Posted on

Shqipëria përfshihet në listën e vendeve me potenciale të larta turistike

TIRANË, 6 Mars / ATSH / – Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, në Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Turizmit 2018-2022, veç shifrave të vizitorëve të huaj që kanë hyrë në vendin tonë, mbi 5 milionë të tillë, e duke sjellë 1,5 miliardë euro të ardhura, përshkruan edhe atraksionet turistike më të dominuara gjatë vitit të kaluar.

Shqipëria përfshihet në listën e vendeve me potenciale të mëdha natyrore, historike dhe të trashëgimisë kulturore. Ajo ndodhet në vendin e dytë në pellgun e Mesdheut për nga dendësia e monumenteve të kulturës.

Në Shqipëri ka një numër të madh atraksionesh natyrore si Parqe Kombëtare, natyrore, zona të mbrojtura, ligatina. Këtu mund të përmendim Parkun Kombëtar të Divjakës, Prespës, Dajtit, Karaburunit, Sazanit, lagunën e Kunë – Vain – Tale, etj. Zonat përreth lumenjve dhe ligatinave përbëjnë një potencial të madh për zhvillimin e turizmit.

Gjithashtu në Shqipëri ka një numër të madh të monumenteve të kulturës, rreth 2000, nga të cilët tre prej tyre, Berati, Gjirokastra dhe Butrinti janë pjesë e trashëgimisë botërore dhe mbrohen nga UNESCO.

Edhe parqet arkeologjike si Apollonia, Bylisi, Amantia, etj, përfaqësojnë një potencial të rëndësishëm të ofertës turistike. Një numër gjithnjë në rritje i këtyre burimeve turistike po përfshihen në ofertën turistike të Shqipërisë. Infrastruktura turistike, në ndryshim nga situata me potencialet natyrore, historike dhe kulturore, Shqipëria ka mbetur prapa në ndërtimin e atraksioneve turistike si qendra moderne kongresesh, parqe argëtuese, fusha (kurse) golfi, marina, pa të cilat është e vështirë të tërheqësh kërkesat e shumta ndërkombëtare, si dhe për të mundësuar shtrirjen gjithëvjetore të turizmit.

Gjithashtu në Shqipëri mungojnë qendrat për zhvillimin e turizmit malor dhe sportiv, qendrat e zhytjes argëtuese, ecje me biçikleta, e shoqëruar me infrastrukturën dhe superstrukturën e nevojshme, të cilat do ta pozicionojnë Shqipërinë në tregun e turizmit të interesit të veçantë. /e.caushi/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Plantacioni i Gështenjës në Reç, ekonomia kryesore e zonës


https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/1257734904360812/ TIRANË, 10 Mars / ATSH.N.Lena / – Reçi është një fshat në verilindje të qytetit të Shkodrës në Bashkinë e Malësisë së Madhe. Ekonomia e këtij fshati bazohet kryesisht te prodhimi i gështenjës, blegtoria dhe pak bujqësi. Por vendin kryesor e zë gështenja e Reçit, një produkt që furnizon tregun vendas dhe të huaj. Është një plantacion prej 500 ha me gështenja, që japin një prodhim vjetor 400-600 tonë, duke i dhënë akses rritjes ekonomike të zonës.  Në këtë ekonomi janë të punësuar, apo e kanë biznesin e tyre, rreth 120 familje të fshatit që janë dhe pronarë të këtij masivi pyjor. Rexhep Mete, drejtues i Shoqërisë “Reçi Prodhimtar”, thotë se 70% e produktit ekonomik vjen nga gështenja që është një nga pasuritë kryesore të këtij fshati. Çdo vit në tregun vendas dhe të huaj hidhen mbi 500 tonë gështenja nga kjo zonë.  Jo më kot banorët e quajnë dhe dhe “buka e Reçit”. Është e një cilësie të mirë, e ëmbël dhe e shijshme. Amvisat e përdorin atë në disa lloje gatimesh si në ëmbëlsira, por edhe në supra e gjellë të ndryshme. Ky frut është identifikues për Reçin. Pema e gështenjës është mbjellë këtu 250 vjet më parë. Specialistët e zonës thonë se një pemë gështenje jep prodhim 30-40 kg. Këtu gështenja nuk është natyrale, por e kultivuar. Duke qenë zonë kodrinore, gështenja e vreshti janë më të pranishme. Jo vetëm prodhimet bujqësore dhe blegtorale e bëjnë këtë zonë që të ketë një hop në zhvillimin ekonomik të saj, por është dhe natyra e bukur turistike e Reçit. Ministria e Turizmit dhe shoqata të ndryshme turistike, kanë punuar që kjo zonë të kthehet në një atraksion për turizmin e natyrës, aventurës, traditës dhe kulinarisë. Në masivet pyjore të Shalës, Thethit dhe të Reçit janë hapur shtigje për lëvizjen turistike të këmbësorëve, motorristëve dhe së fundi edhe për turizmin e biçikletave. Një punë të veçantë në prezantimin turistik të zonës ka bërë edhe GIZ-i, një bashkëpunim gjerman që po nxit banorët në prioritetin e turizmit familjar dhe në atë të traditës, të kulturës epike, të etnosit dhe të gojëdhënave. Sot kjo zonë është e hapur për një turizëm gjithë vjetor dhe ka akseset e nevojshme për ta ushtruar atë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Turizmi rural dhe malor, trendi në rritje i turizmit shqiptar

