TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Shtegu i Ngjyrave pjesë e parkut natyror Korab-Koritinik është kthyer vitet e fundit në destinacionin më të ri për të apasionuarit pas natyrës dhe ngjitjeve në mal.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa fotografi me pamje nga ky park natyror, i cili edhe gjatë fundjavës ka tërhequr vizitorë të shumtë.
Edhe vitin e kaluar ky shteg ishte një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas e të huaj, që pëlqejnë turizmin malor.
Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut.
Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.
Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.
Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ” Scardus” nga Romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Europë.
/k.s//a.a/