Posted on

Rruga e re turistike mbi qytetin e Sarandës do të lehtësojë ndjeshëm trafikun e mbingarkuar të sezonit veror

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ “Rruga e re turistike që po ndërtohet mbi qytetin bregdetar të Sarandës do të lehtësojë shumë ndjeshëm trafikun e mbingarkuar të sezonit veror, duke ofruar njëkohësisht një tjetër mundësi për të shijuar panoramën e gjirit të Sarandës”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama sot gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në këtë aks turistik prej 2.3 km.

“Rruga e re me gjatësi prej 2.3 km nuk do të jetë vetëm një rrugë panoramike, por mbi të gjitha do të zgjidhë të gjithë fluksin e trafikut përgjatë sezonit veror në qytet ku kapacitetet rezidenciale rriten deri me 4 fish”, tha kreu i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma.

Ndërtimi i rrugës, përveçse do të lehtësojë ndjeshëm trafikun do t’i japë një vlerë të shtuar zonës, e cila ka qenë e margjinalizuar.

“Me përfundimin e këtij projekti, investimet dhe pronat e qytetarëve këtu do të marrin një vlerë të shtuar”, tha Gurma.

Rruga, e cila është cilësuar edhe si by pass-i i Sarandës nis nga dalja e qytetit dhe përfundon në hyrje të Ksamilit. Po ashtu rruga ka të gjithë parametrat e një zone urbane me kanalizime, ndriçim dhe gjelbërim, si dhe mure mbajtëse.

Deri në fund të vitit kjo rrugë do të jetë e aksesueshme.

Ndërtimi i kësaj rruge vjen nga nevoja e madhe, pasi numri i turistëve të huaj që kanë vizituar në një sezon turistik këtë qytet ka arritur deri në 800 mijë.

Rruga është një prej elementëve të një pakete financimesh që po kryhen në Sarandë me financim të qeverisë shqiptare dhe kredi të Bankës Botërore.

Kreu i Bashkisë, Gurma tha se përveç investimeve infrastrukturore, po shikohet mundësia e investime në objektet social-kulturore.

Investimi në muzeun e qytetit është i domosdoshëm pasi, tha Gurma, kemi një fond mjaft të pasur, i cili duhet të ekspozohet.

“Butrinti shpesh nuk bëhet i aksesueshëm nga turistët e huaj që vijnë me kroçera në Sarandë, ndaj do të ishte i domosdoshëm ndërtimi i një muzeu multidimensional në qytet, çka do të lehtësonte ndjeshëm dhe përmirësonte ofertën turistike dhe këtë fond mjaft të pasur ta ekspozonim për turistët”, tha Gurma. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Lungomare e re e Sarandës këtë sezon turistik do t’i mikpresë pushuesit e shumtë me një transformim të madh

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Sarandë, i cili gjatë sezonit turistik tërheq mijëra turistë vendas e të huaj, vazhdojnë me ritme të larta punimet për rikualifikimin urban të shëtitores përgjatë bregut të detit.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin mbresëlënës të Lungomares së re të Sarandës, e cila sipas tij këtë sezon turistik do t’i mikpresë pushuesit e shumtë me një transformim të madh e me një plazh të risistemuar , përgjatë një shëtitoreje plot hapësirë në një vijë 1.1 km.

Falë investimit të kryer, kryeministri Rama u shpreh se qyteti ka marrë tjetër pamje dhe shëtitorja do të kthehet në një hapësirë publike shumëfunksionale në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit veror.

Kryeministri kërkoi shtim të gjelbërimit, ndërsa sugjeroi mbjelljen e pishave, për bukurinë që kanë por edhe për shkak se janë pemë jetëgjata.

Kreu i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma informoi se Saranda vizitohet nga turistë të huaj kryesisht norvegjez e suedez përgjatë gjithë vitit ndërsa turistët kryesisht nga Ukraina dhe Serbia janë të pranishëm gjatë sezonit veror.

Kreu i bashkisë theksoi se në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore do të ndërhyhet edhe në kalatën e portit të Sarandës për të bërë të mundur ankorimin e krociereve, që aktualisht e kanë të pamundur të ankorohen.

