TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Sarandë, i cili gjatë sezonit turistik tërheq mijëra turistë vendas e të huaj, vazhdojnë me ritme të larta punimet për rikualifikimin urban të shëtitores përgjatë bregut të detit.
Kryeministri Edi Rama vizitoi sot kantierin mbresëlënës të Lungomares së re të Sarandës, e cila sipas tij këtë sezon turistik do t’i mikpresë pushuesit e shumtë me një transformim të madh e me një plazh të risistemuar , përgjatë një shëtitoreje plot hapësirë në një vijë 1.1 km.
Falë investimit të kryer, kryeministri Rama u shpreh se qyteti ka marrë tjetër pamje dhe shëtitorja do të kthehet në një hapësirë publike shumëfunksionale në shërbim të banorëve e pushuesve gjatë sezonit veror.
Kryeministri kërkoi shtim të gjelbërimit, ndërsa sugjeroi mbjelljen e pishave, për bukurinë që kanë por edhe për shkak se janë pemë jetëgjata.
Kreu i bashkisë së Sarandës, Ardian Gurma informoi se Saranda vizitohet nga turistë të huaj kryesisht norvegjez e suedez përgjatë gjithë vitit ndërsa turistët kryesisht nga Ukraina dhe Serbia janë të pranishëm gjatë sezonit veror.
Kreu i bashkisë theksoi se në bashkëpunim edhe me Bankën Botërore do të ndërhyhet edhe në kalatën e portit të Sarandës për të bërë të mundur ankorimin e krociereve, që aktualisht e kanë të pamundur të ankorohen.
Projekti parashikon edhe restaurimin e fasadave në gjithë gjatësinë me qëllim përmirësimin e estetikës.
Në shëtitore do të mbizotërojnë elementë që e ruajnë identitetin e qytetit si për shembull porta hyrëse e Onhezmit, skulptura të realizuara nga artistë lokalë, sheshi i shatërvanit, pemët ekzistuese dhe zonat e gjelbra, pishina e hapur, etj.
Saranda, e ndodhur në gjirin e detit Jon, konsiderohet si një nga vendet më të bukura të rivierës shqiptare dhe nga destinacionet më argëtuese. I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.
Përveç diellit e plazhit, Saranda njihet dhe për historinë dhe kulturën e saj: e magjishme është kalaja e Lëkurësit, ndërsa Parku Arkeologjik i Butrintit tërheq turistët e shumtë me historinë e tij mijëra vjeçare. /a.a/