Përderisa shumica e njerëzve shijojnë qumështin pa asnjë shqetësim, ka njerëz që pa marrë parasysh moshën, mund të hasin në disa lloje të pengesave kur konsumojnë qumësht.
Këto pengesa mund të manifestohen me reaksione të ndryshme si fryrje të barkut, ndjenjë dobësie në trup e vështirësi në tretje.
Shqetësimet e tilla më së shpeshti paraqiten si shkak i mostolerancës ndaj laktozës, gjendje e cila pengon tretjen normale të sheqerit i cili gjendet në qumësht dhe produktet e qumështit.
Mostoleranca ndaj laktozës është pasojë e veprimit të zvogëluar apo të mungesës së enzimave të laktazës. Gjatë veprimit normal, enzimat e tilla e shpërbëjnë laktozën në sheqerna më të vogla, të cilat mund të kalojnë lehtësisht përmes murit të zorrëve në gjak.
Në mungesë të enzimave në zorrën e hollë mbetet laktoza e patretur, e cila shkakton simptoma të pakëndshme. Gjendja mund të jetë e lindur ose e shkaktuar nga sëmundjet e ndryshme inflamatore të traktit gastrointestinal, të cilat në mënyrë kalimtare ose kronike pamundësojnë veprimin e laktazës.
Krahas zhvillimit ekonomik, teknologjisë dhe tregjeve, në botë është zhvilluar edhe industria e ushqimit, ku njerëzit të cilët kanë preferenca apo probleme të ndryshme shëndetësore, me lehtësi mund të gjejnë produktet e përshtatshme.
Përmes qumështit pa laktozë edhe njerëzit që ndjejnë shqetësime gjatë konsumit të qumështit, mund të marrin vitaminat dhe proteinat e nevojshme që gjenden në qumësht.
Kështu, prodhuesit komercial përmes shpërbërjes enzimatike kanë shpërbërë pjesën më të madhe të laktozës, duke i ruajtur materiet ushqyese të qumështit, për ta bërë atë më të lehtë për tretje, pasi që shumica e njerëzve jotolerant ndaj laktozës vuajnë nga fryrja e barkut, mundimi, apo çrregullime tjera në sistemin tretës.
Njerëzit që nuk mund të përdorin qumështin e rregullt mund të marrin vitaminat dhe proteinat e nevojshme, njëjtë sikur ata që e përdorin qumështin e rregullt, vetëm se nga qumështi pa laktozë.
(Visited 592 times, 1 visits today)