Përzgjedhja e vajit në gatim duhet bërë duke marrë në konsideratë jo vetëm kaloritë por edhe ndikimin në shëndet.
Vajrat e ndryshëm që përdorin amvisat shqiptare në gatim kanë ndikime po aq të ndryshme në lidhje me mbipeshën apo shëndetin.
Të gjitha vajrat për gatim ndikojnë njësoj tek kaloritë
Në aspektin ushqimor, vajrat konsiderohen si yndyrë. Një gram yndyrë ofron 9 kalori, kjo sepse ndryshe nga karbohidratet apo proteina, ato janë më të dendura në kalori.
Pra, nëse dëshironi të kini kujdes peshën, nuk mund të zgjidhni mes vajit të mirë apo të keq në gatim, sepse janë të gjithë njësoj.
Të gjitha vajrat për gatim nuk ndikojnë njësoj në shëndet
Nëse objektivi juaj kryesor është shëndeti, atëherë kujdes. Jo të gjithë vajrat për gatim janë të shëndetshëm.
Ekspertët sugjerojnë vajin e virgjër të ullirit, sidomos për shëndetin e zemrës. Ai oksidohet më ngadalë, që do të thotë se nuk nxit shpejt radikalet e lira të dëmshme për shëndetin.
Vaji i ullirit ndihmon në uljen e kolesterolit të keq dhe rrit atë të mirin. Nga ana tjetër, kur vaji është ekstra i virgjër, ai i bën mirë edhe lëkurës sepse e ushqen me vitamina dhe minerale.
Skuqje apo kavardisje, cila është alternativa më e mirë?
Skuqja kërkon shumë yndyrë dhe nxehtësi të lartë. Nga ana tjetër, një gjë e tillë nxit shumë formimin e shumë radikaleve të lira që shkaktojnë sëmundje të rrezikshme.
Kavardisja nga ana tjetër kërkon ndjeshëm më pak yndyrë
Ekspertët sugjerojnë se në gatim duhet të synoni të përdorni sa më pak vaj që të jetë e mundur dhe të zgjidhni alternativa të tjera gatimi siç është pjekja apo skara.
Freskia është kryesorja
Ajo që duhet të dini është se çfarëdo vaji të përdorni duhet të siguroheni që është i freskët.
Kur vaji është i vjetruar dhe i tejpërdorur, ai është një strehë e radikaleve të lira. Më mirë blini pak dhe shpenzoni pak sipas nevojës.
Vajin duhet ta ruani në një vend të freskët e të thatë.
Burimi: AgroWeb