e dhëmbëve dhe për lukthin. Megjithatë, ato nuk janë të shëndosha për gjoksin dhe mushkëritë, për shkak të vrazhdësisë së tyre, e cila ngadalëson tretjen e tyre, dhe për shkak se kanë më pak substanca ushqyese. Sa i përket drurit të palmës datulare, hurmat e papjekura të pjalmuara janë si lëngu i thartë i rrushit të papjekur. Të dy lëngjet shkaktojnë grumbullimin e gazrave, urthin, fryrjen, dridhjen. Këto janë më të theksuara sidomos nëse pihet ujë pas ngrënies së hurmave të papjekura. Parandalimi i këtyre pasojave mund të arrihet duke ngrënë hurma të thata, mjaltë ose gjalpë.
Hurmat e freskëta (arab. rutab)
Hurmat janë ushqim të cilin All-llahu i gjithëfuqishëm ia siguroi Merjemes pasi që e kishte lindur Isain alejhi selam nën drurin e palmës. All-llahu i gjithëfuqishëm e frymëzoi Isain alejhi selam, të dërguarin e Tij të ardhshëm të bijve të Izraelit, me një mrekulli të hershme që nga lindja e tij, për t’i thënë (së ëmës): “E ti shkunde trupin e hurmës se do të bijnë ty hurma të freskëta. Ti pra, ha dhe pi e qetësou!” (Merjem, 25-26)
Abdullah bin Xhaferi ka treguar se e kishte parë të Dërguarin e All-llahut , salAllahu alejhi we selam, duke ngrënë hurma të freskëta me kastravec.(7) Ndonjëherë ai hante më shumë hurma të pjekura dhe lëng mjalti për t’i ëmbëlsuar. Por, ai e kishte bërë zakon gjithashtu të hante hurma të freskëta për iftar dhe para faljes së namazit. Kur nuk gjente hurma të freskëta, hante hurma të thata. Por nëse nuk gjente as hurma të thata, pinte pak ujë.(8)
Hurmat e freskëta janë të nxehta dhe të lagështa në shkallë të dytë. Ato rregullojnë gjendjen e lukthit të ftohur. Ngrënia e hurmave të freskëta nxit gjithashtu dëshirën për seks, rrit sasinë e spermës, ekuilibron strukturën e njerëzve me temperament të flashkët. Hurmat përgjithësisht janë të shëndetshme. Kur i ha ato, njeriu ka dobi të shumta si për trupin, e posaçërisht njerëzit e vendeve ku ato janë frut kryesor. Ata që nuk janë mësuar të hanë hurma të freskëta do të kenë këto pasoja: hurmat do të zbërthehen dhe prishen shumë shpejt në lukth, do të gjenerojnë temperaturë intensive, qarkullim të përshpejtuar të gjakut, duke shkaktuar në këtë mënyrë dhembje koke të theksuar, çrregullime të tëmblit (të vrerit), dëmtim të dhëmbëve, gjë që kërkon të vendoset ekuilibri i çrregulluar i sekrecioneve të trupit nëpërmes ushqimit të temperamentit të ftohtë ose nëpërmes purgacionit. Hurmat e freskëta i bëjnë më të lehta simptomat e temperamentit të dobët të lukthit, që shkaktohen nga ushqimet me vlerë të ulët kalorike dhe ndihmojnë gjendjen dhe substancat të cilat për nga natyra e tyre janë të ftohta për lukthin. Ato komponohen gjithashtu me gjendjen e barkut, lehtësojnë resorbimin e dobët në zorrë dhe rregullojnë digjestionin e dobësuar aq mirë, siç e rregullojnë edhe strukturën e nxehtë të trupit kur kombinohen me shurupin e mjaltit dhe me uthull ose me shegën e hidhur (lat. Punica granatum). Prandaj, hurmat e freskëta prishen shpejt. Ngrënia e hurmave të freskëta në mënyrë intensive do të ndezë gjakun, do të shkaktojë dhembje koke, mbyllje të enëve të gjakut dhe dhembje në fshikëzën urinare, shton etjen dhe dëmton dhëmbët. Në anën tjetër, kastravecat janë të ftohtë dhe të lagësht në shkallën e dytë. Ata shuajnë etjen dhe nxisin fuqinë personale, edhe nëpërmjet aromës së tyre të mirë. Ata e ftohin temperamentin e keq të lukthit, i ekuilibrojnë funksionet gastrointensitale dhe ulin temperaturën.
