ATSH në plazhin e mbushur me pushues të Velipojës/ Qytetarët: Det dhe rërë e mrekullueshme, vijmë çdo vit

spot_img

TIRANË, 3 korrik/ATSH – B. Naska/ Plazhi i Velipojës, ndër plazhet më të preferuara në veriperëndim të vendit, qoftë edhe për shkak të cilësive kurative të rërës, frekuentohet çdo vit nga qindra mijë pushues nga brenda dhe jashtë kufijve. Shumë prej tyre janë të përvitshëm në sezonin veror në Velipojë, të tjerë vijnë për herë të parë për t’u rikthyer vit pas viti.

ATSH ishte pranë plazhit të Velipojës, për të  biseduar me pushuesit të cilët edhe këtë vit kanë zgjedhur rërën e mrekullueshme dhe ujin e pastër të këtij plazhi. Disa prej tyre thonë se jo vetëm që kanë shumë vite që pushojnë në këtë plazh por që as që do ta ndërronin atë me një zonë tjetër.

Grupi i ATSH-së ishte në Velipoj për të vëzhguar nisjen e sezonit turistik. Plazhi ishte mbushur plot me pushues të cilët thanë se ndihen vërtet të kënaqur nga mënyra e organizimit dhe funksionimit në këtë zonë të bregdetit. Ata e konsiderojnë një vend shumë të përshtatshëm për pushime familjare.

“Është shumë mirë dhe bukur, koha është e mirë. Pushues ka mjaft dhe kemi ardhur me familjen. Do pushojmë 6 ditë, ne kemi ardhur të dielën. Vijmë  nga komuna e Istogut, të Kosovës. Vijmë çdo vit, vetëm vitin e kaluar për shkak të pandemisë. Na ka mbetur merak vitin e kaluar që nuk mundëm të vinim. Është edhe deti edhe rëra shumë e mirë. Vijmë me anëtarët e familjes dhe na duket shumë mirë. Mikpritja është e mirë. Koha ka qenë e mirë dhe mendoj se edhe pushues të tjerë ia vjen të vijnë në Velipojë”, u shpreh një pushues.

Pushuesit nga Kosova janë pjesa më e madhe e atyre që vijnë në Velipojë. Një tjetër element i rëndësishëm në këtë plazh, është edhe hapsira e plazheve publike dhe pa pagesë ku qytetarët mund të vendosin çadrat e tyre personale pa asnjë lloj detyrimi.

“Po, po kënaqemi, është vend shumë i mirë, i shkëlqyer. Sot është e pesta ditë dhe do të qëndrojmë 10 ditë të paktën. Vend më të mirë se këtu nuk ka. Rëra është e mirë, deti i mirë, hapësira është e mjaftueshme dhe banesa ka sa të duash. Ne vijmë nga Kosova. Kam marrë çadrën time. Kam parë që ka hapësirë të mjaftueshme.  Kjo këtu është hapsirë publike dhe e shfrytëzon çdo qytetar. Si zakonisht ne e vendosim çadrën këtu dhe s’ka problem”, shprehet një tjetër qytetar për ATSH.

“Jemi duke e shijuar jashtëzakonisht shumë bukur. Plazhet janë të bukura si Karaibet. Edhe deti dhe rëra është e pastër. Jemi nga Kosova. Unë kam 6 ditë dhe do t’i bëj 10 ditë pushime. Nuk e ndërroj Velipojën. Asgjë nuk na ka munguar, janë shumë korrekt. Këtu është hapësirë publike dhe çdo ditë vendosemi këtu me gjërat tona”, shprehet një tjetër.

Sa i përket kushteve dhe çmimeve që ofron zona e Velipojës, turistët janë vërtet të kënaqur pasi e konsiderojnë atë një zonë ku nuk abuzohet me çmimet dhe pjesa e shpenzimeve është mëse e justifikueshme.

“Kemi  7 ditë këtu dhe do të rrijmë edhe 7 ditë të tjera. Vijmë çdo vit se na pëlqen. Uji i pastër, rëra. Vijmë nga Kosova dhe kemi 10 vjet që vijmë. Kushtet janë shumë të mira dhe çmimet s’janë të larta. Çdo ditë marrim këtu dhe rrimë sepse nuk mund të rrihet në diell”, tha një tjetër. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles