Posted on

FOTO/ Prodhimet e traditës elbasanase pjesë e panairit në Festën e Malit – Gjinar

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Prodhimet e traditës elbasanase pjesë e panairit në Festën e Malit – Gjinar.

Festohet në Gjinar “Miqtë e Malit” synojnë promovimin e zonës. Pjesë e kësaj feste, ashtu si çdo vit, është edhe panairi me produkte tradicionale të zonës dhe punime artizanale.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve, Evis Kushi, vizituan nga afër këtë event në fundjavë, ku banorë të zonës ekspozonin punime të ndryshme tradicionale artizanale të bëra nga dorë.

Në këtë festë merrnin pjesë qindra qytetarë nga Elbasani, të cilët kishin zgjedhur për të festuar natyrën e mrekullueshme të Gjinarit, gatimet tradicionale plot shije dhe larminë e valleve e kostumeve popullore.

Në fjalën e tij Balla theksoi se vitin e ardhshëm Gjinari do të presë edhe më shumë miq, natyrisht në një festë edhe më të bukur.

“Bashkë me kryetarin e bashkisë dhe deputeten e zonës dua t’ju them që ne kemi humbur shumë kohë sa i përket punëve të rëndësishme të rregullimit dhe sistemimit të sheshit dhe rrugës kryesore të zonës. Angazhohem përpara jush që vitin e ardhshëm qendra kryesore e Gjinarit do të jetë tërësisht me një pamje tjetër ashtu siç i ka hije këtij diamanti të turizmit malor të bashkisë Elbasan”, deklaroi Balla.

Gjatë qëndrimit në Gjinar, Balla vizitoi dhe panairin me prodhimet e traditës elbasanase.

Panairi Festa e Malit – Gjinar, është kthyer në një traditë të përvitshme tashmë, ku krahas ekspozimit të prodhimeve tradicionale organizohen edhe aktivitete të ndryshme festive turistike, që ndiqen nga shumë vizitorë vendas dhe të huaj.

Fshati Gjinar, në Elbasan konsiderohet një perlë e vërtetë turistike për biodiversitetin, me pyje të dendura e pamje përrallore, që ka.

Aktivitete të tilla synojnë t’i japin jehonë aseteve tradicionale që kanë impakt në turizëm dhe punësim.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Ujërat termale të Bënjës në Përmet atraksioni i fundjavës për vizitorët vendas e të huaj

TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Ujërat termale të Bënjës, 13 km larg qytetit të Përmetit, tërhoqën një numër të lartë vizitorësh në fundjavën që lamë pas.
Administrata e Zonave të Mbrojtura Gjirokastër bën të ditur se, “të shtunën dhe të dielën  në Ujërat Termale të Bënjës, Përmet, Monument Natyre, pati vizitorë të shumtë, vendas dhe të huaj”.
Sipas AdZM Gjirokastër vizitorët që zgjodhën Përmetin për të kaluar fundjavën shijuan edhe thesarin natyror të tij Ujërat Termale të Bënjës.
Specialistët e AdZM Gjirokastër ndodheshin tek ky monument për të dhënë informacion dhe mbështetje për vizitorët.

Të njohura që në antikitet këto burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike, janë të ndryshme e burojnë në të dyja anët e kanionit Lengarica.

Çdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurimin e sëmundjeve të lëkurës, stomakut, veshkave, reumatizmës etj. Burimet e ujërave termale janë natyralë dhe derdhen në vaska të vogla të një bukurie të çmueshme në brendësi të të cilave është e mundur të mblidhet edhe baltë termale, e përshtatshme për trajnimet e lëkurës.

Ky vend i rrethuar nga një natyrë e pandotur, paraqet një përzierje unike midis historisë aventurës dhe natyrës. Përveç banjave termale atje gjendet edhe kanioni Lengaricës dhe Ura e Katiut.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Rally Albania 2021″/ Gara ndërkombëtare që zbulon mrekullitë e natyrës shqiptare


TIRANË, 14 qershor/ATSH/ Rally Albania 2021 është kthyer në një nga garat më të rëndësishme dhe tërheqëse të navigacionit shqiptarë, por jo vetëm.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo garë ndërkombëtare, ku morën pjesë 300 garues nga 30 shtete.

