Hulumtimi i ri i ekipit të ekspertëve ndërkombëtar u ofron shpresë atyre që i mundon i thati ose dëmtimi i mukozës së stomakut. Është zbuluar që konsumimi i dredhëzave mund të zvogëlojë dëmtimet në membranën e mukozës së stomakut, por rezultatet e këtyre studimeve nuk janë vërtetuar ende në njerëz.
Ekipi i shkencëtarëve italianë, serbë dhe spanjollë, që kanë punuar në kuadër të Fondacionit spanjoll për shkencë dhe teknologji (FECYT), ka vërtetuar që dredhëzat mbrojnë stomakun e gjitarëve nga veprimet e dëmshme të alkoolit.
Minjve laboratorik shkencëtarët u kanë dhënë etanol dhe kanë parë që membrana mukozale e stomakut tek ato kafshë që kanë ngrënë më herët dredhëza është më pak e dëmtuar dhe është zvogëluar shfaqja e ulkusit.
Sara Tulipani, shkencëtare nga Universiteti i Barcelonës dhe bashkëautore e studimit, shpjegon që veprimi pozitiv i dredhëzave nuk është i lidhur vetëm me veprimin e tyre antioksidant dhe përmbajtjen më të madhe të përbërësve fenolë, por edhe me faktin që ato aktivizojnë mbrojtjen antioksidante dhe enzimet e vet trupit.
Ekspertët kanë përfunduar që ushqimi i pasur me dredhëza mund të ketë veprim pozitiv në parandalimin e sëmundjeve të stomakut të cilat janë pasojë e radikaleve të lira të grumbulluara ose qelizave tjera reaktive me oksigjen. Dredhëzat po ashtu mund të ngadalësojnë formimin e të thatit në stomak edhe tek njerëzit.
Gastriti ose inflamacioni i membranës së stomakut lidhet me konsumimin më të madh të alkoolit, por mund të jetë edhe pasojë e infeksionit virusal ose konsumimit afatgjatë të disa ilaçeve siç është aspirina. Dr. Maurizio Battino, koordinator i grupit hulumtues që punon në Universitetin Politeknik Italian Marche (UNIVPM), sugjeron që në rastet e përmendura, konsumimi i dredhëzave gjatë ose pas shfaqjes së sëmundjes mund të reduktojë dëmtimet e membranës mukozale.