Sipas një studimi të vitit 2002, familjet në SHBA hedhin deri në 213 kg ushqim në vit, si pasojë e prishjes së tij. Edhepse nuk ekziston ndonjë studim për rajonin tonë, jemi të sigurt që në secilën shtëpi ndodh që të hidhen ndonjëherë edhe ushqime që do të mund të ishin përdorur, po të ishin ruajtur në mënyrën e duhur.
- Mënyra më e mirë për të ruajtur freskinë e perimeve është që ato t’i blini në sasinë që do t’u nevojitet për vetëm disa ditë. Në rastet kur blini ushqim me shumicë, fillimisht mendojeni nëse atë ushqim do ta ruani në ambient shtëpie, në frigorifer apo në ngrirje. Është botërisht e njohur që ushqimet që prishen më së shpejti janë shpargujt, brokoli, misri e kërpudhat, ndërsa karrotat e qepët mund të qëndrojnë shumë më gjatë.
- Në rast se ndodh që të gjitha perimet t’i ruani në një vend, atëherë gjasat janë të mëdha që perimet do ta prishin njëra-tjetrën. Perimet e frutat e caktuara përmbajnë etilen, ndërkohë që disa të tjera janë shumë të ndjeshme ndaj tij. Kështu bananet, kajsitë, pjepri, nektarinat, dardhat, kumbullat e domatet përmbajnë sasi të madhe etileni, ndërsa brokoli, shpargujt, karrotat, bizelet, sallatat, specat dhe kungulleshkat janë jashtëzakonisht të ndjeshme ndaj tij. Për shkak të kësaj, këto produkte është mirë që të ruhen larg njëra-tjetrës.
- Perimet që i ruani në frigorifer, mbajini në anën e përparme të tij e jo në fund, ku është më ftohtë. Shmangeni mbështjelljen e perimeve me qese, pasi që ashtu ato nuk marrin ajër të mjaftueshëm dhe për pasojë do të prishen. Më së miri është që perimet e frutat të ruhen në raftet e frigoriferit.
- Patatet, qepët, kungulleshkat e hudhra nuk janë perime që ruhen në frigorifer. Në vend të kësaj, ato mbahen në vende të ftohta e të errëta. Perimet me rrënjë, nëse ruhen si duhet, mund të qëndrojnë me muaj të tërë.
- Në rast se planifikoni të ruani perimet në ngrirje, atëherë është mirë që paraprakisht t’i shpërlani në ujë të nxehtë. Pastaj vendosini nëpër enë të mbyllura hermetikisht, ndërkohë që më vonë mund t’i shpërndani edhe nëpër qeska frigoriferi. Në fakt, brokoli, specat, shpargujt, spinaqi, misri e kungulleshka janë perime që e tolerojnë shkëlqyeshëm ngrirjen.
(Visited 2,303 times, 1 visits today)