Posted on

FOTOGALERI/ Gjirokastra plot me vizitorë në fundjavë, Golemi: Projektet e reja, vlerë e shtuar e ofertës tonë turistike

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Qyteti i gurtë i Gjirokastrës këtë fundjavë u kthye në një nga destinacionet e vizitorëve vendas.

E renditur përherë e më shumë si një ndër qytetet elitare të turizmit shqiptar, në Gjirokastër qendra muzeale mbetet si përherë destinacioni fillestar, pasi pothuajse të gjithë e nisin vizitën nga kalaja e qytetit.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi shprehet se “Gjirokastra plot me vizitorë vendas këtë fundjavë, si paralajmërim i asaj që do të ndodhë gjatë këtij sezoni dhe më tutje. Vizioni ynë është për ta shndërruar qytetin dhe zonat përreth edhe në një destinacion fundjavash për ata që lëvizin brenda vendit”.

Golemi bën të ditur se po punojmë me projektin e “Sheshit të Çerçizit” që do t’i shtohet Pazarit të restauruar si një tjetër xhevahir i trashëgimisë tonë kulturore dhe një hapësirë më shumë për t’u vizituar e bërë biznes.

“Rrjeti i ri i muzeve do të jetë gjithashtu një vlerë e shtuar e ofertës tonë turistike për vizitorët. Falë vaksinimit masiv ky sezon turistik do të jetë shumë më i lehtësuar se ai i vitit të shkuar. Më e keqja ka kaluar, më e mira është e gjitha përpara”, – shprehet Golemi.

Pas transformimit të Pazarit të Vjetër në Gjirokastër ka plot 70 bujtina dhe mbi 10 hotele. E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.

Kalaja e gurtë dhe parku i Antigonesë vazhdojnë të ngelen më të preferuarat për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Lezha përgatitet për sezonin turistik, pastrohet plazhi i Shëngjinit

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Bashkia e Lezhës vijon punën në bregdetin e Shëngjinit, për krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për sezonin e ri turistik.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ndau sot disa foto nga pastrimi i bregdetit të Shëngjinit.

“Sot adminstrata e Bashkisë Lezhë, nxënës të shkollës së mesme profesionale “Kolin Gjoka” dhe shkollës së mesme “Hydajet Lezha” në pastrimin e plazhit”, tha Ndreu.

Punonjësit e bashkisë po pastrojnë rërën e sjellë nga dallgët pranë shëtitores, si dhe po pastrohet lulishtja përgjatë saj.

Bashkia e Lezhës po tregon kujdes dhe vëmendje për gjithë bregdetin e Lezhës dhe zonat e tjera turistike për të krijuar gjithë kushtet e nevojshme që pushuesit të kalojnë një sezon turistik të qetë e sa më komod.

Pastrimi i mjediseve publike në bregdet, qytete dhe njësitë administrative, po shkon drejt normalizimit të plotë.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

I ndodhur në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, Lezha ka krijuar një përvojë të konsoliduar në fushën e turizmit.

Vetëm 53 km larg kryeqytetit, qyteti i Lezhës ofron vlera të mëdha turistike, me objekte historike muzeale, arkeologjike si dhe objekte kulti si Kisha Françeskane e ndërtuar në vitin 1240.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Klosi: Këtë vit presim të zhvillojmë një turizëm corona free

TIRANË, 8 maj/ATSH/ Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nisi sot pastrimin e plazheve në prag të hapjes së sezonit turistik.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ishte në Shëngjin sot ku tha se këtë vit presim të zhvillojmë një turizëm corona free.

Klosi u shprehu besimin se do ja dalim që të jemi vendi i parë që do të përfundoj vaksinimin e sektorit turistik.

Ai u bëri thirrje bashkive, shkollave dhe shoqërisë civile që të zhvillojnë aksione pastrimi në zonat e tyre turistike.

“Fillimi i sezonit turistik pa dyshim do të duhet të na gjej të gjithëve në një aksion sensibilizimi për të pasur një Lezhë të pastër, për të pasur një bregdet të pastër, për të pasur aftësinë që të aktivizojmë gjithë forcat tona vullnetare për të pastruar Shqipërinë”, tha Klosi.

Sipas tij, është shumë e nevojshme që të kemi një një rikthim të gjithë aksioneve tona të pastrimit pasi Shqipëria do të duhet të vazhdojë jetën e saj normale.

“Sezoni i ri turistik besoj do të shënoj një arritje shumë të madhe për ekonominë shqiptare prandaj na duhet të përgatitemi fort dhe për këtë së bashku me kryetarët e bashkive e Prefektët do të ndërmarrim të gjithë aktivizimin e nevojshëm për të sistemuar të gjithë zonën e plazhit dhe së bashku me operatorët turistik te promovojmë një turizëm turistik free corona”, u shpreh Klosi.

“Besoj që do ja dalim që të jemi vendi i parë në rajon për vaksinim te të gjithë sistemit të operatoreve turistik duke pasur mundësinë që me fillimin e qershorit e pastaj me muajt më intensiv të turizmit të kemi një turizëm të kontrolluar dhe shumë të mbrojtur nga pikëpamja e koronavirusit”, shtoi ai. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Balla inspekton punimet për asfaltimin e rrugës në Rrajcë Sutaj: Rrugët e reja do të zhvillojnë agroturizmin

TIRANË, 9 maj/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla inspektoi sot punën për asfaltimin e rrugës kryesore të fshatit Rrajcë Sutaj në Prrenjas.

Balla në fjalën tij deklaroi se shtrimi i rrugëve do të zhvillojë agroturizmin e zonës.

“Nuk kemi kohë për pushim prandaj sot jemi në Rajcë për të ndjekur nga afër punimet që po kryhen në shtrimin me asfalt të rrugës kryesore të Rrajcës. Kjo është faza e parë e një projekti. Synimi ynë është zhvillimi i agroturizmit në këtë zonë. Është koha që ta zhvillojmë Rrajcën”, tha ai.

Më tej, Balla shtoi se do të financohen me 5 mijë euro familjet që do ta kthejnë shtëpinë në bujtinë.

Ai e mbylli duke thënë se këto investime e bëjnë Rrajcën një zonë komode për turistët.

“Shumë shpejt do të financojmë me 5000 euro çdo familje në Rrajcë që do ta kthejë shtëpinë në bujtinë. Kjo do të bëhet për turistët e kësaj zone përrallore. Është mbyllur edhe investimi në rrjetin e ujit të pijshëm, një investim rreth 5 milionë eurosh. Këto investime e bëjnë Rrajcën një zonë më një infrastrukturë komode për turistët”, përfundoi Balla.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Investimet në turizëm/ Klosi: Shqipëria, mundësi të artë për të qenë konkurrente e fortë në rajon

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi deklaroi sot se falë investimeve në turizëm Shqipëria ka mundësi të artë që të jetë konkurrente e fortë në rajon.

I ftuar në një emision televiziv për sezonin e ri turistik, Klosi tha se, “për mua problematika akoma s’ka ardhur, është problematika e një turizmi që po shtohet në Shqipëri dhe mungesa e kapaciteteve, mungesa e profesionalizmit, e njerëzve të kualifikuar”.

“Akoma jemi ne që nuk e kuptojmë që turizmi është një industri që do rregullat e tij. Akoma nuk po kuptojmë që turizmi nuk është më një aventurë në Shqipëri, por është një sistem. Ne kemi shumë nevojë ta transformojmë shoqërinë shqiptare, në shoqëri që i shërben turizmit dhe po ashtu të kemi mundësi që të kuptojmë që janë një sërë problematikash që kanë të bëjnë me infrastrukturën, shërbimin dhe me cilësinë e shërbimit”, theksoi Klosi.

“Unë mendoj se ajo që do ndodhi këtë vit është a do ia dalim të ruajmë cilësinë e 2019-ës? Edhe të 2020-ës në fakt që u ruajt në shërbimin hotelier shqiptar. Megjithatë them se do jetë problem sepse 2 vjet në një sistem të kufizuar të shërbimit kanë ndryshuar në fakt të gjithë personelin, stafet, përgatitjet. Dhe shpresoj shumë që të dalim sa më shpejt nga pandemia”, tha Klosi.

“Mendoj që padyshim problemi kryesor i këtij viti do të jetë kur do të dalim nga pandemia dhe si do dalim. Kur do hapet për turistët e huaj. Qytetet e brendshme, Gjirokastra, Berati, Saranda që është pak larg nga ky turizmi rajonal do të kenë problematika nëse bota dhe Europa nuk do të hapet”, tha Klosi.

Ai shtoi se “po zhvillohet turizmi i brendshëm, turizmi rajonal, është një treg i ri që po fitojmë me Serbinë, me maqedonasit e Maqedonisë së Veriut”.

“Një treg i ri që po hapim me Ukrainën me vendet skandinave, vendet e largëta. Por ama turizmi masiv është turizmi i organizuar. Por nëse nuk kemi hapje të Europës karshi nesh, pra Polonia, vendet balltike, probleme me vendet skandinave që të sjellë turizmin e organizuar sidomos për qytetet e brendshme si Gjirokastra, Berati, dhe Saranda. Nëse s’hapet Greqia, nëse s’hapet Korfuzi, nëse s’hapet Janina nga do vijnë turistët. Saranda prapë do jetë problem. Prandaj them që problemi më i madh është që në vitet që do vijnë sesi do e komportojmë ne shoqërinë shqiptare për t’i shërbyer turizmit”, tha Klosi.

“Është e vështirë të kërkosh që të ketë turizëm cilësor nëse nuk ka edhe një lloj turizmi për të mbushur tregun. Po s’patëm që të vijë një turizëm i konsiderueshëm në zonat ku prodhohet biznes nga turizmi siç është zona e Adriatikut, nuk do kemi mundësi që të kemi biznes cilësor në zonat malore dhe në zonat e tjera. Zona e Adriatikut është zona më intensive dhe një nga polet më të forta në turizmin shqiptar. Ne këto para’ dhe biznes që krijojmë nga turizmi nuk mund t’i bënim nëse nuk ka shifra dhe numra në Shqipëri. Ata që bëjnë biznesin e turizmit shikojnë dhe shifrat shikojnë sesa e vizitojnë, shikojnë sesa shpenzohet. Ne na duhet që në kuadër të politikave rajonale të jemi konkurrentë. Dhe atë që thotë kryeministri që Shqipëria në këtë 10-vjeçar duhet të bëhet kampione e turizmit në Ballkan mund t’ia dalim duke vazhduar në të dyja këto”, tha Klosi.

“Në rast se kishim një Shqipëri, e cila pothuajse nuk ishte në hartën e turizmit, unë them që këto 4 vite u krijua një industri turizmi në Shqipëri, u krijuan investime. Duhet të përshëndesim investimet qindra miliona euro që bëhen dhe sot nga investitorët privatë për hoteleri janë shumë të rëndësishme në këtë biznes. Por po ashtu dhe investimet që bëhen në Gjirokastër, Berat apo dhe në Nivicë, të cilat krijojnë pastaj ato polet që vizitohen. Korça është shumë e bukur dhe ka turizëm, por bërja investimeve në zonën alpine të Korçës, që besoj do ketë një investim që të gjithë po e diskutojmë për të pasur edhe një resort aty, do ta bëjë atë zonë shumë më të bukur edhe se Greqia”, u shpreh Klosi.

“Nëse nuk do të kishim këto investime në hoteleri dhe nëse s’do të kishim këto investime në Shqipërinë destinacion turistik, s’do kishim mundësi të flisnim për mundësi të artë që ne të jemi konkurrentë të fortë në rajon. Dhe ky vit unë kam bindjen që do jetë prapë një vit i mirë. Kanë filluar çarterat nga Ukraina, kemi kontratë me polakët”, theksoi Klosi.

Klosi nënvizoi se, “plazhet shqiptare sot janë shumë më të pastra sesa disa kohë më parë sepse të gjitha kanë impiant pastrimi të ujërave të zeza. Duhet ta themi këtë. Padyshim kemi problematika të mëdha me pastrimin e lumenjve. Kemi problematika sesi lumenjtë trajtohen në zonat urbane”.

Klosi tha se impiante ka Velipoja, Shëngjini, Durrësi, ka Vlora, ka Saranda, ka Himara.

“Pra e gjithë vija bregdetare është shumë herë më e pastër dhe këtë duhet ta themi. Dhe është pak vështirë që në fillim të sezonit turistik të themi që plazhet janë pis”, u shpreh Klosi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Motoja e fushatës turistike “Unë rri në Shqipëri”/ Shqipëria, vendi mesdhetar ku turistët do zbulojnë sekretin e fundit të Europës

TIRANË, 12 maj/ATSH/ “Unë rri në Shqipëri”, motoja e fushatës turistike që na udhëhoqi në vitin e parë të pandemisë, do të vijojë edhe përgjatë 2021-shit.

Kështu bëri të ditur ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, ndërsa theksoi se këtë vit sezoni turistik do të jetë në kushte më të lehtësuara nga pikëpamja e pandemisë dhe kur vaksinimi po ecën me ritme të jashtëzakonshme.

“Promovimi i destinacioneve tona është një mundësi për ta njohur dhe eksploruar më tej Shqipërinë, për ndihmuar industrinë tonë dhe komunitetet tona”, – u shpreh Klosi.

Ministri Klosi fton të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate me fotot dhe videot nga destinacionet që vizitojnë.

Ministri Klosi ka publikuar një video me disa nga destinacionet më të bukura të vendit tonë, duke i ftuar shqiptarët që t’i bashkohen nismës “Unë rri në Shqipëri”, për të vizituar vendet e bukura që ka vendi ynë.

“Në këtë vend udhëtimi në çdo hapësirë do të bëjë të mbash frymën, duke ndjekur rrugë e shtigje, do të takosh dhe do të jesh i përqafuar nga ndjesia e pakrahasueshme e mikpritjes shqiptare. Në këtë vend mesdhetar i gjithë udhëtimi do të shënojë eksperienca unike, lumenj, liqene, bregdet të ndërthurur midis rërës dhe gurëve. Eksploro parajsën e të dashuruarve pas natyrës. Lagunat me biodiversitetin e tyre mahnitës, vëzhgo me sytë e tu zogj të rrallë. Kapërce nga alpet drejt e në Mesdhe. Udhëto në kohë përmes gjurmëve që shekujt kanë lënë. Vende antike, ndërtesa historike, qytetërime të lashta nënë diellin e mbi 300 ditëve në vit. Më shumë se 3 mijë vjet civilizim të gdhendur në stilin origjinal i kanë dhënë statusin qyteteve pjesë e trashëgimisë botërore. Udhëto mes pyjeve të dendura dhe llojeve të rralla të tyre ku çdo cep vlen të fiksohet. Dhe kudo të ndalosh do të shijosh traditat e ndryshme të gatimit, tavolinat me mozaikë shijesh. Nga shijimi i natyrës, tek qytetet plot jetë e gjallëri. Në këtë vend mesdhetar do të zbulosh sekretin e fundit të Europës. Krijo kohën, gjithçka tjetër e gjen në Shqipëri”, thuhet në video.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Krimi mjedisor është krim penal/ Klosi: Objektivat kyç për sezonin turistik, siguria dhe pastërtia

TIRANË, 14 maj/ATSH/ Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi deklaroi sot se ka ardhur koha që me më shumë forcë të synojmë që poseduesit e lejeve mjedisore që teorikisht janë edhe ndotësit më të mëdhenj të jenë nën një presion të madh për të qenë më korrektë sa i përket ndikimit në mjedis.

Për këtë, tha Klosi, na duhet të punojmë shumë më fort që këta të jenë pjesë e një kontrolli të imtësishëm të strukturave teknike të kontrollit.

“Krimi mjedisor nuk është më vepër e një niveli të ulët, por me reformën e bërë në Kodin penal, krimi mjedisor është krim penal dhe si i tillë duhet të ketë edhe masa konkrete. Dëmtuesit që kanë leje mjedisore nuk mund të jenë ata që prishin në nivel të madh jetën e qytetarëve”, deklaroi ai.

Sipas Klosit, krimi mjedisor është po aq i dëmshëm sa çdo krim tjetër.

Dhe prandaj, shtoi ai, besoj që ja kemi dalë që të darkodësojmë edhe me institucionet e ministrisë së Brendshme për të bashkëpunuar për të goditur krimin mjedisor.

“Pyjet janë të mbrojtura me ligjin e moratoriumit të pyjeve, por ka vepra që do të duhet të mbrohen shumë më tepër nga strukturat e mbrojtjes së ligjit dhe pushtetit lokal për të kontrolluar vazhdimësinë e kësaj pasurie kaq të madhe të qytetarëve shqiptarë siç janë pyjet. Ka një dakordësi të madhe publike për të mbrojtur pyjet, Kemi shtim të sipërfaqes së gjelbër në Shqipëri, por ka ardhur koha që të kemi shumë herë më tepër kontroll në këtë pasuri të madhe kombëtare”, deklaroi ai.

Sipas Klosit, fillimi i sezonit të ri turistik e dalja nga pandemia padyshim do të shërbejë për ekonominë si një filiz i ri e shprehje e re e jetës që vjen pas pandemisë.

“Kemi disa detyra specifike në kuadër të përgatitjes së sezonit turistik. Kjo ka të bëjë me tre aspekte, ruajtjen e sigurisë gjatë sezonit turistik, pastrimi i plazheve dhe krijimi i lehtësirave në lëvizjen e turistëve për të patur sezon turistik të qetë të mbrojtur dhe të pastër”, deklaroi Klosi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

FOTO/Qendër e re turistike pranë liqenit të Marinës në Belsh, pjesë e zinxhirit të qendrave të reja të turizmit

TIRANË, 16 maj/ATSH/ Në Belsh, Elbasan, hapësira e liqenit të Marinës është kthyer në një destinacion turistik për vizitorët.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga qendra e re turistike pranë liqenit të Marinës në Belsh.

“Mirëmëngjes dhe me këtë pamje të qendrës së re turistike pranë liqenit të Marinës në Belsh, pjesë e zinxhirit të qendrave të reja të turizmit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ju uroj një të diel të qetë”, – thekson Rama.

Tashmë Belshi i rilindur tërësisht është një destinacion i rëndësishëm turistik në qarkun e Elbasanit.

Është një zonë me një peizazh natyror që të bënë për vete në të katër stinët por më interesante është pranvera dhe vjeshta, ku bimësia pikas me ngjyrat e saja të theksuara.

Gjithë krahina numëron rreth 84 liqene,midis tyre ka dhe të vegjël fare, por të gjithë janë të bukur dhe kanë karakteristikat e tyre.

Kanë një florë befasuese sidomos në pranverë. Disa numërohen me emra për bukurinë e tyre si, ai i Seferanit, Merhojes, Cestijes, Degës, me një florë të pasur si, zambaku i bardhë, zambaku i verdhë, karakteristikë për ujrat e këtyre liqeneve që tërheqin vëmendjen e vizitorëve./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Shqipëria në harkun e 5 viteve do të jetë aktor ambicioz në botën e turizmit”/ Klosi: Industri me standarde europiane

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi nënvizoi sot rëndësinë e turizmit detar, ndërsa shprehu bindjen se “Shqipëria në harkun e 5 viteve do të jetë një aktor ambicioz në botën e turizmit”.

Klosi mori pjesë sot në konferencën e parë ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit të ujërave dhe për zhvillimin e qëndrueshëm, e organizuar nga Akademia e Shkencave, e cila do të vijojë dy ditë me radhë me pjesëmarrës nga India e Izraeli, nga Spanja dhe Algjeria, nga Franca, Kroacia, Turqia e Rumania, si dhe nga Kosova, Mali i Zi, Italia e Greqia.

Klosi tha se deti dhe hapësira ujore duhet të shërbejnë për të ngritur këtë ekonomi të re.

Investimet e rëndësishme, sipas tij, dëshmojnë se Shqipëria në harkun e maksimumit të 5 viteve do të jetë një aktor ambicioz në botën e turizmit detar.

“Ka ardhur koha që edhe deti edhe ujërat shqiptarë të jenë pjesë e një politike shkencore studimore për një planifikim të qenësishëm hapësinor edhe në detet shqiptare. Ka ardhur koha që edhe në Shqipëri të kuptohet qartë se duhet të kenë mekanizma të forta për mbrojtjen e mjedisit”, tha ai.

Klosi tha se “ne duam që të jemi kampion të turizmit në Ballkan dhe deti është një nga asetet tona më të rëndësishme”.

“E mbështes idenë e kësaj konference pasi këto zhvillime në industrinë e turizmit detar duhet të shoqërohen edhe me studime shkencore për efektet që do të sjellin në ekosistemin e ujërave shqiptarë, por edhe në raportin që kanë këto biznese me natyrën. Ne si ministri jemi përpjekur të kërkojmë mbështetje nga institucionet europiane, pasi kjo industri që do fillojë të ndërtohet me shumë shpejtësi ka nevojë që të ndjekë ritme dhe standardet europiane në ruajtjen e mjedisit”, tha ai.

Gjinushi tha se, “Akademia e Shkencave e ka konsideruar çështje me prioritet strategjik mbrojtjen e pasurive ujore dhe të të gjitha pasurive të lidhura me to, të florës dhe faunës; të sistemeve të rregulluara nga vetë natyra në rrjedhë të mijëvjeçarëve; burime këto të pazëvendësueshme për jetën e njeriut”.

“Ne jemi duke bashkëpunuar me universitetet dhe me institucionet dhe shërbimet e specializuara për të qenë faktor me ndikim të fuqishëm për vlerësimin maksimal të pasurive ujore dhe në mënyrë të veçantë për të parandaluar shfrytëzimin pragmatik të tyre, që shkon kundër strategjisë së mirëpërdorimit afatgjatë dhe përpjesëtimor të burimeve ujore”, shtoi ai.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Sezoni turistik/ Nis procesi i dezinsektimit në Vlorë dhe Sarandë

TIRANË, 18 maj /ATSH/ Në prag të sezonit turistik ka nisur dezinsektimi i zonave turistike në Vlorë dhe Sarandë.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila ka publikuar dhe disa foto nga ky proces.

“Në Vlorë dhe Sarandë ka nisur procesi i dezinsektimit të zonave turistike, për t’u shtrirë në ditët në vijim në të gjithë zonat e identifikuara nga ekspertët e shëndetit publik, për një sezon turistik të sigurt”, shprehet Manastirliu.

Një ndër masat për mbarëvajtjen e një sezoni turistik të sigurt përveç vaksinimit dhe qendrave shëndetësore në zonat bregdetare është edhe dezinsektimit i zonave turistike.

Ky proces ka nisur sot në vijën bregdetare të Durrësit dhe në zonën e jugut dhe deri në datë 28 maj përfundon dezinsektimi i parë si proces i plazheve, duke filluar nga Velipoja drejt Shëngjinit dhe duke u finalizuar përgjatë gjithë bregdetit.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link