Posted on

Shqipëria hap kufijtë për turistët/ Asnjë kufizim në hyrje, qoftë test Covid-19 apo dokument i veçantë

TIRANË, 5 qershor/ATSH/ Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi sot të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj se për të vizituar Shqipërinë, nuk ka asnjë kufizim në hyrje.

Sipas MEPJ-së, për të hyrë në kufirin shqiptar nuk kërkohet as testi Covid-19 dhe asnjë dokument tjetër i veçantë.

Shqipëria i ka hapur kufijtë në datën 1 qershor 2020 dhe nuk ka asnjë kufizim në hyrje, qoftë test Covid-19 apo dokument i veçantë.

Për të gjithë individët që hyjnë në Shqipëri në rrugë tokësore nuk aplikohet detyrimi i karantinimit 14-ditor përveç rasteve të veçanta me urdhër të autoriteteve shëndetësore.

Po ashtu, në pikat kufitare nuk kërkohen dokumenta specifikë, për të hyrë në territorin shqiptar.

Në rast hyrjeje në Shqipëri nga kufijtë tokësorë, MEPJ u bënë thirrje qytetarëve të informohen mbi rregulloret e shteteve të tjera ku do kalohet gjatë udhëtimit, pasi ndryshojnë nga shteti në shtet.

Shtetasit që udhëtojnë në rrugë tokësore për në Shqipëri duhet të marrin informacion paraprak në Ambasadat e shteteve përmes të cilave do të kryejnë tranzit, për të qenë të qartë mbi rregullat e vendosura nga këto shtete në kuadër të pandemisë.

Ndërkohë, individët që udhëtojnë në rrugë detare duhet të komunikojnë me përfaqësitë shqiptare në vendet nga do të nisen me mjete lundruese ose të kontaktojnë me Ambasadat përkatëse.

MEPJ njofton se për udhëtarët që udhëtojnë nga vendet e treta me avion dhe përdorin si tranzit një nga aeroportet ndërkombëtare, të mbahet parasysh se nuk do të lejohen të dalin nga zona e tranzitit të aeroportit dhe se nuk do të lejohen të vijojnë udhëtimin e tyre nëse destinacioni pasues është një vend tjetër i hapësirës Schengen, pasi kjo lëvizje nuk konsiderohet tranzit, por hyrje në hapësirën Schengen, prandaj autoritetet aeroportuale do t’i kthejnë në vendet nga kanë mbërritur.

Të gjithë udhëtarët të cilët lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, përveç respektimit të protokollëve të standardeve ndërkombëtare që kompanitë ajrore aplikojnë kudo në botë, duhet të zbatojnë këto rregulla: “Nëse pasagjeri shfaq simptoma të COVID-19 të specifikuara më parë, ai/ajo nuk do të lejohet të vazhdojë udhëtimin dhe të hyjë në Shqipëri; Aeroporti ka vendosur pika të automatizuara ku udhëtarët mund të pajisen me maskë (e detyrueshme për ambientet e brendshme) si dhe dezinfektantë. Në momentin e check-in do të nënshkruhet një deklaratë mbi statusin e tyre në lidhje me COVID-19 përpara se të pajisen me boarding pass”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.

Po ashtu, pasagjerët gjatë qëndrimit në aeroport duhet të respektojnë distancën sociale 1.5 metra gjatë gjithë kohës së qëndrimit në aeroport.

“Prioritet kanë personat e moshuar, personat në nevojë dhe familjet me fëmijë të mitur.
Inkurajohet kryerja e check-in online për të shmangur radhët dhe kontaktet fizike. Kërkohet që në rast se pasagjerët shfaqin simptoma, atëherë të mos ndërmarrin
udhëtime por të zbatojnë rregullat e vendosura nga shtetet përkatëse”, thuhet në njoftimin e MEPJ-së.

Ministria e Jashtme informon se duke filluar nga 1 qershori 2021 kufizim i lëvizjes në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, do të jetë nga ora 23:00 deri në orën 06:00.

“Lejohet lëvizja vetëm për arsye shëndetësore ose emergjencë. Përdorni aplikacionin E-Albania për leje specifike. Hiqet detyrimi për mbajtjen e barrierës mbrojtëse në ambientet e jashtme. Do vijojë të mbetet detyrimi i mbajtjes së maskës në ambientet e mbyllura si dhe në mjetet e transportit publik. Rekomandohet mbajtja e maskës kudo ku nuk mund të ruhet distancimi social, si edhe për ata që ende nuk kanë bërë dy dozat e vaksinës dhe që konsiderohen persona në risk. Klubet e natës, diskot, vijojnë të mbeten të mbyllura. Muzika lejohet deri në orën 22:00. Baret, restorantet janë të mbyllura nga ora 23:00 deri në orën 06:00, me përjashtim të shërbimit “delivery””, thuhet në njoftim.

Po ashtu, MEPJ njofton qytetarët se duke filluar nga 15 qershori 2021, grumbullimet në ambientet e jashtme nga 10 persona bëhen 50 persona, duke respektuar rregullat e distancës sociale në zbatim të protokolleve të Institutit të Shëndetit Publik.

Duke filluar nga 1 korriku 2021 ora policore shtyhet në orën 24.00 – 06:00. Orari për muzikën nuk ndryshon, do mbetet ora 22:00. Lejohen kampionatet sportive me prezencë të tifozëve me kapacitete të reduktuara deri në 30% sipas protokollit të ISHP. Lejohen aktivitetet e teatrove, shfaqjeve artistike, kulturore, konferencave, me kapacitet të reduktuar deri ne 30% të spektatoreve/ pjesëmarrësve, sipas protokolleve të ISHP. /m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Liqeni i Dushkut, tjetër destinacion i turizmit natyror për t’u zbuluar në Gramsh

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Liqeni i Dushkut në Gramsh, ose siç njihet ndryshe liqeni i Zambakëve, i cili ndodhet në lartësinë 1105 metra mbi nivelin e detit është një tjetër destinacion për t’u zbuluar nga turistët.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ndau sot foto nga ky liqen, i cili fton turistët e natyrës në çdo stinë.

“Me këto pamje nga liqeni i Dushkut të Bulçarit, në Gramsh ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Balla, ndërsa ndau pamjet nga ky liqen.

Ky liqen është nga më interesantët në zonën e Gramshit. Liqeni i Dushkut përfaqëson një liqen akullnajor me gjatësi rreth 800 metra dhe gjerësi 400 metra. Ka botë të gjallë të pasur, në të cilën dallohen sidomos zambakët e mëdhenj të ujit që njihen ndryshe si simboli i jetës, pasionit, dashurisë dhe pastërtisë.

Gjenden edhe lloje të ndryshme peshqish të cilët japin një shfaqje të mrekullueshme teksa shfaqen dhe zhduken përsëri pas zambakëve gjatë stinëve të ndryshme.

Këtij liqeni i japin pamje akoma dhe më të bukur pishat, të cilat gjenden në një sipërfaqe rreth 12 hektarë, duke formuar një ekosistem tepër interesant liqenor e pyjor. Ka vlera shkencore gjeologjike, gjeomorfologjike, hidrologjike e biologjike, didaktike, kulturore, ekologjike dhe turistike.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Klosi-Theoharis: Bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Greqisë në fushën e turizmit

TIRANË, 4 qershor /ATSH – I. Vata/ Me ftesë të ministrit grek të Turizmit, Harry Theoharis, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ndodhet për vizitë zyrtare në Athinë.

Në takimin bilateral mes dy ministrave, u fol për rritjen dhe shkëmbimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit, si një nga çështjet që i bashkon fort dy vendet tona kufitare e aq më shumë në kohën kur ky sektor ka pësuar dëme të mëdha nga pandemia.

Ministri Klosi dhe homologu i tij grek ndanë pikëpamjet respektive për sektorin e turizmit, rrugët për rritjen e tij, sikundër edhe për rritjen e bashkëpunimit të dy vendeve në shkëmbimin e eksperiencave. Veçanërisht kjo do ta ndihmonte sektorin turistik shqiptar në rritjen e turizmit detar dhe menaxhimin e vijës bregdetare.

Ministri Blendi Klosi u ndal tek lëvizja e lirë e qytetarëve në kufi, në kushtet e rënies së infektimeve dhe rritjes së vaksinimit.

