TIRANË, 6 qershor/ATSH/ Për herë të parë pas më shumë se 30 vitesh në Gjirokastër u rikthyen fluturimet në aerodromin sportiv.
Rikthimi në funksion i aerodromit mbi 80-vjeçar të Gjirokastrës synon të marrë jetë në qytetin e gurtë, kjo për vetë pozicionin gjeografik dhe potencialin turistik.
Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga çelja e aerodromit të Gjirokastrës.
“Mirëmëngjes dhe me eksperiencën e çeljes së aerodromit sportiv të Gjirokastrës, një hapësirë më shumë për turizmin e zonës, ju uroj një të diel të mbarë”, – tha Rama.
Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë. Në funksion të vetë zhvillimeve historike, politike, sociale, ekonomike, etj të vendit tonë edhe fluturimet në Gjirokastër do të ishin ato për transportin e pasagjerëve, postës, fluturime për qëllime ushtarake, tregtare, diplomatike, madje edhe në rastet e emergjencave civile.
Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.
Afërsia gjeografike me Sarandën dhe bregdetin e Jonit do të bënte që turistët që do të mbërrijnë në Gjirokastër me linjat ajrore krahas vlerave të qytetit të gurtë të zgjerojnë guidat e tyre edhe me udhëtime në pjesën e bregdetit.
Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale./k.s//a.a/