Posted on

“2021, vit i turizmit”/ Klosi: Javën tjetër do të kemi çarterat e parë me turistë nga Riadi

TIRANË, 8 qershor /ATSH/  Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e cilësoi vitin 2021, si vitin e turizmit që do të shërbejë si një arritje shumë e mirë për ekonominë shqiptare.

Gjatë një interviste televizive, Klosi tha se, prej një jave Shqipëria ka hapur kufijtë dhe nuk kërkon as test për Covid-19 dhe asnjë dokument tjetër shoqërues çka ka gjallëruar fluksin e turistëve në vendin tonë, jo vetëm nga Kosova por edhe nga shtete të tjera.

Politika e ”dyerve të hapura” është një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë turizmit, një prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë dhe një prej sektorëve të goditur më rëndë për dy vite me radhë nga tërmeti i 2019 dhe pandemia e vitit 2021.

“Kemi një projekt që është në fazën e negociimit për një investim të rëndësishëm saudit në hoteleri. Javën tjetër do të kemi çarterat e parë me turistë nga Riadi, ndërsa vijojnë ato nga Dubai dhe risi së shpejti do të jenë çarterat me turistë nga Egjipti”- tha Klosi.

Ai bëri të ditur se hoteleria shqiptare do të jetë e prenotuar ashtu siç kemi nevojë dhe kjo vjen si rezultat i rritjes së imazhit të Shqipërisë dhe përgatitjeve që janë ndërmarrë për rritjen e standardeve në sektorin e hoteleri-turizmit.

Gjithashtu theksoi Klosi, “në kuadër të takimit me ministri turk të turizmit, ku nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë në shumë sektor të turizmit, mundësi reale është fakti që kompanitë turke të njohura do të realizojnë projektet e tyre në Shqipëri në marinë dhe në industrinë e detit, që është një nyje e rëndësishme zhvillimi dhe biznes fitimprurës”.

Lidhur me masat për mjedisin Klosi tha se “kemi probleme me mjedisin dhe do të ndërmarrim një aksion në shkallë të gjerë për sensibilizimin e pushtetit vendor, institucioneve, subjekteve dhe të gjithë qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit”.

Ai vuri në dukje se është reduktuar ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike dhe kjo nismë do të legjitimohet.

“Pushimet që zgjedhim të bëjmë për ne janë zgjedhje personale apo vendime familjare, por vendimi ynë për pushime për dikë tjetër është biznes, është industri. Një në pesë veta punon në sektorin e turizmit. Është ky sektor që jep më shumë se 20% të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”, theksoi Klosi. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Media arabe/Shqipëria e para në 11 destinacionet turistike për këtë verë pa karantinë dhe test COVID-19

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ – Në përditësimin më të fundit të Britanisë së Madhe për rregullat e saj ndërkombëtare të udhëtimit, që hyri në fuqi sot, udhëtarët nuk mund të fluturojnë drejtpërdrejt nga Emiratet e Bashkuara Arabe në BM pa kaluar 10 ditë karantinë të detyrueshme në hotel dhe, me një kosto prej 1 750 euro (2,480 dollarë) për vetëm një të rritur, ky është një investim i shtrenjtë për të qëndruar kryesisht në hotel këtë verë.

Megjithatë ekzistojnë të tjera mundësi për banorët e EBA-s, që dëshirojnë të udhëtojnë e të pushojnë pa humbur kohë me karantinë të detyrueshme dhe test PCR dhe e para nga 11 vendet e tilla renditet Shqipëria, sipas faqes arabe “The National News.

Pse ta vizitoni?

Me vijat e mrekullueshme bregdetare të detit Adriatik dhe Jon, Shqipëria është një thesar në Gadishullin Ballkanik të Europës Juglindore. Atje mund të eksploroni vende arkeologjike dhe kështjella antike, të shëtisni në Alpet Shqiptare dhe të kaloni kohë në kryeqytetin e vendit, Tiranë. Në këtë të fundit, mund të shikoni në Sheshin Skënderbej, të udhëtoni me teleferikun më të gjatë në rajon dhe të shëtisni për të parë natyrën në Parkun Kombëtar të Malit Dajti, pikërisht në periferi të qytetit.