“Kjo do ti shërbejë turizmit në të dyja anët e kufirit”, u shpreh ministri Klosi. “Besimplotë se ministri Theoharis, do të jetë avokati i situatës së mirë pandemike, e reduktimit të infektimeve, vaksinimit masiv për t’ia përcjellë instastancave vendimmarrëse të masave”, u shpreh Klosi.

Nga ana e tij, homologu grek shprehu vullnetin për të bërë më të mirën në këtë drejtim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Shëngjini përgatitet për sezonin turistik, masa për lehtësimin e qarkullimit

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Përgatitja për sezonin turistik dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për turistët ka qenë në fokus të punës së bashkisë së Lezhës.

Përveç pastrimit të vijës bregdetare, puna e bashkisë është fokusuar edhe te përmirësimi i sinjalistikës rrugore për të lehtësuar qarkullimin e qytetarëve, veçanërisht gjatë periudhës së verës kur shtohet edhe fluksi i turistëve.

Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu ndau sot disa foto nga vendosja e sinjalistikës horizontale në rrugët e Shëngjinit.

“Në Shëngjin punohet për një sezon akoma më cilësor”, tha Ndreu ndërsa ndau pamjet.

Bashkia e Lezhës po tregon kujdes dhe vëmendje për gjithë bregdetin e Lezhës dhe zonat e tjera turistike për të krijuar gjithë kushtet e nevojshme që pushuesit të kalojnë një sezon turistik të qetë e sa më komod.

Pastrimi i mjediseve publike në bregdet, qytete dhe njësitë administrative, po vijon dita-ditës.

Ndërthurja e turizmit bregdetar me atë historik e natyror dhe kulinaria e pasur e bëjnë Lezhën një destinacion për turizëm gjithëvjetor.

I ndodhur në kryqëzim të rrugëve tregtare, historike e kulturore, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike kombëtare, Lezha ka krijuar një përvojë të konsoliduar në fushën e turizmit.

Vetëm 53 km larg kryeqytetit, qyteti i Lezhës ofron vlera të mëdha turistike, me objekte historike muzeale, arkeologjike si dhe objekte kulti si Kisha Françeskane e ndërtuar në vitin 1240.

/m.m/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Theth, nisin përgatitjet për sezonin turistik/ Prefektja Angoni: Qendra e Vizitorëve e hapur nga 15 qershori

TIRANË, 4 qershor/ATSH/ Thethi, i ndodhur në zemër të Alpeve 70 km larg nga Shkodra, ka nisur përgatitjet për fillimin e sezonit turistik veror.
Në vijim të masave përgatitore për çeljen e sezonit turistik prefektja e qarkut Shkodër Majlinda Angoni, bashkë me drejtuesen e njësisë vendore të kujdesit shëndetësor Xheni Halili, panë nga afër kushtet në ambulancën e Thethit, e cila që pritet t’i nënshtrohet rikonstruksionit të pjesshëm.
Prefektja Angoni tha se “ambulanca është e pajisur me të gjithë medikamentet dhe pajisjet mjekësore, për të ofruar një shërbim mjekësor sa më cilësor këtë sezon”.
Po ashtu prefektja Angoni zhvilloi një takim me disa subjekte turistike në Theth, ku u informua mbi parapërgatitjet për sezonin veror, në respektim të protokolleve antikovid, ndërkohë që vijon procesi i vaksinimit për operatorët turistikë.
Qendra e Vizitorëve Theth do të jetë e hapur për turistët duke nisur nga data 15 qershor, në gatishmëri të plotë për një verë të jashtëzakonshme në Alpe.
“Çdo ditë në punë për një sezon turistik të sigurtë”, – shtoi Angoni.

 

Lugina e lartë e Thethit, një nga zonat më të veçanta të këtyre alpeve, ndodhet 750 deri 950 m mbi nivelin e detit, me një sipërfaqe prej 2630 hektarësh. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Shqipëri-Turqi, forcim i bashkëpunimit në fushën e trashëgimisë kulturore dhe turizmit

TIRANË, 3 qershor/ATSH/ Shqipëria dhe Turqia do të forcojnë më tej bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë kulturore dhe turizmit. Kjo u theksua në takimin e zhvilluar nga ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti,  me ministrin e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Mehmet Ersoy në Ankara gjatë vizitës dy ditore që Kryeministri Rama dhe disa ministra po zhvillojnë në Turqi.

Në një prononcim për ATSH, ministri Klosi tha se “në një vizitë zyrtare nën drejtimin e kryeministrit në Ankara patëm takim me të gjithë homologët tanë dhe pata një takim shumë të frytshëm me ministrin turk të kulturës dhe turizmit i cili është një njohës i mirë i të dyja fushave”.

“Në takim diskutuam për zbatimin e marrëveshjes që ne kemi nënshkruar së bashku ndërmjet dy institucioneve tona në Gjirokastër në prillin e këtij viti,.marrëveshje të cilat do të vazhdojnë të diskutohet dhe të ndiqen hap pas hapi. Kërkon që të zbatohet një program i përbashkët përsa i përket shkëmbimeve të eksperiencave shqiptare dhe turke në fushën e turizmit, përgatitjen e Agjencisë Kombëtare të Turizmit të Shqipërisë për të qenë një partner në konkurrencën e rajonit por edhe në shkëmbimin e eksperiencave dhe të  praktikave me një institucion shumë të rëndësishëm të turizmit në Turqi, siç është Agjencia turke e promovimit të Turizmit”, tha Klosi.

Pikë tjetër e marrëveshjes sonë, vijoi ai, është shkëmbimi i praktikave dhe eksperiencave në kuadër të kualifikimit të stafeve që punojnë në botën e turizmit dhe marrjen e një eksperience të jashtëzakonshme që shteti turk ka krijuar në dekadat e fundit për shërbimet në fushën e turizmit dhe krijimin e kushteve të përbashkëta në trajtimit .

“Z Ersoy si një njohës shumë i mirë i biznesit të turizmit në rajon, kërkoi që të zhvillohet një takim i përbashkët i operatorëve turistikë shqiptarë dhe turk në Stamboll brenda verës së këtij viti për të parë eksperiencat e të dy vendeve tona për të vendosur kontakte në botën e agjencive turistike dhe në shkëmbimin e eksperiencave për të pasur paketa të përbashkëta turistike për më shumë vizitorë nga Shqipëria në Turqi, por po ashtu për të njohur shumë më tepër biznesi turk Shqipërinë si një destinacion turistik pasi realisht është rritur kërkesa e operatorëve turistikë që të vijnë më shumë në Shqipëri.  Gjithashtu me z, Ersoy premtoi takime me më shumë biznesmenë të investimeve të hotelerisë me shumë emër në Turqi, për të parë Shqipërinë si një opsion real për të investuar në hoteleri dhe në industrinë e re që po krijojmë në Shqipëri, që është industria e turizmit blu kaq atraktive në rajon”, deklaroi ministri Klosi

Ai shprehu besimin se “brenda korrikut një grup ekspertësh nga Ministria e Turizmit të Turqisë do të vijë në Shqipëri për të parë mundësitë reale të investimeve të investitorëve turk që pastaj  në një takim të përbashkët të investitorëve në të dyja shtete tona të kenë mundësinë që të vizitojnë Shqipërinë dhe të shohin mundësitë reale të investimit duke përfituar edhe nga paketat shumë e mirë e nxitjes së investimeve në hotelet me 4-5 yje që qeveria shqiptare ka miratuar”.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti tha për ATSH se “pas vizitës që ministri Ersoy pati pak kohë më parë në Shqipëri ku pati mundësinë të vizitonte disa nga qendrat me potencial zhvillimi turistik e kulturor, si Gjirokastra, u takuam për të konkretizuar hapat e bashkëpunimit të mëtejshëm”.

Pas takimit Ersoy-Margariti u nënshkrua “Protokolli i Bashkëpunimit për Mbrojtjen e Trashëgimisë së Përbashkët Historike dhe Kulturore”, i përgatitur për të mbrojtur trashëgiminë e përbashkët në Shqipëri dhe për të forcuar lidhjet historike dhe kulturore mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“E filluam të gjithë takimin me përditësimet më të fundit pas nënshkrimit të marrëveshjes tonë në janar, por këtu në Ankara për projektin dhe restaurimin e Xhamisë të Plumbit në Shkodër. Tashmë pala turke ka mbaruar të gjitha procedurat e saj si teknike dhe ashtu edhe të pjesës së përzgjedhjes së nënkontraktorit dhe në fund të qershorit do të kemi grupin e teknikëve që do të vijnë në Shqipëri për të filluar implementimin dhe të gjithë procesin për ngritjen e kantierit”, tha ministrja për ATSH.

“I kemi kërkuar që të zgjerojmë fushën e bashkëpunimit për këtë marrëveshje duke e zgjeruar më tepër për një ndërhyrje edhe në parkun për rrethe xhamisë që mos të kemi vetëm një ndërhyrje në objekt, dhe zgjidhjen përfundimtare të përmbytjes  së  zonës që është një problematikë që lidhet edhe me më shumë zona për rreth”.

“Ndërkohë marrëveshja që nënshkruam sot është një marrëveshje që vjen pas protokollit që firmosëm së bashku në Gjirokastër. Kjo është një marrëveshje për një projekt konkret. Do të ngrejmë një grup të përbashkët pune me ekspertë që do të hartojnë përcaktimin e një zone dhe të ndërhyrjeve të nevojshme në zona historike”, tha Margariti për ATSH .

Ajo shtoi se “do të fillohet me Beratin dhe Gjirokastrën dhe të bëjmë të njëjtën ndërhyrje sic është bërë në Dhërmi Vuno, në qendrat historike si në Vlorë, në Korçë”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Demo me ambasadorin Shkurov: Fluks të shtuar në Berat të turistëve ukrainas

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, priti sot në takim ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, me të cilin ndau ide për bashkëpunime në fushën e turizmit, arsimit dhe shkëmbimeve kulturore.
Gjatë takimit Demo dhe Shkurov biseduan edhe për turistët ukrainas, të cilët po frekuentojnë gjithnjë e më shumë qytetin e Beratit.
“Ka një fluks të shtuar në Berat të turistëve ukrainas, i cili pritet të rritet me shtimin e fluturimeve charter nga Ukraina në Shqipëri në 5 ditë të javës duke filluar nga mesi i qershorit”, – tha Demo.
Në muajin maj të këtij viti në qytetin e Beratit mbërritën edhe vizitorët e parë nga Ukraina.

Pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Berati vazhdon të jetë destinacioni i preferuar i shumë vizitorëve nga vendi dhe bota.

Një interes të madh turistët tregojnë për kalanë, Muzeun Ikonografik Onufri, Muzeun Etnografik, si dhe lagjet e vjetra e të qytetit: Mangalem e Goricë, si dhe Urën e Goricës.
Në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet-muze. Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë.

Midis këtyre vlerave, nga më të spikaturat janë: Kështjella ose kalaja siç quhet nga beratasit, është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 m, me 24 kulla e me dy porta./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Dezinsektimi në zonat turistike deri në tetor, Manastirliu në Shëngjin: Do të kemi një sezon më të sigurt


TIRANË, 1 qershor/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e dezinsektimit në Shëngjin, ku deklaroi se falë këtij programi kombëtar, do të kemi një sezon turistik të sigurt.

“Kemi filluar tashmë prej disa javësh me monitorimin e zonave, por edhe ka filluar procesi i dezinsektimit nga Shkodra, në Lezhë, Tiranë, Durrës dhe duke zbritur në Kavajë, në Vlorë edhe deri në Sarandë, për të parandaluar dhe për të kontrolluar sëmundjet infektive që vijnë nga mushkonjat. Por mbi të gjitha edhe për të siguruar shëndetin publik dhe sigurisht edhe për zonat turistike, që i japin patjetër një siguri më shumë edhe të gjithë sezonit turistik”, deklaroi Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë nënvizoi se dezinsektimi do të vijojë gjatë gjithë verës.

“Janë vlerësuar habitatet dhe përcaktimi i lëndëve biocide që përdoren dhe vijon dezinsektimi i këtyre zonave, ashtu sikurse ka filluar, edhe përgjatë gjithë verës, deri në muajin tetor, që është planifikuar të kryhet ky proces”, tha Manastirliu.

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico tha se në këtë proces po përdoren lëndë që nuk cenojnë habitatin natyror dhe është përfshirë një sipërfaqe e konsiderueshne.

“Është dhe një volum shumë i madh pune, kryhet në rreth 4 mijë hektarë gjatë kësaj periudhe dhe së dyti, nuk duhet të harrojmë që duhet kombinuar me rregulla higjieno-sanitare përgjatë vijave bregdetare nga bizneset dhe nga qytetarët. Duhet thënë që lëndët që ne përdorim nuk e cënojnë ambientin, pra e ruajnë ambientin, habitatin. Sepse është shumë e rëndësishme që jo vetëm të luftojmë mushkonjat, por të mos dëmtojmë speciet e tjera, të cilat janë pjesë e këtij habitati”, theksoi Fico.

Programi i dezinsektimit (për parandalimin e sëmundjeve të transmetueshme nga mushkonjat) po vijon në të gjitha zonat e përcaktuara nga ekspertët e shëndetit publik. Deri tani janë kryer trajtime sipas gjetjeve të monitorimit paraprak nga entomologët e ISHP, sipas kërkesave të NJVKSH-ve. Zonat e njohura për këto trajtime, nga Velipoja në Parkun Kombëtar të Butrintit, përfshirë dhe zona urbane si Tirana, Divjaka etj., përbëjnë një sipërfaqe rreth 4000 ha.

Deri tani janë kryer trajtimet e para në zonën e Kavajës, plazhi Golem–Qerret, plazhin e Spillesë, në Durrës, Shën Pjetër, Gjirin e Lalëzit, në Divjakë qytet dhe plazhin e Divjakës, në zonën e Vlorës, plazhin e Nartës, Zvërnecit, Radhimë, Lagunën e Orikumit, Himarë, Qeparo, Borsh, Çukë, Parkun Kombëtar të Butrintit, është trajtuar Tirana zonë urbane dhe aktualisht po vijon trajtimi në qarkun e Lezhës dhe më pas në Shkodër./k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Syri i Kaltër/ Rehabilitim rrugës së destinacionit turistik tepër të kërkuar


TIRANË, 31 maj/ATSH/ Rruga e Syrit të Kaltër, rreth 30 minuta larg nga Saranda, nuk do të jetë më problematike për turistët vendas e të huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi bën të ditur se “kemi ndërhyrë për të zgjidhur infrastrukturën e një prej destinacioneve më të kërkuara në vend”.

“Rehabilitimi i kësaj rruge, përveç korsisë së makinave, përfshin korsi biçikletash dhe këmbësorësh, si dhe shtigje turistike. Po studiohet ndërtimi i parkimit jashtë saj dhe lëvizja në rrugë do të bëhet me tren elektrik”, – tha Klosi.

Ministri Klosi shprehet se “Syrit të Kaltër një nga perlat e rivierës shqiptare nuk i mungojnë vizitorët në asnjë stinë të vitit. Me shtrimin e rrugës, fluksi i tyre pritet të rritet. Shijonin peizazhin e gjelbër e të kaltër, si dhe ujërat e ftohtë të tij turistë nga Rusia, Brazili, Bosnja dhe vende të tjera”.

Syri i Kaltër i konsideruar si një parajsë natyrore në zemër të Shqipërisë, si dhe perlë të turizmit veror gjendet pranë fshatit Muzinë, pranë Rrugës nacionale Delvinë-Gjirokastër, rreth 30 minuta larg nga Saranda. Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellëta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare.

Syri i Kaltër tërheq shumë vizitorë nga mbarë bota./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Të njoh me Shqipërinë”/ Rama publikon livadhet me Zambakët e Poetit mbi fshatin Xibër-Hane


TIRANË, 31 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamje nga livadhet me zambakët e Poetit mbi fshatin Xibër – Hane, Klos.

Përmes rubrikës “Beautiful Albania – Të njoh me Shqipërinë”, Rama ndau pamjet mbresëlënëse nga livadhet e Klosit.

“Të njoh me Shqipërinë, livadhet me Zambakët e Poetit mbi fshatin Xibër- Hane, Klos”, shprehet Rama krahas videos.

Zambakët e Poetit në vendin tonë rriten në vargmalet e Matit dhe në fshatin Novosej të Kukësit, dhe pamja që ka lëndina është thjesht magjike.

Përveçse bukurisë që ofrojnë, aroma e lules është po aq e magjishme sa dhe vetë legjenda e saj prej nga ka marrë edhe emrin. Zambaku i Poetit është një lule mjaft e veçantë. Me gjethe gjatore në fund e me një kërcell të gjatë që përfundon kokulur.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link