Projekti parashikon edhe restaurimin e fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.

Në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.

Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.

Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Dardhë/ Pista e skive, vizioni e puna e palodhur e familjes Tasho krijon destinacion special turistik


TIRANË, 30 janar/ATSH/ Në Dardhë, 18 km në juglindje të Korçës familja Tasho me vizion e punë të palodhur ka krijuar një destinacion special turistik.

Me antë të një investimi kjo familje e ka kthyer dëborën në instrument ekonomik përmes një piste shumë të frekuentuar skish, që e ka rritur papushim fluksin e vizitorëve dhe ka vendosur në rendin e ditës domosdoshmërinë e një mbështetjeje të konsiderueshme nga qeveria, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Kryeministri  Edi Rama i shoqëruar nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi dhe kryetari bashkisë së Korçës Rama tha se “në zona si kjo fillohet me një investim, blihet teleferiku i ri, bëhet hoteli i parë si në Vermosh, Valbonë, pastaj vijnë më radhe të tjerat. Resortet e skive dhe në verë janë super të populluara kur nuk ka borë fare, vihet për kënaqësi të natyrës”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo pjesë është e lidhur me idenë e parkut olimpik që të shërbejë si qendër stërvitore për skuadrat e huaja. Është tjetër ide e bukur, do të ndërtohet një plan ku të ketë fusha sporti, akomodim për ekipe që gjatë verës të vijnë ta shfrytëzojnë, por përtej këtyre zonat e skive janë plot me njerëz edhe në verë”.

Më tej Rama tha se “kur ne thamë që do të bëjmë qendrën e zhvillimit të turizmit në Valbonë, aty ka filluar një bum investimesh. Janë bërë gjitha ato bujtina dhe një hotel me 5 yje që bëhet dhe do mbarojë së shpejti”.

“Do të bëjmë gjëra të mira, më e keqja është pas krahëve, pandemia i ndihmoi shumë njerëz të njohin Shqipërinë”, tha Rama.

Kryebashkiaku Filo tha se “mbase jemi rasti unik në Ballkan që kemi pistë skish kaq afër një qyteti të madh si Korça që ka dhe shumë gjëra të tjera që mund t’i ofrojë turistëve, pra bëhet një paketë interesante. Siç i kemi parë në Maqedoninë e Veriut, Greqi, pistat  e skive janë shumë larg qyteteve të mëdha”.

“Dua t’u falënderoj për rrugën pasi kur erdhëm këtu erdhëm në rrugën e re Boboshticë –Dardhë, pasi rruga ka qenë shumë e keqe sidomos në 800 metrat e saj. Është bërë një punë shumë e mirë dhe nga operatortë turistikë të Dardhës sepse është rritur shumë fluksi i vizitorëve në Dardhë falë këtij investimi”, – shtoi Filo.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Pas portit të ri të Durrësit, Emiratet e Bashkuara interes për investime në Përmet

TIRANË, 6 shkurt /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Ed Rama deklaroi sot se pas portit të ri të Durrësit për shndërrimin në një port turistik, Emirate e Bashkuara do investojnë në Përmet”.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët nga shtëpia Muze e Ismail Kadaresë në Gjirokastër, Rama u ndal te marrëveshja mes Emirateve të Bashkuara dhe qeverisë shqiptare për investime edhe në fushën e turizmit në Përmet.

“Ne po bëhemi gati për aprovimin e masterplanit të fazës së zhvillimit në Durrës, që përfshinë projektin e investimit për transformimit e portit të Durrësit në një port  turistik dhe spostimin e aktivitetit të tregtimit të mallrave mes detit, në një port të ri në anën tjetër në veri të qytetit të Durrësit dhe grupi i ngarkuar nga Princi i Kurorës për këtë investim ka shprehur shumë interes për të investuar në Përmet lidhur me disa faktorë të paktë siç ata e kanë shprehur.

