Pjekja e mishit dhe e peshkut e ka zanafillën që kur njerëzit filluan të ndezin zjarrin dhe ne, edhe sot e kësaj dite, vazhdojmë të pjekim dhe na pëlqen shumë kjo gjë.
Ama, që një drekë ose darkë të jetë e përsosur dhe të kënaqemi të gjithë, duhet t’u kushtojmë vëmendje disa detajeve.
Fillimisht, duhet të vendosim se çfarë do të pjekim: mish, peshk apo perime.
Nëse duam mish të bardhë, fillimisht duhet ta marinojmë, në të kundërtën, mund të thahet gjatë pjekjes.
Nëse duam të bëjmë peshk në skarë, mund të përdorim çdo lloj peshku, përfshirë edhe frutat e detit.
Nuk duhet të mungojnë limoni, vaji i ullirit, uthulla, gjethet e rozmarinës, dafina, sherbelaja, piperi e magdanozi.
Marinimi për mishin e bardhë
Në një enë, përziejmë 130 g kos, 1 lugë të vogël curry, magdanoz të grirë, lëngun e një limoni, piper kokërr dhe një thelb hudhër në copa. Më pas, hedhim copat e mishit, i përziejmë dhe i lëmë të marinohen për 2 orë në një mjedis të freskët.
Marinimi për peshkun
E vendosim peshkun në një enë. Më pas, shtojmë pak magdanoz të grirë, hudhër të grirë, lëng limoni dhe gjethe trumze (nëse i keni).
Marinimi për mishin e kuq
-Marinimi i zakonshëm: e vendosim mishin në një enë. Më pas, shtojmë copa hudhre, rozmarinë të grirë, piper dhe verë të kuqe derisa të mbulohet mishi.. I përziejmë të gjitha bashkë dhe e vendosim enën në frigorifer për rreth 2 orë.
–Marinimi me birrë: e vendosim mishin në një enë. Më pas, shtojmë një thelb hudhër të grirë, lëkurën e një portokalli, disa gjethe sherebele dhe piper kokërr. Hedhim birrë derisa të mbulohet mishi, e përziejmë dhe e lëmë të marinohet për të paktën 2 orë në një mjedis të freskët.
-Marinim me mjaltë: në një enë, hedhim 50 ml mjaltë, 30 ml uthull molle, piper dhe trumzë. Hedhim mishin, e përziejmë dhe e lëmë të marinohet për jo më shumë se 30 minuta në mjedis të freskët.
-Marinimi me uthull balsamike: e vendosim mishin në një enë. Më pas, shtojmë uthull balsamike dhe vaj ulliri në sasi të barabartë, lëng limoni, borzilok të freskët dhe piper kokërr. E përziejmë mishin dhe e lëmë të marinohet jo më shumë se 30 minuta në një mjedis të freskët.
(Visited 2,360 times, 1 visits today)