TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Qyteti i Durrësit përveç plazheve të shumta, ofron për të apasionuarit pas natyrës edhe shtigje natyrore, si destinacione të mirëfillta ekskursionesh dhe shëtitjesh të gjata, duke i pasuruar pushimet tuaja me aventurë.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga itinerari tematik i të rinjve durrsakë me ngjitje/hiking me destinacion Currila – Porto Romano – Marina Ushtarake.
“Pasdite të këndshme nga peizazhi që ofron rrugëtimi Currila – Porto Romano – Marina Ushtarake. Në një itinerar me gjatësi 11 km, ngjitje/hiking, mes shtigjeve natyrore, me pisha e tarraca ullishtesh deri në kalanë e Hidrovorit, gjatë rrugëtimit nuk mungojnë edhe plazhet me sipërfaqe të vogla ranore dhe shkëmbore”, tha Rama.
Ky itinerar me terren të thyer ranor e shkëmbor ofron për pushuesit natyrë të bukur, aromën e pishave dhe ambiente larg nga zhurma e plazheve të populluara.