Posted on

Butrinti zgjidhet ndër 10 trashëgimitë kulturore më me interes në botë

TIRANE, 27 Shkurt/ATSH/-Butrinti zgjidhet një nga 10 modelet e trashëgimisë kulturore më me interes për t’u studiuar në botë.

Universiteti i Bristolit, një prej 20 më të mirëve në Angli, ka organizuar një kurs online ndërkombëtar, ku studentë nga e gjithë bota studiojnë 10 modele të përzgjedhura për turizmin kulturor të qëndrueshëm dhe trashëgiminë kulturore. Studentë nga e gjithë bota, studiojnë 10 modele të përzgjedhura për turizmin kulturor, një ndër ta është edhe Butrinti.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare është përzgjedhur si person i cili do të drejtojë këtë program online ku janë regjistruar rreth 1 mijë studentë nga e gjithë bota.

Sipas Future Learn, Butrinti është një nga modelet më me interes për t’u studiuar nga kursi.

Një prej studenteve të këtij kursi, Melissa Polychronakis, thotë se Butrinti është një zonë e bukur dhe se po bëhet një punë e mrekullueshme aty.

“Ndërtimi i besimit të banorëve është shumë i rëndësishëm. Aftësia për të bërë banorët pjesë të vendimmarrjes është vendimtare dhe, në të vërtetë puna e këtyre individëve është e rëndësishme për të ruajtur këtë mjedis të qëndrueshëm”, shprehet Polychronakis.

Shqipëria, shprehet ajo më tej, duket se po bëhet një lider botëror në ekosistemet e qëndrueshme, të cilat me siguri do ta bëjnë perëndimin të ulet dhe t’a dëgjojë!

“Është inkurajuese që qeveria dhe zyrtarët shqiptarë kanë kuptuar nevojën për ndryshime në mënyrë që zhvillimi të bëhet më të qëndrueshëm dhe të kenë një ndikim më pozitiv në mjedis. Mund të kishte qenë shumë e lehtë të injoronin këto probleme dhe thjesht të vazhdonin në praktikat e tyre gjatë kësaj periudhe të rritjes ekonomike”, citohet Polychranakis.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Klosi: Agroturizmi, një bum i brendshëm turistik

TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Strategjia për zhvillimin e Turizmit 2018-2020 përcakton rrugën nëpër të cilën do të ecë zhvillimi i turizmit në vendin tone duke sjellë për herë të parë një dokument ku shkruhet qartë mënyra sesi do të zhvillohet turizmi në 12 muaj të vitit, dhe si industria turistike do të shndërrohet në degën kryesore të të ardhurave në ekonomi.

Strategjia ka nisur të konsultohet me grupet dhe aktorët e sektorit dhe në takimin me përfaqësues të bashkive dhe tur operatorët në vend ishte i pranishëm edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Klosi tha se “presim që në vitin 2018 të kemi padyshim një rritje prej 15 deri në 20% të numrit të turistëve.

“Do të ishte shumë më mirë që ky 15% i vitit 2018 të ishte mbi shifra shumë më të larta nga këto që kemi, por këto që kemi na e bën të vështirë që të mendojmë se 15% i rritjes do të na ndihmojë që turizmi të kthehet në një forcë të madhe drejtuese mbi të cilat të orientohen të gjitha politikat e institucioneve të tjera, për të pasur më shumë të ardhura në familjet shqiptare”, tha ai.

Ministri u kërkoi bashkive të identifikojnë zonat turistike dhe fermat agroturistike, dhe t’i sjellin për aplikim pranë ministrisë për të marrë mbështetjen financiare që ofrohet nga qeveria.

Ai shtoi se strategjia përpiqet që të vërë në shina problematikat që kemi. “Në qoftë se ne duam që në pesëvjeçarin e ardhshëm, Shqipëria të shikohet si një destinacion i vërtetë turistik europian, ne duhet të menaxhojmë shumë herë më mirë fuqitë tona, burimet njerëzore, këtë rrjet që jeni këtu me njerëz që punojnë çdo ditë me turizmin, natyrisht me politikat që ndërton institucioni ynë. Dhe ky mendoj është edhe thelbi i strategjisë sonë. Sa të mundur e kemi që të ne të rakordohemi me njëri -tjetrin dhe të vendosim disa piketa në menaxhimin e biznesit  të turizmit në Shqipëri”, nënvizoi Klosi.

Ai shtoi më tej se “po diskutojmë për të parë edhe mundësitë e ndihmës financiare për këto qendra që janë të njëjta në filozofi si hotelet me 5 yje sepse besojmë fort që nëse kemi një strategji të plotë të këtyre qendra të agroturizmit ne realisht mund të kemi një bum turistik.

Ministri bëri me dije se do të investohet për sinjalistikën turistike gjithashtu. “Të gjitha këto do të çojnë në një rritje në masën 15-20 përqind të turizmit këtë vit, krahasuar me një vit më parë”, tha ai.

Ministri nënvizoi se agroturizmi duhet të marrë një hov shumë më të madh.” Unë do t’u bëj një letër të gjithë kryetarëve të bashkive së bashku me ministrin Peleshi për të kërkuar kontributin e çdo institucioni lokal për të evidentuar dhe për të nxitur në zona me histori apo me potencial, zhvillimin e këtij lloj turizmit.  E kemi shumë të nevojshme që të krijojmë një rrjet të pikave ku kemi zona dhe ferma agroturistike”, tha Klosi. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Express: Shqipëria e rilindur: Çfarë duhet të vizitoni në destinacionin më të ri të Europës

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ – I pasur me thesare dhe pamje të bujshme, të gjithë kanë kërkuar të kenë një pjesë të Shqipërisë përgjatë shekujve, shkruan sërish gazeta britanike ”Express”.

”Pata dyshime, kur fillimisht vendosa të eksploroj të parën Shqipërinë, një vend shumë pak i njohur edhe pse shumë pranë nesh. Vendi i harruar i Europës, një brez i ngushtë që laget nga Adriatiku dhe shumë pranë syve të Italisë dhe Greqisë, ende konsiderohet si një vend pak i dyshimtë. Megjithatë, vizitorët kanë treguar se Shqipëria është një vend i këndshëm , me banorë mikpritës dhe tokë e mbushur me thesare të lashta dhe natyrore”, shkruan autorja Maisha Frost.

Çdo gjë e mahnitshme pavarësisht të kaluarës së trazuar të pushtimit, gjakmarrjes dhe izolimit të egër në vend.

Është e vërtetë që vendpushimet në plazhe nuk kanë luksin e Mesdheut, por Shqipëria është një bukuri tolerante e Ballkanit e krijuar në një mënyrë ndryshe, ku ikonat ortodokse me ngjyrë në të kuqe të ndezur dhe mozaikët islamikë shndërrohen në vende të shenjta, krah për krah dhe kreshtat gëlqerore përbëjnë një dimension të shkëlqyer në majat kodrinore dhe livadhet e egra.

Grekët antikë, ilirët e dhënë pas bizhuterive – paraardhësit e shumë prej shqiptarëve të sotëm – të ndjekur nga romakët, bizantinët dhe osmanët, të gjithë e dëshironin një copëz Shqipërie. Dhe kush mund t’i fajësojë ata? Sipas italianëve dhe grekëve të sotëm, Shqipëria është një vend miqësor, me njerëz mikpritës dhe një tokë e mbushur me thesare natyrore dhe antike.
Është e vërtetë që resorteve të saj bregdetare u mungon ndjesia luksoze mesdhetare. Por, kjo është një bukuri ballkanike tolerante e një kohe tjetër, ku ikonat në të kuqe të fortë ortodokse dhe mozaikët rrethorë islamikë hijeshojnë krahë njëra-tjetrës vendet e shenjta, ndërkohë që gurët gëlqerorë i shtojnë një dimension shndritës fortesave majë kodrinave dhe lëndinave me bimësi të egër.

Por, pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria, një vend që u mbyll si fizikisht ashtu edhe kulturalisht, u mbulua nga perdja e hekurt e sundimit komunist.

Gjurmë të gjalla të atyre viteve të egra, në mënyrë më dramatike janë të shprehura në formën konkrete të bunkerëve bërthamorë, të mbirë kudo si kërpudha që shënojnë relievin.

Prej 700 000 të tillëve, rreth 175 000 ishin të vështirë për t’u hequr dhe kanë mbetur ende tani si ikona të jashtëzakonshme, shpesh të kthyera në hambarë drithrash.

Fermat e vogla familjare në Shqipëri mbeten të paprekura nga pesticidet po ashtu si edhe fauna e egër. Sot, kjo do të thotë parajsë organike për prodhimtari dhe një vend ushqimesh të shijshme dhe trëndafilash kacavjerrës.

Tirana – kryeqyteti i shumë ngjyrave

Tirana është një vend i hareshëm dhe i sigurt, pothuajse sureale. Pjesërisht mesdhetare, pjesërisht një relikë sovjetike, pallatet e saj shumëngjyrëshe si ylberi, janë të lyera kështu sipas urdhërit të njërit prej kryebashkiakëve të mëparshëm për t’i sjellë gëzim qytetit, por që tani duken si pastele paksa të venitura.

Shqipëria ka një flamur të mrekullueshëm, një ngjyrë të kuqe të ndezur të dominuar nga një shqiponjë sqepzezë dykrenëshe, që thuhet se nënkupton guxim dhe trimëri. Imazhet të saj shfaqen kudo nëpër ndërtesa, ndonjëherë në garë me arushët e pellushit që gjithashtu valëviten jashtë shtëpive, hajmali që besohet se largon të keqen.
Ndoshta për arsye të mira, banorët e Tiranës shohin anën pozitive të jetës.

Pyetini rreth reputacionit të Shqipërisë si një vend që prodhon banditë dhe shqiptarët premtojnë, duke bërë shaka se ”këtu të ne nuk ka probleme. I kemi eksportuar të gjithë kriminelët”.
Dizenjot e modernistëve Italianë ishin edhe skicat e 1920 për Tiranën e sotme, ku bulevardet me pemë në anë lidhin sheshet e bardha të stilit futurist ”Nënë Tereza” dhe sheshin ”Skënderbej” – i fundit i emërtuar sipas mbrojtësit mesjetar të kombit, një luftëtar trim dhe i ashpër, i vendosur lart mbi shpinën e një kali kryelart.

Vendi im i fshehtë ishte hotel ”Koton” (hotelkotoni.com), një ish-ministri e qeverisë. Një shkallë ngjyrë kremi me mermer të artë të çonte në dhomën time, me hapësirë e pajisur me të gjitha modernitetet dhe me një pamje nga ndërtesa e Presidencës.

Pjesët kryesore kulturore të qytetit përfshijnë një murale të historisë triumfuese, e cila ruan hyrjen e Muzeut Kombëtar të mbushur me artifakte dhe minaretë e xhamisë së shekullit XVIII të Et’hem Beut dhe mozaikët e rrallë me lule.
Të bërit pazar, gjithsesi, nuk është një iniciativë këtu, pasi mallrat vijnë nga importi dhe vitrinat e larta të rrugëve janë kryesisht të mbushura me reklama për zbardhues dhëmbësh dhe veshje dasmash. Në stendat e tregut të mbuluar, kumbullat janë vënë pirg pranë çajit të malit, barishte e përdorur për të bërë çajin e preferuar të shqiptarëve dhe raftet e mbushura me raki artizanale, të distiluar jo vetëm nga rrushi, por edhe nga ftoi, kumbullat dhe manaferrat.

Pas galerisë së artit modern të Tiranës, qëndrojnë të mbuluara nga barërat statujat gjigante të Leninit dhe Stalinit. Mënyra se si vendi po përballet me të kaluarën e tij mund të shihet te Bunk’ Art 2 (bunkart.al) i hapur kohët e fundit dhe Shtëpia e Gjetheve (visit-tirana.com).

Ish-strehimi antibërthamor, i ndërtuar për zyrtarët e lartë të qeverisë, është shndërruar në një muze nëntokësor me 40 dhoma, që ta nxjerr zemrën nga vendi, por që duhet vizituar patjetër.
Në dhomat dhe tunelet e tij, janë rikrijuar skena memorative nga koha e luftës dhe epoka komuniste në një mënyrë të habitshme, të tilla si fshesa shtëpie, ku janë vendosur pajisje përgjimi, histori dhe foto të të zhdukurve (që llogaritet të jenë më shumë se 50 000) dhe mure ku janë shkruar mënyrat e përdorimit të metodave të marrjes në pyetje. Asgjë nuk e bën më të dukshme daljen e Tiranës moderne nga kjo periudhë e errët sesa të shohësh kulturën shik të saj të kafeneve gjatë pasditeve.

