Posted on

Oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë realitet


TIRANË, 31 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, tha sot nga Prishtina se “do të bëjmë gjithçka është e mundur që oferta turistike e përbashkët Shqipëri-Kosovë të jetë një realitet”.

Në një konferencë të përbashkët me zv.kryeministrin e Kosovës Besnik Bislimi dhe ministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ministri Klosi tha se “për të dy qeveritë tona është një vendimmarrje e përbashkët që turizmi nuk është vetëm një kënaqësi, por një industri shumë e rëndësishme e të dy vendeve tona dhe një kontribut i rëndësishëm në ekonominë dhe buxhetin e vendeve tona”.

“Ne duhet të kuptojmë që pasuritë e mëdha që na ka dhënë natyra në të dy anët e bjeshkëve janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve. Deti është i gjithë shqiptarëve ashtu si bjeshkët duhet të shijohen e të vizitohen dhe trajtohen nga gjithë shqiptaria”, – tha Klosi.

Ministri Klosi u shpreh se “shqiptarët e Shqipërisë së përtej bjeshkëve, të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut duhet ta shikojnë si ofertë të parë ofertën e përbashkët turistike Shqipëri-Kosovë”.

“Kemi shumë detyra për të realizuar, kemi shumë përgjegjësi mbi veten për t’ia bërë jetën sa më të lehtë jo vetëm pushuesve, por edhe komunitetit të biznesit të cilëve u përulemi me shumë respekt për sakrificat, investimet dhe po i drejtohemi zyrtarisht për të gjetur tek qeveritë tona, qeveri shumë miqësore që i nxisin të shtojnë investimet dhe të gjejnë në zyrat tona partnerë në aktivitetet e tyre. Bukuritë e pashfrytëzueshme të natyrës duhet të jenë sot një atraksion turistik”, – tha Klosi.

Ministri Klosi bëri të ditur se në prag të sezonit turistik se do të zhvillohen aksione të përbashkëta pastrimi në zonat turistike.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bislimi u shpreh se “temat që trajtuam janë aktuale dhe synojnë promovimin sa më të madh të dy vendeve në fushën e turizmit, prekin si kërkesën edhe ofertën, nevojën e një strategjie të përbashkët dhe të kapaciteteve humane në mënyrë që turistët që vizitojnë dy vendet të kenë kualitet që i përgjigjet çmimit që ata paguajnë dhe në mënyrë që Shqipëria dhe Kosova të rrisin aktivitetin e tyre në raport me vendet e tjera të rajonit”.

“Diskutuam edhe për ato elemente që si rezultat i masave antikovid për momentin shikohen si barriera për ngritjen e bashkëpunimit apo fuqizimit të turizmit si p.sh Kosova për disa turistë aplikon pajisjen me testin e PCR deri 72 orë para hyrjes në Shqipëri.
Diskutuam edhe për hapat që do të merren në mënyrë që rruga nga Kosova deri në hyrje të Shqipërisë dhe anasjelltas të jetë shumë e lehtësuar me sa më pak kontrolle dhe barriera përfshirë këtu edhe kërkesën tonë të gjendet një zgjidhje e përkohshme për eliminimin e detyrimit për të paguar për tunelin e Kalimashit pasi shkakton vonesa për turistët tanë që shkojnë në Shqipëri”, – tha Bislimi.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturë, Liburn Aliu, tha se së bashku me autoritetet në Shqipëri do të ndërmerret një aksion pastrimi gjatë muajit qershor.

“Në bashkëpunimet tona në vijim ne do të krijojmë grupet e punës që do të krijojnë zotimet e këtyre memorandumeve. Po ashtu do të realizojmë gjatë qershorit pastrimin e liqenit të Vërmicës”, tha Aliu./k.s/j.p/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Syri i Kaltër/ Rehabilitim rrugës së destinaconit turistik tepër të kërkuar


TIRANË, 31 maj/ATSH/ Rruga e Syrit të Kaltër, rreth 30 minuta larg nga Saranda, nuk do të jetë më problematike për turistët vendas e të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi bën të ditur se “kemi ndërhyrë për të zgjidhur infrastrukturën e një prej destinacioneve më të kërkuara në vend”.

“Rehabilitimi i kësaj rruge, përveç korsisë së makinave, përfshin korsi biçikletash dhe këmbësorësh, si dhe shtigje turistike. Po studiohet ndërtimi i parkimit jashtë saj dhe lëvizja në rrugë do të bëhet me tren elektrik”, – tha Klosi.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me  harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

Syri i Kaltër tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Radisson Blu për herë të parë në Ballkan, zgjedh t’i bashkohet bregdetit shqiptar


TIRANË, 29 maj/ATSH/ Brandi i njohur ndërkombëtar Radisson Blu ka zgjedhur Shqipërinë për të qenë i pranishëm me emrin dhe standardet që ofron ky emër i madh turizmit ndërkombëtar.

Radisson Blu i bashkohet bregdetit të jugut me Morina Palace, duke qenë një ogur i mirë në këtë fillim sezoni turistik.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi vuri theksin në rëndësinë e investimeve strategjike për të bërë Shqipërinë konkurruese jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.

“Ne si administratë shtetërore i përulemi me respekt kontributit të jashtëzakonshëm që po japin investitorët shqiptarë që të kemi së bashku një turizëm konkurrent jo vetëm në rajon, por më tepër se kaq”, u shpreh ministri Klosi.

Nga ana tjetër përfaqësues të hotelerisë në vend vlerësuan angazhimin e qeverisë për të lehtësuar të bërit biznes.

Legjislacioni për investimet strategjike, i përbërë nga ligji për investimet strategjike, si dhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave të miratuara, në vitet e fundit përfaqëson kuadrin rregullator krejtësisht të ri e posaçërisht të fokusuar në tërheqjen e investimeve të huaja, apo “zgjimit”, të kapitalit të vendas.

Paketa legjislative përcakton sektorët si dhe nën sektorët përkatës, të ekonomisë, të identifikuar strategjikë, si dhe parashikon procedurat e posaçme administrative favorizuese, lehtësuese ose përshpejtuese të mbështetjes e të shërbimeve ndaj investitorëve strategjikë.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Sarandë/ Soreca-Gurma: Ta bëjmë këtë sezon turistik sa më të mirë pavarësisht pandemisë

Sarandë, 28 maj /ATSH-Shkëlqim Hajno/ Luigi Soreca, kreu i delegacionit të BE në Shqipëri zhvilloi sot një takim pune në bashkinë e Sarandës në kuadër të çeljes zyrtare të sezonit turistik dhe të turit nëpër Shqipëri: “Javët e Europës 2021”.

Kreu i delegacionit të BE-së në Shqipëri shoqërohej në takimin e punës me kryebashkiakun Gurma edhe nga ambasadorët e Spanjës dhe Francës.

Gurma pasi u  shprehu miqve falenderimet për vizitën në këtë ditë që përkon me çeljen e sezonit turistik 2021, i njohu ata me disa specifika të zhvillimeve turistike, ekonomike dhe sociale të bashkisë Sarandë. Ai u ndal në harmoninë mes religjioneve fetare si një tipar i vlerësuar i bashkëjetesës.

Duke u fokusuar në strategjinë dhe zhvillimin e turizmit, Gurma theksoi se “jemi duke punuar maksimalisht së bashku me qeverinë qendrore që Sarandës t’i japim një markë tjetër përsa i përket turizmit”.

Duke përmendur investimet e fundit të realizuara në qytet, Gurma u shpreh se ato “kanë dhënë një ofertë krejt tjetër dhe një qasje krejt tjetër për turizmin”.

“Është rritur ndjeshëm cilësia dhe oferta turistike e qytetit, ne jemi të predispozuar që ta përmirësojmë atë jo vetëm në cilësi por edhe në tejzgjatje si kohë” -vuri në dukje Gurma.

