TIRANË, 23 qershor /ATSH – I. Vata/ Dy fotoreporterë të National Geographic kanë vizituar bjeshkët e Kukësit.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici i cili ka takuar nga afër dy fotoreporterët e National Geographic.
“Gjatë rrugës për në Bjeshkët e Bushtricës, takova dy fotoreporter të National Geographic, Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski, të cilët ishin impresionuar nga bukuritë e rralla që ofron Kukësi”, tha Gjici.
Në takim me Gjicin fotoreporterët thanë se bjeshkët e Kukësit janë më të bukura që kishin parë.
Fotoreporterët kanë në fokus të udhëtimit të tyre kulturën, traditën, kostumografinë, natyrën e mrekullueshme të bjeshkëve dhe besën e shqiptarëve.
Bjeshkët e Cajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme.
Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve.
Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.