TIRANË, 3 janar /ATSH/ Ujërat termale të Bënjës, 13 km larg qytetit të Përmetit, një fenomen i rrallë natyror ka tërhequr këto ditë të para të vitit vizitorë të shumtë vendas.
Vizitorët e shumtë të cilët kanë populluar gjatë këtij fillim viti këtë zonë kanë zgjedhur ti festojnë ndryshe festat duke shijuar burimet e ujërave termale që janë natyralë dhe kanë veti terapeutike të ndryshme.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili thekson se, “në Shqipëri mund të lahesh edhe në dimër. Madje, mund t’i festosh ditët e para të vitit të ri duke u zhytur në “Ujërat Termale të Bënjës”. Monument Natyre. Destinacion natyror gjithëvjetor në rrethin e Përmetit”.
Ujërat Termale të Bënjës janë një nga resurset natyrore më të çmueshme. Burimet e ujërave termale janë natyrore dhe të mbledhura në gjashtë vaska të vogla që formojnë liqene natyrale me një bukuri të vyer.