Infrastrukturë e gërshetuar me ofertë kulturore e natyrore/ Klosi shpalos programin…
Category: Travel
GUIDE TURISTIKE nga e gjithe Shqiperia.
Tani keni mundesine te gjeni ne kohe reale ne kete site te dedikuar per Guide Turistike te fshatit.
Historia e emigrantit të kthyer në Përmet, investoi në një nga godinat e vjetra duke e shndërruar në një pikë turistike

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Nëse Përmeti s’do të kishte marrë vëmendjen e duhur këto vite me investime konkrete që krijuan një perspektivë të qartë turistike për qytetin, që siç thonë i ka të gjitha përveç detit, me siguri nuk do të kishim as këtë hapësirë fantastike në zemër të zonës historike.
Kështu u shpreh ministri i Brendshëm dhe njëkohësisht drejtuesi politik i qarkut të Gjirokastrës Bledi Çuçi, teksa ka sjellë shembullin e Arbër Goga, i cili pasi u kthye nga emigrimi investoi në qytetin e Përmetit.
““Villa Përmet” është një shembull domethënës për ata që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme më të mirë, një histori frymëzuese për shqiptarët jashtë vendit që mendojnë të kthehen dhe të investojnë në vendlindje. Një histori frymëzuese për qytetin që vit pas viti është shndërruar në një destinacion të rëndësishëm turistik në jug të vendit. Bravo Arbër”, – shprehet Çuçi.
“Historia ime është si historia e shumë shqiptarëve të tjerë, të cilët kanë emigruar dhe pas një kohë në emigrim kanë vendosur të kthehen në vendlindjen e tyre. Pasi mora vendimin tim për t’u kthyer në Shqipëri ftova për të kaluar pushimet mikun tim Denis. Pas disa ditësh pushimesh dhe një turi në Shqipëri vumë re se sektori turistik kishte nevojë për zhvillim, potenciali ishte shumë i lartë mbi të gjitha në lagjen më të vjetër të Përmetit”, – thekson Goga.
Më tej Goga u shpreh se “duke restauruar një nga godinat më të vjetra dhe duke qenë shtëpia e dytë më e madhe në Përmet i dhamë një jetë të dytë ku të gjithë mund të vijnë të pushojnë një natë apo të kalojnë një fundjavë”.
“Pranvera nuk vjen me një dallëndyshe, të shpresojmë që edhe të rinj të tjerë të kenë dëshirën të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri. Do isha shumë i kënaqur nëse në zonën e vjetër të Përmetit të lindin edhe realitete të tjera që të jetë një kartëvizitë për të huajt se çfarë është Shqipëria në realitet”, – tha Goga./k.s//a.a/
”Forbes”: Shqipëria, një tjetër vend i jetës së ëmbël

PARIS, 20 mars /ATSH/ – Në Tokën e Shqiponjave, ne mrekullohemi pas çdo zbulimi, shkruan gazetarja Sabah Kaddouri për revistën e njohur ”Forbes”.
”Diçka po ndodh në Shqipëri. Mos është energjia krijuese e një rinie frymëzuese? Apo një dëshirë e fuqishme për të bërë një hap thelbësor në rrugën drejt biznesit dhe kohës së lirë?
Ngjitur me veriun e Greqisë dhe përballë thembrës së ”çizmes’ italiane, në bashkimin e qytetërimeve romake, bizantine dhe osmane, ky shtet ballkanik kultivon unikalitetin midis hapësirave të mëdha të virgjëra dhe kryeqytetit të tij, Tiranës, i mbushur me ndërtesa moderne.
Një vend kontrastesh, që ndan emëruesin e përbashkët të mikpritjes.
Peizazhe madhështore
Tri të katërtat e territorit janë të gdhendura nga malet. Një parajsë për udhëtarët dhe një spektakël i përhershëm për turistët.
E pikëluar me liqene, përfshirë burime të shumta termale, e mbështjellë me livadhe të rrethuara nga fshatra tradicionalë të ngjitur pas shpateve, Shqipëria zhvesh peizazhin e saj madhështor, që rrëfen shekuj bashkëjetese paqësore midis njeriut dhe natyrës.
Në këto rajone të gjelbra, i mbushim mushkëritë dhe qetësojmë veshët.
Ekziston edhe kënaqësia e ndarjes së momenteve autentike me vendasit dashamirës gjatë ndalesave për të shijuar gatime në ndonjë shtëpizë ose ndonjë natë të pafund. Shqiptarët janë shumë bujarë me këdo që qëllon të jetë mysafiri i tyre.
Në skajin jugor të vendit, përgjatë bregdetit, Parku Kombëtar i Llogarasë (më i rëndësishmi në Shqipëri) përmban një natyrë të harlisur dhe të virgjër. Ky mur malesh, që ngrihet në më shumë se 2 000 metra, është shtëpia e një flore dhe faune të pasur, si shqiponja e artë, emblema e vendit. E pamundur për të mos u vënë re, kjo rrugë piktoreske të çon në bregdetin e Jonit.
Ky gjeoturizëm historik praktikohet gjithashtu në rajonin jugor të Beratit, i njohur si “qyteti i një mbi një dritareve”, një emërtim që i referohet pirgut të shtëpive tradicionale osmane në qytetin e vjetër, fasadat e të cilave janë ”shpuar” nga një numër i madh dritaresh.
I shtrirë përgjatë lumit Osum dhe në kanionin e tij madhështor, qyteti mesjetar është një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Berati dëshmon për bashkëjetesën paqësore të bashkësive të ndryshme fetare dhe kulturore gjatë shekujve. Lagjja e tij myslimane, e ruajtur shumë mirë, fsheh ndërtesa të jashtëzakonshme në bregun e djathtë, ndërsa lagjja e krishterë gjallëron bregun e majtë.
Thirrja e detit
E mbështjellë me kilometra të tërë rëre të bardhë dhe të artë në mënyrë alternative, me limane të shumta me mijëra nuanca blu, Riviera Shqiptare është sekreti më i ruajtur i rusëve, ukrainasve, italianëve dhe britanikëve.
Bregdeti fillon në Vlorë (më pak se dy orë nga Tirana) dhe shtrihet deri në Sarandë në kufirin grek, një kartolinë e përsosur prej 472 kilometrash përgjatë detit Adriatik dhe Jon. Një aromë ”jete të ëmbël” mbush numrin gjithnjë e më shumë në rritje të turistëve dhe shqiptarëve, të cilët kremtojnë jetën me shëtitje në det, me kripë e jod, mish të shijshëm të pjekur në skarë, shijime gatimesh lokale dhe mbrëmje festive.
Ka shumë vende për të eksploruar, si Gjiri i Akuariumit, Drimadhes, Plazhi i Palasës, Plazhi i Gjipes ose Ksamili, kaq shumë arsye për t’u rikthyer.
Në Vlorë, ju mund edhe të pushoni në një hotel të vendosur në një shkëmb! Në epokën e Instagram, kjo vendndodhje sheh një kontigjent në rritje të njerëzve kuriozë.
Kjo rritje e vendit në hartën e udhëtarëve shpjegohet gjithashtu edhe me menaxhimin e mirë të krizës shëndetësore: Shqipëria është ndër kombet më pak të ndikuara nga COVID-19.
Destinacioni mirëpriti gati 6,5 milionë vizitorë verën e kaluar, një rekord.
Qeveria, përmes veprimit të ministrit të saj të Ekologjisë dhe Turizmit, Blendi Klosi, synon të vazhdojë ta rrisë këtë valë.
“Ne po përshpejtojmë ndërtimin e infrastrukturës hoteliere për të qenë në gjendje të mbështesim këtë rritje, duke përfshirë shumë nga markat ndërkombëtare me pesë yje. Pa dyshim, situata po ngadalësohet për momentin, por Shqipëria tani është një destinacion në radarin e shumë udhëtarëve, që zbulojnë thesaret e këtij vendi të Europës, kaq i afërt për nga kultura dhe po aq unik në të njëjtën kohë. Falë rajoneve tona bregdetare të ruajtura mirë, ne kemi kornizën ideale për të zhvilluar turizmin blu”, detajon këshilltari i qytetit gjatë një interviste.
Drejt Tiranës, kryeqytet vibrues
Kryeqyteti politik dhe ekonomik i Shqipërisë që nga viti 1920, Tirana është një qytet simbolik, si edhe një qytet muze. Çdo cep rruge jep dëshmi për peripecitë e historisë. Një roman kombëtar me kaq shumë ngjarje!
Kjo dritare mbi Europën, gjithashtu dera për në Azi, tërhoqi perandoritë më të mëdha: romakët, bizantinët, osmanët…
Vendi i shenjtores Nënë Tereza, ka përjetuar gjithashtu një nga diktaturat më të përgjakshme komuniste të shekullit XX nën zgjedhën tiranike të Enver Hoxhës, sprova të cilat kanë kontribuar fuqishëm në forcimin e shpirtit elastik, patriotik dhe të bashkuar të popullit shqiptar.
Si një feniks që ngrihet vazhdimisht nga hiri i tij dhe gjithmonë shikon të ardhmen me shumë optimizëm, perla e Ballkanit tani është në rrugën e duhur për t’u bashkuar me Bashkimin Europian.
Një shëtitje në Tiranë do të thotë të shkosh para dhe prapa midis traditës dhe modernizmit, midis artit sentimental dhe sofistikimit.
Ndër vendet e domosdoshme për t’u vizituar: Sheshi Skënderbej, Xhamia e Et’hem Beut me afresket e saj të kushtueshme, një nga më të bukurat në Shqipëri, Muzeu Historik Kombëtar me fasadën e tij të mbuluar me mozaikë për lavdinë e heronjve shqiptarë, lagjja e Bllokut apo studioja e artistit të madh shqiptar, Agim Rada, një piktor, skulptor që më shumë se një herë i dha despotizmit të Enver Hoxhës një goditje artistike. Krijimet e tij mund të vizitohen në shtëpinë e tij në qendër të qytetit. Një vend përkujtimor, që nuk duhet humbur, për ata që duan të kapin gjithë ndërlikueshmërinë dhe poezinë e Tokës së Shqiponjave.
Tirana është mbi të gjitha kryetari i saj i ri, Erion Veliaj, i cili flet për të më së miri!
Fjalë për fjalë të takimit tonë energjik me kryetarin e bashkisë së qytetit, i zgjedhur në 2015:
“Ne ndoshta jemi kryeqyteti më i ri në Europë, gjë që reflektohet në demografinë dinamike të qytetit, lulëzimin ekonomik dhe kulturor. Bashkëmoshatarët e mi në Europë më thonë vazhdimisht se ata shprehin keqardhje për largimin e shumë banorëve, kurse ne, nga ana jonë, shohim një lloj tërheqjeje të madhe. Tirana është plot vinça, ndërtime për banesa dhe tregti për të mbështetur këtë rritje. Metropoli gjithashtu ka flotën më të madhe të taksive në Ballkan. Ne po bëjmë gjithçka për ta mbajtur të arritshëm tregun e pasurive të patundshme për këta studentë të rinj, që janë bërë aktivë dhe vendosin të qëndrojnë”.
“Të zgjerohemi, po, por jo në një mënyrë të tërbuar dhe në dëm të zhvillimit të qëndrueshëm! Kështu, ne po udhëheqim një politikë ekologjike inteligjente, duke inkurajuar lëvizjen e gjelbër, qytetin e zgjuar. Kjo me qëllimin e dyfishtë të krijimit të një ekosistemi teknologjik, si Stacioni F në Paris, ku dërgova një delegacion për t’u frymëzuar nga ky sukses i madh francez. Kemi kaluar mjaft kohë duke shitur bluza! Aktualisht, ne po i japim vetes kushtet për të prodhuar produkte me vlerë të lartë të shtuar në burim dhe të imagjinojmë koncepte inovative. Si të gjithë mesdhetarët, edhe ne shqiptarët e duam jetën! Motoja jonë është “Puno shumë dhe argëtohu gjithashtu shumë!”
“Jam, gjithashtu, i lumtur të them se në Tiranë dhe më gjerë në Shqipëri, kur komuniteti i krishterë sheh kishat e tij të shkatërrohen gjatë një tërmeti, janë myslimanët ata që i vijnë të parët në ndihmë dhe anasjelltas. Ne kemi tolerancë të madhe për njëri-tjetrin. Në vitin 2022, ne do të jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë: ky është një takim që ju lëmë!”, na fton kryetari i bashkisë së qytetit.
Deri në vitin 2022, rrugëtimi drejt Tiranës tashmë po zhvillohet falë një fenomeni tjetër: turizmit mjekësor. Dy orë nga kryeqytetet më të mëdha të kontinentit, Shqipëria ka zhvilluar një industri shumë konkurruese në këtë zonë. Nxitësi i “Udhëto dhe Buzëqesh”, biznesmeni Dritan Gremi po kap një treg në rritje të europianëve, të cilët kërkojnë kujdes të përballueshëm dentar dhe kozmetik.
“Falë kostos së ulët të jetesës në vendin tonë, ne mund të ofrojmë ulje deri në 60% të kostove të dhëmbëve. E gjithë kjo ndërsa përafron të njëjtat standarde të cilësisë”, ndan me ne sipërmarrësi, i cili e filloi nga asgjëja dhe tani është një milioner.
Koncepti i klinikës së tij nuk është ndryshe nga çdo vend tjetër në këtë segment të tregut. Këtu, udhëtarët nga Franca, Zvicra ose Italia e gjejnë veten të zhytur në jetën e lagjes. Objektivi: të jetojmë një përvojë gjithëpërfshirëse, që shkon përtej kujdesit dentar dhe estetik.
Italo-shqiptari, i cili është gjithashtu një filantrop, ka rehabilituar plotësisht një rrugë përreth klinikave të tij për të ndërtuar tre hotele, laboratorë mjekësorë, një restorant, një piceri, një dhomë çaji … vende që punësojnë qindra punonjës të Tiranës. Në të njëjtën hapësirë, perëndimorët dhe shqiptarët bashkohen në një mënyrë miqësore, duke i dhënë kuptim të plotë termit “Turizëm Mjekësor “.
Duke ndjekur valët e pacientëve, herë pas here një “Itali e Vogël” ose “Paris i Vogël” rindërtohet në këtë rrugë përparimtare të kryeqytetit shqiptar. Në vendin e Rita Orës dhe Dua Lipës, yje të popit global, ne zbulojmë një erë magjepsëse.
Së shpejti, do të jetë gjithashtu e mundur të provohet nomadizmi me një kornizë tërheqëse rregullatore për nomadët dixhitalë.
Kryeministri Edi Rama ka ambicien për të ndërtuar një “Zonë të Lirë”, si ajo që ekziston në Dubai me një status pa taksa, iniciativa të gjithanshme, që pritet të shenjojnë epokën postCovid dhe që do ta çojnë destinacionin drejt një epoke të re: epokës 2.0./ /ervo/
Dita e Verës/ Dimali i sapopagëzuar mbledh parashutistët, Klosi: Portë hyrëse e Beratit turistik

Klosi: Festë e bashkimit të shqiptarëve e shpresës dhe ringjalljes
TIRANË, 14 mars/ATSH/ Festa e Verës u festua në gjithë qarkun, në bashkinë Dimal dhe Berat.
Këtë javë komisionet parlamentare miratuan emrin e vjetër Dimal për bashkinë Ura Vajgurore dhe njerëzit së bashku në Ditën e Verës po festojnë dhe për emrin e ri të qytetit. Javën që po vjen pritet që emërtimi i ri të miratohet në Parlament.
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i pranishëm në aktivtete tha se “kudo në Shqipëri ka festë në Ditën e Verës, pasi është një ditë e jashtëzakonshme e bashkimit të gjithë besimtarëve të vendit tonë, por edhe një festë e cila na jep shumë shpresë për një ringjallje të madhe për një rilindje të madhe, që do të vazhdojë edhe në gjithë qarkun e Beratit”.
“Do të ketë një transformim rrënjësor, i cili tashmë ka ndodhur, por priten edhe shumë më tepër. Ky mandat i ri i Edi Ramës dhe Partisë Socialiste filluar këtu nga Dimali nga ky qytet i lashtësisë që po riaktivizohet është në fakt dhe një shenjë e madhe se si do të transformojmë jo vetëm Beratin, por gjithë Shqipërinë ashtu si kemi nisur në dy mandatet e para të Partisë Socialiste”, theksoi Klosi.
Ministri Klosi tha se “këtu në Dimal është organizuar një festë po aq e bukur e të rinjve po ashtu në Berat ne sot morëm pjesë në kampionatin “Berati Open”, i cili ka mbledhur parashutistë nga shumë vende të rajonit për të krijuar një atmosferë krejt tjetër në qarkun e Beratit”.
“Festa e sotme është një festë krejt spontane e organizuar nga të rinjtë dhe banorët e zonës së Dimalit tashmë një bashki e re me një emërtimë të ri, por që ka shumë shpresë, shpresë për t’u transformuar në një bashki turistike dhe do të jetë porta hyrëse e Beratit turistik”, shtoi Klosi.
Kryetarja e Bashkisë Ura Vajgurore Luljana Mema tha se “sot në Ditën e Verës Ditën kur stërgjjyshët tanë së bashku me romakët dhe grekët festonin dhe kremtonin së bashku ashtu si ne sot këtu në sitin arkeologjik të Dimalit”.
“Ky qytet antik që për kaq vite ka qenë në gjumë falë një pune të përbashkët edhe me komunitetin edhe me intelektualë të zonës ne prej gati një viti kemi ndërmarrë një nismë për ndërrimin e emrit të bashkisë nga Ura Vajgurore në Bashkinë Dimal. Dy ditë na ndajnë nga ky ndryshim dhe besojmë dhe shpresojmë shumë se do marr miratimin e Kuvendit të Shqipërisë”, – u shpreh Mema.
Kryebashkiakja Mema tha se “falë strategjisë së zhvillimit të bërë që më 2015 nga bashkia Ura Vajgurore jemi të vetëdijshëm se vetëm ndryshimi i emërimit të bashkisë nuk do të sillte një ndryshim thelbësor në ekonominë tonë lokale, por ndërrthurrja e disa elementëve të strategjisë së zhvillimit do të bëjë të mundur që ky qytet i përgjumur të rijetëzohet dhe të kthehet në vëmendjen e vizitorëve brenda dhe jashtë vendit”.
“Në këtë mënyrë do e kthejmë këtë bashki në një atraksion duke ndikuar në mënyrë indirekte dhe në ekonominë lokale të bashkisë Ura Vajgurore duke rritur dhe cilësinë e jetës së banorëve të këtij komuniteti”, – tha Mema./k.s/j.p/
FOTO/ Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, destinacioni turistik i fundjavës

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Parku Kombëtar i Divjakës në Karavasta është një atraksion i jashtëzakonshëm turistik i cili tashmë është kthyer një atraksion turistik në vend dhe rajon, ku është e zakonshme që vizitorët dhe turistët ta vizitojnë atë çdo fundjavë.
Gjatë kësaj fundjave ky park është vizituar nga një numër i madh vizitorësh të cilët kanë shijuar kohën me diell duke u njohur më nga afër me bukuritë dhe speciet e shumta që ka ky park.
Ajo që të bie në sy është që vizitorët e shumtë për shkak të situatës të pandemisë kanë zbatuar masat antikovid, ku shumica e tyre janë me maska.
Ky park ofron një sërë atraksionesh për të kaluar këto ditë pushimi. Kjo zonë është vlerësuar si një nga më të rrallat në pellgun e Mesdheut për shkak të parkut dhe zonave rreth tij që kanë vlera historike, kulturore, arkeologjike me potenciale të mëdha për zhvillimin e turizmit.
Zona ka një sipërfaqja prej 22,230.00 ha dhe ndodhet 5 km larg Divjakës dhe 40 km larg qytetit të Lushnjës. Në këtë zonë gjithashtu takohen një sërë habiatatesh si p.sh delta lumenjsh, laguna, duna ranore, bimësi psamofite, halofite, dhe hygrofite, pylli me pishë të butë dhe të egër dhe me prani të dëllinjës kokërrmadhe (Juniperus monocarpa). Takohen 3 lloje endemike salepësh të gjinisë Orchis dhe lloji endemik (Aster albanicus). Përgjatë deltave takohet gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra). Përhapje ka dhe çakalli, dhelpra, baldosa, dhe të tjera specie të rralla të rajonit tonë.
Zona njihet edhe për disa lloje të rralla pishash dhe një lloj i rrallë Pelikani, “Dalmatian Pelican”. Numri prej 5 % e të gjithë pelikanëve të këtij lloji jetojnë aty. Në zonë ndodhet një plazh mjaft i madh i cili vlerësohet për aftësitë kurative që mbart edhe rëra që ndodhet në këtë plazh, për shkak të përqendrimit të lartë të nivelit të jodit.
Një tjetër element i veçantë në këtë vend janë edhe ishujt e vegjël që ndodhen dhe në brendësinë e të cilëve ngrenë foletë shpendët.
Kolonia e Pelikanit Kaçurrel me rreth 60 çifte që përfaqëson rreth 5 % të numrit të përgjithshëm të kësaj specie në shkallë botërore është një tjetër veçori e rrallë e zonës që e ka bërë edhe më tepër tërheqës.
Këto janë disa nga arsyet e veçanta që e bëjnë zonën një atraksion turistik i cili çdo vit e më tepër ka qenë tërheqës për turistët ditor dhe të fundjavës. Periudha e pranverës është edhe momenti më i përshtatshëm për tu vizituar. Turizmi familjar është tipar i veçantë i kësaj perle të jashtëzakonshme dhe të rrallë i cili në këto ditë na mirëpret për ta vizituar.
“Ua dedikojmë këtë film shqiptarëve, një prej kombeve më mikpritës”/Videografi hungarez: Destinacion që na la pa fjalë

TIRANË, 28 shkurt/ATSH/- “Duam t’ua dedikojmë këtë film shqiptarëve. Një prej kombeve më të ngrohtë e mikpritës që kam takuar gjatë udhëtimeve të mia”. Kështu shprehet videografi hungarez Peter Tothit dhe Cecilia Fazekasit të cilët kanë përmbledhur në një video momentet më të bukura nga udhëtimi i tyre dy mujor në Shqipëri.
Ata ftojnë të gjithë turistët që të shohin dhe eksplorojnë magjinë e kanioneve të Osumit, Alpet shqiptare, Korabin dhe Beratin, mes vendeve që siç shprehen ata, i kanë lënë pa fjalë.
Në videon të cilën Peter Toth, apo siç njihet në median sociale, @petey_dx e ka publikuar edhe në kanalin e tij të YouTube, thekson se “shpresoj që shumë prej jush ta shikojnë këtë film dhe të vendosin të shkojnë dhe të vizitojnë Shqipërinë”.
Peter dhe Cecilia i falenderojnë shqiptarët për mikpritjen, ndihmën dhe tolerancën e tyre të pahasur sipas tyre në vendet e tjera.
Vërtete, shprehet Peter Toth poshtë videos së tij, një prej kombeve më të ngrohtë e mikpritës që kam takuar gjatë udhëtimeve të mia në botë.
https://www.youtube.com/watch?v=AaC52WoACZs&feature=emb_title
Plani i Veprimit 2021-2025/Masë e re mbështetje emigrantëve që të investojnë në shtëpitë e tyre për agroturizëm

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/- Kthimi masiv i shtëpive në fshat, në bujtina mbetet një nga prioritete kyçe të qeverisë dhe mbështetja e emigrantëve mbi një shumë të caktuar, do të jetë pjesë e planit të Veprimit 2021-2025.
Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Berat, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur disa nga projektet e reja për mbështetjen e agroturizmit.
“Ne kemi lehtësuar maksimalisht sipërmarrjen e vogël me zero taksa, zero TVSH dhe për një bujtinë e vogël hyn te kjo kategori. Sigurisht që ju jeni në të drejtën tuaj që ta merrni shkallë shkallë këtë proces. E kishit TVSH 20%, na u lutët ta bënim 8% e bëmë 6% tani që vajti zero kuptohet që do donit që jo vetëm të mos paguanit asgjë, por të paguajë qeveria”, u shpreh Rama.
Ai shtoi bëri të ditur detaje nga projektet në mbështetje edhe të bizneseve të reja.
“ E para është një projekt për të cilën kemi nënshkruar marrëveshjen në vizitën time të fundit në Turqi për Beratin dhe Gjirokastrën për një ndërhyrje më të konsolidueshme se sa ato që ne kemi bërë në vite për restaurimin dhe vënien në kushte optimale të këtyre godinave që janë monumente kulture”, deklaroi Rama.
Dhe e dyta, thekso Kreu i Ekzekutivit, po e punojmë me kryebashkiakun e Beratit dhe atë të Gjirokastrës është një program i veçantë për nxitjen e jetësimit të këtyre banesave.
“Nuk është vetëm restaurimi, por edhe jetësimi. Kthimi i tyre banesave në një instrument ekonomik jo për shtetit por për pronarët. Jemi duke punuar për këtë dhe paralelisht do të kalojmë në parlament së shpejti një ligj për Start Up. Kishim një bashkëbisedim me ndërmarrjet e vogla inovative që shtrihen në disa lloj drejtimesh dhe ai ligj do jetë një mbështetje e rëndësishme për ata më të rinjtë që hapin biznese të reja”, tha Rama.
“Po ashtu jemi duke punua për një masë të re për të gjithë emigrantët që do të jenë të gatshëm të investojnë në shtëpitë e tyre, flas për shtëpitë në fshat, në tokën e tyre për agroturizëm apo në investime që do jenë mbi një shumë të caktuar. Jemi duke e përgatitur masën dhe besoj do të jetë pjesë e planit të veprimit 2021 2025.
Gjysmë milion vizitorë në kalanë e Beratit/ Vetëm vitin e fundit janë shtuar kapacitetet mikpritëse me 350 dhoma të reja

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ “Pavarësisht sfidave që kemi kaluar, turizmi dhe investimet në qarkun e Beratit nuk kanë munguar”. Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Beratit, duke sjellë në vëmendje se në Kalanë e Beratit janë regjistruar gjysmë milion turistë nga viti 2014-2020, duke përfshirë këtu dhe periudhën e pas tërmetit dhe pandemisë, çka tregon se forca thithëse e këtij atraksioni turistik është e madhe.
“Më vjen shumë mirë që jam këtu sot së bashku me disa prej kolegëve dhe duke qenë se sot këtu bashkë me mua dhe me Blendin e kryetarin e bashkisë, është dhe një tjetër mik, i cili është në rastin e sotëm një mik special, por që më tej do jetë i zakonshëm. Nasipi i cili faktikisht është këtu si një deputet i kësaj zone, por po ashtu dhe si shprehje kuptimplotë e një fakti të rëndësishëm, që në këto zonë për të vazhduar punën për të çuar përpara projektet e nisura dhe për të plotësuar kornizën e projektit të madh të transforimimit të gjithë qarkut të Beratit, sot kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë për një bashkim të madh forcash, sepse sfidat e mëdha të kësaj kohe të vështirë nuk janë sfida të majta apo të djathta, apo partiake, por janë sfida jetësore”,- tha Rama.
“Patëm dhe goditjen e tërmetit, që preku jo vetëm ato mijëra e mijëra familje që mbetën pa shtëpi sa hap e mbyll sytë, në fragmentet e një sekondi, por ishte goditje për të gjithë vendin, që na imponoi në ndryshimin e prioriteteve, duke e bërë mandatin e dytë të qeverisjes sonë, një mandat karakteri, një mandat për të dëshmuar forcën e karakterit të kësaj qeverisje për të mos u përkulur përpara këtyre goditjeve, por për t’u ringritur më të fortë”, tha Rama.
“Ashtu siç po dalim më të fortë, hap pas hapi, ditë pas dite, në procesin e rindërtimit, ku çdo ditë po kthejmë në shtëpi familje që humbën strehën, të cilët sot po marrin shtëpi më të mëdha, më të bukura e më të forta, ashtu po dalim dhe nga kjo pandemi ”,- tha Rama.
“Pandemia ka patur impakt negativ edhe në turizëm, duke goditur Shqipërinë si një vend me profil turistik dhe ka goditur edhe Beratin. Është fantastike që njerëzit këtu, jo vetëm që kanë rezistuar, por kanë vijuar të punojnë, invstojnë dhe vetëm në vitin e fundit janë ndërtuar dhe janë bërë gati 350 dhoma të reja. Dhe në periudhën qysh se ne kemi nisur punën për Rilindjen Urbane, këtu në Berat janë 4-fishuar kapacitetet mikpritëse, struktura mikëpritje, bujtina, hotele..etj. Disa hotele janë të standardeve fantastike”,- vuri në dukje Rama.
Kryeministri tha se turizmi është mbëhtetur me një paketë specifike, ndërsa kujtoi dhe rezultatin e arritur. “Ka një shifër që flet shumë për këtë ndryshim të madh që ka nisur. Do kishte qenë edhe më i prekshëm, nëse s’do kishim patur pandeminë, pasi janë gjysëm milioni vizitorë në Kalanë e Beratit në periudhën 2014-2020, përfshirë dhe kohën e ngushtimit, mbylljes nga pandemia. Gjysëm milioni vizitorë, shifër e pakrahasueshme me të shkuarën, sikurse është shifër domethënëse e bizneseve të reja të vogla të hapura gjatë kësaj periudhe në Bashkinë e Beratit dhe më gjerë se kaq”,- tha Rama.
Sipas tij, Berati është një qark ku është kuptuar dhe po shkohet në drejtim të kthimit të vlerave të trashëgimisë, vlerave të traditës, vlerave të natyrës, në burime për të investuar për të ardhmen dhe për të fituar përmes mikpritjes e turizmit.