“Mirëmëngjes dhe me energjinë e 300 garuesve nga 30 shtete, që përshkuan 2000 kilometra nga jugu në veri me aventurën Rally Albania, duke shijuar mrekullitë e natyrës shqiptare, ju uroj një javë të mbarë”, tha ai.

Makinat sportive, “Rally Albania 2021” për rreth një javë kanë dhuruar spektakël në një garë që nisi nga Narta duke përshkruar gjithë pjesën e Karaburunit në drejtim të lumin e Vlorës, për të iu drejtuar edhe Gjirokastrës.

Itinerari i “Rally Albania 2021”, zhvilluar nga data 5 deri më 12 qershor,  vijoi në Ersekë dhe Peshkopi për t’u përmbyllur me ceremoninë e shpalljes së fituesve në kryeqytet.

/m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

FOTO-VIDEO/ Rally Albania, ambasadorët më të mirë të turizmit shqiptar

TIRANË, 13 qershor/ATSH/- Rally Albania 2021 është kthyer në një nga garat më të rëndësishme dhe tërheqëse të navigacionit shqiptarë, por jo vetëm.

Makinave sportive, “Rally Albania 2021” për rreth një javë kanë dhuruar spektakël në një garë që nisi nga Narta duke përshkruar  gjithë pjesën e Karaburunit në drejtim të lumin e Vlorës, për të iu drejtuar edhe Gjirokastrës.

Itinerari i “Rally Albania 2021” vijoi në Ersekë dhe Peshkopi për tu përmbyllur me ceremoninë e shpalljes së fituesve në kryeqytet.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka publikuar pamje nga kjo garë e madhe e makinave Rally Albania në edicionin e tij të 17-të ku 200 pilotë, 300 të huaj nga e gjithë Europa nga 30 shtete, u bënë pjesë e kësaj gare.

“Rally Albania, ambasadorët më të mirë të turizmit shqiptar. Vendi ynë, një grishje e fortë për turizmin e aventurë”, shprehet Klosi krahas videos së publikuar.

E veçanta është se këtë vit ka një pjesëmarrje të madhe edhe të vajzave, krahasuar me edicionet e kaluara.

Organizatorja e kësaj gare, Julinda Dhamo është shprehur se kjo garë shërben dhe për imazhin e Shqipërisë në sytë e të huajve.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Çelet sezoni turistik në Valbonë/ Klosi: Janë rritur kapacitetet, ofertë turistike gjithëvjetore

TIRANË, 12 qershor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka marrë pjesë në çeljen e sezonin turistik në Valbonë, duke u shprehur se Valbona ka sezon 12 muajt e vitit dhe në fakt 12 muajt e vitit ka turistë.

“Shumë bukur këtu tashmë çdo ditë zbukurohet, çdo ditë pasurohet, shtohen kapacitetet akomoduese, shtohen shërbimet por njëkohësisht me shërbimet shtohen edhe pemët. Nuk kemi më prerje pemësh, dëmtim të natyrës. Faleminderit që në këtë aktivitet e bëjmë me artistë nga të gjitha trevat shqiptare, jemi përsëri në sofrën dardane. Duke falënderuar gjithë ata që kanë ardhur dhe veçanërisht mikun dhe ish-kolegun Azgan Haklaj me të cilin kemi mbi 20 vjet që së bashku edhe pse jo shumë dakord politikisht këto aktivitete gjithmonë i kemi mbështetur”, shprehet ai.

Po ashtu, Klosi shtoi se “para 20 vitesh kemi qenë në Bajram Curri dhe kemi bërë këtë aktivitet, tani e bëjmë në shesh të hapur”.

“Janë kaq shumë artistë e kjo tregon që ne jemi hapur shumë më tepër me njëri-tjetrin, po e njohim shumë mirë njëri-tjetrin. Duhet t’i shijojnë të gjithë shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës e Malit të Zi e Maqedonisë këto bukuri të natyrës. Bjeshkët janë unike në Ballkan.  Janë kaq të bukura, perëndia i ka bërë kaq të bukura. Prandaj jo vetëm ndihem mirë që jam sot në këtë aktivitet, po falënderoj ata që kanë rritur kapacitetet kanë rritur ofertën turistike të Valbonës”, përfundoi ai.

