Duken këshilla te thjeshta, por është pikërisht falë atyre që evitojmë helmimet nga ushqimet…
Për të mbrojtur shëndetin tonë, është mirë të respektojmë disa rregulla për një sjellje të mirë higjieno-sanitare, edhe në fushën e ushqimit. Duken këshilla banale, por është pikërisht falë atyre që evitojmë helmimet nga ushqimet.
Ja disa rregulla të thjeshta, të cilat është mirë të përsëriten:
Lani gjithmonë duart para se të uleni në tavolinë. Në qoftë se nuk keni mundësi për ujë e sapun, përdorni xhel dizinfektues për duart, të cilin duhet ta mbani gjithmonë me vete.
Mos ngrini kurrë një produkt të shkrirë: rrezikoni botulizmin, që është një helmim shumë i rrezikshëm nga ushqimet. Ky rregull vlen edhe për bukën që blihet në supermarket: shpesh janë me brumë të parapjekur dhe të ngrirë më parë dhe më pas të shkrirë e të ngrohur në dyqan.
Kontrolloni temperaturën e frigoriferit: nuk duhet të jetë më e lartë se 4°C, përndryshe ka rrezik që të krijohen mikrobe që mund të shkaktojnë infeksione ushqimore.
Pastroni vazhdimisht frigoriferin me një sfungjer të pastër dhe të dizinfektuar apo të njomur me uthull. Pa frikë, era do të avullojë menjëherë.
Mos i harroni ushqimet në frigorifer: kontrolloni vazhdimisht nëse ka nga ato që janë duke u prishur.
Para se t’i konsumoni, lani frutat e perimet, për të evituar praninë e mikrobeve dhe mbaturinat e antiparazitëve. Mirë do të ishte të përdorej soda e bukës në një enë me ujë për larjen e perimeve që konsumohen të freskëta.
Kontrolloni shpesh datën e skadencës së ushqimeve, duke përfshirë edhe ato që nuk prishen shpejt (miell, drithëra, erëza): rreziku është pikërisht përdorimi i ushqimeve të vjetra që janë në dollap prej vitesh.
Pas gatimit, mos e lini ushqimin më shumë se 2 orë në temperaturën e ambientit.
Mbroni ushqimet e konsumuara, të gatuara apo gjysmë të gatuara, me një qese transparente ose futini në enë hermetike, për të evituar ndotjen.
Zgjidhni më mirë gatimin me avull, i cili ruan vlerat ushqimore.