Sa i përket ndërprerjes së agjërimit (arab. iftar) të të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam, me hurma të freskëta, me të thata apo vetëm me ujë, natyrisht ekziston një shkak i sigurt për këtë. Meqë e ëmbla depërton më shpejt deri te mëlçia dhe zbërthehet shumë më shpejt se substancat e tjera ushqimore, veçanërisht nëse ato ushqime janë njësoj edhe të lagështa, atëherë mëlçia është më e përgatitur për t’i pranuar dhe e përshpejton shpërndarjen e tyre në pjesë të tjera të trupit, të cilat pjesë kërkojnë energji.
Pasojat negative të hurmës, në mes të tjerash, mund të neutralizohen duke ngrënë edhe bajame apo çfarëdo fara në ushqim. Në transmetime është shënuar se Aishja , r.a., ka thënë: “Më kanë dhënë lloj-lloj ushqimesh për të fituar në peshë, por unë nuk shtova asnjë gram. Pastaj më dhanë tranguj dhe hurma të freskëta për të ngrënë, dhe ky ushqim ma shtoi peshën trupore”.(9)
Hurma, hurmat e Medinës (arab. ‘axhva)
Hurmat e dehidratizuara
Sa’d bin Ebi Vekkasi , r.a., ka shënuar se i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, ka thënë: “Kush i ha shtatë hurma në mëngjes, atë ditë ai as nuk do të vuajë nga helmi, as nga magjia”.(10)
Xhabiri dhe Ebu Seidi , r.a., kanë shënuar se i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, ka thënë: “Hurmat janë fruta, fara e të cilave vjen nga Xhenneti. Ato janë antidot (kundërhelm) kundër helmimit, burim i pasur për rritjen e sasisë së spermës, ndërsa pirja e ujit të hurmave medinase të konservuara largon magjinë e shkaktuar nga syri i keq”.(11), (12)
Imam Buhariu i ka klasifikuar hurmat medinase si ilaç mrekullibërës. Hurmat përmbajnë sasi të madhe të sheqerit. Hurmat dehidrohen në diell ose në degët e tyre, ndërsa ndonjëherë zbuten me qumësht për të ndihmuar tretjen e tyre, kurse shpesh bluhen si miell. Disa nga dobitë e tyre përfshijnë sasinë e madhe të fijeve, prandaj ato e ngadalësojnë procesin e tretjes së ushqimit të njëllojtë.
Hurmat e Hixhazit dhe të Gadishullit Arabik janë më të mirat dhe më të ushqyeshmet. Këtë e kemi shpjeguar më sipër, në këtë libër kur kemi bërë fjalë për dobitë e hurmave.(13)
Hurmat, hurmat femërore të papjalmuara (arab. basur)
Në përmbledhjen e saktë të haditheve është shënuar që i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, Ebu Bekri dhe Omeri , r.a., njëherë e kishin vizituar Hajzam bin Tajhanin, i cili i kishte gostitur me hurma busur (lat. Corymbus). I Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, e pyeti: “A vjel hurma të freskëta?” Hajzami u përgjigj: “Pata dëshirë që nga këto të zgjedhësh ato që ju pëlqejnë nga këto busura, si dhe nga ato të freskëtat”.(14)
Busuri është më i nxehtë sesa i thatë. Dobitë e hurmës busuri përfshijnë: përthithjen e lagështisë trupore, eshjen e lukthit, rregullimin e ekuilibrit të qarkullimit të gjakut dhe të mukusit tek personat që vuajnë nga fshikëza e tëmblit, kapsllëkun, ndërsa kur përdoret për pastrimin (klizmën) e zorrëve (si purgativ), ndihmon në shërimin e sëmundjeve gjenitale. Lloji më i mirë është hurma e butë dhe e ëmbël.