Unë iu gëzova një birre në barin ”Capriccio” përpara se të shkoja drejt restorantit ”Otium”, i rinovuar për të ofruar një gërshetim të kuzhinës moderne me atë tradicionale shqiptare, për një pjatë me ushqim deti të pjekur, me pure bizelesh.
Pasi bie nata, Bloc apo Blloku është vendi që duhet të jesh, një drejtkëndësh me gjethe dhe me vila dhe rrugë që mbajnë erë jasemini apo lulesh bliri, ku elita komuniste e përdorte për të jetuar e veçuar një jetë luksoze dhe të bollshme.

Tani ai është qendra e festave, me bare si ”Dada” dhe ”Lizard Club” që ofrojnë koktejle dhe muzikë live duke tërhequr turma njerëzish të lumtur. Unë do të dëshiroja që banorët e dikurshëm tiranë, të cilët u morën gjithçka këtyre njerëzve, të mund të dëgjonin të qeshurat e tyre.

Kruja

Pas Tiranës, në rrugë drejt kështjellës mesjetare të Krujës, ndërtesa bosh gjenden përgjatë autostradës, disa gjysmë të ndërtuara apo karabina, disa të sapo përfunduara, por të braktisura apo të nxjerra në shitje.

Po kaq të përhapura janë pikat e karburanteve apo lavazhet, pesë a gjashtë në pak kilometra. Nëpër fusha fermerët korrin drithin dhe familjet udhëtojnë me kuaj dhe qerre, indiferentë ndaj BMW-ve të zeza që largohen plot zhurmë.
Menjëherë pas një të rrëpire plot kthesa, skena ndryshon në mënyrë dramatike dhe për një moment mendova se kisha udhëtuar drejt tokës së Game of Thrones, ndërkohë që kështjella e Krujës u duk përmbi.

Pas një qemeri prej guri ndodhet një pazar me shtëpiza të ulëta prej druri dhe një korridor i ngushtëme kalldrëm.

Më pas ndodhet kulla dhe kështjella, që është shndërruar në një muze plot skulptura dhe homazhe për Skënderbeun, i cili luftoi osmanët dhe për pak kohë bashkoi shqiptarët. Ende ka familje qëjetojnë në qytezë, ndërsa teqeja dekorative dhe kopshti me ullinj mundësojnë një shlodhje të freskët para se të ecja mes pulave dhe pllakave të gurit dhe fiereve ngjyrë smeraldi duke i dhënëvetes shansin, ndoshta në të vërtetë, për të blerë dhurata.

Tregtia është një sipërmarrje e lehtë në këtë pazar i shtruar me kalldrëm i mbushur plot me sixhade dhe qilima të punuar me dorë dhe plot ngjyra të ndezura, pantofla dhe shallra.

Berati

Ajo që unë mora ishte një mbajtëse lapsash në formë bunkeri dhe një def. Në jug të Tiranës, njëgrykë e madhe ndan malet dhe ju gjendeni në trashëgiminë botërore të UNESCO-s dhe nëpërfaqësuesin e Shqipërisë, Berati.

Ura e Goricës, me shtatë harqe, që ndodhet në qytetin e krijuar në shekullin IV Para Krishtit, dhe që është një kryevepër fantastike otomane, kalon përmes lumit Osum dhe breza me shtëpi të bardha janë ndërtuar nëpër shkëmbinj deri tek qyteti i vjetër.

Muret shumë të larta krijojnë një si djep në krye të kodrës me xhamitë antike dhe tetë kishat mesjetare, ku njëra prej tyre ka një koleksion të jashtëzakonshëm ikonash. Gjatë shëtitjes sime vizitova një shtëpi tradicionale osmane të shekullit XVIII që tani është Muzeu Etnografik i qytetit.

Pas verandës së saj të mbuluar krijova një ide të asaj që ishte jeta e përditshme vetëm pak dekada më parë, se si burrat shtypnin ullinjtë dhe gratë qepnin rroba. Kjo ndjesi e të qenurit në një realitet paralel osman më ndoqi edhe kur kalova natën në hotelin elegant të shekullit XVII, hotel ”Muzaka” (hotel-muzaka.com), me llambadarë prej bronzi dhe muret me dru të lëmuar me aromë mjalti përçonin një ndriçim të butë brenda kësaj shtëpie në buzë të lumit.

Kalova mbrëmjen poshtë yjeve në oborrin e tij duke shijuar verë të zonës. Dhe më të mirën prej tyre e gjeta ditën tjetër në kantinën ”Çobo” (cobowineryonline.com), një biznes familjar ku historia e nxjerrjes së verës nga varietete të rrushit të zonës përkon me vitin 1900, por u ndërpre nga komunistët të cilët ndaluan sipërmarrjen private.

Megjithatë, memoria nuk u zhduk. Sot kantina prodhon 100 000 shishe në vit. Kur përgëzova shefin në restorantin ”Desaret” në Berat për shijen e patëllxhaneve të mbushura dhe të cilësisë së merlotit të prodhuar nga ata, ai më shpjegoi si vinin nga Greqia në Berat për shkak të prodhimit.

”Në Greqi ka presion që të prodhohen më shumë, por domatet që vijnë nga serat nuk janë aq të shijshme, tani Shqipëria është vendi i shijes”, tha dikush aty./ (Nga Maisha Frost) /m.b/ /G.S/ /a.i/ a.jor.

https://www.express.co.uk/travel/shortbreaks/916782/albania-holidays-travel-europe-newest-holiday-hotspot

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Kulinaria shqiptare në Bursën Ndërkombëtare të Milanos


TIRANË, 16 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-Kulinaria shqiptare u promovua gjatë fundjavës në Bursën Ndërkombëtare të Milanos.

Mastershefi i kuzhinës, Fundim Gjepali pasqyroi më së miri kulinarinë tradicionale shqiptare të përshtatur me trendin e ri të kulinarisë.

“Pjata që ka përgatitur mastershefi, Gjepali është një pjatë që dëshmon se si Shqipëria dhe në fushën e kulinarisë ka ecur me hapin e kohës. Pjata e sjellë është një pjatë tradicionale, por që është modernizuar, duke iu përgjigjur kërkesave të kohës”, tha Ardit Çollaku, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.

