TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Shndërrimi i qytetit të gurtë të Gjirokastrës dhe zonave përreth në një destinacion fundjavash për ata që lëvizin brenda vendit është një nga risitë e bashkisë për këtë sezon veror.
Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, në një intervistë për ATSH-në tha se “tashmë bizneset turistike dhe akomoduese kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për mikpritjen e turistëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për ta. Krahas zhvillimit të turizmit familjar në qytet këtë sezon kemi edhe një shtim të kapaciteteve të shërbimit dhe akomodimit përsa i takon turizmit rural”.
Golemi thekson se “është i konsiderueshëm numri i familjeve në zonat e Lunxhërisë, Antigonesë, etj të cilat i kanë shndërruar banesat e tyre në bujtina duke investuar në sektorin e agroturizmit apo prodhimet bujqësore bio”.
Për kryebashkiakun Golemi, sezoni turistik i kësaj vere do të sjellë më shumë vizitorë vendas dhe të huaj në Gjirokastër, duke ndikuar në ringritjen e ekonomisë lokale pas goditjes si shkak i pandemisë.
“Falë vaksinimit masiv ky sezon turistik do të jetë shumë më i lehtësuar se ai i vitit të shkuar. Më e keqja ka kaluar, më e mira është e gjitha përpara. Me lehtësimin e masave antikovid, qyteti i gurtë gjatë fundjavave është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas. Tashmë çdo fundjavë Gjirokastra është plot me vizitorë vendas, si paralajmërim i asaj që do të ndodhë gjatë këtij sezoni dhe më tutje. Synojmë që gjatë ditëve në vazhdim, me lehtësimin edhe të lëvizjes në kufi për shtetasit e huaj, Gjirokastra të mirëpresë një numër në rritje turistësh nga vende të ndryshme”, – tha Golemi për ATSH.
Golemi shpreh besimin se ky sezon turistik do të jetë mjaft i mbarë për Gjirokastrën.
Sa i përket investimeve dhe projekteve të ndërmarra nga bashkia për mbështetjen e sektorit të turizmit, Golemi thotë se “këto investime dhe projekte synojnë mbështetjen e sektorit të turizmit në disa drejtime. Krahas zbatimit të investimeve në infrastrukturë dhe promovimit të vlerave turistike, bashkia ka programuar organizimin e aktiviteteve të ndryshme përgjatë gjithë sezonit turistik”.
“Po punojmë me projektin e “Sheshit të Çerçizit” që do t’i shtohet Pazarit të restauruar si një tjetër xhevahir i trashëgimisë tonë kulturore dhe një hapësirë më shumë për t’u vizituar e bërë biznes, si dhe me bajpasin që nis nga Ura e Nanxës”, nënvizon Golemi në intervistën për ATSH.
Një tjetër investim i rëndësishëm për Gjirokastrën këtë sezon turistik është edhe vënia në punë e aerodromit, për të cilin Kryebashkiaku Golemi shprehet se “rikthyem fluturimet pas 30 vitesh në aerodromin e qytetit duke e shndërruar në një pikë të rëndësishme për fluturimet turistike dhe sportive”.
Sipas tij, rrjeti i ri i muzeve do të jetë gjithashtu një vlerë e shtuar e ofertës turistike të bashkisë për vizitorët.
“Këtij sezoni turistik i ka paraprirë puna jonë për restaurimin e vlerave të Gjirokastrës, duke përfshirë rrugicat karakteristike dhe rrugët e kalldrëmta në zonën muzeale. Investime janë kryer dhe në rrjetin e ndriçimit publik duke e përshtatur me elementët dekorativë të qytetit. Pjesë e punës sonë është edhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra dhe mjediseve çlodhëse në shërbim të banorëve dhe turistëve. Me projektet e zbatuara kemi ndërhyrë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike në zonat rurale që kanë prioritet agroturizmin. Gjithashtu siç thashë edhe më lart mbështetur mbi një kalendar të detajuar, po organizojmë aktivitete kulturore, artistike, sportive etj, me profil jo vetëm lokal, por edhe kombëtar madje edhe me pjesëmarrës nga jashtë kufijve të vendit”, – theksoi Golemi për ATSH.
Kryebashkiaku Golemi shprehet se me zhvillimin e turizmit është zgjeruar ndjeshëm harta e vizitueshmërisë së Gjirokastrës nga vizitorët vendas dhe të huaj.
“Interesi në rritje i turistëve ka zgjeruar guidat e udhëtimeve jo vetëm në qytet por edhe në rrethina. Pazari karakteristik dhe kalaja e Argjiros si simbole të qytetit janë ndër pikat me të preferuara për turistët. Hartës së udhëtimit i shtohen edhe muzeumet, objektet monument kulture si dhe banesat karakteristike në zonën muzeale. Vlerat natyrore dhe të trashëgimisë kulturore si Parku Natyror i Viroit, Parku Arkeologjik i Antigonesë, monumentet e kulturës në zonat e Lunxhërisë, Antigonesë, etj e bëjnë më interesant dhe tërheqës udhëtimin për turistët”.
Ne si bashki, shton Golemi, kemi prioritet ofrimin e shërbimeve publike, mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, pastrimin e mjedisit, etj në pikat e frekuentuara nga turistët.
Sa i përket numrit të turistëve që vizituan Gjirokastrën sezonin e kaluar Golemi thekson se “megjithë vështirësitë e krijuara nga pandemia sërish gjatë vitit 2020 Gjirokastra mikpriti turistë vendas dhe të huaj. Janë rreth 60 mijë turistë, të cilët vizituan monumentet e kulturës dhe komplekset muzeale. Gërshetimi i vlerave muzeale, traditës së larmishme me aktivitetet kulturore të organizuara nga bashkia tërhoqi një numër të konsiderueshëm vizitorësh gjatë fundjavave, duke qenë edhe mbështetje për sektorin e turizmit dhe zbutjen e efekteve negative që shkaktoi pandemia”.
/k.s/