TIRANË, 28 qershor /ATSH/ Pogradeci është qyteti turistik buzë liqenit të mrekullueshëm të Ohrit, që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas dhe të huaj.
Vitet e fundit oferta turistike e këtij qyteti, po zgjerohet edhe nga rijetësimi i zonave rurale përreth tij, që me bukuritë natyrore dhe investime në agrobujtina, po zgjojnë interes të veçantë tek turistët për t’u vizituar.
Vetëm 6 kilometra nga rruga nacionale Pogradec-Korçë, ndodhet fshati Grunjas ose siç njihet ndryshe Verçuni. Fshati me bukuri natyrore, peizazh piktoresk, objekte historike, dhe kulinari tradicionale ofron shumë mundësi për turizmin e aventurës, ujor, malor dhe historik.
Tashmë banorët e zonës kanë nisur edhe zhvillimin e bujtinave familjare për vizitorët duke e shndërruar Grunjasin në një oaz turistik, ku shërbehen gatime tradicionale me prodhime të freskëta të fshatit dhe ofrohet akomodim fjetje.
Agroturizmi është një mundësi e mirë për zhvillimin e kësaj zone, ku investimet në vepra publike, rrugë rurale, ujësjellës nuk mungojnë dhe bukuritë natyrore ruhen me fanatizëm nga banorët e fshatit. /j.p/