Mbërritja atje

“Flydubai” kryen fluturime pa ndalesa për në Tiranë dhe udhëtimi zgjat më pak se gjashtë orë.

Çfarë duhet të bëni para se të udhëtoni?

Shqipëria po mirëpret qytetarë dhe banorë nga Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilët mund të marrin një vizë gjatë mbërritjes për një qëndrim maksimal prej 90 ditësh.

Nuk ka kërkesa për test PCR për të udhëtuar në Shqipëri, nëse linja ajrore me të cilën po fluturoni nuk e kërkon këtë.

Çfarë duhet të dini tjetër?

Në javën e tretë të këtij muaji, Shqipëria ka në plan të krijojë qendra shëndetësore verore në 29 zona në të gjithë vendin, ku udhëtarët do të jenë në gjendje të bëjnë testet COVID-19. Turistët janë të lirë të lëvizin nëpër vend, por u kujtohet t’u përmbahen rregullave të distancës sociale prej 1,5 metrash./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Art, kulturë, kulinari dhe 100 ditë vere me aktivitete të ndryshme/ Çelet sezoni turistik në Pogradec

TIRANË, 6 qershor /ATSH – I. Vata/ Bashkia Pogradec ka çelur sot sezonin turistik për vitin 2021, me aktivitete të ndryshme nga sportet ujore deri tek produktet bio që ofron kjo zonë për pushuesit vendas dhe turistët e huaj.

Këtë vit qyteti i bukur liqenor i Pogradecit, ka zgjedhur që të jetë më i prekshëm për vizitorët dhe turistët, jo vetëm me investimet në infrastrukturë dhe gjelbërim, por edhe plazhet publike, pastërtinë, sportet ujore apo shumë aktivitete që do të shoqërojnë sezonin turistik.

Ky sezon turistik gjithashtu sjell dhe një risi tjetër ku sipas kryetarit të bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli në 100 ditë vere çdo ditë nuk do mungojnë aktivitetet për vizitorët.

“Në këtë sezon turistik ne kemi hartuar një kalendar me aktivitete të ndryshme dhe në 100 ditë nga data 1 qershor e deri në fund do ketë aktivitete të ndryshme, pra në 100 ditë çdo ditë do ketë nga një aktivitet”, tha Xhakolli.

Ai theksoi se, “Pogradeci këtë sezon turistik do jetë i tejmbushur me pushues vendas dhe turist të huaj, kjo për shkak dhe të vendimit të qeverisë për të mos patur asnjë lloj pengese për ardhjen e tyre. Ne jem gati për këtë sezon turistik, pasi kemi punuar kaq kohë për të mbajtur pastër bregun e liqenit, gjithë qytetin dhe gjithë ambientet përreth”.

E pranishme në aktivitetin e hapjes së sezonit turistik ishte dhe deputetja e PS-së Blerina Gjylameti e cila tha se “sot është çelja zyrtare e të gjithë sezonit turistik të Pogradecit, dhe jemi në një nga pikat që do te jetë jo vetëm plot me qytetarë por dhe plot aktivitete të veçanta që do të shoqërojnë të gjithë këtë sezon turistik”.

“Është e vërtetë që në Pogradec do të shikojmë një gjë ndryshe sivjet, do të jemi ndoshta nga qytetet me unike që bashkojmë bashkë jo vetëm pjesën e mikpritjes pogradecare, jo vetëm pjesë e kulinarisë, apo ato gatimet e veçanta që bëjnë zonjat pogradecare, por gjithashtu do të shikojmë Pogradecin ndryshe, Pogradecin e rikthyer, në atë çfarë ka qenë Pogradeci i artistëve, i artit i kulturës. Këtë e ka bërë të mundur kryetari i bashkisë Ilir Xhakolli, ekipi i bashkisë me të gjithë profesionistët, që edhe në Pogradec të kemi 100 ditë të plota me aktivitete. Ka ditë që ka nisur kjo maratonë aktivitetesh, por dhe nga puna që ka bërë qeveria shqiptare për të arritur vaksinimin në masë dhe për të ulur të gjitha ato kufizime të pandemisë, ne të jemi nga ata qytete të gjelbra që të kemi sa më pak kufizime dhe sa më shumë turizëm”, tha ajo

