TIRANË, 11 Shkurt/ATSH/.- Drashovica, fshati i vendosur në hyrje të zonës kodrinore e malore të luginës së lumit të Shushicës, ku që në kohët më të vjetra degëzoheshin rrugët për të hyrë në brendësi të lumit të Vlorës ka bërë që ndër shekuj të konsiderohet si “Porta e Labërisë”.
Ky fshat ka një histori të paktën 585 vjeçare dhe mendohet të jetë themeluar në vitin 1431. Drashovica ka kontribut të spikatur për trashëgiminë kulturore, folklorin, identitetin etno-kulturor dhe polifoninë labe.
Fshati i Drashovicës, që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”, nuk është i njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë.
Drashovica është një ndër tre urat-kufi të Labërisë. Të gjithë e njohin si ura e Drashovicës, si një urë që lidh dy brigje, ashtu si të gjitha urat e tjera. Por në fakt, nuk është një urë si të gjithë të tjerat, por një urë- kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Vjosës.
Bukurinë fshatit ia shton edhe monumenti i Drashovicës, i ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë-Kurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30 m nga ura e famshme e Drashovicës.
Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale e krijuar nga skulptorët shqiptarë përkujton këto dy luftëra dhe u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë.
Qeveria Shqiptare përmes projektit 100 fshatrat turistikë, do ti kthejë lavdinë e dikurshme fshatit me pamje e bukuri magjepsëse, përmes zhvillimit të agroturizmit.
Falë kullotave të shumta, tokave pjellore e ujit të bollshëm banorët e këtij fshati ndër shekuj i kanë siguruar të ardhurat për të jetuar me blegtori, bujqësi e peshkim.
Duke u renditur në listën e 100 fshatrave me prioritet ekonomik dhe turistik, Drashovica pret të mbledhë rreth vetes vizitorë të shumtë siç mblidheshin çdo 13 shtator, para viteve ’90, për të kujtuar luftën e Drashovicës.
Historia e lashtë e Drashovicës
Më parë fshati ndodhej lart në kodër, ku ende edhe sot gjenden disa gërmadha, njëra prej të cilave është shpallur edhe shtëpi muze, ndërkohë që fshati i përket periudhës së Mesjetës dhe është me vlera të larta arkitekturore.
Ndër monumentet më të rëndësishme të Drashovicës janë, pikërisht rrënojat e fshatit të vjetër. Me ullinjve shekullorë ndodhen rrënojat e fshatit të vjetër të Drashovicës.
Të gjitha shtëpitë këtu kanë qenë të vendosura shkallë shkallë, në formën e një amfiteatri.
Banesat e larta me 2, 3 e katër kate, të gjitha të punuara me gurë të bardhë të Kallafetit, kanë qenë të vendosura në qendër të fshatit. Një ndër banesat që spikat për vlerat e saj janë sarajet e Arshi Halil Xhindit, ish kryetar i bashkisë së Vlorës më 1928 dhe deputet në parlamentit shqiptar në periudhën e mbretërisë.
Banesa ka qenë katërkatëshe e tipit ‘kullë’, në rrënojat e banesës ruhen ende muret në të gjithë lartësinë e tyre. Dritaret janë të zbukuruara në pjesën e sipërme me qemerë false e dekorim me tulla të kuqe.
Mbi këto saraje ndodhen rrënojat e xhamisë së fshatit, ndërtesa ka pasur formë kuadrate e me përmasa mesatare. Minarja e vendosur në perëndim të xhamisë ka qenë e tipit hollake me shkallë nga brenda. Banesa më e madhe, e zhvilluar horizontalisht, rrënojat e së cilës ruhen ende edhe sot në gjysmë lartësie, janë pashotat e Hamdi Mitës, hoxhës së fshatit.
Në fshatin e vjetër vetëm një banesë gëzon statusin monument kulture. Është banesa trekatëshe e tipit ‘kullë,’ e ndërtuar në fillim të shekullit XIX. Në të gjithë ndërtesën janë të shpërndara në mënyrë harmonike dritare e frëngjitë e shumta.
Drashovica është e pasur edhe në nëntokën e saj. Gjetjet arkeologjike janë interesante dhe dëshmi e lashtësisë së fshatit, por edhe e kulturës që ka ekzistuar në këto anë.
Luftërat me rëndësi historike të Drashovicës
Në Drashovicë janë zhvilluar dy luftëra me rëndësi ne historinë kombëtare, më 1920, Lufta e Vlorës që përfundoi me çlirimin e Vlorës nga italianët dhe më 1943, Epopeja e Drashovicës, luftë frontale popullore kundër nazistëve gjermanë. Dhe nuk kanë ndodhur rastësisht këtu. Luftërat e mëdha ndodhin gjithmonë në kufi dhe për kufijtë. Pushtuesit kanë dashur ta kalojnë gjithnjë urën – kufi, të hynin në Labëri, ta pushtonin atë, të zotëronin majat e larta të saj.
Me rëndësi historike ka qenë edhe Kuvendi ndërkrahinor i Drashovicës, korrik 1911, ku rreth 3000 labë, u përgatitën me armë për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Por, Drashovica nuk është vetëm e luftës, ajo është edhe e penës.
Mulla Xhafer Drashovica është përfaqësuesi më i ndritur i këtij fshati, njeriu që u mësoi shqipen fëmijëve të Ismail Bej Vlorës, në kohën kur jetonte në shtëpinë e patriotit të madh vlonjat. Emri i tij i vërtetë është Xhafer Kafil Xhenxhe dhe ka lindur në Drashovicë rreth vitit 1848.
Më datën 14 shtator të vitit 2016, në 73-vjetorin e Luftës së Shtatorit 1943 fshati Drashovicë u nderua nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Për kontributin e shquar në luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me Shpalljen e Pavarësisë, në Luftën e Vlorës (1920), si dhe betejën heroike të vitit 1943 kundër pushtuesve nazifashistë”. /k.s/ /a.g/