Fshati Leusë Skeda

spot_img

Fshati Leusë  Skeda

Fshati Leusë  Skeda është pjesë e Njësisë administrative “Petran”, të Bashkisë Përmet.

Fshati Leusë  Skeda shquhet për pasuri të mëdha në burimet natyrore dhe kulturore.

Ai gjendet 62 km larg nga qendra e Qarkut dhe e Prefekturës së Gjirokastrës, si dhe 230 km larg kryeqytetit Tiranës. Pozicionohet mbi një kodër nga ku mund të shijohet një panoramë e mrekullueshme e qytetit të Përmetit i gjendur rreth 2 km larg. Në hyrje të fshatit gjendet një burim me ujë të ftohtë me rrjedhje gjatë gjithë vitit, por objekti më i rëndësishëm është kisha e “Shën Mërisë”. Ajo rrethohet nga tre përrenj të mëdhenj që burojnë nga malet dhe derdhen në lumin Vjosa, si dhe nga selvi e pemë të shumta. Pjesa e përparme e kishës i njgjason një manastiri, kurse në tërësi ajo ka formën e një tempulli dhe mban statusin monument kulture që prej vitit 1963. Përpara saj gjenden disa varre të vjetra që datojnë në vitet 1800-1900. Kisha është e tipit bizantin me bazilikatë e ndërtuar në fund të shekullit XVIII me përmasa 23×10,5 m dhe e rikonstruktuar në vitin 2000. Ajo ka një naos të ndarë në 3 nefe, ku nefet anësore janë të mbuluara me kësula sferike, ndërsa nefi qëndror me qemer cilindrik. Kupola ngrihet mbi tamburin e ngushtë e të lartë, ku në mes te saj ndohen 12 dritare. Struktura kompletohet nga një narteks dykatësh dhe altari. E gjitha është e ndërtuar me gurë dhe e mbuluar me rrasa guri. Kisha ka piktura murale të vitit 1812, ikonostas të gdhendur në dru arre të vitit 1817 dhe një mbishkrim mbi portën hyrese, i cili dëshmon mjeshtërinë e atyre që e punuan. Nga tiparet arkitektonike dhe dekorative ajo mendohet se fillesën e ka në shekullin VII–VIII, e ndërtuar në kohën e Perandorit Justinian, por që madhështinë e mori përgjatë shekujve të mesjetës. Vlera të veçanta artistike kanë afresket e ikonostasi me pamje dhe kompozime të marra nga bibla dhe natyra, me stil e mjeshtëri të lartë që vihet re jo vetëm tek “dera e bukur “ apo “proskinitari“, por në tërësinë e saj. Pjesa e jashtme dekorative është shumë interesante e gërshetuar me një sërë motivesh të realizuara me tulla në muraturë që formojnë simbole, shkronja, kryqe, harqe, korniza dhëmbësharrë, pamje kurrizpeshku etj.

Në Leusë ka edhe burime të mëdha sociale dhe ekonomike, ku aktivitetet kryesore janë bujqësia, blegtoria, vreshtaria, tregëtia dhe në vitet e fundit turizmi. Ka potenciale në praktikat tradicionale të fermerëve, në degustimin e pijeve e ushqimeve, në vreshtari, në mbledhjen e bimëve mjekësore, ecje në natyrë, në njgjitje në mal në këmbë, me mushka, gomer apo me bicikleta etj. Shoqata italiane “Cesvi”, ka hapur një zyrë turistike në pallatin e kulturës në Përmet, po duhet të krijohet edhe një qender agroturizmi për zonën. Aty lumi Langarica zhytet në kodrat e bukura dhe të pyllëzuara plot me lule, të cilat në pranverë mund të përshkohen duke eksploruar gjashtëdhjetë kilometra ecje në shtigje të shënjuara drejt malit të Dhëmbelit dhe rrethinave. Për të vizituar urat, kanionet dhe burimet natyrore termike të Bënjës, duhet të shkohet në drejtim të jugut të shoqëroheni me udhërrëfyes. Ky është qyteti i Përmetit, qyteti i luleve, i festivalit multikulturor të Qershorit I shpallur “Qënder historike”. Gjithashtu Këshilli i Bashkisë Përmet ka vendosur që fshatrat Bënjë, Leusë, Frashër dhe Përmet i vjetër, të shpallen zona prioritare të mbrojtura me mundësi për zhvillimin e turizmit. Leusa dhe Përmeti ndodhen në juglindje të Shqipërisë, buzë lumit Vjosë dhe rrëze malit të Dhëmbelit, 30 km larg kufirit me Greqinë që lidhen nëpërmjet pikës doganore “Tre Urat“. Për të shijuar plotësisht bukuritë e fshatit, duhet ta vizitoni atë në maj në muajin e trëndafilave. Aroma e tyre ndjehet sapo kalon urën e Vjosës dhe i drejtoheni fshatit, në çdo rrugë e rrugicë nga kaloni, dritaret e shtëpive dhe ballkonet janë të mbushura plot me lule që shpërthejnë nga ngjyrat. Udhëtarëve ju jepet mundësia të shikojnë rrugicat e kalldrëmta të zonës së vjetër të qytetit, fshatrat e vjetër, kishat sidomos ato të Leusës e Kosinës me stilin e mrekullueshëm bizantin, dhomat e pasura të amvisave përmetare mbushur plot me zahire, me vazot e qelqëta me gliko, turshitë e shumta, me rakinë dhe verën e zonës.

Udhëtarët e famshëm të huaj, si Evlia Çelebiu, Pukëvili, Edit Durham etj, kanë folur me konsiderata për mikpritjen, këngët, bujarinë, pastërtinë e popullsisë së kësaj zone. Sektori i turizmit mendohet të jetë një nga sektorët kryesorë të zhvillimit ekonomik të Bashkisë dhe Qarkut të Gjirokastrës. Në zhvillimin e turizmit të natyrës dhe kulturor kjo zonë ka shumë mundësira pasi aty ndikojnë trashëgimia, pozicioni gjeografik dhe klima e favorshme. Zona malore ka hapësira të mëdha e të virgjëra që mund të shërbejnë si zona për shëtitje, ecje në natyrë dhe alpinizëm. Klima mesdhetare me diell është shumë e favorshme për zhvillimin e këtyre aktiviteteve. Mjedisi natyror i mbrojtur ka ruajtur arkitekturën tradicionale me shtëpi të ulëta prej guri e me çati prej pllakash guri, shumë të vlerësuara prej turistëve. Njerëzit mikpritës janë të gatshëm ndaj kërkesave të turistëve për ti ofruar atyre produktet që i prodhojnë vetë. Pa pasur nevojën e guidave mjafton të kërkosh ndihmë nga banorët dhe ata me shumë dashamirësi do tju udhëheqin në lagjet e vjetra. Aty rrugët dhe muret prej guri ruajnë grimca nga kultura helene, me dyer të lyera me ngjyrë të kaltër ose të gjelbër dhe mure të bardha me gëlqere. Banorët me shumë paqe e harmoni kanë pranuar diferencat e besimeve fetare. Me popullsi të besimit ortodoks, bektashian e mysliman aty dominojnë kishat ortodokse dhe teqetë, disa prej të cilave të mbrojtura nga organizmat shtetërorë dhe ndërkombëtare. Kur ngjitesh në këmbë drejt Leusës një ndalesë mbresëlënëse është ajo tek kisha e vjetër e “Shën e Premte” e ndërtuar mes qiparisave të lartë dhe lëndinave me lule, ky është sheshpushimi i parë që turistet gjejnë mes qytetit dhe fshatit turistik të Leusës. Teqeja e “Ali Postivanit” është një tjetër atraksion, e ndërtuar në majë të malit me një panoramë përrallore është tashmë një destinacion pelegrinazhi për besimtarët bektashianë nga e gjithë Shqipëria. Rruga e mirë krijon lehtësi për të udhëtuar drejt saj me makinë. Në pelegrinazhin drejt teqesë, gjejmë shumë gjurmë të lashtësisë që nga koha kur kjo rrugë të çonte drejt fshatit Leusë, me familje të kamura dhe të ditura, një perlë e vërtetë me ikona, gurë, dru dhe sende kulti. Ka një atmosferë mistike në ngjitjen drejt kishës, pasi hasim në një rrugë plot me gjelbërim e bimësi që lëshojnë një aromë të fuqishme, ndërsa burimet me ujë të ftohtë të clodhin. Anës rrugës fshatarët e zonës duke hapur brezare, kanë shfrytëzuar një pjesë të tokës për të kultivuar vreshta dhe pemë frutore, teksa uji nuk mungon për vaditje. Për të gjithë ata që preferojnë të ecin dhe të shijojnë natyrën thuajse të virgjër, pelegrinazhi për në Leusë është zgjedhja e duhur. Kisha ndodhet në një vend përrallor rrethuar me burime ujore, përrenj e ujëvara, si dhe dy drurë selvie me lartësi mbi 20 m me formë shumë të rregullt të kurorës, në trajtën e një koni. Mosha e tyre është rreth 150 vjeçare. Kanë vlera biologjike, estetike e turistike. Mund të vizitohen sipas rrugës automobilistike Përmet – Leusë. Leusa dhe Përmeti janë të vendosur në trekëndëshin e turizmit kulturor të UNESCO-s, Butrint-Gjirokastër-Berat. Përmetit dhe fshatrave të tij përreth si Bënja, Leusa, Kosina etj, ndyshimi do tju vijë nga kultura të cilën ata e mbartin si vlerë shpirtërore dhe e bëri Fan Nolin të shkruante:

  • Do të hash e të bësh qejf,
  • sofrën shtruar si për mbret,
  • punëtorë e për hysmet,
  • të tillë gjen veç në Përmet.

Aktivitete tipike që zhvillohen

  • Në 15 Gusht, zhvillohet festa fetare e “Shën Mërisë”.
  • Në 25 Maj, Bashkia Përmet organizon festën kulturore, “Ditët Naimjane”.
  • Në datat 2-15 Qershor, në Përmet organizohet festivali multikulturor.
  • Në 25 Mars, në Përmet zhvillohet festa e Sulltan Novruzit.
  • Zhvillohen “Ditët e Trashëgimisë Europiane”, si Panairi i Artizanit për Qarkun e Gjirokastrës.
  • Zhvillohet “Polifonia Shqiptare në UNESKO”, për Qarkun e Gjirokastrës.

Qëndër informacioni, agroturizmi, artizanale, etj.

Faqja  www.bashkiapermet.gov.al  Zyra e Informacionit Turistik në bashkinë Përmet, Agjencitë turistike, AKZM.

Kanalet e promovimit. Faqja e internetit e Bashkisë,  www.bashkiapermet.gov.al  broshura te zyra e informacionit turistik dhe rrjetet sociale të Bashkisë. Promovimi bëhet dhe nga agjensitë turistike, operatorë të tjerë, AKZM, individë dhe turistë.

Informacion për trashëgiminë kulturore në Gjirokastër me adresë  tic@gjirokastra.org  telefononi në numrin  +355 842 67077.

Një kuriozitet mbi fshatin

Fshati Leusë  Skeda është vizituar nga udhëtarët Edit Durhan, Pukëvili, Celebiu etj.

Ka bashkëjetesë shumë të mirë midis besimeve fetare, bektashi, ortodoks dhe musliman.

Gjendet kisha e “Shën Mërisë”.

Fshati Leusë  Skeda ka disa atraksione natyrore, turistike si lumenj, male, kanione etj.

Facilitetet

Do të përcaktohen facilitete fiskale, në fazën e dytë të projektit fitues të 100 fshatrave dhe 150 bujtinave.

Pjesë e pesë paketave turistike shqiptaro-italiane, nga organizata italiane “Cesvi”.

Një serë projektesh infrastrukturore, në zhvillim e sipër.

Projekte në kuadër të programeve, Interreg IPA të Bashkimit Europian ku Shqipëria përfaqësohet me Qarkun e Gjirokastrës.

Koha që rekomandohet për tu vizituar

Fshati Leusë  Skeda mund të vizitohet përgjatë gjithë vitit, por koha ideale është ajo e sezonit të Pranverë-Verë dhe Vjeshtë, kur zona mbushet me shumëllojshmëri ngjyrash dhe produktesh natyrore.

Si arrihet në destinacion

Leusa gjendet 2 km larg qytetit të Përmetit, 62 km larg qytetit të Gjirokastrës dhe 230 km larg nga kryeqyteti Tirana dhe aeroporti i saj.

Kontaktet e nevojshme

Informacion për trashëgiminë kulturore në Qarkun e Gjirokastër me adresë  tic@gjirokastra.org  telefononi në numrin  +355 842 67077.

Fshati Leusë e Njësisë administrative “Qëndër Petranë”, pjesë e Bashkisë Përmet, Qarku Gjirokastër.

Bashkia Gjirokastër me adresë, telefon: ++355 (123)-7890 me fax: (123) 456-7891 me e-mail: gjirokasterbashkia@gmail.com

Bashkia Përmet me telefon, +355 813 / 22254 dhe me e-mail, bashkiapermet2015@gmail.com

Previous article
Next article

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles