Rruga e re turistike mbi qytetin e Sarandës do të lehtësojë ndjeshëm trafikun e mbingarkuar të sezonit veror

spot_img

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ “Rruga e re turistike që po ndërtohet mbi qytetin bregdetar të Sarandës do të lehtësojë shumë ndjeshëm trafikun e mbingarkuar të sezonit veror, duke ofruar njëkohësisht një tjetër mundësi për të shijuar panoramën e gjirit të Sarandës”.

Kështu deklaroi Kryeministri Edi Rama sot gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen në këtë aks turistik prej 2.3 km.

“Rruga e re me gjatësi prej 2.3 km nuk do të jetë vetëm një rrugë panoramike, por mbi të gjitha do të zgjidhë të gjithë fluksin e trafikut përgjatë sezonit veror në qytet ku kapacitetet rezidenciale rriten deri me 4 fish”, tha kreu i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma.

Ndërtimi i rrugës, përveçse do të lehtësojë ndjeshëm trafikun do t’i japë një vlerë të shtuar zonës, e cila ka qenë e margjinalizuar.

“Me përfundimin e këtij projekti, investimet dhe pronat e qytetarëve këtu do të marrin një vlerë të shtuar”, tha Gurma.

Rruga, e cila është cilësuar edhe si by pass-i i Sarandës nis nga dalja e qytetit dhe përfundon në hyrje të Ksamilit. Po ashtu rruga ka të gjithë parametrat e një zone urbane me kanalizime, ndriçim dhe gjelbërim, si dhe mure mbajtëse.

Deri në fund të vitit kjo rrugë do të jetë e aksesueshme.

Ndërtimi i kësaj rruge vjen nga nevoja e madhe, pasi numri i turistëve të huaj që kanë vizituar në një sezon turistik këtë qytet ka arritur deri në 800 mijë.

Rruga është një prej elementëve të një pakete financimesh që po kryhen në Sarandë me financim të qeverisë shqiptare dhe kredi të Bankës Botërore.

Kreu i Bashkisë, Gurma tha se përveç investimeve infrastrukturore, po shikohet mundësia e investime në objektet social-kulturore.

Investimi në muzeun e qytetit është i domosdoshëm pasi, tha Gurma, kemi një fond mjaft të pasur, i cili duhet të ekspozohet.

“Butrinti shpesh nuk bëhet i aksesueshëm nga turistët e huaj që vijnë me kroçera në Sarandë, ndaj do të ishte i domosdoshëm ndërtimi i një muzeu multidimensional në qytet, çka do të lehtësonte ndjeshëm dhe përmirësonte ofertën turistike dhe këtë fond mjaft të pasur ta ekspozonim për turistët”, tha Gurma. /a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

Source link

Related Articles

Stay Connected

21,992FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe

Latest Articles