“Së pari ata kanë bërë një studim të rajoneve të vendit dhe sipas tyre Përmeti është një nga zonat me potencialin më të madh të zhvillimit të turizmit dhe të ekonomisë së turizmit në dekadën e ardhshme dhe patjetër pas dekadës së ardhshme për dekada të tëra po flasim sepse sipas tyre,gjithmonë, Përmeti ka ca karakteristike të veçanta në aspektin e peizazhit, që nga lumi poshtë deri tek të gjitha pyjet lart. Po ashtu të traditës në aspektin e trashëgimisë kulturore dhe fetar, se për ta kjo është e rëndësishme. Ne themi dhe besojmë se harmonia midis feve dhe komuniteteve fetare është e njëjtë në të gjithë Shqipërinë, po ata kur flasin për Përmetin thonë se është shumë tërheqëse për ne”, tha ai.

Në vijim, Rama shtoi se “ideja e tyre është për të investuar në Përmet jo në mënyrë evazive, nuk behet fjalë për të bërë investime që cenojnë peizazhin apo natyrë por ata duan të investojnë në struktura fermash, turizëm fermash, ku njerëzit mund të  vijnë të jenë në një zonë rurale edhe të ndërtojnë aty shtëpi, vila, ndonjë hotel të  vogël por të gjitha të lidhur me fermën dhe me traditën e kultivimit të gjithë asaj paketës bujqësore të zonës dhe të gatimit”.

“Duan po ashtu të fusin si pjesë të investimit edhe shfrytëzimin e prodhimeve  artizanale ushqimore, pra është një projekt shumë i bukur kur dëgjon, nuk ka një projekt konkret në kuptimin urbanistik dhe arkitektonik, por ata janë shumë të vendosur për këtë. Ata duan të shikojnë terrenin sepse në fund të fundi bëhet fjalë për investime  të mëdha. Mendoj se kur projekti i Durrësit do të hyjë në një fazë ku ata do ta kuptojnë përfundimisht vendin, atëherë Përmeti ka radhën”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ata nuk duan të bëjnë një projekt në një vend, por duan të prekin në vende të ndryshme, kuptohet duke përfituar nga qeveria terrene që janë pronë shtetërore dhe duke harmonizuar pastaj me ata që janë aty, banore ose  komunitete për të bërë ndërhyrje të ndryshme. Ata e konsiderojnë të gjithë zonën, si një zonë që duhet bërë e eksplorueshme. Ata panë Gjirokastrën, Tepelenën, pjesën e Labërisë, por kur erdhën në Përmet thanë qenkan të urtë njerëzit”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Resorti i parë i skive në Shqipëri, në Nikolicë të Korçës/Impakt në rritjen e turistëve

TIRANË, 30 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha se, “krijimi i resortit të parë të skive në Shqipëri, në zonën e Nikolicës, do të sjellë shumë më tepër turistë, në Korçë”.

Gjatë një bashkëbisedimi të dielën, me qytetarë në Korçë, Rama theksoi se “Korça sot nuk është më në fazën a do të ketë më turistë, nuk e ka më Korça këtë problem. Korça ka hyrë në një fazë që do të ketë problemin si do të përballojë turistët dhe mendoj se ne kemi dhe disa ndërhyrje të tjera për të bërë këtu, siç është ajo për krijimin e resortit të parë të skive në Shqipëri në zonën e Nikolicës, që është një ndërhyrje që do të sjellë shumë më tepër turistë”- tha Rama .

“Unë kam parë një pistë që është modeste këtu afër dhe është e përmbytur nga kërkesat dhe nga studimi që kemi bërë, jemi mahnitur që janë afro 1 mijë shqiptarë shkojnë në resorte dimërore skishë çdo vit”, tha ai.

“Afro 1 mijë është statistikë nuk është opinion. Pra janë shqiptarë që shpenzojnë pa llogaritur këtu se çfarë mund të sjellë Korça të huaj. Provat tashmë janë, vetëm nga Fesat e Birrës e cila filloi si festë lokale u kthye, në një destinacion me fluks vizitorësh që vinin nga Greqia, Maqedonia e Veriut dhe të tjerë, për të marrë pjesë në këtë festë”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa kryetari i bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, u shpreh se “lajmi që dha Kryeministri Rama, për ndërtimin e resortit dimëror të skive, është fantastik dhe i garanton Korçës 4 deri 5 muaj turizëm në sezonin e dimrit”.

