TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Prodhimet e traditës elbasanase pjesë e panairit në Festën e Malit – Gjinar.
Festohet në Gjinar “Miqtë e Malit” synojnë promovimin e zonës. Pjesë e kësaj feste, ashtu si çdo vit, është edhe panairi me produkte tradicionale të zonës dhe punime artizanale.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi, vizituan nga afër këtë event në fundjavë, ku banorë të zonës ekspozonin punime të ndryshme tradicionale artizanale të bëra nga dorë.
Në këtë festë merrnin pjesë qindra qytetarë nga Elbasani, të cilët kishin zgjedhur për të festuar natyrën e mrekullueshme të Gjinarit, gatimet tradicionale plot shije dhe larminë e valleve e kostumeve popullore.
Në fjalën e tij Balla theksoi se vitin e ardhshëm Gjinari do të presë edhe më shumë miq, natyrisht në një festë edhe më të bukur.
“Bashkë me kryetarin e bashkisë dhe deputeten e zonës dua t’ju them që ne kemi humbur shumë kohë sa i përket punëve të rëndësishme të rregullimit dhe sistemimit të sheshit dhe rrugës kryesore të zonës. Angazhohem përpara jush që vitin e ardhshëm qendra kryesore e Gjinarit do të jetë tërësisht me një pamje tjetër ashtu siç i ka hije këtij diamanti të turizmit malor të bashkisë Elbasan”, deklaroi Balla.
Gjatë qëndrimit në Gjinar, Balla vizitoi dhe panairin me prodhimet e traditës elbasanase.
Panairi Festa e Malit – Gjinar, është kthyer në një traditë të përvitshme tashmë, ku krahas ekspozimit të prodhimeve tradicionale organizohen edhe aktivitete të ndryshme festive turistike, që ndiqen nga shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Fshati Gjinar, në Elbasan konsiderohet një perlë e vërtetë turistike për biodiversitetin, me pyje të dendura e pamje përrallore, që ka.
Aktivitete të tilla synojnë t’i japin jehonë aseteve tradicionale që kanë impakt në turizëm dhe punësim.