“Saranda ndryshe nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, pret turistë nga gjithë Europa” -theksoi kreu i bashkisë. “Ne kemi turistë nga vendet lindore, nga vendet nordike, nga Italia, etj. Shpresojmë që këtë vit pas situatës së vështirë nga pandemia dhe përgatitjeve serioze dhe investimeve lokale dhe qendrore, ne të kemi një bum turistik; të arrijmë nivelin e vitit 2019 me mbi 800 mijë turistë në sezon”- tha kryebashkiaku Adrian Gurma.

Gurma e simbolizoi vizitën e kreut të delegacionit të BE-së, në Shqipëri si “një ogur i mirë për një sezon turistik të suksesshëm”

Luigi Soreca duke falenderuar për pritjen që iu bë në Sarandë, vuri në dukje se “është kënaqësi që vjen në këtë qytet”.

“Na vjen mirë që kjo vizitë e jona përkon edhe me çeljen e sezonit turistik dhe është kënaqësi dhe jemi të gatshëm që të diskutojmë së bashku me ç’do të ndodhë në të ardhmen, duke diskutuar me ju, operatorët ekonomikë dhe qeverinë qendrore si ta bëjmë këtë sezon turistik sa më të mirë pavarësisht pandemisë”-u shpreh Soreca.

“Ne do të dëgjojmë siç e thatë edhe ju për planet që ju keni për strategjinë në fushën e turizmit por rëndësi ka që kjo bukuri që ju keni në këtë zonë, të mbetet e tillë dhe të themi të mos mbingarkohet nga gjërat e tjera. Ne e dimë që këtu në Sarandë vijnë shumë turistë evropianë. Vijnë për t’u takuar me evropianët e tjerë”- tha ai.

Soreca vuri në dukje se “slogani i këtij udhëtimi është: Europa është këtu, po edhe këtu është Europë”.

Në takimin e Sarandës ishin të pranishëm dhe përshëndeten edhe ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christina Vasak si dhe homologu i saj spanjoll Alonso Marcos. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Liqeni i Zi apo Liqeni i Ujit të Ftohtë në Shënepremte Lenie me ujë kurativ

TIRANË, 29 maj /ATSH – I. Vata/-  Kryetari i bashkisë Gramsh, Klodian Taçe fton adhuruesit e natyrës të vizitojnë Gramshin, një pasuri natyrorë e pamat natyrore.

“Vizitoni Liqeni i Zi apo Liqeni i Ujit të Ftohtë në Shënepremte Lenie. Mikpritja e banorëve fisnik, bujarë, dashamirës e me tradita së bashku me ushqimet karakteristike të zonës e bëjnë këtë destinacion ndër më të preferuarit e stinës së verës, por edhe si një zonë malore ka bukurit e saj në dimër”, shprehet ai.

Liqeni i Zi apo Liqeni i Ujit të Ftohtë në Shënepremte Lenie është një liqen me ujë kurativ, ku mjekohen shume njerëz, nëpërmjet banjave me ujë të ftohtë. Liqeni është unikal në Shqipëri, ka ngjyrë blu të thellë dhe gjendet në lartësinë 1634 m, në afërsi të fshatit Lenie. Përfaqëson një  liqen me origjinë akullnajore. Në të ka faunë dhe përreth ka bimësi drurore të ahut, rrobullit të cilat kanë lartësi 25-30 m si dhe asaj barishtore me livadheve të shumta.

Përgjatë viteve, shumë vizitorë kanë ardhur këtu për të shëruar reumatizmin apo sëmundje të tjera që shkaktojnë dhimbje trupore, duke bërë zhytje të rregullta në liqen.

Intervali i rekomanduar për të qëndruar në ujë është 15 minuta, dy herë në ditë. Muaji më i mirë është gushtit. Uji i temperaturës shkon nga 2.5 në 3 gradë Celsius.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“S’ka kuptim të thuash e kam parë veriun e Shqipërisë nëse nuk i je afruar Korabit”/ Rama ndan videon


TIRANË, 30 maj/ATSH/ “Thonë se s’ka kuptim të thuash e kam parë veriun e Shqipërisë nëse nuk i je të paktën afruar Korabit”.

Kështu u shpreh sot kryeministri Edi Rama, ndërsa ndau një video të realizuar nga tre të rinj që promovojnë malin e Korabit.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania- Të njoh me Shqipërinë”, Rama ndau pamjet mbresëlënëse nga pika më e lartë në Shqipëri.

“Korabi është pika më e lartë në Shqipëri, të duket sikur ndodhesh në një planet tjetër, por në fakt ndodhesh në një realitete të ri e të panjohur. Çfarë është: qetësia që të fal paqe, apo paqja që të fal qetësi?”, thuhet në videon e realizuar nga dy të rinjtë, Arbër Shehu, Zizi Shahini dhe Ramadan Hajdari.

“Malet janë më tepër se sfiduese. A ndihesh më gjallë kur e di se mund të vdesësh?
Sfidë, bukuri, qetësi, frymëmarrje. Dashuroj ta sfidoj veten, e adhuroj t’i jap vetes një tjetër shans në qetësi. Bukuria e këtyre maleve… A e sheh dhe ti të bukurën këtu si edhe unë. Të shkosh në male është si të kthehesh në shtëpi. Mirëserdhe në Shqipëri! Ndiq rrugën tënde”, thuhet në videon promovuese. /m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Masat antikovid dhe sezoni veror/ Klosi: Prioriteti ynë, siguria e jetës

TIRANË, 27 maj/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh sot se masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve janë të pranueshme, pasi COVID-19 është akoma i pranishëm.

Në një lidhje direkte me një studio televizive, Klosi tha se “siguria e jetës është parësore për vendin dhe më pas vijnë të tjerat”.

Sipas tij, “do të shikohet vijimi i situatës së kovidit për këto muaj”.

“Sa i përket sezonit turistik masat janë goxha të pranueshme. Ajo që kemi kërkuar është realizuar. Ajo që kemi kërkuar është të jetë një sezon i sigurtë. Siguria e jetës është kryefjala e këtij sezoni, të kemi shumë më tepër kontroll, më shumë vëmendje, të gjithë ata që operojnë në hotele, restorante. Do të jetë politika e BE-së që do të jetë shumë më tepër përcaktuese sa i përket numrit të turistëve që do të vijnë në Shqipëri. Do të jenë të pamundura netët aktive, ndërsa dita 100% në normalitet. Ne po i kthehemi normalitetit këtë verë, jemi akoma në muajin maj, kemi qershorin përpara, do ta shohim, të mos bëhemi negativistë. Nëse prisni që me urdhra qeverie të ikë kovidi kjo nuk mund të ndodhë. Vijohet akoma të jetë prioriteti ynë siguria e jetës”, tha Klosi./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet”/ Rama ndan pamjet nga Guri i Kamjes në Pogradec



TIRANË, 27 maj/ATSH/ Guri i Kamjes është një monument i natyrës pranë fshatit Dardhë të Pogradecit, ku era ka gdhendur në shekuj mikroforma të çuditshme, plot vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe ka krijuar një skulpturë magjepsëse që ia vlen të vizitohet.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama ndërsa ndau një material spektakolar të përgatitur nga djemtë e talentuar të “Albania by Drone”.

Guri i Kamjes, një monument i natyrës, ndodhet pranë fshatit Dardhë të rrethit të Pogradecit, në afërsi të Qafës së Lipovës, 1461 m mbi nivelin e detit.
Përfaqëson një formë interesante relievi në trajtën e “një anije që lundron në një det të hapur”.
Është i gjatë rreth 100 m, i gjerë rreth 80 m dhe i lartë rreth 70 m. Forma e tij lidhet me rezistencën më të madhe të konglomerateve që e përbëjnë, në krahasim me argjilat që ndërtojnë territorin përreth tij.
Mbi këtë formë relievi veprojnë proceset e erozionit dhe era, që kanë gdhendur në mikroforma të çuditshme. Ka vlera shkencore gjeomorfologjike e gjeologjike, por edhe kulturore, turistike dhe didaktike me rëndësi lokale.
Mund të vizitohet sipas itinerarit: Pogradec-Leshnicë-Trebinjë dhe vlen si një destinacion për turizmin e natyrës. /m.m/j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Kanioni i Holtës në Gramsh, një nga destinacionet më të preferuara të turistëve

TIRANË, 27 maj /ATSH – I. Vata/- Kryetari i grupit Parlamentarë të PS-së Taulant Balla ka publikuar pamje nga Kanioni i Holtës në Gramsh.

Ai shprehet se Kanioni i Holtës në Gramsh një destinacion për fundjavë.

“Mirëmëngjes, Kanioni i Holtës në Gramsh, me shpatet e luginës që arrijnë deri në 100-150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 2-3 m. Kanioni ka shpate të thepisura të mbushura me shpella karstike, si dhe gropa me ujëra termale. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të fundjavës”, shprehet Balla.

Kanioni i Holtës në Gramsh, mbeten një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe kryesisht të huaj.

Holta është një zonë turistike që vizitohen në të gjitha stinët e vitit, por kryesisht në pranverë, verë dhe vjeshtë. Ngjyrat e shumta e bëjnë këtë bukuri natyrore një destinacion të paharrueshëm ofron pamje magjepse me lartësi malesh, thellësi kanionesh, bimësi dhe lule të shumëllojshme por mbi të gjitha ujërat e freskëta që burojnë nga malet.

Në shpatet e thepisura në rrjedhën e këtij lumi, gjenden shumë shpella karstike, që janë të vizitueshme nga natyralistët dhe aventurierët e ngjitjeve sportive. Veç lumit me kanionet befasuese të tij, në shpatet malore të kësaj zone, gjenden pyje me drurë të rrallë panje, bredhi, pisha si dhe mjaft specie të rralla kafshësh dhe shpendësh.

Kanionet e lumit të Holtës vizitohen duke u nisur nga Gramshi-Bardhan-Kabash, një rrugë disi e vështirë për makinat e ulëta dhe ka një gjatësi rreth 18 km.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Sezoni turistik/ Pastrohen plazhet e bregdetit të Fierit, kushte më të mira për pushuesit

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Bashkia e Fierit ka nisur pastrimin dhe sistemimin e plazheve përgjatë vijës bregdetare të Semanit, Darëzezës dhe Pishë Poros.

Kryetari i bashkisë Fier, Armando Subashi ndau sot pamje nga aksioni i pastrimit në bregdet, ndërsa theksoi se do të garantohen kushte më të mira për pushuesit këtë sezon veror.

Darzeza, Semani, Ndërnënasi dhe Pish Poro në vijën bregdetare të Fierit janë plazhe ranore me shtrirje të konsiderueshme që të ofrojnë qetësi dhe argëtim në të njëjtën kohë.

18 km në perëndim të qytetit të Fierit, shtrihet plazhi i Semanit, me gjatësi 7 km. Pjesë vijës bregdetare të Fierit janë po ashtu edhe plazhi i Darzezës 13,7 km, plazhi Ndërnënas 8 km, dhe plazhi Pish Poro 9,5 km.

Hapësira pa fund bregdetare me rërë të imët kurative, plazhe familjare me ujëra të ngrohta dhe të cekëta të pasura me gjallesa ujore janë ato që të ofron kjo pjesë e Adriatikut.

Ndërkohë gatimet tradicionale me prodhime vendase dhe çmime të përballueshme mbeten joshja e pushuesve në bregdetin e Fierit.

Vija bregdetare e Fierit nuk ofron vetëm plazhe, por edhe vende fantastike për aventurë,  eksplorim, peshkim apo sporte ekstreme.

/m.m//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link