TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Për të katërtin vit me radhë, u organizua mbrëmjen e djeshme “Festa e fërgesës” në ambientet e kalasë së Tiranës.
Ky gatim është përzgjedhur nga organizatorët si një nga gatimet tipike dhe tradicionale të Shqipërisë së Mesme dhe veçanërisht të Tiranës, për të përfaqësuar edhe kulinarinë e gjerë të kësaj zone.
Ky event bëri bashkë jo vetëm qytetarë të shumtë, por edhe turistë të huaj.
Organizatorja e kësaj feste, Dhurata Thanasi, tha për ATSH se ky event ka pasur një impakt tek vizitorët që në vitin e parë që është bërë, por edhe në vazhdimësi.
“‘Festa e fërgesës’ për të katërtin vit është festa që promovon gatimet tiranase, por fërgesa është zgjedhur si strumbullari i kësaj feste të madhe për të sjellë një pjatë autoktone. Treva e Tiranës është shumë e pasur në gatime tipike, të cilat nëpërmjet këtyre gatimeve ne duam t’i promovojmë për të mbajtur gjallë atë kujtesë të popullit tonë. Që në vitin e parë u duk si festë jo e zakonshme, sepse askush nuk ishte mbledhur për të festuar një gatim, por unë kam vite që merrem me gastronominë shqiptare dhe mendova që edhe zona e Tiranës të ketë këtë traditë të vjetër. Fërgesa tashmë si të thuash ka marrë dhenë dhe jashtë. Shpeshherë na vijnë qytetarë gjermanë që na thonë se fërgesa nuk harrohet kurrë, sepse është gatim që mund të gjendet gjithandej, pavarësisht se ka lindur në trevën e Tiranës”, u shpreh Thanasi.
Në organizimin e këtij eventi, shumë restorante të cilët ushtrojnë aktivitetin në brendësi të kalasë së Tiranës gatuan këtë recetë kaq të thjeshtë sipas mënyrës së vet dhe i vendosën në rrugicën e kalasë, në mënyrë që vizitorët që gjendeshin aty ta provonin dhe shijonin këtë ushqim tradicional tiranas.
Në këtë festë ishin të pranishëm edhe përfaqësues të institucioneve në vend.
/r.e/