TIRANË, 13 Mars / ATSH.N.Lena / – Në Shqipëri, një prioritet të veçantë në tregun turistik po merr dhe turizmi rural dhe malor. Gjeografia e vendit tonë e jep këtë mundësi,  me peizazhin e saj të thyer e tepër piktoresk.

Është vlerësuar se turizmi rural, i cili përfshin zonat malore, përbën 3% të udhëtimeve ndërkombëtare, me një rritje vjetore prej 6%. Përballja me infrastrukturën e pazhvilluar lokale dhe situatën e pafavorshme rreth këtyre zonave, ky lloj turizmi në Shqipëri po zhvillohet ngadalë por me një trend në rritje.

Ndërsa në drejtim të turizmit malor ka pasur një zhvillim pozitiv. Ka një numër të konsideruar turesh të organizuara në zonat malore të Shqipërisë, si për shembull në Theth, Vermosh, Lepushë, Valbonë, Tropojë, Nivicë, në Alpet Veriore, Dibër dhe zonën e Bulqizës, zonën malore të Tiranës, zonën malore të Elbasanit dhe Librazhdit, zonën malore të Korçës, malin e Tomorit, Llogara dhe Karaburun dhe zonën malore të Gjirokastrës dhe Përmetit.

Në këto zona përfshihet dhe ai që quhet turizmi sportiv dhe i aventurës që është një produkt i rëndësishëm dhe gjithnjë në rritje.

Këtu përfshihen zhytjet argëtuese, rafting në lum, kajak, sportet dimërore, aktivitete sportive me adrenalinë të lartë, ecjet dhe rrëshqitjet në dëborë. Sipas disa operatorëve, ky lloj turizmi po pëson një rritje prej 30% në vit.

Në këtë turizëm përfshihet dhe ekoturizmi, sepse janë pikërisht këto mjedise që servirin një natyrë të pastër dhe të pa cënuar ekologjikishtë. Është llogaritur se rreth 3% e udhëtimeve ndërkombëtare janë të motivuara nga ekoturizmi. Ky motivim vjen nga rritja e vetëdijes së konsumatorit për ekologjinë.

Nisur nga ky fakt, kohët e fundit ky produkt është duke treguar një rritje rreth 10-20% në vit edhe në vendin ton.

Në turizmin rural dhe malor futet dhe turizmi i biçikletave tepër I përshtatshëm për relievin e vendit tonë. Vlerësohet se çiklizmi, si një metodë e transportit do të ketë një rritje në vendet e Europës në dhjetë vitet e ardhshme, me një normë rritjeje me më shumë se 10%. Një segment edhe më i rëndësishëm i këtij tregu përbëhet nga vizitorët për të cilët çiklizmi është një aktivitet i rëndësishëm shtesë gjatë pushimeve të tyre. Gjë që ka filluar të praktikohet edhe në Shqipëri. Megjithëse në fillesat e tij, turizmi rural dhe ai malor ka dhënë rezultatet e para.

Në qoftë se në vitin 2017 u futën më shumë se 5 milion vizitorë të huaj në vendin tonë me një fitim ekonomik prej 1.5 miliard euro, një pjesë e këtyre vizitorëve kanë frekuentuar turizmin rural dhe atë malor. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Revista italiane: “Tirana, një nga qytetet më të pasura të historisë së artit: Ja çfarë duhet të vizitoni” 

TIRANË, 15 Mars /ATSH/ – “Tirana ndër qytetet më të bukura europiane, nënvlerësohet shpesh. Por, është gjithashtu një nga vendet më interesante për t’u vizituar”, kështu e nis artikullin e saj revista e njohur italiane e specializuar për turizmin, “Mondo viaggiare”, e cila i ka kushtuar një reportazh kryeqytetit shqiptar. Teksa rendit disa prej pikave turistike që nuk duhet humbur, gazetarja italiane Deborah Farinon thekson ndërthurjen që ka kryeqyteti shqiptar mes monumenteve dhe vendeve historike e kulturore, por edhe natyrës së bukur.

“Mondo viaggiare” thotë se në zonën juglindore të qytetit është një nga parqet më të mëdha dhe më të rëndësishme në Tiranë, Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, ose siç njihet ndryshe edhe si ‘ballkoni natyror i Tiranës’.

Nga Deborah Farinon

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, ndër qytetet më të bukura europiane, është shpesh e nënvlerësuar. Por, është gjithashtu një nga vendet më interesante për t’u vizituar, e pasur me referenca, monumente dhe vende historike e kulturore. A e dini se çfarë duhet të shihni në Tiranë?

Sheshi “Gjergj Kastriot Skënderbeu”

Sheshi “Gjergj Kastriot Skënderbeu” për dekada ishte qendra kryesore e regjimit komunist, që mbretëronte në Shqipëri. Veçanërisht i përshtatshëm për manifestime dhe parada ushtarake, për shkak të dimensioneve të mëdha, ai ishte vendi ku pushtetarët tregonin fuqinë e madhe të qeverisë komuniste shqiptare. Skënderbeu, ishte emri i një prej heronjve shqiptarë që luftuan kundër Perandorisë Osmane në shekullin XV, e që i rezistoi pushtimit për dy dekada.

Kulla e Sahatit dhe Xhamia e Et’hem Beut

Kulla e Sahatit, është një nga simbolet e qytetit. E vendosur në sheshin qendror, pranë xhamisë së Et’hem Beut, ajo daton në vitin 1821. Kulla u ndërtua falë granteve të një prej familjeve myslimane të fuqishme që banonin në kryeqytet.

Puna e bamirësisë e familjes ishte e nevojshme, sepse sipas kulturës myslimane, familjet e pasura ndajnë një të dhjetën e të ardhurave të tyre vjetore, për të subvencionuar veprat publike ose më së shumti nevojtarët. Sahati që mund të admirohet sot, vjen nga Gjermania dhe u instalua në vitin 1928, në të njëjtën kohë, kulla është rritur gjithashtu në 35 metra. Megjithatë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo u shkatërrua, por u rindërtua menjëherë në fund të luftës.

Pararendëse pranë Kullës së Sahatit, është Xhamia e Et’hem Beut. Kjo është quajtur xhamia më e bukur në Tiranë dhe daton që nga viti 1789. Vëmendje e veçantë janë dekorimet e brendshme dhe të jashtme, përmes të cilave përshkruhen elementët natyrore: ujëvarat, pemët etj.

Parku Kombëtar i Malit të Dajtit

Tirana nuk është vetëm monumente, por edhe natyrë. Në fakt, në zonën juglindore të qytetit është një nga parqet më të mëdha dhe më të rëndësishme në Tiranë. Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, një nga zonat e gjelbra më të frekuentuara nga banorët dhe turistët, është pasuruar me një liqen artificial dhe teatro në natyrë. Parku njihet edhe si ‘ballkoni natyror i Tiranës’ dhe ofron strehim për turistët. Parku mund të arrihet me teleferikun e “Dajti Ekspres”, ose duke ndjekur rrugën që ngjitet nga Linza, deri në tarracën e malit, ku është stacioni i kabllove.

Në Parkun Kombëtar të Malit të Dajtit, mund të admironi një bimësi të pasur: me pyje të dendura pishash, lisi, ahu, deri te panjat e larta përgjatë lumit të Dajtit. Ekziston edhe një shkurrishte e dendur mesdhetare, e përbërë nga shkurre si luleshtrydhe, mimozë, fshesë, shqopë, mërsinë, rozmarinë, mastikë. Në mënyrë të ngjashme, parku është shtëpi për një shumëllojshmëri të pasur të faunës, të karakterizuar nga arinj të murrmë, ujq, dhelpra, derra të egër, lepuj, fazanë, shqiponja, skifterë, si edhe zvarranikë dhe amfibë.

Artikullin original e gjen në linkun:

 

http://viaggiare.moondo.info/ una-delle-citta-europee-piu- ricche-di-storia-ed-arte-sai- cosa-vedere-a-tirana/

/e.malaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Berati mes shtatë qyteteve më të bukura të Europës

TIRANË, 16 mars /ATSH/ – Ato nuk janë më pak të padenja sesa Parisi dhe Londra. Aventura europiane është e shumëllojshme. Dikush kërkon t’i ngjitet më këmbë kullës Eiffel, dikush ta hajë pica pranë shatërvanit në Trevi apo dikush të prekë kapelet e rojave në Buckingham Palace. Dhe kjo nuk është një gjë e re.

”Por, Europa është e pasur edhe me qytete unike dhe historike. Larg qyteteve të mëdha, atje gjen autenticitet”, shkruan faqja e njohur aziatike e turizmit micetimes.asia.com.

Shtatë qytetet e vogla më të bukur të Europës sipas kësaj faqeje janë Berati, Hora (Greqi), Kob (Irlandë), Portovenere (Itali), Uzes (Francë), Alesund (Norvegji) dhe Rovinj (Kroaci).

”Berati njihet si qyteti i një mbi një dritareve. Dritaret dhe qepenat e shtëpive të Mangalemit të lënë pa frymë. Ia vlen të ecësh më këmbë dhe të takosh banorët, të cilët jetojnë ende në muret mesjetare dhe t’u gëzohesh pamjeve të minareve dhe të kishave në luginën e Osumit”, shkruan micetimes.asia.

”Kuzhina është e thjeshtë në Berat. Bli një shishe vere lokale, bukë të ngrohtë dhe eksploro qytetin e bukur. Dhe nëse jeni me fat, ju do të mund të shihni edhe një ceremoni shqiptare dasme”, përfundon kjo faqe./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Në ‘Ishullin e Pelikanit’, përkujdesje e ndërgjegjësim për speciet e rralla


Në ‘Ishullin e Pelikanit’, përkujdesje e ndërgjegjësim për speciet e rralla

Në ‘Ishullin e Pelikanit’, përkujdesje e ndërgjegjësim për speciet e rrallaÇdo fundjavë në këtë park, takon turistë të huaj kryesisht nga veriu i Europës që bëhen kuriozë për speciet e rralla të zonës.Në këtë lagunë ushqehet dhe një specie e rrallë, gati në zhdukje e zonës, Bualli i Zi, i cili ka mbijetuar prej mijëra vjetësh. Ndërsa Pelikani mund të quhet “shpend i Shenjtë” për banorët e zonës, respektohet nga ata dhe mbrohet.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 17.03.2018

TIRANË, 17 Mars / ATSH-N.Lena / – Parku i Divjakë-Karavastasë, çdo ditë e më shumë po bëhet i vizitueshëm nga turistë të huaj dhe vendas.

Për 2017, ky park u vizitua nga 383 mijë turistë dhe shumica me kuriozitetin që të vizitojnë Ishullin e Pelikanit.

Ervin Allushi, Specialist i menaxhimit të Faunës e Florës në Parkun Divjakë – Karavasta, tha për ATSH se kjo është laguna më e madhe në vend, me një sipërfaqe prej 4300 hektarë.

“Ajo që e bën të rëndësishme këtë lagunë është numri i lartë i shpendëve ujorë dimërues. Në brendësi të kësaj lagune, ndodhet dhe ishulli i folenizimit i pelikanit Kaçurrel, një shpend në rrezik zhdukje, që po kujdesemi shumë për të. Prej 3 vite e gjysmë, specialistët e mbrojtjes të qarkut të Fierit bashkëpunojnë me shkollat duke bërë dhe aktivitetet ndërgjegjësuese. Japim mësime në shkolla mbi njohjen e faunës dhe florës së zonës”, thotë Allushi.

Turizmi i vëzhgimit të shpendëve ujorë është kthyer në një atraksion edhe për vizitorët e huaj.

Çdo fundjavë në këtë park, takon turistë të huaj kryesisht nga veriu i Europës që bëhen kuriozë për speciet e rralla të zonës.

Në këtë lagunë ushqehet dhe një specie e rrallë e zonës, gati në zhdukje, Bualli i Zi, i cili ka mbijetuar prej mijëra vjetësh.

Ndërsa Pelikani mund të quhet “shpend i Shenjtë” për banorët e zonës, respektohet dhe mbrohet nga ata.

Ardian Koçi, Drejtori i këtij parku tha për ATSH se “kemi bërë dhe rrethime në zonës ku shumohet Pelikani, pasi ai nuk duhet të shqetësohet as nga peshkatarët dhe as nga qytetarët. Kjo është zonë rreptësisht e ndaluar”.

I pyetur se përse shkoi drejt zhdukjes kjo specie e rrallë ai përgjigjet: ”Dikur ka patur individë peshkatarë, që nuk kanë pasur informacionin e duhur dhe mendonin se ai i konkurronte në kapjen e peshkut dhe konsumonte shumë peshk. Por e vërteta është se çdo pelikan konsumon rreth 1 deri në 1 kg e gjysmë në ditë. Kjo shkon dhe dy kur duhet të kujdesen për të vegjlit e tyre. Pra, ky mentalitet tashmë ka rënë”, shprehet Koçi.

Tani, në kohën e ngrohjes së vezëve, në fole, janë rreth 55 çifte të ruajtur e të siguruar mirë. /a.g/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Spiegel Online” fton turistët gjermanë që të vizitojnë Shqipërinë

Tiranë, 17 Mars/ATSH/- “Merrni hartën dhe udhëtoni drejt juglindjes, në Shqipëri, në Tiranë”.

Kështu u drejtohet turistëve gjermanë, revista prestigjioze gjermane “Spiegel Online”.

Me anë të një statusi rrjetin social Facebook, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ka publikuar një artikull të revistës “Spiegel Online” e cila fton turistët gjermanë që të  udhëtojnë drejt Shqipërisë, duke sjellë si shembull historinë e një “Mullixhiu” dhe Shefit të tij, Bledar Kola.

“Merrni hartën dhe udhëtoni drejt juglindjes; në Shqipëri, në Tiranë”- Kështu u drejtohet turistëve gjermanë, “Spiegel Online”.

Revista prestigjoze, me një audiencë prej 240 milionë vizitorësh, rrëfen historinë e “Mullixhiu” dhe shefit të tij, Bledar Kola.”.

Artikulli i plotë i revistës “Spiegel Online” 

Bledar Kola ka ardhur në Tiranë, Shqipëri, në kulmin e fushatës së “Slow Food” dhe është përfshirë rrethin e shefave të spikatur të kuzhinës. Megjithëse ai ende nuk ka yllin Michelin, por nga një revistë amerikane, restoranti i tij Mullixhiu u zgjodh në verën e vitit 2017 në një nga dhjetë restorantet më të mira në Evropë. Për faktin se  atje ka kuzhinë shqiptare. Ofron kuzhinë vendase, autoktone dhe biologjike.

33-vjeçari qëndron ulur dhe relaksohet në një tavolinë në restorantin e tij teksa pi lëng të freskët nga farat e shegës. Mullixhiu është mbyllur sot, një natë përpara një dasmë u organizua këtu dhe Kola ra vonë në shtrat.  Por lodhja nuk përbën shqetësim për të. Plot me entuziazëm, ai na tregon për rilindjen e gjellëve  të vjetra dhe rikthimin e shqiptarëve tek tradita.

Përfshirja në listën e restoranteve më të mira Evropiane ishte një surprizë, tregon Kola, i cili shpreson shumë në rigjallërimin e këtij biznesi. “Klientët tanë janë kryesisht turistë dhe duhet të ndërgjegjësojmë njerëzit se “Slow Food” është trendi i së ardhmes.