“Turizmi në Shqipëri ka ecur me hapin e kohës, duke ofruar shërbime të modernizuara dhe pjesë e kësaj është dhe kulinaria, por jo vetëm. Pasi në vendin tonë po merr hov dhe turizmi dentar”, tha Çollaku, teksa prezantoi Gjepalin për publikun italian në Milano. “Dua ti bëjë ftesë të gjithëve të vijnë në Shqipëri, do shohin se 80% e shqiptarëve e dinë italishten, se kulinaria ofron kënaqësi për të gjitha shijet, se turizmi nuk është më vetëm detar e kulturor, por kemi dhe turizëm të formave nga më të ndryshme. Jam i sigurt se herën e parë do jeni si vizitorë, por kur të riktheheni në Shqipëri, do jeni  miqtë tanë”, tha Çollaku.

“Ishte emocionuese të përfaqësoj Shqipërinë, vendin tim, në këtë panair kaq prestigjioz ku marrin pjesë vende nga e gjithë bota. Falenderoj Ardit Çollakun, Drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, që na mundësoi të jemi këtu sërish. Kemi marrë pjesë në këtë panair edhe dy vite më parë”, tha Gjepali.

“Dëshira ime ishte të tregoja bumin që ka pësuar Shqipëria në turizëm, kjo falë dhe gastronomisë. Turistët e huaj që vijnë në Shqipëri janë kuriozë të shohin zonat rurale me ushqime totalisht tradicionale, por ato kanë kërshëri të njohin dhe transformimin e gastronomisë shqiptare, duke iu përshtatur dhe modernizimit”, tha Gjepali për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Fundim Gjepali është një mastershef veteran i kuzhinës. Ai ka plot 18 vite që ushtron profesionin e kuzhinierit, ndërsa rrëfen se ka studiuar në Romë për të qenë një artizan i vërtet i kulinarisë.

“Erdha në Romë për të studiuar artin e të gatuarit. Tashmë kam 18 vite që e ushtroj si profesion. Rikthimi në Shqipëri u shoqërua me një sukses të madh, i cili më ka bërë të lumtur që kam zgjedhur këtë rrugë në jetën time. Nuk ka asgjë më të bukur se të jetosh me atë profesion që dashuron”, tha Gjepali, i cili, me plot pasion, ofroi për publikun italian në Milano, por jo vetëm, pasi në panair ishin vizitorë nga e gjithë bota, një gatim tejet tradicional, por me ngjyra moderne, siç është mishi i qengjit me qepë, karota e salcë kosi.

“Pjata që ofrova ishte tradicionale, e përgatitur enkas për bursën e Milanos, një pjatë fantastike. Gatova mishin e qengjit me qepë, karota e salcë kosi, e pikturuar me nota moderne e përgatitur enkas për bursën e Milanos, për t’i treguar botës se si Shqipëria jonë është transformuar, se si gastronomia shqiptare është modernizuar. Shpresoj që të kem transmetuar diçka nga gastronomia shqiptare. Falenderoj Ministrinë e Turizmit dhe Ardit Çollakun për këtë organizim perfekt për të pasqyruar imazhin e vërtetë të Shqipërisë, që është një vend fantastik për të jetuar”, tha Gjepali për Agjencinë Telegrafike Shqiptare./r.ekmekciu/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Qafështama, më e frekuentuara gjatë dimrit me 8500 turistë

TIRANË, 23 shkurt /ATSH-N.Lena/ Kruja është një nga destinacionet kryesore që vizitohet nga mijëra turistë, duke qenë modeli i një turizmi të qëndrueshëm, të shtrirë përgjatë gjithë vitit.

Kjo, jo vetëm për turizmin e kulturës me veprën e Heroit Kombëtar në kalanë e Krujës, apo artizanëve në Pazarin e Vjetër.

Ajo çka po kthehet në një destinacion të vërtetë turistik është dhe Parku Kombëtar i Qafështamës, i cili ofron një mozaik natyror dhe kulturor për qindra pushues.

Pjesë e Vargmalit të Skënderbeut, Qafështama ofron një natyrë mbresëlënëse, në një lartësi prej 1100 dhe ngrihet lart deri në Majën e Liqenit, 1725 m mbi nivelin e detit dhe ndërthuret me vlerat kurative, ujin e familjes mbretërore dhe historisë së 90 vajzave krutane që u flijuan te “Shkëmbi i Vajës”.

Zona e Mbrojtur e Parkut të Qafështamës që ka një frekuentim gjithë vjetor, ka një sipërfaqe prej rreth 20 km2, e shpallur si e tillë prej vitit 1966. Ajo gjendet rreth 25 km në verilindje të qytetit të Krujës.

Ky park, prej kohësh ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, si vend kurativ dhe turistik.

Ajo çka e dallon Parkun Kombëtar të Qafështamës është masivi i Pishës së Zezë dhe Ahut, duke ofruar një peizazh të gjelbërimit të përhershëm të pishës dhe bukurisë natyrore të ndërthurur me ahun.

Pavarësisht viteve të tranzicionit, pishat e larta qindravjeçare, u ruajtën me fanatizëm nga banorët vendas si ai i fisit  Balliu, duke na lënë sot një pasuri të natyrës shqiptare.

“Për vitin 2017, ky park u vizitua nga 8500 turistë. Pjesa më e madhe janë nga vendet Europës Perëndimore, si Gjermani dhe Austria”, tha për ATSH Drini Masha, Përgjegjësi i Zyrës së Informacionit Turistik në Bashkinë Krujë.

Veçanësia e Qafështamës lidhet dhe me Kroin e Nënës Mbretëreshë, emër që e ka marrë në vitet 20, të shek XX, familja mbretërore e Zogut, merrte ujin për të pirë.

Uji i burimeve të Qafështamës vlerësohet si i lehtë, i varfër në kripëra, por edhe i pasur me magnez. Përveç këtij kroi, në këtë park kombëtar, ndeshim burime dhe prroska që zbresin nga mali duke i dhënë vendit, vlera të mëdha hidrografike.

E ndodhur nën administrimin e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, ky vend përpos vlerave kurative të ajrit të pastër dhe ujit të pasur me magnez, sot ky park po tërheq vëmendjen e të apasionuarve mbas turizmit të aventurës.

Mes një natyre të virgjër dhe të thyer, turistë vendas dhe të huaj e shohin si destinacioni i duhur për ecje nëpër shtigje, çiklizëm nëpër terrene të thyera dhe kamping.