“Po ashtu është shumë domethënës ndryshimi në të gjithë hapësirën rurale, ku në këtë qark ka eksportues të fuqishëm të prodhimeve bujqësore, ka grumbullues të fuqishëm të prodhimeve bujqësore, ka rrjete njerëzisht të lidhur bashkë, që funksionojnë bashkë për të rritur vlerën e prodhimit në treg, duke u organizuar, duke kuptuar se bashkimi bën fuqinë. Ka dhe sfida e probleme, padiskutim”,- tha Rama ndër të tjera. /j.p/
Durrës/ Mbahet “Blu European Festival”, nxit diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike

TIRANË, 23 shkurt/ATSH/ Bashkia e qytetit bregdetar të Durrësit në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit në kuadër të projektit Festivali Evropian i Turizmit dhe Peshkimit kanë organizuar festivalin “Blu European Festival”.
Ky festival i nisur në 22 shkurt mbaron në 28 shkurt, javë gjatë së cilës do të ketë panaire dhe një larmi aktivitetesh të fokusuara në fushën e peshkimit.
“Ky është një aktivitet i rëndësishëm që do të kthehet në një traditë për qytetin tonë” është shprehur në çeljen e këtij festivali kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako.
Kryebashkiakja Sako deklaroi gjithashtu se “Turizmi dhe industria e peshkimit janë motorri ekonomik i qytetit të Durrësit dhe këta dy sektorë do të marrin një hov të madh zhvillimi nga investimet e rëndësishme për portin që nisin shumë shpejt”.
Ky festival organizohet në të gjithë vendet pjesëmarrëse në këtë projekt si Shqipëri, Itali, Spanjë, Greqi, Portugali dhe Mali i Zi duke krijuar një javë unike evropiane e turizmit të peshkimit.
Kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit Ledion Lako që gjithashtu ishte prezent në këtë event deklaroi se: “Ky festival synon të ktheje turizmin e peshkimit në një produkt inovativ në turizmin kombëtar dhe atë ndërkombëtar, duke u fokusuar në traditat evropiane të peshkimit dhe komunitetet bregdetare”.
Gjithashtu, ky festival kontribuon edhe në diversifikimin e paketave dhe ofertave turistike, si një mundësi apo alternativë e re për çdo turist apo vizitor si edhe duke promovuar kulturën e peshkimit dhe traditat e kulinarisë, aq më tepër për një qytet si Durrësi. /j.p/
“Zona e Divjakës dhe e Fierit, thesare të pazbuluara”/Gati studimin për zhvillimin turistik

TIRANË, 20 shkurt /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “kemi gati projekti për zhvillimin e zonës së Divjakës dhe Fierit, pasi janë thesare të pazbuluara”.
Rama tha se “thyerja e akullit me investitorët e mëdhenj në turizëm ka filluar të ndodh, dhe në momentin që ndodh atëherë hapet perspektivë për këto lloj përmasash”.
“Ndërkohë nga ana tjetër kemi patur iniciativa private, lokale apo të sipërmarrjes shqiptare për të gjithë këtë zonë, besoj se edhe për arsyen se është një zonë e pazbuluar, një thesar i pazbuluar dhe nuk e ka atë tërheqjen tradicionale që ka Durrësi, Vlora apo zonat poshtë, apo Shëngjini lart dhe Velipoja, por jam i bindur se në momentin që shkrihet akulli, pastaj bukuria e kësaj zonë dhe e zonës tjetër më lart në Divjakë është e mahnitshme dhe do të sjellë të tjera”, tha ai.
“Ne kemi përfunduar studimin për zhvillimin turistik të Divjakës, një studim shumë delikat, që është një zonë delikate për të ndërhyrë dhe për ta zhvilluar duke e ruajtur njëkohësisht vlerën që ka sepse është shumë e ndjeshme për shkak të parkut, por jo vetëm. Këtu janë bërë disa plane dhe studime. Nuk kanë pasur zhvillim të mëtejshëm, sepse vjen si rezultat i frenimit që sjell tradita”, tha ai.
Rama tha se “ne e kemi bërë planin dhe kemi bërë një pjesë të gjësë, por keni parasysh se këtë mandat që mbyllim ka qenë një mandat me anamoli shumë të mëdha”.
“Një mandat, komplet i jashtëzakonshëm për nga ngjarjet që kanë ndodhur. Na është dashur të ndryshojmë qasje, të ndryshojmë drejtim të financimeve, të ndryshojmë prioritete sepse na janë prezantuar prioritete komplet të tjera, të padëshiruar. Tërmeti na prezantoi si prioritet rindërtimin për mijëra e familja dhe pandemia, rezistencën dhe mbrojtjen. Duhet pasur parasysh dhe kjo kur gjykohet mandati që po mbyllim”, tha ai.