Gatimi me përbërës të harruar

Mullixhiu ndodhet në bodrumin e një ndërtese shumëkatëshe të viteve shtatëdhjetë, por brenda duket si një sallon shtëpie në një fermë shqiptare. Muret janë të zbukuruara me dru, tavolinat dhe karriget janë bërë me dru të ricikluar, mbulesa prej liri të trashë dhe enë prej qeramike. Në paradhomë ndodhen katër mullinj për bluarjen e grurit, misrit, elbit dhe tërshërës, mielli i të cilave përdoret për bukën ë mullixhiut. “Elbi dhe tërshëra janë harruar pothuajse dhe ne po punojmë për ta bërë drithin pjesë të kuzhinës shqiptare”.

Kola i mbledh përbërësit nga fermerë të vegjël në veri të Tiranës. Të gjithë kanë shprehur interes në fermat organike. Menuja bazohet ne stinët dhe disponueshmërinë e përbërësve. “Mishi, polenta, djathi, peshku dhe buka janë pjatat tona kryesore dhe ne eksperimentojmë me to:

Nga pjatalarës në një nga kuzhinierët më të mire

Jeta e Kolës – Ngritja e tij nga një djalë i varfër në një nga shefat më të mire do të përbënte material  për një film hollivudian. Kola ishte 15 vjeç kur u largua nga Shqipëria në 1999 në kërkim të një pune në Londër për të ushqyer veten dhe mamanë e tij. Ishte koha e valës së madhe te emigrimit. Papunësia dhe varfëria ishin shumë të përhapura në fshatrat shqiptare, shtresa fshatare vuante për bukën e gojës. “Unë nuk shihja të ardhme për vetën,” thotë Kola. Paratë për të blerë biletën në Londër i mora hua nga xhaxhai.

Për një djalë si ai, rrugët e Londrës do t’ë  mbaronin shumë shpejt. Por Kola ishte me fat dhe gjeti punë si pjatalarës në një restorant. Shefi i tij ishte japonez. “I laja thika e tij shumë herë në ditë, duke e parë atë teksa priste me elegancë perimet dhe peshqit, gjë që me impresionoi shumë”, thotë Kola. Një vit më pas ai punoi në kuzhinën e një klubi golfi – dhe përsëri ishte me fat. Shefi i kuzhinës, një austriak, e bindi Kolën të përfundojë shkollën dhe më pas të ndjekë kolegjin e kuzhinierëve.

“A je i çmendur?”

Është viti 2009 dhe Kola vazhdon të jetojë në Londër kur ai dëgjon për mundësi të reja në Shqipëri. Restorantet që hapen në Tiranë kërkojnë për punonjës të huaj me eksperiencë. Ai vendos në valixhe diplomën e gatimit dhe shumë eksperiencë, ai rikthehet në shtëpi. “Të gjithë më thanë je i çmendur, por isha mërzitur në Londër”.

Fillimisht, Kola ishte punësuar në një restorant francez në Tiranë, por puna nuk e kënaqi atë. Në vitin 2010 dhe 2011 ai vajti në Kopenhagen për t’u trajnuar në të famshmin “Noma”. “Në fundjavë shkojmë në pyll që të kërkojmë për manaferra dhe barëra të egër, ne eksperimentonim me ato që na jepte natyra, Noma e ndryshoi krejtësisht jetën time”.

Kolës u frymëzua që të ndërtojë rrugën e tij nga kryeguzhinieri suedez dhe heroi i lëvizjes “slow food”, Magnus Nilsson. Në restorantin e tij, “Fäviken Magasinet”, i cili ka marrë dy yje “Michelin”, në mes të pyllit “Jamtland”, që ka vetëm pjata me ingredientë nga pylli, lëvore të pemëve, myshk ose kockat e kafshëve të egra.

Nga Nilsson Kola donte të mësonte më shumë. Ai fluturoi për në Stokholm, udhëtoi në veri, arriti në fund të pyllit. “Po errësohej, ishte dimër dhe nuk mund të shihja dritë në asnjë vend”. Më në fund, një makinë u ndal. Deri për të shkuar në Fäviken, ka shumë rrugë për të bërë, shpjegoi shoferi. Kola pyeti nëse mund të flinte në shtëpinë e tij. Ajo ishte një pyetje si për një bashkatdhetar.  Në këtë rast, thotë ai, ai duhet të pyesë gruan.