Valbona është pikë turistike gjithëvjetore ku janë të pranishëm çdo ditë vizitorë të shumtë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, si dhe të tjerë të ardhur nga vise të ndryshme të vendit, një zonë turistike që ka fituar një emër të mirë, përmes bukurisë mahnitëse, mikpritjes dhe qetësisë që ajo ofron. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Tirana çel zyrtarisht sezonin turistik/ Veliaj: Turizmi shqip, një eksperiencë fantastike kudo në rajon

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Tirana çeli dje zyrtarisht sezonin turistik për vitin 2021, pas një viti të vështirë pandemik dhe humbjesh të mëdha për industrinë e turizmit.

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në eventin e hapjes së sezonit turistik, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë qytetet shqipfolëse të rajonit të Ballkanit Perëndimor, i ftoi të gjithë të konsiderojnë turizmin shqip dhe të konsumojnë shqip.

“Kjo është një mundësi fantastike për t’i kaluar pushimet në Shqipëri, në Ulqin, të vizitojmë Tuzin, Tetovën apo Luginën e Preshevës, të takojmë njerëz aty, nëse nuk kemi bërë ndonjëherë ngjitje në mal, të shkojmë në Prizren, të mësojmë historinë, por edhe të shohim bukuritë e natyrës. Shpresoj fort që si shqiptarë do ta përqafojmë këtë mundësi. Unë e di se njerëzit janë pak cinikë dhe thonë: “Nuk na duhet turizmi patriotik”, por ne në Shqipëri jemi dëshmitarë që ky turizmi patriotik shpëtoi industrinë tonë vjet. Nëse nuk do të ishin vëllezërit dhe motrat tona nga i gjithë rajoni, që do të bënin pushimet në Shqipëri, ne do të kishim falimentuar në sektorin e turizmit. Për sa kohë mbijetuam vjet, që ishte viti më i vështirë, jam i sigurt që do të shkëlqejmë sivjet, që është një vit më i mirë. Ndaj, ju lutem konsideroni turizmin shqip, shpenzimin shqip, konsumin shqip, vizitat shqip dhe një eksperiencë shqiptare fantastike kudo qoftë në rajon,” u shpreh Veliaj.

Në aktivitetin e konceptuar edhe si një takim mes autoritetesh të disa vendeve të rajonit, të ftuar ishin edhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi dhe Sekretarja e Përgjithshme e Regional Cooperation Council (RCC) Majlinda Bregu.

“Ne themi që të pushojmë shqip brenda territoreve tona. Kufijtë për turizmin nuk kanë asnjë rëndësi, prandaj duhet të promovojmë një destinacion që afron kaq shumë kulturë, traditë dhe kaq shumë mikpritje, të jemi të gjithë së bashku në një përpjekje të madhe për të afruar këtë rajon dhe për ta bërë atë një pol të rëndësishëm turistik në këtë konkurrencën e madhe që kemi për sa më shumë turistë,” u shpreh ministri Klosi.

“Me diell a me shi, Tirana është gati të presë vizitorë. Mes miqsh, mes gjithçkaje të mirë që ofron kryeqyteti: atmosferë, trashëgimi kulturore stiluar në kostume, muzikë e mbi të gjitha optimizëm, Tirana çeli zyrtarisht sezonin turistik. Përgëzime organizatorëve, kryetarit të bashkisë, Erion Veliaj e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, që po bëjnë maksimumin për të mirëpritur turistët, në kohëra ende të vështira”, u shpreh ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Në promovimin e turizmit tonë rajonal janë bërë pjesë edhe artistë të mirënjohur të trevave shqipfolëse si Emina Çunmulaj, Sabri Fejzullahu, Grupi Elita 5 etj.

/m.m/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Gjirokastra me oferta të reja turistike/Golemi për ATSH: Investimet zgjeruan hartën e destinacioneve për vizitorët

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Shndërrimi i qytetit të gurtë të Gjirokastrës dhe zonave përreth në një destinacion fundjavash për ata që lëvizin brenda vendit është një nga risitë e bashkisë për këtë sezon veror.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, në një intervistë për ATSH-në tha se “tashmë bizneset turistike dhe akomoduese kanë të gjitha kapacitetet e nevojshme për mikpritjen e turistëve dhe ofrimin e një shërbimi sa më cilësor për ta. Krahas zhvillimit të turizmit familjar në qytet këtë sezon kemi edhe një shtim të kapaciteteve të shërbimit dhe akomodimit përsa i takon turizmit rural”.

Golemi thekson se “është i konsiderueshëm numri i familjeve në zonat e Lunxhërisë, Antigonesë, etj të cilat i kanë shndërruar banesat e tyre në bujtina duke investuar në sektorin e agroturizmit apo prodhimet bujqësore bio”.

Për kryebashkiakun Golemi, sezoni turistik i kësaj vere do të sjellë më shumë vizitorë vendas dhe të huaj në Gjirokastër, duke ndikuar në ringritjen e ekonomisë lokale pas goditjes si shkak i pandemisë.

“Falë vaksinimit masiv ky sezon turistik do të jetë shumë më i lehtësuar se ai i vitit të shkuar. Më e keqja ka kaluar, më e mira është e gjitha përpara. Me lehtësimin e masave antikovid, qyteti i gurtë gjatë fundjavave është kthyer në një destinacion të preferuar për vizitorët vendas. Tashmë çdo fundjavë Gjirokastra është plot me vizitorë vendas, si paralajmërim i asaj që do të ndodhë gjatë këtij sezoni dhe më tutje. Synojmë që gjatë ditëve në vazhdim, me lehtësimin edhe të lëvizjes në kufi për shtetasit e huaj, Gjirokastra të mirëpresë një numër në rritje turistësh nga vende të ndryshme”, – tha Golemi për ATSH.

Golemi shpreh besimin se ky sezon turistik do të jetë mjaft i mbarë për Gjirokastrën.

Sa i përket investimeve dhe projekteve të ndërmarra nga bashkia për mbështetjen e sektorit të turizmit, Golemi thotë se “këto investime dhe projekte synojnë mbështetjen e sektorit të turizmit në disa drejtime. Krahas zbatimit të investimeve në infrastrukturë dhe promovimit të vlerave turistike, bashkia ka programuar organizimin e aktiviteteve të ndryshme përgjatë gjithë sezonit turistik”.

“Po punojmë me projektin e “Sheshit të Çerçizit” që do t’i shtohet Pazarit të restauruar si një tjetër xhevahir i trashëgimisë tonë kulturore dhe një hapësirë më shumë për t’u vizituar e bërë biznes, si dhe me bajpasin që nis nga Ura e Nanxës”, nënvizon Golemi në intervistën për ATSH.

Një tjetër investim i rëndësishëm për Gjirokastrën këtë sezon turistik është edhe vënia në punë e aerodromit, për të cilin Kryebashkiaku Golemi shprehet se “rikthyem fluturimet pas 30 vitesh në aerodromin e qytetit duke e shndërruar në një pikë të rëndësishme për fluturimet turistike dhe sportive”.

Sipas tij, rrjeti i ri i muzeve do të jetë gjithashtu një vlerë e shtuar e ofertës turistike të bashkisë për vizitorët.

“Këtij sezoni turistik i ka paraprirë puna jonë për restaurimin  e vlerave të Gjirokastrës, duke përfshirë rrugicat karakteristike dhe rrugët e kalldrëmta në zonën muzeale. Investime janë kryer dhe në rrjetin e ndriçimit publik duke e përshtatur me elementët dekorativë të qytetit. Pjesë e punës sonë është edhe zgjerimi i hapësirave të gjelbra dhe mjediseve çlodhëse në shërbim të banorëve dhe turistëve. Me projektet e zbatuara kemi ndërhyrë për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve publike në zonat rurale që kanë prioritet agroturizmin. Gjithashtu siç thashë edhe më lart mbështetur mbi një kalendar të detajuar, po organizojmë aktivitete kulturore, artistike, sportive etj, me profil jo vetëm lokal, por edhe kombëtar madje edhe me pjesëmarrës nga jashtë kufijve të vendit”, – theksoi Golemi për ATSH.

Kryebashkiaku Golemi shprehet se me zhvillimin e turizmit është zgjeruar ndjeshëm harta e vizitueshmërisë së Gjirokastrës nga vizitorët vendas dhe të huaj.

“Interesi në rritje i turistëve ka zgjeruar guidat e udhëtimeve jo vetëm në qytet por edhe në rrethina. Pazari karakteristik dhe kalaja e Argjiros si simbole të qytetit janë ndër pikat me të preferuara për turistët. Hartës së udhëtimit i shtohen edhe muzeumet, objektet monument kulture si dhe banesat karakteristike në zonën muzeale. Vlerat natyrore dhe të trashëgimisë kulturore si Parku Natyror i Viroit, Parku Arkeologjik i Antigonesë, monumentet e kulturës në zonat e Lunxhërisë, Antigonesë, etj e bëjnë më interesant dhe tërheqës udhëtimin për turistët”.

Ne si bashki, shton Golemi, kemi prioritet ofrimin e shërbimeve publike, mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore, pastrimin e mjedisit, etj në pikat e frekuentuara nga turistët.

Sa i përket numrit të turistëve që vizituan Gjirokastrën sezonin e kaluar Golemi thekson se “megjithë vështirësitë e krijuara nga pandemia sërish gjatë vitit 2020 Gjirokastra mikpriti turistë vendas dhe të huaj. Janë rreth 60 mijë turistë, të cilët vizituan monumentet e kulturës dhe komplekset muzeale. Gërshetimi i vlerave muzeale, traditës së larmishme me aktivitetet kulturore të organizuara nga bashkia tërhoqi një numër të konsiderueshëm vizitorësh gjatë fundjavave, duke qenë edhe mbështetje për sektorin e turizmit dhe zbutjen e efekteve negative që shkaktoi pandemia”.

 

/k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Jahti luksoz me flamur të Australisë vizitoi sot portin e Durrësit

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Jahti luksoz “Power play” me flamur të Australisë u ankorua sot në kalatën nr.4 të Portit të Durrësit.

Autoriteti Portual Durrës bën të ditur se “jahti i ndërtuar 3 vite më parë ka me kapacitet mbajtës 300 t DWT. Drafti aktual i tij raportohet të jetë 3.3 metra, gjatësia e e përgjithshme (LOA) 55.7 metra dhe gjerësia 9 metra”.

Që nga fillimi i vitit për shkak të kufizimeve të pandemisë së shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2 në Durrës kanë mbërritur 10 jahte turistike, një numër mjaft i vogël, krahasuar me vitet paraardhëse.

Ndërsa gjatë 2020 mbi 100 jahte turistike janë ndalur në portin e Durrësit. Pavarësisht situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19, sërish Shqipëria ishte një destinacion për shumë turistë të huaj.

/k.s//a.a/

 

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Përurohet hoteli me 5 yje në Tiranë/ Klosi: Shenjë e rritjes së cilësisë në turizëm, Shqipëria destinacion i jashtëzakonshëm

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i pranishëm në përurimin e hotelit MK Group, investim i Tirana Biznes Park, tha sot se “ardhja e një emri të madh në Tiranë e një hoteli me 5 yje është një shenjë e mirë e investimeve në fushën e turizmit dhe pranimi nga të gjithë tashmë, që Shqipëria po shndërrohet në një destinacion i jashtëzakonshëm turistik”.

Në fjalën e  tij në ceremoninë e përurimit, ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf, përfaqësues të kompanisë MK Group, etj, ministri Klosi theksoi se “ceremonia e hapjes së hotelit MK Group pranë Rinasit, në Tiranë është një shenjë e jashtëzakonshme në kuadër të përfundimit të pandemisë dhe dhënies së një shenje të fortë se Tirana në Shqipëri do të shërbejë për të promovuar jetën e mirë dhe natyrën, do të shërbejë si një mekanizëm shumë i fortë në jetën ekonomike në vend”.

“Realizimi në kohë rekord i këtij projekti shumë të rëndësishëm për hotelerinë shqiptare  me mbi 80 dhoma ofron standardet me 5 yje në vend. Ky hotel është shenjë e jashtëzakonshme e rritjes së cilësisë të asaj që duam të arrijmë në Shqipëri dhe shumë shpejt do të jemi konkurrent në rajon”, – nënvizoi Klosi.

Sipas tij, ardhja e kompanisë së dytë gjermane e emrave me 5 yje do të shërbejë që të ketë më shumë kërkesa për Shqipërinë, më shumë personel të punësuar.

“Veç të tjerave këto investime u krijuan pa burokraci dhe me zero problematik”, – tha Klosi.

Ambasadori gjerman Zingraf tha se “është shumë mirë të kem fatin të përuroj një hotel këtu në Tiranë dhe të prezantoj këtë hotel, këtë investim të madh gjerman dhe të jem këtu me Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit. Hapësira është e madhe dhe jam i gëzuar që shoh këtë punë të realizuar”.

Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë MK Group u shpreh se “jemi të gëzuar që përfunduam hotelin në Tiranë, në Shqipëri. Zbuluam njerëz miqësorë në Shqipëri dhe jemi të gëzuar që t’ju themi mirëserdhët turistëve nga e gjithë bota në hotelin me 5 yje në Tiranë”.

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“2021, vit i turizmit”/ Klosi: Javën tjetër do të kemi çarterët e parë me turistë nga Riadi

TIRANË, 8 qershor /ATSH/  Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi e cilësoi vitin 2021, si vitin e turizmit që do të shërbejë si një arritje shumë e mirë për ekonominë shqiptare.

Gjatë një interviste televizive, Klosi tha se, prej një jave Shqipëria ka hapur kufijtë dhe nuk kërkon as test për Covid-19 dhe asnjë dokument tjetër shoqërues çka ka gjallëruar fluksin e turistëve në vendin tonë, jo vetëm nga Kosova por edhe nga shtete të tjera.

Politika e ”dyerve të hapura” është një përpjekje për t’i ardhur në ndihmë turizmit, një prej degëve më të rëndësishme të ekonomisë dhe një prej sektorëve të goditur më rëndë për dy vite me radhë nga tërmeti i 2019 dhe pandemia e vitit 2021.

“Kemi një projekt që është në fazën e negociimit për një investim të rëndësishëm saudit në hoteleri. Javën tjetër do të kemi çarterat e parë me turistë nga Riadi, ndërsa vijojnë ato nga Dubai dhe risi së shpejti do të jenë çarterët me turistë nga Egjipti”, tha Klosi.

Ai bëri të ditur se hoteleria shqiptare do të jetë e prenotuar ashtu siç kemi nevojë dhe kjo vjen si rezultat i rritjes së imazhit të Shqipërisë dhe përgatitjeve që janë ndërmarrë për rritjen e standardeve në sektorin e hoteleri-turizmit.

Gjithashtu theksoi Klosi, “në kuadër të takimit me ministri turk të turizmit, ku nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Turqisë në shumë sektor të turizmit, mundësi reale është fakti që kompanitë turke të njohura do të realizojnë projektet e tyre në Shqipëri në marinë dhe në industrinë e detit, që është një nyje e rëndësishme zhvillimi dhe biznes fitimprurës”.

Lidhur me masat për mjedisin Klosi tha se “kemi probleme me mjedisin dhe do të ndërmarrim një aksion në shkallë të gjerë për sensibilizimin e pushtetit vendor, institucioneve, subjekteve dhe të gjithë qytetarëve për mbrojtjen e mjedisit”.

Ai vuri në dukje se është reduktuar ndjeshëm përdorimi i qeseve plastike dhe kjo nismë do të legjitimohet.

“Pushimet që zgjedhim të bëjmë për ne janë zgjedhje personale apo vendime familjare, por vendimi ynë për pushime për dikë tjetër është biznes, është industri. Një në pesë veta punon në sektorin e turizmit. Është ky sektor që jep më shumë se 20 % të Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar”, theksoi Klosi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link