Ndërsa duke veçuar diversifikimin e ofertës turistike në Korçë, Filo tha se, “kemi disa iniciativa interesante siç është ajo në Turan, ku me mbështetjen  AZHBR –së është vendosur pista e hipizmit, ku dy vëllezër të apasionuar kanë bërë një hipodrom me stalla dhe pistë për kuajt ku ofrojnë shëtitje me kuaj dhe kurse për hipizmin”.

Gjithashtu tha ai, dua të diskutoj me kryeministrin edhe për pistën në Rumalasë, që mundtë shndërrohet në një aeroport për fluturimet turistike dhe sportive, që nxit më tej turizmin në këtë bashki.

“Javën e fundi balonat që erdhën në Korçë, ishin një atraksion i veçantë që solli aeronautistë nga Selaniku në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Aeronautikës dhe nëse krijojmë një fushë bari për këto lloj fluturimesh mund të krijojmë hedhje me parashutë duke shtuar kështu ofertës turistike në Korçë”- tha Filo.

Rama theksoi se, “sfida në Korçë është si do të përballojë kërkesat, sidomos në periudhën e fundjavës. Nga ana tjetër si do të zgjerohet koha e qëndrimit për të mos ardhur vetëm në fundjavë, por në kohë edhe më të gjatë. Pra është një situatë shumë pozitive për Korçën. Patjetër që ka këtu dhe kudo, një pjesë njerëzish që janë larg këtyre zhvillimeve. Por nuk ka një formulë magjike prandaj duhet parë se ku ishim për të marrë forcë , për të marrë energji dhe për të vazhduar që të shkojmë aty ku duhet, të shkojmë përpara deri sa e kemi bërë këtë rrugë. Se dikur thonin fasada, fasada,  por po të bëjmë një llogari sa vende pune kanë hapur “fasadat”, është pikërisht ai fillimi i ndryshimit që ka ndodhur . Sepse për çfarë duhet të vinin njerëzit më parë në Korçë, vinin vetëm, për të takuar të afërmit, normalisht, kurse sot çdo vit e më shumë kamë shumë arsye për të ardhur në Korçë, dhe detyra jonë është të shtojmë arsyet për të ardhur se kështu do shtojmë ditët e qëndrimit këtu”- deklaroi Rama. e.xh/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Rreth 100 milionë euro investime në Gjirokastër/ Çuçi: Nuk ka të ngjarë se ç’ka qenë në 2013

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/- Ministri i Brendshëm, drejtuesi politik i PS-së në Qarkun e Gjirokastrës, Bledi Çuçi deklaroi sot se “janë rreth 100 milionë euro ndërhyrje të drejtëpërdrejta, pa llogaritur infrastrukturën, ku janë edhe rrugën kombëtare dhe rrugët rajonale, vetëm ndërhyrje në qytete dhe në zona malore, kodrinore apo dhe rurale, që kanë bërë të mundur që sot ne të themi me gojën plot që Gjirokastra ka një ofertë të qëndrueshme për një zhvillim të qëndrueshëm”.

Gjatë një bashkëbisedimi të Kryeministrit Edi Rama me qytetarë në Gjirokastër, ministri Çuçi tha se turizmi është aseti më i madh që ky qark ka.

“Për një gjë ndjehem i lehtësuar sepse ne kemi treguar që nuk vijmë të bashkëbisedojmë me ju në Gjirokastër, por edhe në gjithë Shqipërinë, vetëm kur ka fushata, por besoj se tashmë është bërë ajo që ka qenë në filozofinë tonë që çdo gjë që po bëjmë për Shqipërinë, do ta bëjmë me vizonin tonë, por duke bashkëbiseduar me qytetarët. Fryt i këtyre bisedave dhe bashkëpunimi është sot edhe realiteti i Qarkut të Gjirokastrës, nuk ka të ngjarë se ç’ka qenë qarku në 2013”, tha ai.

