Posted on

Klosi: Këtë sezon më shumë turistë se në 2020, turizmi i brendshëm dhe ai rajonal të rëndësishëm

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot se “këtë vit presim më pak turistë se në 2019, por më shumë se në 2020, pasi objektivi ynë është që deri në 2030 Shqipëria të bëhet kampione e turizmit”.

Në një intervistë televizive ministri Klosi theksoi se “këtë vit jemi në fund të pandemisë por akoma nuk kemi dalë nga pandemia”.

“Duhet të kuptojmë që pandemia ende do të shtrijë efektet e saj në turizmin shqiptar. Jemi në fund të majit dhe akoma nuk kemi një politikë të qartë të kufijve sidomos nga vendet e BE-së, gjë e cila do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në mospasjen e atij numri të konsiderueshëm të numrit të turistëve të huaj”, tha Klosi.

“Duke mos pasur një politikë të qartë tani se çfarë do të ndodhë në verë po bën që shumë nga rezervimet e turizmit të organizuar, çarterat, udhëtimet nga vendet europiane të jenë problem, por ky problem nuk është vetëm në Shqipëri”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “vendet si Shqipëria kanë një gomë shpëtimi që është turizmi i brendshëm, ai rajonal. Ne jemi në diskutim të vazhdueshëm me grupin e ekspertëve të Komitetit Teknik për të lehtësuar masat”.

Lidhur me prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare Klosi tha se “kërkohet menaxhimi si duhet i vijës bregdetare, rëra është një pasuri e madhe kombëtare prandaj kërkohet vëmendje e shtuar, që për ato hotele apo plazhe të menaxhuara, ata që i uzurpojnë, shteti do të veprojë me shumë forcë”.

Ai bëri të ditur se ka filluar aplikimi te e-Albania për menaxhimin e plazheve./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Dielli mbi Tamarën magjepsëse/ Rama publikon pamje nga investimet

TIRANË, 24 maj/ATSH/ Investimet në infrastrukturës në Tamarë të Vermoshit në skajin më verior të vendit, i kanë dhënë jetë bizneseve të ndryshme me impakt në zhvillimin e turizmit dhe kanë fuqizuar ekonominë e zonës.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga Tamara ku investimet e qeverisë kanë transformuar jetën e banorëve dhe kanë nxitur turizmin.

“Mirëmëngjes dhe me diellin mbi Tamarën magjepsëse, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Tamara në Malësinë e Kelmendit, një nga zonat më të bukura të Alpeve shqiptare, është kthyer vitet e fundit në një destinacion turistik.

Deri para shtrirjes atje të Programit të Rilindjes Urbane, ajo çka prezantonte Tamara ishte një mrekulli natyrore, por njëherësh, dëshmi e harresës përmbi dy dekada dhe mungesës së vizionit për ta zhvilluar si të tillë.

Rikualifikimi i plotë i sheshit, çative dhe fasadave të ndërtesave në qendrën e fshatit i kanë dhënë hijeshi dhe shtuar bukurinë turistike të kësaj zone që po bëhet gjithnjë e më tërheqjes nga vizitorë e turistë të shumtë.

Ndërsa ndërtimi i shëtitores në breg të lumit Cem ka shtuar atraksionin turistik të Tamarës që vizitohet nga shumë vizitorë dhe turistë në çdo stinë të vitit.

/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Nga kulinaria te trashëgimia kulturore/ Bulqiza hap sezonin turistik

TIRANË, 22 maj /ATSH – I. Vata/- Bashkia Bulqizë ka hapur sezonin turistik “Bulqiza Turistike”, me aktivitetin promovues “Bulqiza përmes Kulinarisë dhe Vlerave Kulturore Tradicionale”, i cili ka për synim promovimin dhe zhvillimin e turizmit në zonë.

Në këtë aktivitet morën pjesë të gjitha shkollat e Bashkisë Bulqizë, ku secila prezantoi vlerat turistike të njësisë që përfaqëson.

Kulinaria me gatimet tradicionale, vlerat artistike me objekte tradicionale si dhe kultura me kostumet popullore dhe këngë e valle, u prezantuan në formën e një panairi ku të pranishmit shijuan nga afër produktet dhe u  njohën më mirë me pasuritë e paçmuara të rrethit tonë.

Në Bulqizën Turistike, janë të mirëpritur dhe plot vëmendje vizitorët e interesuar për të njohur prekur dhe shijuar më nga afër zonën tonë.

Bashkia Bulqizë i ka dhënë një vëmendje të veçantë turizmit në Bulqizë, duke ofruar më shumë mundësi për turistët që do ta vizitojnë atë gjatë këtij sezoni. Infrastruktura, në të cilën është investuar më shumë, identifikimi i monumenteve kulturore dhe zonave të mbrojtura i kanë dhënë një pozicion më të fortë turizmit në Bulqizë.

Ky aktivitet u hap me fjalën e drejtoreshës së Arsimit, Kulturës, Turizmit, Rinisë, Sportit, Komunikimit dhe IT pranë Bashkisë, Ledjana Gjoka, e cila falenderoi shkollat pjesëmarrëse dhe zyrën arsimore vendore për bashkëpunimin, dhe u shpreh së turizmi si vlerë e paçmuar e Bulqizës do të vazhdojë të promovohet dhe të dëshmojë vlerat dhe faktin që në zonë nuk ka vetëm krom.

I pranishëm në aktivitetin e hapjes së sezonit turistik ishte edhe Kryetari i Bashkisë, Lefter Alla, i cili në fjalën e tij përshëndetëse falenderoi të pranishmit dhe shkollat pjesëmarrëse në këtë prezantim kaq të rëndësishëm për turizmin dhe të vlerat kulturore të Bulqizës. Ai tha së turizmi do të vazhdojë të ketë mbështetje dhe vëmendje.

Nën atmosferën e mrekullueshme të krijuar në qendër të qytetit të pranishmit mundën të provonin nga gatimet tradicionale të prezantuara në këtë panair.

Për shkollat pjesëmarrëse u shpërndanë certifikata dhe tri prezantimet më të mira u vlerësuan me çmime.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Rama publikon pamje nga shëtitorja “Naim Frashëri”, Saranda e bukur


TIRANË, 23 maj/ATSH/ Shëtitorja “Naim Frashëri” në qytetin e Sarandës ka marrë tashmë një pamje të re me infrastrukturë moderne, teksa jemi në prag të sezonit veror turistik.

Këtë diel kjo shëtitore është e mbushur me vizitorë të shumtë, të cilët kanë zgjedhur si destinacionin e fundjavës Sarandën.

“Saranda e bukur” shprehet Kryeministri Edi Rama teksa ka publikuar sot pamje nga  shëtitorja dhe qyteti bregdetar.

Në videon e publikuar shihen qytetarë të shumtë të grupmoshave të ndryshme në këtë shëtitore.

Shume prej tyre shëtisin duke shijuar bukurinë e bregdetit, të rinjtë gjithashtu argëtohen duke bërë foto e të vegjlit duke lozur me njëri-tjetrin.

Investimet e kryera në shëtitoren e këtij qyteti bënë një transformim thelbësor të bregut të qytetit mikpritës. Me transformimin e shëtitores kanë fituar shumë edhe bizneset pasi është rritur shumë vlera e pronës.

Shëtitorja “Naim Frashëri”, e cila pritet të përfundojë më 15 maj është një hapësirë publike shumëfunksionale dhe në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit turistik.

Në shëtitore mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit, si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Rrëfimi i Anita Likmetës në “Huffpost Italia”/ Shqipëria drejt një epoke të re

TIRANË, 22 maj/ATSH/ “Shqipëria po shkon drejt një epoke të re në historinë e saj dhe të gjithë janë të nevojshëm në këtë udhëtim”, është përmbledhja që i bën gazeta “Huffpost Italia”, artikullit të shkruar nga Anita Likmeta, gazetare dhe sipërmarrëse e cila rrëfen kthimin pas shumë vitesh në tokën ku ka lindur.

“Kthimi në tokën ku kam lindur, pas shumë vitesh, për mua ishte një eksperiencë që më ndikoi mjaft, një pështjellim ndjenjash me të cilat, duhet të merrem sapo u ktheva në Itali.

Tirana nuk është më qyteti që mbaja mend: si një vajzë që e gjen vete grua, Tirana ka ndryshuar, është rritur në lartësi, dhe pothuajse nuk e njoha. Megjithatë krahas rrokaqiejve të reja dhe qendrës më të madhe tregtare Toptani, atje këtu ka ende pjesë të urbanistikës hoxhiste. Si për të më kujtuar fëmijërinë e vështirë nga e cila shpëtoi ajo vajzë e vogël.

Duke ecur në rrugët e kryeqytetit ndesha fytyra te rrudhura të një jete që nuk ka qenë kurrë e lehtë, por edhe freskinë e një rinie që ka dëshirë të përfshihet, me shkëlqim në sy, me një vitalitet që më kujton atë të disa filmave italian të viteve ’60. Dhe pse oksidentalizmi mund të jetë i frikshëm, pasi e goditi shoqërinë si një tornado, pa u lënë kohë shqiptarëve të kuptonin se çfarë po ndodhte, gatishmëria për t’u përfshirë, për të rrezikuar të ardhmen në një botë të vështirë është e dukshme. Por tashmë e hapur për mundësi të pafund.

Sheshi “Skënderbej”, tashmë e gjitha një zonë për këmbësorë, është një hapësirë e madhe: fëmijë që luajnë, këngëtarë në rrugë që të dhurojnë në çdo këng të sheshit buzëqeshje dhe luajnë repertorin klasik të muzikës “arbëreshe”. Duke ecur në mes të sheshit, pamjet e memorialit siç e kisha njohur mbivendoset me ato që më dalin para syve, dhe teksa drekoj në një nga restorantet më në modë në kryeqytet, shikimi im është tej dritareve të mëdha të lokalit.

Dastid Miluka, me të cilin po drekoja, i konsideruar si një nga piktorët më të mëdhenj shqiptarë bashkëkohorë, më tregon statujën e heroit kombëtar dhe më tregon menjëherë kioskun ku qytetarët janë në radhë për t’u vaksinuar, duke më kujtuar se pikërisht atje, në vend të atij garnizoni për shëndetin publik, ishte ajo statujë e Enver Hoxhës, 30 vjet më parë, që ai dhe miqtë e tij studentë, hodhën poshtë dhe u tërhoqën zvarrë.

Fitorja në zgjedhjet e kreut të Partisë Socialiste Edi Rama është tema e ditës e të gjithëve që takoj. Ka nga ata që janë të kënaqur me të dhe nga ata që nuk janë. Në përgjithësi, qytetarët e Tiranës nuk janë entuziastë, ndërsa ata që jetojnë në periferi, veçanërisht fshatarët me të cilët kam pasur mundësinë të flas, e adhurojnë atë: ai është padyshim njeriu i tyre. Me pak fjalë, ndryshe nga demokracitë evropiane, e majta e qendrës këtu ende nuk duket se përkon me “bërthamën” e qytetit.

Gjëja e jashtëzakonshme për Tiranën, e kuptoj menjëherë, është se pushteti është me të vërtetë dy shtrëngime duarsh: politikanët, ose ata që punojnë për ta, nuk kanë arrogancën e atyre që kanë mbërritur. Shqiptarët janë një popull mikpritës, mua kurrë nuk më lanë të paguaj për një kafe. Mysafiri është i shenjtë në Shqipëri, dhe një mysafir, e kuptoj, jam dhe unë. Dhe ndërsa unë jam një turist nga një cep i qytetit në tjetrin, nga një studio televizive në tjetrën, vë re fytyrat e njerëzve. Ato nuk kanë ndryshuar shumë.

E pranoj ftesën e rabinit shqiptar Yisroel Finman, në qendrën e kinemasë Pietro Marubbi, një piktor italian i natyralizuar shqiptar dhe mbështetës i Garibaldi, i cili u përfshi gjatë kryengritjeve të Risorgimento në vrasjen e kryetarit të Piacenza duke e detyruar atë, në 1856, për të emigruar në ‘Shqipërinë e Perandorisë Osmane”. Qendra e filmit Marubbi ka një kopsht të mrekullueshëm, të mbushur me vepra të artistëve bashkëkohorë shqiptarë. Me rabinin ulemi dhe flasim për Shqipërinë e viteve të fundit, për lëvizjet studentore, për hebrenjtë që u shpëtuan nga populli shqiptar, për projektin për të ndërtuar së bashku një Muze Kombëtar të Holokaustit dhe në përgjithësi, për këtë demokraci të brishtë që i shohim të gjithë të përfshirë.

Fillon të bjerë shi dhe ne largohemi nga qendra e kinemasë dhe kopshti i saj i mrekullueshëm që hapet pranë Ministrisë së Financave dhe Tregtisë. Një rrugë provinciale na ndan nga ndërtesat e reja të ndërtuara vitet e fundit. Grumbuj betoni që dalin nga toka dhe që qytetarët shqiptarë i quajnë shtëpi. Nuk ka ekuilibër arkitektonik, ato janë ndërtesa të lindura në rritjen e plotë ekonomike të vendit: më kujtojnë spekulimet e ndërtimeve të Italisë gjatë bumit ekonomik. Ndërtesa pa identitet, pa histori: gri dhe të ngushta, njëra me tjetrën, sikur përpiqen të mos bien pavarësisht nga fakti se ato ende duken të reja. Në rrugë, qytetarët ngasin biçikleta, të tjerët në makina me një motor të manipuluar, me volumin e muzikës në maksimum. Njerëzit këtu po nxitojnë të shkojnë diku, të gjithë duken vonë. Përpiqem të shqyrtoj me kujdes fytyrat e tyre, në sytë e tyre unë ende shoh hutim dhe pak trishtim. Një grua e re vjen të më takojë, ajo është e veshur mirë. Ka një vështrim të dyshimtë. Ecën me taka super të larta. Mendoj në lartësinë e dhembjes së saj.

Dhe së fundmi, takimi me Blendi Fevziu, prezantuesi më i njohur televiziv në Shqipëri, të cilin këtu e krahasojnë me Bruno Vespa. Një njeri shumë i sjellshëm. Fevziu, në studiot e RTVKlan, më tregon statujën e xhaxhait tim, piktorit Ibrahim Kodra, një emigrant vetë në kohën e Mbretit Zogu dhe i cili vdiq në Milano në vitin 2006.

Dhe kështu, përpara asaj statuje që riprodhon imazhet e pikturave të tij, unë rishikoj historinë time. Sepse arti, ashtu si filozofia, e parashikon jetën dhe hedh grepin e saj gjithnjë pak më larg, në një Shqipëri fantastike akoma për t’u shpikur.

Por Tirana është një kryeqytet në zgjerim, puna e 30 viteve të fundit është e dukshme në rrugë, ndërtesa, parqe, klube të modës. Të ecësh nëpër rrugët e këtij qyteti nuk është më e frikshme. Në të vërtetë, dikush ka perceptimin e të qenit i mbrojtur.

Shqipëria po shkon drejt një epoke të re në historinë e saj dhe të gjithë janë të nevojshëm në këtë udhëtim. Në sytë e bashkatdhetarëve të mi këto ditë kam lexuar dëshirën për të jetuar, dëshirën për t’u larguar përsëri, për të zbuluar veten. Në fytyrat e qytetarëve shqiptarë kam lexuar shumë vlera, por mbi të gjitha pashë pjesëmarrje aktive në çështje politike: pjesëmarrja e qytetarëve të zakonshëm në diskutime në çdo lokal më preku. Të rinjtë shqiptarë janë të talentuar, të mirë, të hapur për të ardhmen dhe për lidhje të mundshme kulturore.

Në Shqipëri, këto ditë, nuk kam dëgjuar kurrë për ndonjë fjalë nënçmuese apo ofenduese. Racizmi nuk është ende në shtëpi këtu. Për pjesën tjetër, në këtë udhëtim kthimi në atdheun tim, ndjesia më qesharake që kam përjetuar ka të bëjë pikërisht me vëzhgimin se sa i ngjashëm është populli shqiptar me atë italian. I ngjashëm, sigurisht, por vetëm pak më i ri.

Të vetëdijshëm se mund të ndryshojnë gjërat: kjo është ndjenja që përmbledh tërë udhëtimin tim.

Mandati i tretë i Ramës mund të vulosë këtë rinisje të re nëse Evropa më në fund e kupton se është e nevojshme të rinisin negociatat e pranimit sa më shpejt të jetë e mundur.

Sepse ekziston një forcë në popullin shqiptar që ende ju përfshin plotësisht dhe ju tërheq që të rimendoni veten si një individ në histori, si një qytetar i botës, si një qenie njerëzore në lëvizje. Unë besoj se kjo energji mund t’i shërbejë me të vërtetë Evropës dhe Italisë: vendi përballë nesh tani është edhe më afër”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Kanioni i Holtës, destinacioni më i preferuar i turistëve

TIRANË, 22 maj /ATSH – I. Vata/- Kanioni i Holtës në bashkia Gramsh mbeten një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.

Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë.

Kanioni i Holtës shtrihet përgjatë 3 kilometrave, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale.

Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Rilindja Urbane” në Fushë-Arrëz, investim në çdo arterie të jetës ekonomike e sociale

TIRANË, 24 Shkurt / ATSH-N.Lena /  –  Konfigurimi i ri i bashkive ka bërë që Fushë Arrëzi të  shtrihet në një sipërfaqe prej 540.42 km 2, dhe të përmbledh disa njësi administrative si Iballa, Blerimi, Fierzë dhe Qafë Mali.

Është një bashki që  po njeh një adresim të madh investimesh, të cilat kapitalizohen në përmirësimin e ndjeshëm të cilësisë së jetesës së banorëve të kësaj zone.

Kryetari kësaj bashkie Fran Tuçi thotë për ATSH se investimet do prekin çdo arterie të jetës sociale-ekonomike  në të gjithë hapësirën që mbulon kjo bashki.

Tuçi thotë se “do të ketë investime në infrastrukturën rrugore në të gjitha njësitë administrative që përmbledh kjo bashki, ku po punohet për përfundimin e degëzimit të rrugës Fushë Arrëz-Dardhë faza e dytë me vlerë 95 milion lekë, si dhe degëzimet Kryezi dhe Orosh”.

Ndërkaq ka nisur rikonstruksioni i shkollave 9 vjeçare që kanë nevojë  për ndërhyrjeje si ajo në Fierzë, Porav, Bugjon, Berishë e Epërme, Mërtur  si dhe në fshatrat Dardhë, Qebik, Truen etj si dhe shkollat e mesme në Fushë Arrëz dhe Iballë duke shtuar edhe ambientet e tyre sportive.

Në ujësjellës-kanalizime ka nisur puna për rikonstruksionin e plotë të rrjeteve Brenda qytetit si dhe po punohet për rikonstruksionin në disa fshatra si Truen, Qebik, Flet, Kulumbri dhe Xath.

Gjithashtu, me një investim prej 234354530 lekë, do të punohet për sistemimin e rrugëve të brendshme të qytetit.

Bashkia ka nisur puna me investime në pyje dhe kullota me dixhitalizimin e hartave  për të gjitha ekonomitë pyjore të Bashkisë si dhe pyllëzimin e zonave të djegura ose të dëmtuara-ndërtimi i sistemeve të pritave malore.

Një tjetër sektor ku do të investohet në kuadër të “Rilindja Urbane” është edhe bujqësia, në  sistemin e vaditjes dhe të kullimit.

“Janë disa nga fushat ku po punohet dhe priten të tjera financime që të mbyllet kuadri i investimeve në këtë bashki”, thotë Fran Tuçi për ATSH.

Po të udhëtosh edhe në këto ditë të ftohta e me borë për në Fushë Arrëz, do të vesh re ndryshimet infrastrukturore në rrugë e mjedise por edhe te psikologjia e njerëzve që jetojnë aty. Ata flasin për këto ndryshime dhe janë optimist për ndryshime të tjera.

Fran Tuçi, kryetari i Bashkisë, foli me optimizëm për atë që po ndodh e do të ndodh në këtë bashki.

Ai është i ndërgjegjshëm se administrimi i problematikave të këtyre banorëve, është një sfidë e vazhdueshme, sepse terreni është mjaft i vështirë, po kështu dhe kërkesat janë të mëdha sepse kjo zonë ka qenë gati e izoluar për shumë vite.

Fushë-Arrëzi, është një nga trevat e begata me pasuri nëntokësore dhe me burime të pashtershme ujore. Banorët e këtyre anëve, kanë jetuar dhe i kanë shfrytëzuar si burim jetese pasuritë minerare.

Një prioritet i veçantë i kësaj zone është dhe turizmi.

Mjedisi i thyer dhe i pasur me një florë të veçantë ku mbizotëron Pisha Malore, krijojn mundësinë për një turizëm natyror por jo vetëm, kjo është një zonë me tradita dhe histori të pasur.

Vizitorët ngjiten në Fushë- Arrëz dhe në fshatrat përreth edhe për turizmin kulturor, atë të aventurës dhe të kuriozitetit.

Ndaj dhe administrate e kësaj bashkie, ka  hartuar me kujdes, dokumentin strategjik përkatës, i cili adreson në mënyrë  të detajuar nevojat dhe shtyllat e implementimit për zhvillimin e turizmit në hapësirën që mbulon kjo bashki.

Bashkia përmes buxhetit të saj ka ndërhyrë ndjeshëm në përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidh zonat dhe periferinë me qytetin.

Është siguruar një menaxhim korrekt i shërbimit të mirëmbajtjes së rrugëve rurale, të cilat, edhe përtej ashpërsisë së relievit apo dhe të agjentëve atmosferikë, përsëri janë në parametra normalë.

Vizitori vendas dhe  turisti  huaj, po e shikojnë pozitivisht lëvizjen turistike në këtë zonë të bukur por të pa ekspozuar deri dje.

Sot, rrugëve të qytetit, me investimin e përfunduar në objektet  sociale dhe pedonales, jeta dhe argëtimi ka filluar të zhvillohet duke e nxjerrë këtë zonë nga harresa.   /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Rruga e Thethit hapet për turistët në fundjavë/ Po punohet për zhbllokimin nga dëbora të këtij aksi

TIRANË, 22 maj/ATSH/ Turistët vendas e të huaj që dëshirojnë të vizitojnë Parkun Kombëtar të Thethit në këto ditë pranvere mund të drejtohen drejt tij në fundjavë.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni, bën të ditur se “duhen edhe 4 KM që segmenti rrugor Bogë- Qafë-Thore–Theth të hapet plotësisht. Bashkë me stafin e Emergjencave Civile Prefektura Shkodër inspektuam kryerjen e punimeve për zhbllokimin nga bora të këtij aksi”.

“Aktualisht 3 mjete dy nga të cilat tip buldozer AD-14 nga reparti ushtarak nr.4040, janë të dislokuar në zonë dhe po punojnë me ritme të shpejta, për të bërë të aksesueshëm këtë segment pavarësisht vështirësive të trashësisë së dëborës dhe specifikës së terrenit, i cili vështirëson ndjeshëm procesin e punës së tre mjeteve”, – tha Angoni.

Prefektja Angoni sqaroi se “punimet për rikonstruksionin e rrugës Qafë-Thore–Theth, (16 km) që lidh një ndër zonat më të bukura të Alpeve me Bogën dhe Shkodrën do të vijojnë për përshpejtimin e zhvillimit të turizmit malor, si një mundësi për të shijuar peizazhin e rrallë fantastik Alpe, qarku Shkodër”.

Parku Kombëtar i Thethit, i ndodhur mes Alpeve me një bukuri mahnitëse, në veri të Shqipërisë, tashmë është shndërruar në një panoramë mahnitëse ku bardhësia e dëborës ndërthuret me natyrën e egër alpine. Vizitorët në këtë park mund të shijojnë peizazhin e mrekullueshëm si dhe të eksplorojnë shtigjet interesante që janë atraktive për turistët e aventurës.

Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit/ Greqia siguron lëvizjen e lirë të turistëve me Shqipërinë; oferta turistike shqiptare njihet edhe në Serbi

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizimit FITUR 2021, zhvilloi një takim me ministrin e Turizmit të Greqisë, Haris Theocharis, prej të cilit mori garancinë e lëvizjes së lirë në kufi, në zbatim të protokolleve shëndetësore antikovid.

Kjo, sipas tij, për t’i dhënë frymë dhe mundësi rimëkëmbje turizmit.

“Shqipëria rinisi turizmin në një mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme duke u bërë një shembull i vërtetë për Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”, ishte vlerësimi për vendin tonë i Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit (UNWTO) Zurab Polikashvili, në FITUR 2021.

Sipas tij, Shqipëria ka punuar për të rimëkëmbur turizmin dhe për të garantuar turizmin e sigurt.

Një tjetër takim i rëndësishëm ishte dhe ai me ministren serbe të turizmit, Tatjana Matić, e cila vlerësoi përparimet që ka bërë Shqipëria në fushën e turizmit dhe u shpreh shumë e kënaqur që oferta turistike shqiptare, tashmë njihet edhe në Serbi si dhe shprehu interes për të shtuar kontaktet mes operatorëve turistik.

Vendet fqinje, në rastin tonë Shqipëria, Greqia dhe Serbia kanë shpesh “shkëmbime” turistësh si dhe kanë mundësi për të krijuar paketa të përbashkëta turistike.

Nga Greqia, shteti fqinj, në vitin 2019 kanë ardhur për të pushuar në Shqipëri rreth 600 mijë vizitorë, ndërsa nga Serbia në vitin 2019 kanë ardhur rreth 70 mijë pushues.

Ndërkohë, vitin e kaluar në bregdetin tonë erdhën për të pushuar një numër i lartë turistësh nga Serbia. Ky ishte një hap i mirë për të hyrë dhe vendi ynë në tregun rajonal të turizmit, trend të cilin ne duhet jo vetëm ta mbajmë por ta rrisim këtë vit, duke e bërë edhe më të njohur në rajon ofertën turistike shqiptare.

Organizata Botërore e Turizmit zhvilloi në datat 17-23 maj Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2021.

Pas dy viteve pandemi, për disa vende turizmi bëhet më i rëndësishëm se kurrë më parë. Gjatë pesë ditëve, ekspertët e Organizatës Botërore të Turizimit zhvilluan takime dhe forume me krerët e shteteve për rimëkëmbjen e këtij sektori dhe të ardhmen e qëndrueshme të tij, duke u përqëndruar në rolin jetësor të inovacionit, bashkëpunimit dhe komunikimit.

Një prej temave kryesore të këtij panairi është rimëkëmbja e turizmit gjetja e rrugëve më efikase për rimëkëmbjen e tij.

Ndërkohë dhe vetë krerët e vendeve pjesëmarrëse në këtë panair zhvilluan takime mes tyre, ku diskutuan mbi mundësitë e zhvillimit të turizmit në vendet përkatëse, destinacionet turistike si dhe krijimin e paketave turistike të përbashkëta.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Përgatitjet për sezonin turistik/ Pastrim edhe pyjeve në vijën bregdetare të Durrësit

TIRANË, 21 maj/ATSH/ Bashkia e Durrësit po vijon përgatitjet për sezonin turistik, me pastrimin e të gjithë vijës bregdetare të qytetit.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako inspektoi sot punën që po bëhet dhe ka qenë në njësinë e Katundit të Ri në një zonë ku përveç bregut ranor ndodhet edhe një sipërfaqe pyjore prej 116 hektarësh e cila është një pasuri jo vetëm për Durrësin por për të gjithë vendin.
Kryebashkiakja Sako deklaroi se i gjithë bregdeti po pastrohet dhe njëkohësisht po kryhet edhe plugimi i rërës ndërkohë që kjo do të pasohet edhe nga dezinfektimi.
Po ashtu, Sako theksoi se shumë shpejt do të fillojë edhe lidhja e kontratave për stacionet e plazheve në bazë të hartës së miratuar nga qeveria shqiptare.
Kryebashkiakja Sako i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që jo vetëm t’i bashkohen nismës së Bashkisë për pastrimin, por edhe të kontribuojnë vazhdimisht për të mbajtur pastër mjedisin, sepse theksoi ajo të gjithë bashkë duhet të punojmë për Durrësin turistik ku pritet që ky sezon të jetë një sezon normal.
“Ne kemi rreth 116 ha pyje. Kemi punuar në zonën e plazhit dhe në zonën e Shkëmbit të Kavajës. Nga e-Albania kanë filluar aplikimet për stacionet e plazheve në bazë të një harte të miratuar nga Këshilli Bashkiak i Durrësit dhe nga qeveria shqiptare dhe do të fillojmë menjëherë procesin e lidhjeve të kontratave duke pasur prioritet subjektet e hotelerisë”, tha ajo./m.m/j.p/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link