“Qyteti ynë ka qenë një desitnacion nga më të veçantët në Shqipëri, tashmë falë punës së bëri së bashku me institucionet po e rikthejmë atë çfarë ka patur veçantia e Pogradecit. Mikpritja e kombinuar me art me kulturë dhe kulinari dhe për këtë do të jemi nga qytetet më të vizituara”, u shpreh Gjylameti.

Tradita pogradecare ishte tema kryesore e çeljes së këtij sezoni turistik, ku në shëtitoren e qytetit për qytetarë të shumtë u prezantuan produktet bio dhe gatimet tradicionale të zonës, punime artizanale, ekspozita me piktura dhe punime dore.

Gjithashtu nuk munguan dhe aktivitete të tjera siç ishin sportet ujore ku të rinjtë shijuan bukuritë e liqenit me kanoe si dhe aktivitete sportive si basketboll në qytetin e tyre tashmë të rilindur për shkak të investimeve të kryera gjatë viteve të fundit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Klosi në Ministerialin e Turizmit Detar në Greqi

TIRANË, 6 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka marrë pjesë sot në Ministerialin e Turizmit Detar në Greqi.

“Mesdheu si një destinacion i përbashkët i vendeve të këtij rajoni, na bëri bashkë në Ministerialin e Turizmit Detar dhe sfidat post pandemike të kësaj industrie”, shprehet Klosi.

“Zhvillimi i aktiviteteve detare, është për ne një përpjekje që ka nisur e që duhet çuar përpara me shpejtësi, për t’ju bashkuar të gjitha vendeve Mesdhetare në këtë drejtim”, tha Klosi.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi me ftesë të ministrit grek të Turizmit, Harry Theoharis ka zhvilluar një vizitë zyrtare disa ditore në Athinë.

Në fokus të takimit të zhvilluar para dy ditësh të ministrit Klosi dhe ministrit grek të Turizmit, Harry Theoharis ishte shkëmbimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e turizmit, si një nga çështjet që i bashkon fort dy vendet tona kufitare e aq më shumë në kohën kur ky sektor ka pësuar dëme të mëdha nga pandemia.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Fundjava e parë e qershorit, fluks i lartë turistësh në Morinë/ Kuçanaj për ATSH-në: Mbi 29 mijë persona dy ditët e fundit

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës gjatë kësaj fundjave ka patur fluks të shqiptarëve të Kosovës dhe shtetas të huaj, të cilët zgjedhin Shqipërinë si destinacion të preferuar turistik.

Prefekti i qarkut të Kukësit, Zenel Kuçana, bëri të ditur sot për ATSH-në se ” sot kanë hyrë në pikën e kalimit kufitar gjithsej 1398 shtetas shqiptarë me 499 mjete dhe 7563 shtetas të huaj me 2089 mjete”.

“Ndërsa edhe ditën e djeshme ka patur fluks lëvizjesh në kufirin mes dy vendeve, ku kanë hyrë 2260 shtetas shqiptarë me 1002 mjete dhe 18506 shtetas të huaj me 5058 mjete”, – tha Kuçana.

Pushuesit nga Kosova vijojnë të zgjedhin bregdetin shqiptar për të kaluar fundjavën edhe në ditët e para të shtatorit. Pika kufitare e Morinës është një pikë shumë e rëndësishme duke qenë se përpunon numrin më të madh të vizitorëve gjatë vitit.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

‘Rally Albania 2021’ spektakël e bukuri shqiptare/ 300 të huaj në Vlorë, sinjal pozitiv për turizmin

-Pilotët: Shqipëria një vend fantastik-

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Këtë fundjavë (5-6 qershor) ka një arsye më shumë për të vizituar qytetin e Vlorës. Përveç plazhit dhe temperaturave perfekte, çdo qytetar do ketë mundësi për të shijuar spektaklin e makinave sportive, “Rally Albania 2021”.

Një garë e vërtetë sportive që në fund do të finalizohet edhe më një fitues, por që është edhe një tregues shumë pozitiv për turizmin në vend, pas pandemisë së COVID-19. Rally Albania 2021, për të 17-in vit radhazi ka zbritur në qytetin bregdetar, ku 200 pilotë, 300 të huaj nga e gjithë Europa nga 30 shtete, do të marrin pjesë në garën e madhe.

E veçanta është se këtë vit ka një pjesëmarrje të madhe edhe të vajzave, krahasuar me edicionet e kaluara.

Në një intervistë televizive organizatorja e kësaj gare, Julinda Dhamo, tha se “është një garë e rëndësishme se ka sportistë, por edhe amatorë që pëlqejnë këtë sport, makinë, fuoristrada, motor fuoristrada dhe një makinë e modifikuar SSV. Ka shumë të huaj, flitet në të gjitha gjuhët, merremi vesh me anë të shenjave, e rëndësishme është e nisëm në këtë qytet për herë të parë pas 16 vitesh dhe donim një vend kaq të madh, me kaq shumë vendparkimi. Ka djem dhe vajza jo vetëm me makinë, por edhe motor. Kërkon një përgatitje fizike. Garë, por edhe një promovuese shumë e mirë e turizmin. Fakti që kjo garë rritet çdo vit e më shumë, tregon që ka një qasje shumë të mirë te të gjithë garuesit. Garuesit vijnë dhe me pushime këtu me familjen. Është gara më e madhe në Ballkan”, tha Dhamo.

Ajo theksoi se kjo garë shërben dhe për imazhin e Shqipërisë në sytë e të huajve, e ndërsa tha se ka tërhequr jo pak vëmendjen e pushuesve në Vlorë.

“Kjo është gara me pjesëmarrjen më të madhe deti tani, janë 17 vite garë, shumë të rinj që vijnë kanë përshtypje ndryshe nga ato që kemi dëgjuar, mjafton që të kemi kapacitete hotelesh që të kenë mundësinë të flenë. Vijnë qytetarët dhe shohin mjetet dhe ka një interes shumë të madh, kemi ndihmën e të gjithë institucioneve”, shtoi ajo.

Njëzëri, pilotët thonë se Shqipëria është një vend fantastik. “Jemi italianë, kemi “Pandën” makinën italiane. Është hera e parë që marrim pjesë në këtë garë dhe do të zbavitemi shumë. Do të jenë ditë të bukura. Ky është simboli italian”, shprehet një prej tyre.

Një tjetër pilot thekson se “Vlora është vend shumë i bukur, deti shumë i mirë dhe kam ngrënë ushqime tejet të shijshme. Nuk kam bërë shumë gara profesionistes më parë por do të ketë çdo gjë, gara një pyll, male dhe tatëpjeta”.

“Ne garojmë me tre makina në këtë garë dhe 2 motorë. Nuk është hera ime e parë këtu, kam qenë në 2011, 2012 pastaj ka pasur të tjerë në 2013-14-15. Shqipëria po bëhet më e bukur se ne, të paktën vija bregdetare”, shton ai.

Po ashtu një tjetër pilot thotë se “çdo gjë shumë bukur, Vlora është një qytet shumë i bukur, pamje të jashtëzakonshme dhe ujë shumë të pastër dhe ushqim shumë të mirë. Më mirë se kaq nuk mund të ketë. Është hera e parë që vij në Shqipëri në një garë Rally, garë ime e parë Rally dhe shpresojmë që çdo gjë do të shkojë mirë”.

“Unë jetoj në Francë, në Korsikë. Gara është një aktivitet, për të siguruar më shumë pikë për të arritur. Është hera e parë që vij në Shqipëri. Më pëlqen shumë Shqipëria, për shembull Vlora është shumë e bukur”, thotë një tjetër pilot.

“Për të arritur këtu ne kemi ndërmarrë një udhëtim 7 ditor nëpër Evropë, kemi arritur dje në Tiranë dhe sot këtu në Vlorë, ku do të mbyllim edhe etapën e parë të garës së Rally-t.
“Është hera Ime e parë në Shqipëri dhe në Vlorë dhe vendi më duket i mrekullueshëm. Dielli shndrit shumë, jashtëzakonisht shumë dhe më pëlqen shumë. Jo është për të zbuluar, është për të mësuar, por sigurisht mbetet një garë. Është hera ime e parë në Rally. Së pari vjen gjithmonë kënaqësia”, shprehet një pilot.

Siç mësohet gara do të nisë nga Narta dhe ditën e nesërme do të përshkojë gjithë pjesën e Karaburunit në drejtim të lumin e Vlorës, dhe më pas do t’i drejtohet Gjirokastrës. “Rally Albania 2021” do të vijojë itinerarin në Ersekë, Peshkopi dhe më pas çdo gjë do të përfundoj kryeqytet, ku do të zhvillohet dhe ceremonia për shpalljen e fituesi të garës së madhe “Rally Albania 2021”.

Rally Albania 2021 është kthyer në një nga garat më të rëndësishme dhe tërheqëse të navigacionit shqiptarë, por jo vetëm. Veçori sipas pilotëve është se në Shqipëri mund t’i shikosh të gjitha gjatë garës jashtë rrugëve të shtruara si lumenjtë, malin , baltën dhe gurët, që e bën këtë garë mjaft emocionuese. Ky nuk është vetëm event sportiv, por edhe turistik, pasi marrin pjesë shumë të huaj të cilët njihen me kulturën e Shqipërisë./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Aerodromi sportiv i Gjirokastrës, një hapësirë më shumë për turizmin e zonës

TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Për herë të parë pas më shumë se 30 vitesh në Gjirokastër u rikthyen fluturimet në aerodromin sportiv.

Rikthimi në funksion i aerodromit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës synon të marrë jetë në qytetin e gurtë, kjo për vetë pozicionin gjeografik dhe potencialin turistik.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga çelja e aerodromit të Gjirokastrës.

“Mirëmëngjes dhe me eksperiencën e çeljes së aerodromit sportiv të Gjirokastrës, një hapësirë më shumë për turizmin e zonës, ju uroj një të diel të mbarë”, – tha Rama.

Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në Gjirokastër do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Afërsia gjeografike me Sarandën dhe bregdetin e Jonit do të bënte që turistët që do të mbërrijnë në Gjirokastër me linjat ajrore krahas vlerave të qytetit të gurtë të zgjerojnë guidat e tyre edhe me udhëtime në pjesën e bregdetit.

Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale./k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Vijojnë investimet në turizëm/Rama: Cilësia e shërbimeve dhe mjediseve po rritet

TIRANË, 5 qershor/ATSH/-Në Durrësin që po rindërtohet, u inagurua mbrëmjen e sotme  hoteli më i ri “Hotel Pinea”, një investim nga një shqiptar i Kosovës.

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në këtë event, i cili përmban një rëndësi të veçantë pasi turizmi vijon të jetë sektor me prioritet për vendin.

Rama tha se ky investim i bukur nga Kosova, i shtohet zinxhirit të hoteleve të reja, me kushte e standarde optimale, në vijën bregdetare të Golemit.

Sipas tij, ky investim është një tjetër vlerë e rëndësishme që i shtohet këtij bregdeti ku është edhe fluksi më i madh i turistëve.

Qeveria tashmë ka mundësuar shumë lehtësira për bizneset në turizëm, që nga uljen e TVSH-së për strukturat akomoduese dhe për agroturizmin në 6%, në uljen e tatimit fitimit për furnizimin e shërbimit të restoranteve dhe akomodimit në 5%.

Përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për një periudhë 10 vjeçare për strukturat akomoduese me katër dhe pesë yje si dhe me status special solli si pasojë një bum të investimeve në hotele me 4 e 5 yje në vend në vitet e fundit.

Me nisjen e procesit të vaksinimit për operatorët turistikë, sezoni do të jetë shumë më i lehtësuar dhe vizitorët do të ndihen shumë më të sigurtë, teksa hapen edhe 28 qendra shëndetësore verore që do të ofrojnë shërbim 24 orë në çdo zonë turistike bregdetare dhe malore.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Klosi me homologun e Arabisë Saudite: Rritje e bashkëpunimit në fushën e turizmit

TIRANË, 5 qershor /ATSH / Shqipëria dhe Arabia Saudite synojnë të forcojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e turizmit.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë takimit me Ahmed Al Khateeb, ministrin saudit të Turizmit, diskutoi për rritjen e shkëmbimeve turistike mes dy vendeve.

Në fokus të takimit mes ministrit Klosi dhe homologut saudit Al Khateeb ishte gjithashtu edhe zgjerimi i tregjeve turistike.

“Rritja e komunikimeve të drejtpërdrejta dhe e bashkëpunimit në këtë fushë si dhe rritja e shkëmbimeve bilaterale ishte në fokus të takimit me homologun Al Khateeb”- u shpreh ministri Klosi. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Gjirokastra jo vetëm destinacion turistik/ Spektakël ajror në aerodrom

TIRANË, 5 qershor /ATSH/ Gjirokastra është tashmë jo vetëm një destinacion turistik, por edhe një vend ku vizitorët dhe turistët e huaj, zhvillojnë aktivitete sportive dhe aeronautike.

Pista e aeroportit të Gjirokastrës u hap për të pritur këtë fundjavë në festën lokale të qytetit, fluturimin e avionëve të vegjël sportivë dhe mjeteve të tjera të Federatës Shqiptare të Aeronautikës, që dhuruan një spektakël qiellor duke u shndërruar në një atraksion më vete për vizitorët e turistët që shijuan bukuritë e qytetit të gurtë.

I pranishëm në këtë event festiv, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, deputet i qarkut Gjirokastër u shpreh se “riaktivizimi i aeroportit për qëllime turistike e sportive është pjesë e vizionit tonë për ta bërë qarkun Gjirokastër një pol të rëndësishëm të turizmit në jug të vendit”.

“Dikur ishte një aset i harruar, ndërsa sot kjo hapësirë fantastike përmes aktiviteteve të tilla vihet në funksion të turizmit duke sjell më shumë vizitorë në qytet. Sidoqoftë ka ende punë për të bërë dhe më e mira akoma s’ka ardhur”- tha Çuçi.

Ministri theksoi se, rikthimi i fluturimeve në Gjirokastër për herë të parë pas më shumë se 30 e kusur vitesh, është një moment i bukur dhe nuk e ekzagjeroj, tha ai, “po të them historik”.

Ai shprehu bindjen se, “po bëjmë hapa inkurajues në këtë drejtim edhe pse kemi shumë punë për të bërë”.

Ndërkohë fluturimet dhe spektakli në ajër do të vijojë edhe përgjatë ditës së nesërme, të dielën.

Aktiviteti festiv në Gjirokastër, është konceptuar i gërshetuar me spektaklin e fluturimeve të avionëve sportivë, veprimtarive turistike, tradicionale artizane, agroturistike, kulinare, pikniket e ato sportivet.

Rikthimi në funksion i aeroportit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës, është një ndër projektet e rëndësishme të qeverisë që synon t’i japë një impakt të ri zhvillimit të turizmit në qytetin e gurtë, kjo për vetë pozicionin gjeografik dhe potencialin turistik.

Rijetësimi i aeroportit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues, tregtar, etj që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.

Aeroporti i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në aeroportin e Gjirokastrës do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.

Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.

Afërsia gjeografike me Sarandën dhe bregdetin e Jonit do të bënte që turistët që do të mbërrijnë në Gjirokastër me linjat ajrore krahas vlerave të qytetit të gurtë të zgjerojnë guidat e tyre edhe me udhëtime në pjesën e bregdetit.

Aeroporti i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link