* Në mjekësinë popullore përdoren pothuajse të gjitha pjesët e hurmës: fruti, gjethet, degët, rrënjët etj.
Në viset arabe hurma është ushqim kryesor, i cili shuan urinë për shkak se përmban celulozë. Fruti i hurmës është i shijshëm dhe pëlqehet nga të gjithë. Hurma hahet e thatë, përgatitet në formë reçeli, marmelate dhe me të gatuhen ëmbëlsira të ndryshme. Fruti i freskët i hurmës përmban rreth 17% sheqer, ndërsa 62% kur thahet. Përmban vitamina A dhe C, proteina, yndyrna, kripëra minerale, hekur, jod, tanin etj.
Hurmat janë mjaft efikase dhe përdoren kundër anemisë, kundër sëmundjeve të aparatit tretës, të cilat shoqërohen me diarre (jashtëqitje të shpeshta). Të sëmurët që vuajnë nga gjëndra tiroide (gusha) kanë përmirësime të dukshme nëse e përdorin në sasi të bollshme gjatë ditës.
Farat e hurmës përdoren në dhembjet e forta të barkut dhe kundër parazitëve të zorrëve. Kundër anemisë përdoret kjo kurë: 6-15 kokrra të pjekura të hurmave hahen rreth një orë para ose pas buke. Kura vazhdon 15 deri 25 ditë.
Farat përdoren në këtë mënyrë:
Merren 20-30 fara, shtypen dhe pastaj shtrydhen. Pasi të jetë kryer ky veprim, lëngu i përfituar zihet për 20-30 sekonda dhe pihet i ngrohtë.
Me mjaft sukses përdoret tek të sëmurët që kanë shqetësime në mëlçi, zemër, sy dhe në sistemin nervor.*
Palma e hurmës (arab. nahlun)
Phoenix
All-llahu i gjithëfuqishëm përmend palmën e hurmës në versete të ndryshme në Kur’an. Në Sahih është shënuar gjithashtu që Abdullah ibn Omeri , r.a., ka thënë: “Ishim duke ndenjur me Pejgamberin e All-llahut , salAllahu alejhi we selam, kur erdhi një njeri dhe i ofroi diçka nga palca e palmës. Pas pak, i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, pyeti: ‘Në mes drunjve ekziston një që i ngjan myslimanit dhe ajo nuk i humb gjethet. Më thuani cili është ai dru?’ Njerëzit thonin emra të ndryshëm të drurëve gjethembajtës, ndërsa unë mendova se ky dru do të mund të ishte druri i palmës. Shikova dhe pashë se unë isha më i riu. Për këtë shkak, dhe në shenjë respekti, vazhdova të mos flisja. Kur mendimi më erdhi ndër mend, i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, tha: ‘Ky është druri i palmës’”. Më vonë ia kam thënë babait tim (Omerit, r.a., i cili ishte aty me ne) çfarë kishte ndodhur, dhe ai u përgjigj: ‘Sikur atëherë të ishte përgjigjur, ajo do të ishte më e dashur për zemrën time sesa heshtja’”.(15)
Ka një mësim në këtë hadith, të cilin mësuesi duhet ta mësojë patjetër. Ai duhet të dijë si t’i pyet nxënësit e tij dhe si të testojë diturinë e tyre duke u shërbyer me parabollë dhe alegori. Në këtë tregim mund të mësohet për respektin e ashabëve ndaj të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam, dhe për ngurrimin e tyre për të treguar dhe shfaqur diturinë në praninë e tij. Nga ky tregim mësohet gjithashtu për ndershmërinë e ashabëve, respektin e ndërsjellë të tyre, nderimin dhe respektin e lartë të tyre ndaj të moshuarve dhe njerëzve të shquar në mesin e ashabëve të të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam Këtu qëndron gjithashtu edhe lumturia, të cilën prindi duhet ta ndiejë kur fëmija i tij ka të drejtë dhe që fëmija të ketë mundësi ta shprehë në mënyrë të denjë diturinë e tij në prani të babait të vet, edhe kur babai i tij nuk e di përgjigjen.
Hadithi i cituar bën gjithashtu krahasimin në mes të myslimanit dhe drurit të palmës. Palma është gjithmonë e gjelbër, pra edhe në stinën e dimrit. Frutat e saj janë të mëdhenj dhe bën hije të përhershme. Fruti i saj është i dobishëm dhe hahet kur është i freskët, i thatë, i konservuar, bile edhe kur është i papjekur. Shkurt, për produktin e drurit të palmës thuhet se është i ushqyeshëm, ilaç, ushqim, ëmbëlsirë, pije dhe frut. Trungu dhe degët e palmës përdoren në ndërtimtari, për punimin e hasrave, koshave, enëve, tavolinave etj.
Fijet e drurit të palmës përdoren në prodhimin e litarëve dhe shërbejnë për punimin e dyshekëve dhe jastekëve për nevoja shtëpiake, ndërsa bërthamat e hurmave janë të dobishme si ushqim për devetë si dhe për preparate mjekësore dhe përdoret si pluhur i bluar për sy.
Bukuria e drurit të palmës në tërësi, kalaveshët e hurmës, pamja e freskët dhe dobitë e shumta krijojnë kënaqësi si për zemrën, ashtu edhe për lumturinë e njeriut. Ajo ia kujton atij Krijuesin e vet, All-llahun e gjithëfuqishëm, i cili me mençurinë e Tij të pafund e përsosi dhe e formësoi bukurinë e saj dhe ia përcaktoi dobitë që i ka ajo. Prandaj nuk ka asgjë që i përngjan më shumë se besimtari. Në të vërtetë myslimani është pasqyrë e këtyre të mirave dhe e dobive të brendshme e të jashtme.
Trungu i palmës është trungu mbi të cilin i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, hipte për të mbajtur hutben (ligjëratën) në xhami dhe është po ai trung që qajti me zë kur i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, e la dhe filloi të mbante hutben nga mimberi i lartë pesë shkallë, të cilin e kishin ndërtuar ashabët. Atëherë trungu kishte qajtur duke u ankuar për mungesën e afërsisë fizike dhe për shkakun se nuk mund ta prekte njeriun e bekuar. Këtë vaj të tij me zë e kishin dëgjuar qartë të gjithë ata që ishin të pranishëm. Dhe, në fund, druri i palmës ishte ai nën hijen e të cilit Merjemja e ka lindur Isain alejhi selam.
Megjithatë, disa komentues dallojnë në mendimet e veta përsa i përket përsosurisë së shkëlqyer të drurit të palmës dhe të hardhisë. Gjithsesi, që të dytë kanë vlerat dhe dobitë e tyre, varësisht nga trualli ku rriten. All-llahu e di më së miri.
1. Cf. XVI Dobitë nga ngrënia e hurmave dhe kastravecit; XVII Ekuilibrimi i dietës si ilaç primar parandalues.
2. Buhariu, 10/203; Muslimi, 2047.
3. Muslimi, 2046.
4. Shih Sunen e Ebu Davudit, 3259; Xhamin e Tirmizit, 1531; Ibn Maxhxhe, 3434.
5. Hashash të familjes Papareraceae.
6. Ibn Maxhxhe, 3330, daif.
7. Buhariu, 9/488; Muslimi, 2043.
8. Ebu Davudi, 2356; Tirmidhiu, 696; Ahmedi, 3/164; senedi është sahih.
9. Hadithi është përmendur edhe më parë.
10. hadithi është përmendur më heret, dhe është shënuar në Dy sahiha..
11. Transmetuar nga imam Nesaiu dhe Ibn-Maxhxhe.
12. Tirmidhi, 2067, thotë se është hasen; Ahmedi, 3/48; Ibn-Maxhxhe, 3453.
13 Shih: Ënjtja e zemrës, dobitë e hurmës (car decompensatum), XV. Shih gjithashtu: Hurmat e thata, arab. tamr; hurmat e freskëta; arab. ratib.
14. Në këtë formë e citon Tirmidhi, 2370, dhe thotë se ky rivajet është hasen; e shënon edhe Muslimi në Sahih, 2038.
* Shënim i përkthyesit në gjuhën shqipe.
15. Buhariu, 9/495; Muslimi, 2811.
Përktheu nga boshnjakishtja: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi