Posted on

Klosi: Pastërtia dhe sigurimi i jetës së turistëve kushtet për një sezon turistik të suksesshëm

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi sot në Durrës një takim me operatorët turistikë dhe Komitetin e Turizmit për sezonin turistik dhe situatën e plazheve.

“Durrësi, është qarku, i cili prodhon më shumë të ardhura nga sektori i turizmit, është qarku që ka hapësirat më të mëdha hoteliere dhe numrin më të madh të shtretërve”, tha Klosi.

Klosi theksoi se, “ky është sezoni i parë pas daljes nga një problematikë shumë e madhe pas daljes nga pandemia. Problematikë që goditi shumë sektorë, por që ai që u godit më shumë ishte sektori i turizmit, por që e kemi thënë shpesh që viti 2020 tregoi se sa shumë të forta janë strukturat tona hoteliere, strukturat tona turistike dhe me sa guxim vepruan dhe u kundër përgjigjën dy problematikave shumë të mëdha tërmetit, një tragjedi e madhe që goditjen më të fortë e dha në bashkinë e Durrësit dhe gjithë qarkun dhe natyrisht pandemisë”.

“Po përse e them që ishte i vështirë 2021? Pasi realisht ne që në fillim të sezonit po shikojmë disa problematika që mendohej se ishin harruar për sezonet e fundit turistik, pra nuk kemi akoma një përgatitje të vërtetë të strukturave tona turistike për të përgatitur një fluks të madh turistik sidomos të muajit korrik, maksimalisht muajt gusht dhe shtator. E kemi të vështirë të themi jemi gati me shërbimet karshi një fluksi të vërtetë turistik”, tha Klosi.

“Jemi në fillim të një sezoni ku presim të shkojmë, mendoj, në muajt gusht-shtator në shifrat e 2019-ës edhe falë hapjes së kufijve, por akoma nuk jemi të gatshëm me detyra që kanë të bëjnë me menaxhimin e ruajtjes së jetës në sezonin turistik”, shtoi Klosi.

“Në këto dy muaj 15 korrik-15 shtator administrata e këtij qarku duhet të jetë e gjitha në punë, e gjitha në vëmendje të problematikave që ka turizmi dhe tani të mos na kapë euforia e daljes nga pandemia edhe të përpiqemi të jemi pa standarde në cilësi, në shërbim dhe në siguri për vitin 2021”, tha Klosi.

Në mbledhjen e Komitetit të Turizmit për Rajonin e Durrësit u fol mbi sezonin e ri turistik, mënyrën e menaxhimit, aplikimin për stacione plazhi nëpërmjet sistemit të e-Albanias, krijimi i standardeve për turistët e huaj.

“Kemi plotësimin e kushteve që është pagesa e tarifës bashkiake dhe po ashtu sigurimi i higjienës së tualeteve, dusheve dhe ruajtësve të plazheve për të garantuar jetën e qytetarëve. Të mos harrojmë se për një strukturë të menaxhuar që ka ruajtësin e plazheve një aksident në det përbënë vepër penale për poseduesin e plazhit që nuk e ka ruajtësin e plazhit si dhe vepër penale karshi ruajtësve të rendit dhe zbatimit të ligjit”, tha Klosi.

Ndërkohë sipas kërkesave nga bashkitë pritet të ketë një rihapje të aplikimeve nga e-Albania për stacione plazhi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Projekte për turizmin/ Qeveria financon 50% të vlerës së investimit në tre sektorë

TIRANË, 24 qershor /ATSH/ Qeveria do të financojë deri në 50% të vlerës së projekteve të vlefshme, që do të paraqesin deri në 21 korrik 2021, me tematikë destinacionet turistike, vlera e veçantë e produkteve dhe atraksionet turistike, që kanë impakt në zhvillimin e turizmin, pas goditjes që pësoi ky sektor nga pandemia.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit njofton se ka çelur thirrjen për mbështetjen e projekteve në këto tre drejtime, duke vënë në dispozicion një fond total prej 35 milionë lekësh.

“Qëllimi kryesor i kësaj thirrjeje është të forcojë konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit të turizmit në Shqipëri, nisur edhe nga situata në të cilën ndodhet industria e turizmit për shkak të gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga infeksioni COVID 19, nevojitet fokusim në promovimin e destinancioneve turistike e të vlerave të trashëgimisë kulturore dhe natyrore vendase, si dhe duke diversifikuar me modele inovative produktet turistike, duke zhvilluar modele të reja të funksionimit të aktiviteteve detare dhe menaxhimit të vijës bregdetare”  citon njoftimi i ministrisë.

Konkretisht Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të bashkëfinancojë projekte që synojnë:

Zgjerimin e aktiviteteve dhe ofertave turistike, duke synuar forcimin apo krijimin e produkteve të reja turistike, që shkojnë për zhvillimin e vendit dhe përfitimet e mundshme për popullsinë lokale të rajoneve të ndryshme. Përfshirjen gjithnjë e më shumë në sektorin e turizmit të komuniteteve lokale, studentëve në promovimin përmes produktit turistik sipas karakteristikave të destinacioneve turistike.

Tematika për promovimin e produkteve turistike shqiptare, ka të bëjë me krijimin/zhvillimin/përmirësimin/ e produkteve turistike specifike në përputhje me kërkesën gjithnjë në rritje për paketa inovative, që ofrojnë përvoja të pazakonta me surpriza dhe ide stimuluese, ku përfshihen gastronomia, zonat rurale, etnografinë, trashëgiminë kulturore, trashëgiminë natyrore etj,

Tematika e tretë ka të bëjë me përgatitjen e studimeve apo të modeleve të produkteve turistike. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Dhërmiu, foto e ditës në Reuters

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Plazhi i Dhërmiut ishte sot foto e ditës e agjencisë prestigjioze britanike të lajmeve, Reuters.

Kryeministri Edi Rama ndau sot foton e publikuar nga prestigjiozja britanike, një promovim ndërkombëtar ky i brigjeve shqiptare.

“Dhërmiu ishte foto e ditës në Reuters”, tha Rama, ndërsa publikoi foton.

Fshati turistik i Dhërmiut është i vendosur buzë detit Jon dhe në shpatet e maleve, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta.

Dhërmiu shtrihet në fund të një plazhi më tepër së pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit.

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut, një prej investimeve të fundit të realizuara në bashkinë e Himarës, e cila ka transformuar plotësisht plazhin në këtë pjesë të bregdetit të Jugut, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Fotoreporterët e National Geographic vizitojnë bjeshkët e Kukësit: Më të bukurat që kemi parë

TIRANË, 23 qershor /ATSH – I. Vata/ Dy fotoreporterë të National Geographic kanë vizituar bjeshkët e Kukësit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici i cili ka takuar nga afër dy fotoreporterët e National Geographic.

“Gjatë rrugës për në Bjeshkët e Bushtricës, takova dy fotoreporter të National Geographic, Tomasz Tomaszewski dhe Bernard Kwapinski, të cilët ishin impresionuar nga bukuritë e rralla që ofron Kukësi”, tha Gjici.

Në takim me Gjicin fotoreporterët thanë se bjeshkët e Kukësit janë më të bukura që kishin parë.

Fotoreporterët kanë në fokus të udhëtimit të tyre kulturën, traditën, kostumografinë, natyrën e mrekullueshme të bjeshkëve dhe besën e shqiptarëve.

Bjeshkët e Cajës mes livadheve alpine plot lule shumëngjyrëshe kanë një pamje të mrekullueshme.

Kukësi me bukuritë natyrore që e rrethojnë dhe monumentet e kulturës është kthyer në një destinacion turistik si në dimër edhe në verë. Të shumtë janë turistët vendas e të huaj, të apasionuar pas ngjitjeve në mal, që kanë shijuar vitet e fundit bukuritë e bjeshkëve.

Një mrekulli pak e njohur është edhe shpella e Jezinës, e ndodhur në afërsi të fshatit Bele-Kukës. Të frekuentuara janë edhe pikat turistike, si Sasati, Kroi i Kuq, Kroi i Bardhë që kanë nisur të vizitohen jo vetëm gjatë verës, por edhe gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Liqeni i Dhoksit, parajsë turistike mes pishave dhe maleve në Bulqizë

TIRANË, 22 qershor /ATSH – I. Vata/Bashkia Bulqizë është një nga destinacionet turistike të virgjëra që fsheh një natyrë të mrekullueshme si në pak vende të tjera.

Gjendet në grykën e maleve në një pllajë natyrore që rrethohet nga kurora pishash dhe maja të larta malesh që duke që prej shekujsh garojnë mes tyre duke krijuar një kupë qelli blu si bekim i peizazhit mahnitës të kësaj zone.

Bashkia Bulqizë ka projektuar një vit më parë shtegun turistik Liqeni i Zi, Ujëvara e Duriçit, Mali i Dhoksit me liqenet e Dhoksit, që është një atraksioni turistik i kësaj vere.

Në Qafën e Buallit, pika ku thyhen dy pllaja ajo e Bulqizës dhe e Palanit të Bardhë shenjon një rrugë drejt Krastës ku dhe gjenden liqenet e mrekullueshme.

Kryetari i bashkisë Bulqizë Lefter Alla postoi sot pamje nga liqeni i Dhoksit që është një ndër perlat e turizmit malor. “Liqenet e Dhoksit, atraksioni turistik i kësaj vere”, shprehet ai.

Me përfundimin e rrugës së Arbit, ky destinacion turistik do të jetë një nga atraksion që i shtohet ekspozitës natyrore të madhështisë së peizazhit që natyra i ka dhuruar Matit, Bulqizës dhe Dibrës ku vizitorët do kenë mundësi ta prekin nga afër. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

“Dibër: Shtigje dhe Traditë”/ Certifikimi i guidave lokale, promovim turizmit dhe nxitje punësimit

TIRANË, 22 qershor /ATSH – I. Vata/ Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka postuar sot foto nga guidat turistike vendore të cilët shoqërojnë turistët në majën më të lartë të malit të Korabit, duke promovuar bukurinë natyrore të zonës.

“Guidat turistike vendore shqiptare pozojnë me turistë në majën më të lartë të malit Korabi. Këto guida turistike ishin pjesë e projektit të USAID, “Dibër: Shtigje dhe Traditë”, i cili trajnon dhe certifikon guida lokale për të promovuar turizmin dhe për të krijuar vende pune në Dibër”, shprehet ambasada.

“Gjatë këtyre 30 viteve të fundit, USAID/Albania ka ndihmuar Shqipërinë në ruajtjen e bukurisë së saj natyrore nëpërmjet projekteve të tilla. Ndihma në Dibër, për shembull, promovoi turizmin lokal dhe mbështeti restaurimin e ekosistemit duke përmirësuar shtigjet e ngjitjeve në mal. Në partneritet, ne ecim përpara”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA-së.

Parku Kombëtar i Korabit mbetet një nga destinacionet e preferuara të vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj pasi ofron një peizazh të mrekullueshëm dhe vende mjaft interesante për t’u zbuluar dhe shijuar në çdo stinë.

Prej muajsh edhe pse në izolim nga pandemia, Korabi ka pritur vizitorë, grupe ekspeditash dhe adhurues të pyjeve të egra dhe lartësive të mëdha.

Bukuritë natyrore janë të papërshkrueshme, pllaja të gjelbra, maja të thepisura që ngjiten e zbresin sikur male vallëzojnë me qiellin, kudra që zbuten ngadalë drejtë ultësirës së Drinit që gjarpëron mesa mes luginave në një vijë pa mbarim deri në det.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Durrësi, pjesë e tureve në Mesdhe/ Jahti super luksoz “M/Y Lana” ndalet në port

TIRANË, 22 qershor/ATSH/ Jahti super luksoz “M/Y Lana” ndaloi mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit.

Prodhuar në vitin 2020 nga prestigjiozi Benetti, jahti super luksoz me një gjatësi prej 107 m dhe zhytje maksimale 7.55 m, lundron nën flamurin e ishujve Kajman.

M/Y Lana ka mbërritur mesnatën e djeshme në portin më të madh të vendit nga brigjet italiane. Pas ndalesës në portin e Durrësit mjeti luksoz vijon lundrimin drejt destinacionit të radhës.

Që nga fillimi i vitit për shkak të kufizimeve të pandemisë së shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2 në Durrës kanë mbërritur 10 jahte turistike, një numër mjaft i vogël, krahasuar me vitet paraardhëse.

Ndërsa gjatë 2020 mbi 100 jahte turistike janë ndalur në portin e Durrësit. Pavarësisht situatës së krijuar prej pandemisë së COVID-19, sërish Shqipëria ishte një destinacion për shumë turistë të huaj./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

FOTO/ Shtegu i Ngjyrave në parkun natyror Korab-Koritnik, destinacioni i preferuar i turistëve

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Shtegu i Ngjyrave pjesë e parkut natyror Korab-Koritinik është kthyer vitet e fundit në destinacionin më të ri për të apasionuarit pas natyrës dhe ngjitjeve në mal.

Kryeministri Edi Rama publikoi sot disa fotografi me pamje nga ky park natyror, i cili edhe gjatë fundjavës ka tërhequr vizitorë të shumtë.

Edhe vitin e kaluar ky shteg ishte një ndër destinacionet e preferuara të turistëve vendas e të huaj, që pëlqejnë turizmin malor.

Shtegu i Ngjyrave kalon nga bjeshkët e Çajës të Kukësit dhe vazhdon deri në Fushën e Korabit. Afër këtij shtegu ndodhet edhe trekëndëshi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri-Maqedoni e Veriut.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.

Burimet e ftohta të ujit, liqenet natyrore, majat e maleve mbuluar me borë, ofrojnë mundësi të mëdha për të shijuar çdo detaj të turizmit malor, dimër dhe verë.

Gjurmët e këtij shtegu vijnë që nga lashtësia në kohën e krishtërimit. Mendohet se është një shteg 2400 vjeçar, i quajtur ” Scardus” nga Romakët, që në latinisht do thotë plot ngjyra, për shkak të luleve të shumta dhe peizazhit që krijohet në stinë të ndryshme. I pozicionuar në jug të maleve të Sharrit, mendohet që kjo hapësirë të jetë ndër kullotat alpine më të mëdha në Europë.

/k.s//a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Protokolli antikovid i njëjtë me vendet e BE-së/ Çuçi: Shqipëria e hapur për turistët e huaj

TIRANË, 21 qershor /ATSH/ “Qeveria është duke marrë të gjitha masat për të ndihmuar turizmin, një nga sektorët që u prek më shumë nga kriza COVID-19, me qëllim rivitalizimin e qëndrueshëm të tij”.

Kështu u shpreh sot gjatë një interviste televizive zv.ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Ornela Çuçi, ku ndër të tjera theksoi se, “ecuria me ritëm të përshpejtuar e vaksinimit të popullatës kundër COVID-19 dhe nga ana tjetër edhe mirëmenaxhimi i situatës së kovidit në vend, ka dhënë efektet e veta, për sa i përket besueshmërisë së Shqipërisë, ku që në ditët e para të muajit prill nisi fluksi i turistëve dhe i vizitorëve të huaj”.

“Në Shqipëri janë marrë të gjitha masat që mbështesin mbarëvajtjen e turizmit. Në Shqipëri do të zhvillohet këtë vit turizëm pa maska, ndërsa janë marrë të gjitha masat që të ketë një protokoll të qartë i pandryshuar nga njëri muaj në tjetrin, që do të ndihmojë të gjithë operatorët turistikë të mund të shesin paketën e tyre turistike me një garanci shëndetësore”, – tha Çuçi.

Gjithashtu nënvizoi ajo, në mbështetje të turizmit shkojnë edhe një sërë investimesh që ka ndërmarrë qeveria në vepra publike.

“Në vendin tonë janë 11 impiante të pastrimit të ujërave të zeza, që sot raportohet se Shqipëria është te vendet me cilësinë më të mirë të ujërave të detit”, – tha Çuçi.

Sipas saj, Shqipëria nuk e ka ndryshe protokollin e masave antikovid nga vendet e BE, në mënyrë që ky protokoll të jetë shumë i mirëkuptueshëm ndërmjet vizitorit dhe agjencive turistike.

Ajo tha se, në çdo vend europian ka një komitet ekspertësh që konsultohen për masat. Edhe Komiteti i Ekspertëve në vendin tonë është mbledhur së fundmi për të ndihmuar sektorin.

Çuçi u shpreh optimiste se ky vit do të sjellë shpresë për turizmin.

“Sivjet jemi më mirë, kanë filluar çarterat e parë që në prill. Mendoj se jemi duke ecur në hapa të mirë. Të gjitha fundjavat janë pothuajse plot me fluks turistësh dhe kemi shpresë që ky vit do të ketë rezultat më të mirë se ajo që kemi pritur”, u shpreh ajo.

Zv.ministrja nënvizoi se janë mbyllur shumë plazhe që nuk kanë roja.

“Bizneset, kur aplikojnë për shfrytëzimin e plazhit duhet të marrin të gjitha masat për mbrojtjen me roje bregdetare. Nëse nuk ka rojë bregdetare nuk duhet ta ushtrojnë këtë detyrë, jo më ta kërkojnë. Biznesi duhet të jetë i ndërgjegjshëm për mbrojtjen e jetës së turistit. Janë mbyllur disa plazhe që nuk kanë qenë të pajisur me rojë bregdetare. Të gjithë ne bashkë të ndihmojmë sektorin turistik dhe të pushojmë shqip”, deklaroi Çuçi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Posted on

Paketë e përbashkët turistike e qyteteve që lagen nga liqeni i Ohrit

TIRANË, 23 qershor/ATSH/  Në kuadër të 21 Qershorit “Ditës së Liqenit” kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli priti në një takim kryetarin e bashkisë Strugë, Ramiz Merko dhe kryebashkiakun e Ohrit, Kostandin Georgievski.

Në takim u diskutua për një paketë turistike të përbashkët në vijim dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta artistike e kulturore në qytetet që lagen nga i njëjti liqen.

Xhakolli, u shprehe se “fokusi kryesor i këtij takimi është kalimi i bashkëpunimit turistik në një tjetër fazë”.

Lëvizja ujore në të dyja anët e liqenit, tha ai, është gjithashtu një prej prej çështjeve të diskutuara dhe që tashmë ka marrë dritën jeshile.

Tri bashkitë (Pogradeci, Struga dhe Ohri), kanë fatin që shtrihen përgjatë një prej liqeneve më unikalë në botë, prandaj edhe zhvillimi i turizmit duhet të jetë në sinkron mes tre qyteteve.

Pas diskutimit, vizitat vijuan në panairin artizanal dhe në mbyllje një shëtitje me anijen “Lyhnidas”, ku Qendra Kulturore shoqëroi me këngë qytetare udhëtimin.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link