“Po të marrim që nga Përmeti, Memaliaj, Tepelena, Këlcyra pa diskutim edhe Libohova dhe qendra e qarkut, Gjirokastra, sot kanë një ofertë turistike shërbimesh që as nuk mund të mendohej në 2013”, theksoi ministri, duke shtuar se “kemi krijuar një unazë fantastike turistike që do lidhë bregun e qarkut të Vlorës me Gjirokastrën. Pra e gjithë zona e Labërisë do jetë e lidhur me rrugë me parametra bashkëkohorë në mënyrë që turisti të shpenzojnë atje më shumë se një javë apo dy javë vetëm duke shijuar natyrën, kulinarinë, traditën etj”.

“ Këtë gjë po bëjmë edhe me pjesën e Gjirokastrës dhe pjesën e Dropullit me Libohovën. E njëjta gjë po bëhet me Përmetin e cila po lidhet me Ersekën me Qarkun e Korçës. Kemi filluar investimin e rrugës së Qarshovës dhe shumë shpejt edhe aty do jetë një rrugë me parametra bashkëkohorë dhe e gjithë kjo krijon një mobilitet në mënyrë që të kemi sa më shumë turistë që do frekuentojnë qarkun e Gjirokastrës”, vijoi ministri, duke nënvizuar se turizmi është i vetmi aset që ky qark ka nëse do të zhvillohet dhe të kthehet në ditët e veta të lavdishme.

Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi tha se “nëse kthehemi pas në 2013, nuk do kish një ose dy struktura akomoduese. Sot vetëm në zonën muzeale, me përfundimin e pazarit kemi më shumë se 700 shtretër të ofruara nga strukturat akomoduese të qytetit. Tashmë Gjirokastra ka qenë distinacion për të huajt.

Në këtë periudhë të vështirë për shkak të pandemisë, Golemi tha se “fundjavat në Gjirokastër kanë qenë plot. Ka patur fundjava që s’kemi pasur mundësi të akomodojmë miqtë dhe shokët tanë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

VIDEO/ Diplomati brazilian që “s’do që të largohet” nga Shqipëria


 Intervistë me Ambasadorin e Brazilit në Shqipëri, Jorge Jose Frantz Ramos-

VIDEO/ Diplomati brazilian që “s’do që të largohet” nga Shqipëria

VIDEO/ Diplomati brazilian që “s’do që të largohet” nga Shqipëriahttps://www.ata.gov.al/video-diplomati-brazilian-qe-sdo-qe-te-largohet-nga-shqiperia/Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, ambasadori i Brazilit në Tiranë, Jorge Jose Frantz Ramos shprehet se “Shqipëria është një nga vendet më të bukura që kam parë dhe jetuar gjatë karrierës time diplomatike”.

Publié par Agjencia Telegrafike Shqiptare sur dimanche 11 février 2018

TIRANË, 11 Shkurt/ATSH-Arbi Fortuzi/-. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, Tirana nuk ka asgjë më pak se kryeqytetet e tjera të Europës. Shqipëria ka të gjitha potencialet për të qenë një kryeqytet i turizmit për Europën. Unë e dua Shqipërinë.

Fjalët janë të ambasadorit brazilian në Tiranë, Jorge Jose Frantz Ramos, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare.

Ai gjatë intervistës rrëfeu se pas pak muajsh i mbaron mandati dhe për këtë ndihej i trishtuar. “Kam kaluar katër vite të mrekullueshme. Do doja të qëndroja ende në këtë vend mikpritës dhe mjaft të ngrohtë”, tha Ramos.

“Shqipëria është një nga vendet më të bukura që kam parë dhe jetuar gjatë karrierës time diplomatike dhe çfarë ka këtu për të mos dashur, ju keni çdo gjë, ju keni male të bukur, det të bukur, plazhe dhe veçanërisht keni njerëz të mrekullueshëm. Ky është dhe aseti më i rëndësishëm që keni”, tha Ramos.

“Vendi më i bukur? Është e vështirë të vësh gishtin. Që nga momenti që zbrita nga avioni katër vite më parë, dhe vura re malet e bukura që rrethojnë Tiranën, rashë në dashuri. Po vija nga Italia dhe u impresionova vërtet nga bukuria e këtyre maleve blu, kam udhëtuar pak përqark vendit tuaj por është e vështirë të vësh gishtin diku, për shembull, plazhet përreth Vlorës dhe Dhërmiut janë të bukur por edhe malet janë gjithashtu të mrekullueshëm”, tha Ramos.

Duke folur për marrëdhëniet diplomatike, por edhe ato ekonomike mes dy vendeve veçoi faktin se mund të ketë ura bashkëpunimi në fushën e sipërmarrjeve.

Ambasadori i vendit latin, tha se një nga gjetjet interesante në fushën e turizmit është edhe çelja e Muzeut të Gjetheve. “Unë mendoj se Shqipëria ka asetet e duhura për të qenë një kryeqytet i turizmit, një vend fantastik për Europën që të shijojë turizmin. Dhe sigurisht një nga këto aspekte është jo vetëm e shkuara historike  por edhe ajo më e afërt. Ju nuk mund ta mohoni se çfarë ka ndodhur gjatë këtyre 40 vite e ca të komunizmit që ka lënë gjithashtu një gjurmë të rëndë në shoqërinë tuaj. Por të shkuarën  mund t’ia tregojmë botës që ka kuriozitet për të njohur se çfarë ka ndodhur këtu”, tha Ambasadori  i Brazilit në Tiranë, Jorge Jose Frantz Ramos. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Korça, Parisi i vogël i Shqipërisë

TIRANË, 16 Shkurt/ATSH/.- Shqipëria është një nga vendet më interesante në gadishullin e Ballkanit, e njohur para së gjithash për plazhet idilike bregdetare dhe kryeqytetin e gjallë të Tiranës.

Megjithatë, ka shumë vende të tjera, që ia vlen të vizitohen, veçanërisht nëse doni të zbuloni pika pak turistike dhe jashtë rrugëve të përbashkëta.

Kështu e nis shkrimin e saj gazetarja dhe udhëtarja e palodhur, Francesca Masotti, të publikuar në blogun e saj “Francesca on the top world”.

Megjithë udhëtimet e mia të shumta në vend, s’kisha qenë kurrë në Korçë, por falë Shqipërisë së Mirë, isha me fat që më në fund zbulova këtë destinacion të shkëlqyer pranë kufirit me Greqinë dhe Maqedoninë.

Për të arritur në qytet duhet të merrni një rrugë që kalon përgjatë liqenit spektakolar të Ohrit, një nga liqenet më të vjetra dhe më të thella në Europë, që ndodhet në 1/3 e territorit shqiptar dhe 2/3 në atë maqedonas.

Pamja e liqenit dhe në sfond, malet e mbuluara me borë ofrojnë pikëpamje unike, ndër më të bukurat që kam parë ndonjëherë në udhëtimet e mia në Ballkan. Unë ju rekomandoj, që gjatë udhëtimit të ndaleni në Tushemisht, një vend pikërisht përballë liqenit, për të admiruar pamjen dhe të shijoni pjatat tipike të zonës si korani, një peshk i ngjashëm më troftën, peshkimi i lirë i të cilit është i ndaluar , por në zonë ka disa rezervuare që i shesin peshqit në restorante.

Korça është një nga destinacionet më popullore për shqiptarët që kalojnë pushimet e tyre, veçanërisht gjatë sezonit të dimrit, kur reshjet e dëborës i japin qytetit një atmosferë shumë romantike. Është i famshëm në vend pasi është qyteti më i rëndësishëm nga këndvështrimi kulturor dhe nga birra e Korça, e prodhuar pikërisht këtu që nga viti 1928.

Megjithatë, nuk është shumë e njohur nga turistët ndërkombëtarë, të cilët përveç Tiranës dhe rivierës së lartpërmendur shqiptare, preferojnë të vizitojnë qytetet e famshëm të trashëgimisë njerëzore, Berat dhe Gjirokastër. Si mund ti fajësosh? Të dyja janë të bukura dhe unike nga pikëpamja kulturore dhe arkitektonike, por Korça nuk është shumë prapa. Për këtë arsye, këshilla ime është të gjeni pak kohë gjatë udhëtimit në vendin e Shqiponjave, për të vizituar këtë qytet të bukur, sepse ia vlen.

Në këtë artikull unë do t’ju jap disa sugjerime se çfarë të vizitoni, ku të flini dhe çfarë të hani, të kaloni një fundjavë të këndshme në këtë qytet të bukur. Gjërat për tu parë, sidomos përreth (Dardhë, Voskopjë, Prespë), janë të shumta, por duke pasur parasysh disa ditë që kisha në dispozicion dhe kushtet e motit (unë kam qenë me fat: natën e së shtunës ra borë dhe ishte thjesht magjike! Por kjo më ndaloi të lëvizë diku tjetër …), udhëzuesi fokusohet vetëm në pikat kryesore të interesit të qendrës historike.

ÇFARË TË SHIKONI

Pazari i Vjetër

Zona më evokuese e qytetit është Pazari i Vjetër, pazari i vjetër i Korçës, i rinovuar kohët e fundit pas një projekti të madh rizhvillimi. Kjo është zona më e mirë e qytetit me dyqane, ëmbëlsirash, restorante dhe vende ideale për të kaluar një mbrëmje të këndshme me miqtë. Ajo që e bën pazarin unik janë fasadat shumëngjyrëshe të ndërtesave, pamjet elegante të dyqaneve dhe rrugët me kalldrëm që duket se formojnë një labirint. Kjo zonë e qytetit, më shumë se Parisi, më kujtoi një miniaturë të Seviljes: ngjyrat, gurët, atmosfera më kujtoi qytetin elegant Andalusian. Në sheshin kryesor, në fundjavën e parë të muajit gusht, mbahet Festivali i famshëm i birrës, një nga ngjarjet më të rëndësishme në Shqipëri, bazuar në koncerte, valle, shfaqje dhe natyrisht, lumenjtë e Korçës. Sapo të keni admiruar zonën e tregut, unë ju sugjeroj që të shkoni në rrugën prapa saj, ku është fshehur xhamia e këndshme Iljaz Mirahori, më e vjetra në qytet.

Katedralja e Ringjalljes

Ndërtesa më e rëndësishme fetare në Korçë, megjithatë, është Katedralja e Ringjalljes, një kishë e madhe ortodokse e ndërtuar në vitin 1992 mbi rrënojat e ish katedrales së shkatërruar në vitet ’70 në diktaturën e plotë komuniste. Vlen të vizitohet gjithashtu brenda, sepse përmban piktura të çmuara dhe një llambadar të bukur prej druri të vendosur në pjesën qendrore.

Bulevardi Shën Gjergji

Përgjatë bulevardit Shën Gjergji, ose Pedonalja, bulevardi i këmbësorëve me pemë ku përqendrohen baret, ndodhen dy nga ndërtesat më karakteristike të Korçës: Muzeu Kombëtar i Arsimit dhe Shtëpia Rumune. Muzeu është vendosur në atë që ishte shkolla e parë e gjuhës shqipe e kombit, e hapur në vitin 1887 në këtë strukturë të bukur. Muzeu është në dy kate, i lirë dhe mund të vizitohet çdo ditë: në hyrje nuk gjeta asnjë kujdestar për të më pritur, unë thjesht arrita në katin e sipërm dhe admirova dokumentet që dëshmojnë historinë e kësaj shkolle dhe tekstet e lashta në gjuhën shqipe. Ndërtesa tjetër karakteristike e vendosur përgjatë Pedonales është e ashtuquajtura Shtëpia Rumune, ku në vitet 1930 jetonte një familje me origjinë nga Rumania. Sot, megjithatë, në katin përdhes gjendet një dyqan: është për të ardhur keq që ndërtimi i një bukurie të tillë është bërë vendi i një marketi të vogël.