Guidat lokale, shtigjet e markuara, ngjitja në një lartësi deri në 1725 m, njohja me faunën e larmishme, panorama natyrore e detit Adriatik, liqeni i Bovillës, vargmali Krujë- Dajt.

Në këtë park, vizitori mund të merri dhe  kënaqësinë edhe nga gatimet tradicionale të zonës me produkte bio, ku bizneset e zonës ofrojnë këtë shërbim bashkë me akomodimin nëpër dhomat që kanë ndërtuar.

Së fundmi është hapur resorti “Shkreli Hotel Camp”, i cili ofron akomodim me standardet më bashkëkohore dhe çmimet më të arsyeshme, duke ofruar kuzhinën tradicionale të zonën, me prodhime bio.

Disa nga investimet e ndërmarra nga qeveria shqiptare është sistemimi dhe asfaltimi i rrugës nga ish-kampi i

punëtorëve deri në Kampin e Sipërm, në një gjatësi 1.8 km, e cila përshkon rrugën e vjetër Krujë – Burrel.

Pjesë e këtij projekti është rehabilitimi i hyrjes së parkut të Qafështamës dhe ngritja e një pike informacioni për turistët.

Nga ana e bashkisë Krujë, pritet të nisë shënjimi i shtigjeve të reja, sinjalistikë orientuese si dhe përgatitja e materialeve promovuese për të zhvilluar këtë Park Kombëtar.

Sipas përfaqësuesit të bashkisë Krujë, Drini Masha “Bashkia Krujë, këtë vit synon mbështetjen e turizmit të natyrës, si mundësi e rritjes së kohë qëndrimit të turistëve në Krujë.

“Ndërthurja e turizmit kulturor dhe atij të natyrës, e sjellin Krujën në hapësirën për të zhvilluar një paketë të plotë turistike” thotë përfaqësuesi i bashkisë Krujë që mbulon këtë zonë turistike.  /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Zbuloni magjinë e bukurive të Shqipërisë

TIRANË, 24 Shkurt/ATSH/.- Shqipëria, ky vend i vogël në Gadishullin Ballkanik, ka shkuar sot shumë larg, pas një izolimi gati 50-vjeçar nga regjimi i kaluar komunist. Më në fund, Shqipëria po fiton sot vendin e saj të merituar në hartën globale të turizmit.

Kështu nis shkrimi i botuar në “Bored Panda”, një faqe kushtuar artit të dizajnit dhe fotografisë.

Vija bregdetare buzë Adriatikut dhe Jonit, veriu malor dhe çmimet e arsyeshme janë disa ndër arsyet e shumta përse Shqipëria po shndërrohet në portën hyrëse si për pushuesit pasivë, ashtu edhe për adhuruesit e aventurës.

Është vendi i duhur për ata që ëndërrojnë pushime të qeta e të këndshme, pasi ofron një sërë opsionesh nga resortet luksoze ndanë plazheve ranore dhe një parajsë për aventurierët.

Shtigje udhëtimi të çdo kategorie që të çojnë në ujëvara dhe burime natyrore uji, motoçiklizmi dhe çiklizmi malor, paragliding ose fluturimi i lirë me vela, rafting dhe eksplorimi i kanioneve, si dhe garat malore me makina fuoristrada janë vetëm disa prej aktivitetet që ju ndezin adrenalinën.

Por fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar bukurinë e Shqipërisë. Për këtë arsye, shijoni këto imazhe që zbulojnë magjinë dhe ju ndezin dëshirën e papërmbajtshme për ta vizituar. /u.sh/ /k.s/ /a.g

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Vanity Fair: Tirana, e re, e lirë dhe e egër

TIRANE, 26 Shkurt/ATSH-Z.Tosku/-Gjithnjë e më shumë Shqipëria dhe veçanërisht transformimi që po pëson Tirana,  po zë hapësira në revistat më të njohura të botës. Revista prestigjioze italiane, “Vanity Fair”, i ka kushtuar një artikull ndryshimit të kryeqytetit të shqiptarëve ku evidenton pikat turistike.

“Tirana nuk po ndalon për një çast. Kjo është ndjenja për të gjithë ju që keni ecur nëpër rrugët kaotike të kryeqytetit shqiptar. Kantiere ndërtimi, vinça, skela, arkitektë në punë, të gjithë të angazhuar për të rizhvilluar një qytet dhe që sot mban kreun e kryeqytetet në “modë” për Europën. Për të kapur atmosferën e Tiranës, ku arkitektët më të rëndësishëm nga e gjithë Evropa po investojnë idetë dhe projektet, shkojmë në sheshin Skënderbej, dedikuar heroin shqiptar që çliroi Shqipërinë pas 400 vite pushtim nga Perandoria Osmane”, shkruan revista prestigjoze.

“Sheshi i ri, inauguruar në qershor 2017, ka qenë objekt i një plani rizhvillimi realizuar nga 51N4E belge, që e ktheu ketë zonë në pedonale  me pllaka, mermer, gur nga të gjitha territoret shqiptare brenda apo jashtë kufijve kombëtarë (si Kosova).

Gazetarja Francesca Masotti fton turistët që të mos e humbin mundësinë për të vizituar këtë qytet interesant, ndërsa evidenton sheshin “Skënderbej”, transformimin e “Pazarit të Ri” dhe “Bunk’art”.

Pushimet në det në Shqipëri

Është një tjetër, por projekti që po zhvillohet tani: me distancë prej gati 80 vitesh nga plani i parë rregullues i kryeqytetit (në 1939, pas pushtimit italian të Shqipërisë, arkitektit Gherardo Bosio ka projektuar  qendrën aktuale Tiranës), fati i arkitekturës së qytetit i është besuar sërish një italiani. Faza e fundit për zhvillimit urbanistik është në fakt, Tirana 2030-TR030 nga studioja e arkitektit Stefano Boerit, promovuar nga qeveria qendrore në bashkëpunim me administratën lokale. Qëllimi i projektit është që të rigjallërojë hapësirën publike, të zhvillojë një sistem të pyllit orbital rreth e qark  metropolit (duke përfshirë edhe parqet natyrore dhe duke ruajtur biodiversitetin egzistues), të krijojë korridore të reja ekologjikë përgjatë lumenjve, të ngrejë qytete të vogla dhe të shfrytëzojnë hapësira të lira të tokës. Një projekt ambicioz por i realizueshëm sepse këtu më shumë se diku tjetër, ndjehet dëshira për ripërtëritje.

Arti brenda në Bunker

Qendra e Tiranës po zhvillohet e gjitha përreth Sheshit Skënderbej. Një katërkëndësh i mbushur me kopështe, kisha, xhami dhe muze, si Muzeu Historik Kombëtar, brenda të cilit tregohet historia e Shqipërisë nga paleolitiku deri tek komunizmi, “Bunk’Art2” që i dedikohet viktimave të regjimit komunist që është ndërtuar në dhomat e një bunkeri të vjetër (përllogaritet se në të gjithë Shqipërinë ndodhen më shumë se 700 000 bunkerë, të ndërtuar nga diktatori Enver Hoxha që i druhej një sulmi të jashtëm, që nuk ndodhi asnjëherë) apo Shtëpia e Gjetheve, në dhomat e të cilave janë ekspozuar arkivat e Sigurimit, policia sekrete shqiptare që operonte në vitet e diktaturës. Ia vlen të largohesh nga qendrën por për të vajtur në “Bunk’Art” (origjinali), bunkeri gjigant kundëratomik i Hoxhës që ndodhet buzë malit të Dajtit, sapo del nga Tirana. Brenda ilustrohet në mënyrë të detajuar historia moderne e vendit, që nga pushtimi italian deri në vitet e komunizmit, me një vëmendje të veçantë në jetën e përditshme të shqiptarëve gjatë viteve të regjimit.

Kuzhina e re shqiptare

Restorante bashkëkohore të arreduara me pjesë arkitekturore, lokale në pararojë dhe të vëmendshëm ndaj inovacionit dhe cilësisë së produkteve. Ky është “Mullixhiu” ku kuzhinieri Bledar Kola, një prej pionerëve të “slow food” shqiptar, që mban mbi supe eksperienca prestigjioze ndërkombëtare (mbi të gjitha tek “Noma” në Kopenhagen), rikrijon me mjeshtëri  gatime tipike të traditës popullore duke përdorur ekskluzivisht përbërësit që vijnë nga “Mrizi i Zanave”, një restorant-fermë-agroturistike që ndodhet vetëm një orë me makinë nga kryeqyteti. E gjithë kjo në një pozicion të shkëlqyer, përballë liqenit artificial të Tiranës.

Në zemër të qytetit, dy hapa larg Ambasadës Italiane, ndodhet “Padam”, që është një pikë referimi për klientelën ndërkombëtare. Këtu, në ambientet e një vile elegante italiane të viteve ’30, kuzhinieri Fundim Gjepali, që është edhe në krye të restorantit “Antico Arco di Roma”, realizon gatime “nouvelle cuisine” (kuzhina e re) që nuk ka të krahasuar dhe propozon një menu të pasur me verëra të zgjedhura me kujdes. Të gjitha këto mund të përmblidhen me kërkimin e origjinalitetit, dëshirën për të eksperimentuar dhe qëllimin për të transformuar Tiranën në një laborator të madh kulinarie.

Aromë tradicionale

Në mars të vitit të kaluar u inagurua Pazari i Ri, falë një vepre rikonstruktimi që ka transformuar një zonë të tërë të harruar dhe të braktisur të kryeqytetit, në një prej adresave më të pëlqyera nga turistët dhe nga vetë banorët. Kështu, edhe Tirana është pajisur me një treg europian, që të kujton të famshmen “Boqueria” në Barcelonë.

Me fasadat e pikturuara sipas motiveve gjeometrike tipike ballkanike, një mbulesë moderne prej xhami dhe çeliku, hapësira të gjera për kalimtarët, kafene që janë të hapura gjithë ditën, stenda të mbushura plot produkte të freskëta. Pazari i ri është vendi ideal për t’u çlodhur dhe të bësh blerje interesante (me patjetër duhen blerë djathërat e zonës, si gjiza, që përdoret për të gatuar byrekun, një gatim tipik i përhapur në të gjithë zonën e Ballkanit që realizohet me petë, erëza dhe pak artizanat). Pasi bën pak “shopping” të shëndetshëm, ia vlen të ndalosh për një ngrënie të shpejtë tek Oda, i vetmi restorant në Tiranë ku mund të shijohet kuzhina tipike tradicionale

Tirana nuk fle kurrë

Për këdo që është në kërkimi të argëtimit, Blloku është vendi: lagja e dikurshme e ndaluar, e cila është e disponueshme vetëm për komunistët, është sot zona më cool në Tiranë, e cila frekuentohet nga të rinjtë shqiptarë në çdo kohë të ditës (dhe natën). Vende të shumta, si Radio Bar, Nouvelle Vague, Colonial Cocktails Academy, ku mund të ndaloni të shijoni një kafe me aromë të fortë ose një koktej të bërë me fruta të freskëta. Sidoqoftë, e gjithë zona meriton një vizitë, në sajë të aktivitetit të gjallë kulturor që e dallon. Në të vërtetë, ka shumë qendra të artit bashkëkohor dhe artit të rrugës. Për të shijuar rakinë aromatike të rrushit tipike të Ballkanit, është e domosdoshme të arrihet te ”Komiteti”, një kafene-muze me furnizime të epokës komuniste që ofron mbi njëzet variacione të likerit lokal. Kafeneja është e fshehur prapa Piramidës së Tiranës, e ndërtuar në nder të Hoxhës nga vajza dhe dhëndri i saj, pak pas vdekjes së tij. Thuhet se ekziston një projekt për ta kthyer atë në një qendër kulturore, por për momentin ky skelet betoni është atje, i palëvizshëm, në mes të qytetit. Ndërsa gjithçka rreth Tiranës lëviz dhe nuk ndalet për një moment. /g.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

VIDEO/ Princi i Maltës viziton për herë të parë Shqipërinë: U mrekullova

VIDEO/ Princi i Maltës viziton për herë të parë Shqipërinë: U mrekullova

VIDEO/ Princi i Maltës viziton për herë të parë Shqipërinë: U mrekullovahttps://www.ata.gov.al/video-princi-i-maltes-viziton-per-here-te-pare-shqiperine-u-mrekullova/Në një prononcim për ATSH-në, Princi Baldacchino tha se se në Maltë po promovohet Shqipëria si një destinacion për investitorët e huaja. Sipas tij, ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi midis Maltës dhe Shqipërisë të rritet në sektorë si turizmi, kultura apo edhe arsimi.