Një anekdotë që e tregon  Kola më një buzëqeshje. Prej asaj dite, ai e kuptoi se jo vetëm rilindi kuzhinën e vjetër por ndryshoi reputacionin e Shqipërisë si vend i kriminelëve. Këtu në Shqipëri , kemi një zakon që të huajve u ofrohet një shtrat dhe me ta ndan ushqimin dhe ne meritojmë të njihemi për mikpritjen.  Ketë u ofron Kola klientëve tek Mullixhiu./e.caushi/

http://www.spiegel.de/reise/europa/spitzenrestaurant-in-albanien-das-mullixhiu-von-bledar-kola-in-tirana-a-1197709.html

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“100 arritje në 4 vjet”/ Dyfishim në 6.4 milionë turistë në 2019 nga 2.3 milionë në 2013

TIRANË, 16 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama solli në vëmendje rritjen që ka pësuar viteve të fundit numri i shtetasve të huaj që hyjnë në vend.

Ai iu drejtua ndjekësve në Instagram me pyetjes se me sa u rrit hyrja e shtetasve të huaj në Shqipëri gjatë viteve të fundit, me 2.3 milionë apo 6.4 milionë.

“Hyrja e shtetasve të huaj u dyfishua në 6.4 milionë turistë në vitin 2019 nga 2.3 milionë në vitin 2013”, u shpreh Rama.

Viteve të fundit, turizmi ka marrë nxitje të fortë në vend dhe numri i vizitorëve të huaj ka njohur rritje, jo vetëm në bregdet por edhe sa i takon turizmit kulturor e historik. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Kartolinë nga Lungomare 2, ku po përfundon plazhi publik me 5 yje ku deri dje ishte një turp publik

TIRANË, 15 prill/ATSH/ Qyteti bregdetar i Vlorës këtë sezon turistik do të jetë edhe më i bukur, pas përfundimit të projektit Lungomare 2.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga Lungomare 2, ndërsa thekson se shumë më shumë akoma do bëjmë për Vlorën e krejt Shqipërinë.

“Mirëmëngjes dhe me këtë kartolinë nga Lungomare2 në Vlorë, ku po përfundon plazhi publik me 5 yje aty ku deri dje ishte një turp publik me kioska e me ferra, duke ju thënë të gjithëve se tani që po dalim nga tuneli i pandemisë, shumë më shumë akoma do bëjmë për Vlorën e krejt Shqipërinë, ju uroj një ditë të mbarë”, – tha Rama.

Në Vlorë po merr formë Lungomare 2 bashkë me 1 kilometër plazh të kombinuar urban dhe natyral, pishinën olimpike e pishinën e fëmijëve, parkingun nëntokësor, shëtitoren e pishave, si edhe njësitë e reja të shërbimit për pushuesit në standardet e një hapësire publike turistike me 5 yje.

Vendosja e shkallareve që zbresin në det, muri anësor i punuar në detaje dhe konceptimi i shkallëve që lidhin trotuaret me pjesën e Lungomares i japin një tjetër dimension këtij projekti. /k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

FOTOGALERI/ Magjia e Vlorës

TIRANË, 14 Prill /ATSH – I. Vata- Në këto 8 vite Vlora është transformuar tërësisht përsa i përket investimeve nga qeveria shqiptare.

Drejtuesi Politik për Qarkun e Vlorës për Partinë Socialiste Damian Gjiknuri ka publikuar një kolazh fotosh të shkrepur nga të rinjtë për transformimin e Vlorës.

“Fotografoj qytetin tim, Vlora. Një kolazh fotosh artistike, çdo copëz peizazhi e Vlorës shpaloset nëpërmjet talentit të fotografisë, me qetësinë e perëndimeve, me natyrën e bukur e të veçantë, me ngjyrat e magjishme dhe me aktivitetet sportive në mal, det, dhe ajër! Të rinjtë e Vlorës kanë shkrepur momente magjike, t’i zgjidh të preferuarën nëpërmjet”, shprehet ai.

Vlora është një nga destinacionet turistike më të preferuar nga vendas dhe kryesisht të huaj, ofron male me borë, lartësi të mëdha, bregdetin dhe plazhe fantastike, por nga investimet e fundit ajo është bërë e magjishme, të ofron kushte moderne, parqe, kënde lojërash dhe mbi të gjitha pamje fantastike, siç edhe sjellë ky kolazh votosh nga të rinjtë.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link