Bulevardi Republika

Një tjetër rrugë mjaft interesante është Bulevardi Republika, rruga e madhe që çon nga katedralja në stadiumin Skënderbeu. Përgjatë bulevardit ka restorante dhe hotele të shumta, por gjëja më e mirë për të bërë këtu është të humbasësh në skajet e rrugëve që kalojnë përgjatë të njëjtave, ku mund të admirohen ndërtesat e lashta të Korçës, rrugët e shtruara jeta e qytetit./k.s/ /a.g/

http://www.francescaonthetopoftheworld.it/2018/02/15/weekend-a-korca/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Saranda mes 10 qyteteve europiane si destinacion për 2018

TIRANË, 23 Shkurt/ATSH/.- Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese.

Ky qytet, cili ka marrë emrin e një manastiri bizantin, që quhej në greqisht “Agioi Saranta”, 40 shenjtorët, njihet për plazhet mahnitëse dhe ujin si kristal.

Plazhi i pllakave, plazhi i Manastirit, i quajtur kështu për shkak se në kodrën sipër tij gjendet një Manastir, plazhi i pasqyrave, i Ksamilit, etj, ofrojnë për turistët vendas e të huaj gjatë verës pushime mbresëlënëse.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit. Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit kuriozon turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare.

Në një artikull të botuar nga revista italiane Donna Moderna, Saranda renditet ndër 10 qytetet europiane, destinacione të verës 2018.

– Saranda -Shqipëri; rriten prenotimet për këtë vend të mrekullueshëm me diell dhe det. Më mirë të përfitoni shpejt, para se të përfundojnë rezervimet.

-Siviglia, Spanjë, dinamike dhe në evolucion, e impenjuar për të vlerësuar historinë e saj.

– Lago di Lecerna, Zvicër: një perlë e vërtetë e vendosur mes katër kantoneve.

– Republika baltike (Estonia, Lettonia Ltuania); një itinerar i mahnitshëm (dhe low cost) mes arkitekturës, gastronomisë dhe kulturës.

– Tbilisi (Gjerogji) ; një vend që shikon drejt së ardhmes me vetëdijen e traditave të tij.

– Danzica (Poloni) ; më pak e njohur se Varshava ose Cracovia, por për tu zbuluar për bregdetin e saj të mrekullueshëm.

– La Valletta (Malta) ; kryeqytet i kulturës 2018! Gati për festivalin, bienalen e artit, muzikën, por mbi të gjitha diell dhe det.

– Alip Giulie (Slloveni) ; një parajsë për të apasionuarit pas natyrës në një cep të Europës, ndonjëherë e lënë pas dore.

– Porto (Portugali) ; qendër dinamike artistike, kulturale dhe kulinare, me çmime (akoma) të arsyeshme.

– Matera (Basilicata) Itali; New York Times e cilëson “një nga sekretet e ruajtura më mirë të Italisë”./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Turistët e huaj drejt Thethit përmes Malit të Shoshit duke çarë borën


TIRANË, 26 Shkurt / ATSH /  – Vizitorë të huaj të ardhur nga Çekia dhe Polonia nuk kanë munguar edhe këtë fundjavë të ngjiten në lartësitë e Thethit.

Kjo luginë e rrethuar mes Alpeve bënë kurioz aventurierët edhe këto ditë bore ku çdo gjë rreth saj zbardhon.

Por udhëtimi drejt Thethit mbetet problematic sepse rruga drejt tij është akoma e pa mirëmbajtur dhe trashësia e dëborës është e madhe.

Por,”gjërat e bukura janë ato më të vështirat” kjo shprehje i bie përshtat më së miri Thethit këto ditë.

Nga rangersat e AdZM-së Shkodër, vijnë njoftime se dje, janë nisur për në Theth visitor aventurier të dëborës, që me makina të posaçme kanë arritur ta çajnë borën dhe të mbërrijnë në destinacion.

E ndërsa rruga mbetet e bllokuar dhe zona e izoluar për më shumë se gjysmen e vitit, njërz të apasionuar pas natyrës e zgjedhin herë pas herë ketë bukuri të rrallë të Alpeve tona.

Reshjet e borës vetëm sa ja kanë shtuar adrenalinën vizitës së tyre në këtë aventurë.

Rruga për në Theth përshkon gjithë Dukagjinin, Prekal, Kirë, Shosh, Shalë. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link