Publié par Agjencia Telegrafike Shqiptare sur dimanche 11 février 2018

TIRANE, 11 Shkurt/ATSH/- Princi i Maltës, Alfred Josef Baldacchino po zhvillon një vizitë një javorë në Shqipëri, ku po viziton disa qytete për të njohur nga afër kulturën dhe historinë.

Në një prononcim për ATSH-në, Princi Baldacchino i cili viziton për herë të parë Shqipërinë, tha se është mrekulluar nga territori shqiptar.

“Është vizita ime e parë në Shqipëri. U mrekullova. Programi im parashikon vizita në vendet historike në disa qytete. Dje vizitova kalanë e Krujës dhe Durrësin. Shpresoj se do të mjaftojë një javë për të krijuar një ide mbi gjithë territorin”, deklaron Pronci Baldacchino.

I pyetur mbi bashkëpunimin midis dy vendeve, Princi Baldacchino shprehet se ekzistojnë të gjitha mundësitë që bashkëpunimi midis Maltës dhe Shqipërisë të rritet në sektorë si turizmi, kultura apo edhe arsimi.

Ndërsa duke folur për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, Princi Baldacchino theksoi se Shqipëria është kompetitive dhe se duke qenë një vend në zhvillim çdo investim i huaj do të ishte i rëndësishëm pasi do të krijonte vende të reja pune.

“Shqipëria është akoma në fazë zhvillimi. Sa më shumë investime të huaja, aq më shumë hapen vende u të reja pune. Kjo sjell rritjen e kërkesës, ç’ka shtyn rritjen e prodhimit të brendshëm. Them se e ardhmja është inkurajuese”, shprehet Princi maltez.

Ai pohon se në Maltë po promovohet Shqipëria si një destinacion për investitorët e huaja. “Di që dikush po luan një rol të rëndësishëm për promovimin e Shqipërisë. Duhet theksuar se ka shumë maltez që tashmë kanë investuar në Shqipëri”, thekson ai.

Të shtunën Princi i Maltës, Alfred Josef Baldacchino, njëkohësisht rektori i Universitetit “Sancti Cyrilli”, mori pjesë në konferencën shkencore “Turizmi dhe migrimi, politikat ekonomike në zonën mesdhetare”, që u mbajt në Tiranë, ku u diskutua mbi zhvillimin e turizmit përgjatë mesdheut. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Qendra e re e Turizmit në Korçë në kantier/ Krijon sinergji dhe jep mundësi për ta sofistikuar ofertën


 


TIRANË, 29 janar /ATSH/ -Kryeministri Edi Rama ishte sot në Korçë, ku inspektoi kantierin e ndërtimit të Qendrës së Re të Turizmit, e treta e këtij lloji pas atyre të Valbonës e të Vermoshit, pronë publike e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Drejtori i FSHZH, Dritan Agolli, u shpreh se, “Qendra e Re e Turizmit po ndërtohet në godinën e ish-maternitetit të vjetër të Korçës. Qeveria e Shqipërisë nëpërmjet FSHZH është duke investuar në ngritjen e qendrave të zhvillimit të turizmit. Kjo është e treta në radhë pas qendrave të zhvillimit të turizmit në Vermosh dhe Valbonë”.

“Kjo godinë po transformohet totalisht, nga një godinë totalisht e degraduar dhe e amortizuar, po kthehet një qendër për zhvillimin e turizmit, e cila do të ketë në thelb koordinimin midis operatorëve turistikë, zhvillimin e kapaciteteve, promovimin e turzimit etj”, theksoi ai.

“Qendra e re e Turizmit do të ketë sallë konferencash, facilitete për studentë, për start-upe, internet, kompjutera për ëorkshope”, theksoi Agolli.

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo u shpreh se është një gjë shumë e mirë dhe një iniciativë shumë e mirë e FSHZH-së. ”

Turizimi është një sektor shumë i rëndësishëm ekonomik për qytetin e Korçës dhe për bashkinë e Korçës. Kemi një numër në rritje të vizitorëve, që zgjedhin Korçën si destinacionin e tyre dhe unë besoj që falë këtij projekti me FSHZH-në, ne do t’i shtojmë jo vetëm infrastrukturës turistike një aset të ri, por do të krijojmë edhe premisat për të kualifikuar stafin i cili do të shërbejë në sektorin e turizmit”, u shpreh Filo.

Filo shtoi se, “investimi duhet t’i përgjigjet edhe standardit që ka arritur infrastruktura turistike në qytet. Janë disa dhjetëra bujtina dhe hotele që janë ndërtuar vitet e fundit dhe të gjitha janë me standarde shumë të mira, janë me ndërtime shumë të mira dhe cilësore. Kështu që edhe ky investim i Fondit duhet të ruajë të njëjtin standard për investimet në infrastrukturën turistike në qytetin e Korçës dhe në fshatrat turistike të Korçës”.

Ndërsa Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh se, “është shumë i nevojshëm një operator që të jetë mbi operatorët privatë sepse ka disa shërbime që duan bashkëpunim, por bashkëpunimi nuk është kaq kollaj të arrihet nëpërmjet operatorëve kështu që ky model biznesi që në fakt është me një operator publik, shtetëror ka mundësi që ta mbushë këtë boshllëk. Të ndërtojë guida, shërbime të përbashkëta të bizneseve”.

Kryeministri Rama tha se, “në rastin konkret duke pasur një qendër të tillë, është ajo që tha Niko, që krijon sinergji dhe jep mundësi për ta sofistikuar ofertën më shumë dhe patjetër është një strukturë më shumë. Unë kam qenë i kam parë ato të Veriut qoftë në Vermosh, qoftë në Valbonë dhe janë fantastike. Janë fantastike edhe nga pikëpamja e komoditetit për të qëndruar aty. Aty kam qëndruar unë. Por janë fantastike edhe si pika graviteti. Natyrisht që këtu janë bërë shumë struktura dhe mesa shoh vazhdojnë të bëhen dhe do vazhdojnë të bëhen akoma. Të gjitha shtëpitë këtu në fakt e kanë atë lloj perspektive. Kështu që qendra këtu do t’i japë një adresë, do t’i japë një pikë referimi”.

Drejtori i FSHZH tha se afati i punimeve është 9 muaj. “Shpresoj që për sezonin e fundvitit festat e fundivitit do të jetë gati”, u shpreh ai.

“Për Krishtlindje. Shpresojmë Krishtlindje pa maska”, tha kryeministri Rama. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Drashovica “Porta e Labërisë”, në listën e 100 fshatrave

TIRANË, 11 Shkurt/ATSH/.- Drashovica, fshati i vendosur në hyrje të zonës kodrinore e malore të luginës së lumit të Shushicës, ku që në kohët më të vjetra degëzoheshin rrugët për të hyrë në brendësi të lumit të Vlorës ka bërë që ndër shekuj të konsiderohet si “Porta e Labërisë”.

Ky fshat ka një histori të paktën 585 vjeçare dhe mendohet të jetë themeluar në vitin 1431. Drashovica ka kontribut të spikatur për trashëgiminë kulturore, folklorin, identitetin etno-kulturor dhe polifoninë labe.

Fshati i Drashovicës, që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”, nuk është i njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë.

Drashovica është një ndër tre urat-kufi të Labërisë. Të gjithë e njohin si ura e Drashovicës, si një urë që lidh dy brigje, ashtu si të gjitha urat e tjera. Por në fakt, nuk është një urë si të gjithë të tjerat, por një urë- kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Vjosës.

Bukurinë fshatit ia shton edhe monumenti i Drashovicës,  i ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë-Kurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30 m nga ura e famshme e  Drashovicës.

Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale e krijuar nga skulptorët shqiptarë përkujton këto dy luftëra dhe u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë.

Qeveria Shqiptare përmes projektit 100 fshatrat turistikë, do ti kthejë lavdinë e dikurshme fshatit me pamje e bukuri magjepsëse, përmes zhvillimit të agroturizmit.

Falë kullotave të shumta, tokave pjellore e ujit të bollshëm banorët e këtij fshati ndër shekuj i kanë siguruar të ardhurat për të jetuar me blegtori, bujqësi e peshkim.

Duke u renditur në listën e 100 fshatrave me prioritet ekonomik dhe turistik, Drashovica pret të mbledhë rreth vetes vizitorë të shumtë siç mblidheshin çdo 13 shtator, para viteve ’90, për të kujtuar luftën e Drashovicës.

Historia e lashtë e  Drashovicës

Më parë fshati ndodhej lart në kodër, ku ende edhe sot gjenden disa gërmadha, njëra prej të cilave është shpallur edhe shtëpi muze, ndërkohë që fshati i përket periudhës së Mesjetës dhe është me vlera të larta arkitekturore.

Ndër monumentet më të rëndësishme të Drashovicës janë, pikërisht rrënojat e fshatit të vjetër. Me ullinjve shekullorë ndodhen rrënojat e fshatit të vjetër të Drashovicës.

Të gjitha shtëpitë këtu kanë qenë të vendosura shkallë shkallë, në formën e një amfiteatri.

Banesat e larta me 2, 3 e katër kate, të gjitha të punuara me gurë të bardhë të Kallafetit, kanë qenë të vendosura në qendër të fshatit. Një ndër banesat që spikat për vlerat e saj janë sarajet e Arshi Halil Xhindit, ish kryetar i bashkisë së Vlorës më 1928 dhe deputet në parlamentit shqiptar në periudhën e mbretërisë.

Banesa ka qenë katërkatëshe e tipit ‘kullë’, në rrënojat e banesës ruhen ende muret në të gjithë lartësinë e tyre. Dritaret janë të zbukuruara në pjesën e sipërme me qemerë false e dekorim me tulla të kuqe.

Mbi këto saraje ndodhen rrënojat e xhamisë së fshatit, ndërtesa ka pasur formë kuadrate e me përmasa mesatare. Minarja e vendosur në perëndim të xhamisë ka qenë e tipit hollake me shkallë nga brenda. Banesa më e madhe, e zhvilluar horizontalisht, rrënojat e së cilës ruhen ende edhe sot në gjysmë lartësie, janë pashotat e Hamdi Mitës, hoxhës së fshatit.

Në fshatin e vjetër vetëm një banesë gëzon statusin monument kulture. Është banesa trekatëshe e tipit ‘kullë,’ e ndërtuar në fillim të shekullit XIX. Në të gjithë ndërtesën janë të shpërndara në mënyrë harmonike dritare e frëngjitë e shumta.

Drashovica është e pasur edhe në nëntokën e saj. Gjetjet arkeologjike janë interesante dhe dëshmi e lashtësisë së fshatit, por edhe e kulturës që ka ekzistuar në këto anë.

Luftërat me rëndësi historike të Drashovicës

Në Drashovicë janë zhvilluar dy luftëra me rëndësi ne historinë kombëtare, më 1920, Lufta e Vlorës që përfundoi me çlirimin e Vlorës nga italianët dhe më 1943, Epopeja e Drashovicës, luftë frontale popullore kundër nazistëve gjermanë. Dhe nuk kanë ndodhur rastësisht këtu. Luftërat e mëdha ndodhin gjithmonë në kufi dhe për kufijtë. Pushtuesit kanë dashur ta kalojnë gjithnjë urën – kufi, të hynin në Labëri, ta pushtonin atë, të zotëronin majat e larta të saj.

Me rëndësi historike ka qenë edhe Kuvendi ndërkrahinor i Drashovicës, korrik 1911, ku rreth 3000 labë, u përgatitën me armë për të siguruar pavarësinë e Shqipërisë, që u kurorëzua më 28 Nëntor 1912, në Vlorë. Por, Drashovica nuk është vetëm e luftës, ajo është edhe e penës.

Mulla Xhafer Drashovica është përfaqësuesi më i ndritur i këtij fshati, njeriu që u mësoi shqipen fëmijëve të Ismail Bej Vlorës, në kohën kur jetonte në shtëpinë e patriotit të madh vlonjat. Emri i tij i vërtetë është Xhafer Kafil Xhenxhe dhe ka lindur në Drashovicë rreth vitit 1848.

Më datën 14 shtator të vitit 2016, në 73-vjetorin e Luftës së Shtatorit 1943 fshati Drashovicë  u nderua nga Presidenti Bujar Nishani me dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin “Për kontributin e shquar në luftërat për çlirim kombëtar, që kulmojnë me Shpalljen e Pavarësisë, në Luftën e Vlorës (1920), si dhe betejën heroike të vitit 1943 kundër pushtuesve nazifashistë”. /k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link